Anila Omari
Gjatë tërë historisë gjuha ka qenë te shqiptarët më shumë se te cilido popull tjetër i Ballkanit faktori kryesor identifikues dhe përbashkues (“Shënj‘e kombërisë është gjuha”, – thoshte Sami Frashëri). Megjithatë gjuha shqipe për mijëra vjet mbeti në nivelin e gjuhës së folur, në kushtet e një tradite shumëshekullore universale të përdorimit të gjuhëve ndërkombëtare të mesjetës, latinishtes e greqishtes, si gjuhë komunikimi zyrtar edhe të formacioneve të para shtetërore arbërore si Principata e Arbërit.
Fillimet e shkrimit të shqipes u përcaktuan nga gërshetimi i një vargu rrethanash historike e kulturore të jashtme e të brendshme. Shekulli XVI është shekulli kulmor i Rilindjes evropiane dhe njëkohësisht i lëvizjes politiko-fetare të Reformacionit që lëkundi pozitat e latinishtes si gjuhë e Shkrimeve të Shenjta të Kishës katolike dhe shënoi fillimin e përkthimeve biblike në gjuhët popullore. Brenda vendit ishin rrethanat e pushtimit osman me rrezikun e përhapjes së fesë së tij që rizgjuan elementet e vetëdijes kombëtare dhe nxitën nevojën e ruajtjes së krishtërimit nëpërmjet propagandimit të fesë në gjuhën e vendit.
Seminari XXXIII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën shqiptare, Materialet e punimeve të Seminarit XXXIII, Prishtinë, 18-30.08.2014,
Universiteti i Prishtinës, Prishtinë, 2015, f.325-334, në PDF
Çështja e ruajtjes së fesë ishte e lidhur ngushtë me atë të trojeve të të parëve, që për atë fazë parakombëtare të formimit të kombit shqiptar ishin një koncept i pandarë5. Bjerrja e fesë, dhe, bashkë me të, edhe e lirisë, shihej nga elita e arsimuar e asaj kohe si një pasojë e padijes, një plagë e përhershme e shoqërisë shqiptare, dhe prandaj përpjekjet e tyre u përqendruan në përhapjen e dijes në gjuhën e vendit.
Përpjekjet e autorëve të qarkut kulturor katolik verior të shekujve XVI-XVIII për lëvrimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe janë faktorë që ndikuan në ngjizjen e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve në periudhën para Rilindjes kombëtare. Këtu i gjejmë edhe premisat e idesë së mëvonshme të një gjuhe të përbashkët letrare shqipe, e lidhur ngushtë me ngritjen e vetëdijes kombëtare.
Autorët e vjetër shkruan në një gjuhë që nga një anë i kapërcente kufijtë nëndialektorë të të folmeve të tyre të veçanta, dhe kjo u bë edhe me vetëdije, siç na kumton shprehimisht njëri prej tyre, Pjetër Bogdani, për t‘u pranuar nga publiku ―letrar i kohës, por nga ana tjetër edhe në një bazë dialektore që asokohe përfshinte një hapësirë të gjerë nga verilindja në veriperëndim, pra ishte një lloj koineje veriore e përzier me trajta dialektore, siç e përcaktoi Çabej gjuhën e “Mesharit” dhe që Desnickaja e zhvilloi më tej me idenë e ― koinesë gojore mbidialektore të Veriut‖, e cila përmbante edhe trajta konservative të afërta me toskërishten.
Krahas zgjerimit të bazës dialektore të veprave të tyre, autorët e vjetër bënë dhe një punë krijuese të jashtëzakonshme për të dhënë në shqip idetë e konceptet diturore të gjuhëve kulturore me traditë të lashtë letrare, duke krijuar në këtë mënyrë traditën letrare të qarkut kulturor-fetar të Veriut. Puna e tyre për pasurimin e gjuhës letrare nëpërmjet rigjallërimit të leksikut të vjetër vendas (―fjalëve plaka‖) dhe krijimit të njësive të reja leksikore është e ngjashme me atë të rilindësve.
Veprat e autorëve të vjetër nuk patën përhapje të kufizuar vetëm në arealin verior të hapësirës shqiptare. Ato me gjasë u njohën edhe në jug të vendit, të paktën për sa dimë nga dëshmitë për Doktrinën e Budit. Kur misionari bazilian Neofit Rodinoi në vitin 1637 i kërkoi Propagandës Fide të botojë një Doktrinë të krishterë që po përkthehej në shqip nga prifti Dhimitër për shkollën e Dhërmiut, ai mori përgjigjen se Doktrina ishte botuar shqip dhe mund t‘i dërgonte disa kopje nëse dëshironte. Me siguri në këtë rast bëhej fjalë për Doktrinën e Budit që sapo ishte ribotuar nga Propaganda në vitin 1636.
Në periudhën e konsolidimit të sundimit osman pas dështimit të Aleancës së krishterë në luftën me Perandorinë osmane (1683-1699) tradita gjuhësore-letrare e shkrimeve fetare në Veriun katolik të Shqipërisë bie fashë, edhe pse nuk shuhet, gjatë shekullit XVIII, ndërsa gjuha shqipe na dëshmohet si gjuhë e korrespondencës së klerikëve shqiptarë me Papatin.
Në gjysmën e dytë të shek. XVIII, në një fazë zhvillimi ekonomik dhe qetësimi të trazirave antiosmane që u shoqërua edhe me përhapjen masive të islamizmit në trojet shqiptare, vetëdija kombëtare në dukje e fjetur e etnosit shqiptar gjen shprehje në traditën letrare shqipe të qarkut kulturor ortodoks të Shqipërisë së Mesme me qendër në Elbasan. Në këtë areal u zhvillua edhe kisha ortodokse nën juridiksionin e Patrikanës me qendër në Ohër deri në vitin 1769, kur u zhvendos në Stamboll. Disa nga klerikët më të shquar të kësaj kishe ishin formuar në Akademinë e famshme të Voskopojës, që frymëzohej nga iluminizmi evropian dhe ndikoi në formimin e identitetit kombëtar të popujve të Ballkanit.
Për dy nga emrat më të njohur të dalë nga kjo shkollë, Grigori i Durrësit dhe Teodor Haxhifilipi, ka dëshmi se kanë luajtur një rol të dorës së parë në lëvrimin e letërsisë biblike në gjuhën shqipe. Sipas autorit grek të shek. XVIII, Jorgo Zavira, Grigori përktheu Dhiatën e vjetër dhe Dhiatën e re, me shkronja shqipe që i shpiku vetë, të paktën më se gjysmë shekulli para përkthimit të Dhiatës së Re nga Vangjel Meksi e Grigor Gjirokastriti. Dhaskal Todri po ashtu, siç dëshmon Hahni, thuhet se ka përkthyer të dy Dhiatat, me një alfabet të posaçëm, të shpikur ose të sjellë prej tij në Elbasan. Për fat të keq dorëshkrimet e këtyre përkthimeve kanë humbur pa gjurmë ose janë shkatërruar, siç njofton Hahni për shkrimet e Todrit. Megjithatë janë ruajtur disa fragmente nga shkrimet e Todrit dhe sidomos një dorëshkrim anonim elbasanas, ndoshta nga një Teodor Bogomili, sipas Shuteriqit.
Ajo që ka rëndësi të theksohet për traditën letrare elbasanase është pohimi i Hahnit se Dhaskal Todri u mor me krijimin e një gjuhe letrare të përbashkët për të dy dialektet e shqipes, aq të ndryshëm nga njëri-tjetri. Sipas këtij pohimi do të kishim përpjekjen më të hershme për një gjuhë të përbashkët letrare shqipe, që do t‘i paraprinte me një shekull ideve të Rilindjes kombëtare. Rajko Nachtigall e ka shtyrë më tej kontributin atdhetar të Teodor Haxhifilipit duke hedhur idenë se ai ka dashur të krijojë një kishë kombëtare shqiptare, ideja e së cilës jetonte ende në Elbasan deri në kohën kur ai e vizitoi qytetin (1917).
Në këtë mënyrë ai vendos një paralelizëm mes veprimtarisë së Todrit dhe asaj të Dositej Obradovićit për sllavët e jugut dhe Adamant Koraisit për grekët, të cilët, nën ndikimin e iluminizmit perëndimor të shkollave më progresiste të Gadishullit dhe në një kontekst kulturor-historik të përbashkët ballkanik, përdorën gjuhën popullore në letërsi duke u bërë themeluesit e gjuhëve letrare të popujve të tyre me bazë gjuhën e folur.
Nga fragmentet e shkrimeve të Todrit të gjetura në manastirin e Shingjonit pranë Elbasanit dhe të botuara nga studiues të ndryshëm, si Hahni Geitleri, Pekmezi, Nachtigalli, Lef Nosi, Dh. Shuteriqi, mund të gjykojmë për dialektin e përdorur nga Todri, i cili sipas Hahnit duket shumë i purifikuar dhe i afruar me toskërishten, në dallim nga disa poezi gegërisht që gjendeshin në një fletore tjetër. Analiza e gjuhës së Todrit nxjerr në pah bazën dialektore gego-jugore të Elbasanit, me lidhje të shumta me toskërishten. Por këto përkime me toskërishten duken të jenë karakteristika të një faze më të vjetër të gegërishtes jugore të Elbasanit sesa një përzierje e vetëdijshme me qëllim krijimin e një gjuhe të përbashkët.
Tipare të ngjashme me karakteristika të të dy dialekteve shfaq edhe gjuha e Dorëshkrimit anonim të Elbasanit, e cila paraqet veçori më arkaike se gjuha e Todrit, që nga një anë përkojnë me veçoritë gjuhësore të teksteve të vjetra të Veriut, dhe nga ana tjetër me tiparet e toskërishtes së vjetër. Pavarësisht nëse kjo përzierje gjuhësore është bërë me vetëdije ose jo, atë e ka lehtësuar fakti që e folmja e Elbasanit, në fazat më të vjetra, ishte shumë më pranë toskërishtes nga ç‘është sot.
Nga ana tjetër kanë luajtur rol edhe bashkëveprimet ndërdialektore në zonën ekonomiko-tregtare dhe kulturore, që në shekullin XVIII përfshinte një hapësirë të pandërprerë nga Durrësi e Elbasani në veri e deri në Follorinë e Janinë në jug. Me këto ndikime ndërkrahinore dhe me traditën shkrimore me bazë gegërishten e Elbasanit shpjegohen edhe gegizmat në tekstet shqip të Kavaliotit e të Danil Voskopojarit apo të Nektar Terpos. Një lidhje e autorit të Anonimit të Elbasanit me Voskopojën na dëshmohet nga një përkim interesant leksikor që vihet re në tekstin e Anonimit dhe në fjalorin e Teodor Kavaliotit: është fjala për neologjizmin kullotës ―bari‖, që s‘e kemi hasur gjëkundi tjetër.
Përpjekjet për shkrimin e shqipes me alfabete të posaçme në shek. XVIII dhe për kthimin e shkrimeve fetare në shqip, me synimin për t‘u shkëputur nga ndikimet e huaja dhe për të afirmuar liturgjinë fetare në gjuhën kombëtare, natyrisht duhen konsideruar shfaqje të vetëdijes kombëtare shqiptare mjaft kohë përpara Rilindjes. Në këtë mes nuk është pa domethënie fakti se alfabeti origjinal për shqipen që shpiku Todri shërbeu në shek. XIX në Elbasan si shenjë e shqiptarizmit të atyre që e përdornin, në dallim nga përkrahësit e kishës greke që përdornin shkronjat greke, dhe si një kërkesë për të afirmuar më mirë gjuhën shqipe si një gjuhë e veçantë dhe popullin shqiptar si i dalluar nga të tjerët.
U ndalëm pak më gjatë në traditën shkrimore të shek. XVIII për të theksuar faktin se ky shekull nuk ishte shekulli i përgjumjes kombëtare, por paraprijësi dhe ndriçuesi i rrugës drejt Rilindjes Kombëtare të shekullit XIX. Gjithsesi vetëm në këtë shekull u zhvilluan dhe poqën në mënyrën më të plotë kushtet ekonomike-shoqërore, historike, politike e kulturore që bënë të mundur ngjizjen e ideologjisë kombformuese shqiptare, që vendoste në plan të parë vlerat kombëtare mbi partikularizmat krahinore e fetare. Për arsye të zhvillimit më të madh ekonomik e kulturor të vendit ku kishin gjetur strehë prej qindra vjetësh, këto kushte u poqën më herët tek arbëreshët e Italisë, prej të cilëve dolën edhe disa nga nismëtarët e Rilindjes kombëtare shqiptare.
Krahas me traktatet për identitetin historik-kulturor, antropologjik e gjuhësor të arbëreshëve si popull i ndryshëm nga grekët, me të cilët shpesh herë i ngatërronin për shkak të përkatësisë së njëjtë fetare, ndër dijetarët arbëreshë u artikulua më herët edhe ideja e një gjuhe të përbashkët për të gjithë shqiptarët. Kjo ide, në fillim pas gjase e kufizuar për rrethet letrare arbëreshe, duket se kishte zënë rrënjë që në shekullin XVIII tek arbëreshët intelektualë, të cilët me lëvrimin e letërsisë së tyre e ngritën gjuhën shqipe jo vetëm në rangun e një gjuhe ―poetike‖, me tekstet e Nikollë Brankatit, Nikollë Filjes, Nikollë Ketës, por edhe të një gjuhe ―zyrtare‖, p.sh. me letrat në shqip e latinisht të Imzot Zef Skiroit drejtuar Papës, apo në tekstet teologjike e doktrinare të hartuara nga Nikollë Keta.
Këto tekste shpërfaqin një gjuhë letrare shqipe mbidialektore, të përzier me elemente të toskërishtes, gegërishtes dhe toskërishtes arbëreshe dhe të pastruar nga ndikimet dialektore dhe ato italiane, me tiparet e një koineje të komunikimit të shkruar. Por në mënyrë të vetëdijshme dhe të argumentuar kjo ide u shpreh së pari nga gjuhëtari i shquar Dhimitër Kamarda në vitin 1866, kur shtroi nevojën për një gjuhë të përbashkët për të gjithë kombin shqiptar, me perspektivën për t‘u bërë ajo një ditë edhe gjuhë letrare. Kamarda e ka të qartë se gjuha letrare duhet të mbështetet mbi një bazë dialektore të caktuar, por sa më të gjerë e të kuptueshme për të dy dialektet e shqipes. Ai mendon se ekziston një hapësirë gjuhësore qendrore ku takohen e përzjehen të dy dialektet e shqipes, hapësirë që shkon nga lumi Shkumbin deri në Vjosë, e folmja e së cilës do të ishte më e përshtatshmja për t‘u bërë gjuhë e përbashkët.
Në të njëjtën periudhë kohore flamurtari i Rilindjes kombëtare De Rada kishte përpunuar idenë e një gjuhe letrare për të gjithë arbëreshët dhe shqiptarët, edhe pse e shihte këtë gjuhë te e folmja e shkruar e arbërishtes së Kalabrisë, pra te gjuha që përdorte ai. Ai e shihte studimin e gjuhës si mjet bashkimi të shqiptarëve dhe të zgjimit të ndërgjegjes kombëtare, prandaj punoi me ngulm për promovimin e gjuhës shqipe me botime të ndryshme për lashtësinë e saj, për gramatikën dhe alfabetin, me organizime kongresesh gjuhësore e me ngritjen e katedrës së gjuhës shqipe në Napoli. Në themel të idesë së vet rilindase ai kishte krijimin e një letërsie kombëtare shqipe të cilën u mundua ta krijonte vetë duke u nisur nga modelet e poezisë popullore dhe duke u përpjekur ta përpunojë këtë gjuhë me synimin për të krijuar një gjuhë letrare.
Jo shumë vite më vonë, në 1877, një kërkesë të ngjashme do ta shtrojë mendimtari dhe atdhetari i spikatur pararendës i Rilindjes, Zef Jubani, i cili u dallua edhe në fushë të gjuhës me krijimin e një alfabeti, hartimin e një gramatike dhe me mendimet për një gjuhë letrare të përbashkët. Ai e shtron drejt çështjen e alfabetit të përbashkët për të gjithë shqiptarët i cili nuk mund të vlejë si i tillë ―pa u vendosur nga një mbledhje e letrarëve shqiptarë dhe arbëreshë. Ky alfabet do të shërbejë si mjet që gjuha shqipe të ketë letërsinë e vet me parime të përshtatshme për natyrën e saj.
Mbi këtë bazë filologët do të mund të dallojnë dialektet e ndryshme e të shumta të shqipes dhe duke i krahasuar, të vlerësojnë njërin prej tyre si më i përshtatshmi për të qenë i parë. Me këtë kërkesë Jubani shtron nevojën e një gjuhe të përbashkët letrare për të gjithë shqiptarët dhe në këtë çështje, ashtu si në shumë të tjera që lidhen me vizionin e tij për të ardhmen e kombit shqiptar, është në pararojë ndër shqiptarët e trojeve kompakte shqiptare.
Veprimtarët e Rilindjes kombëtare i përqendruan përpjekjet te përhapja e letërsisë dhe arsimit në gjuhën shqipe si mjetin kryesor për forcimin e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve. Në fjalorin rilindas termat gjuhë dhe komb ishin një binom i pandarë.
Në këtë periudhë u artikuluan më qartë idetë për një gjuhë letrare për të gjithë shqiptarët. Rilindasi i madh, Sami Frashëri, duke vënë theksin te ruajtja e gjuhës amtare si mjeti kryesor i ruajtjes së identitetit kombëtar, i mëshon njëkohësisht shkrimit të gjuhës, si detyra parësore që duhet të kryejë një komb për të ruajtur kombësinë e tij. Në vizionin e tij për të ardhmen e kombit shqiptar ai parashikon edhe një gjuhë të përbashkët, e cila do të krijohet në kryeqytetin e ardhshëm të Shqipërisë me përzierjen e të folmeve të ndryshme të banorëve të ardhur nga të katër anët e vendit dhe do të shërbejë si gjuha letrare e gjithë Shqipërisë. Samiu, ashtu si dhe rilindasit e tjerë, i shihte si një komb i vetëm shqiptarët gegë e toskë, madje si një nga kombet më të vjetër të Evropës e të botës, dhe për sa i përket gjuhës, ata ―flasinë një gjuhë me fort pakë të ndruarë, të cilëtë do të ngrihetë fare për s‘afri duke ndërtuarë gjuha. Kështu ai parashikon se me përpunimin e gjuhës në letërsi, ndryshimet themelore midis dialekteve do të vijnë duke u rrudhur, deri në zhdukje.
Në periudhën e Lidhjes së Prizrenit, si një fillesë formacioni shtetëror autonom shqiptar të krijuar nga ndërgjegja kombëtare e shqiptarëve, doli si një nga nevojat më të ngutshme çështja e një alfabeti të njësuar për shkrimin e shqipes, në mënyrë që të zhvillohej letërsia shqipe dhe arsimi kombëtar. Kjo nevojë u konkretizua me krijimin nga Komiteti i Stambollit të Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip (1879) me kryetar Sami Frashërin dhe anëtarë figurat kryesore të Lidhjes së Prizrenit. Shoqëria mori përsipër detyrën e drejtimit e të organizimit të përpjekjeve për të ngritur shkolla shqipe në gjithë vendin dhe për të zhvilluar me ritme më të shpejta letërsinë shqiptare, duke botuar tekste shkollore, vepra letrare, broshura shkencore e organe periodike shqipe.
Hapi i parë që ndërmorën nismëtarët e Shoqërisë ishte krijimi i një alfabeti të përbashkët, gjë që u realizua me miratimin e projektit të Sami Frashërit, i quajtur alfabetit të Stambollit. Ky alfabet pati përhapje të gjerë dhe luajti një rol të rëndësishëm në lëvizjen kulturore shqiptare. Nga gjiri i Shoqërisë së Stambollit dolën edhe shoqata të tjera atdhetare-kulturore si klubet ―Bashkimi‖ të cilët përpunuan edhe ata një alfabet të shqipes që u zbatua krahas me të parin dhe më vonë u miratua si njëri nga dy alfabetet për shkrimin e shqipes në Kongresin e Manastirit (1908).
Në këtë periudhë veprimtarët e Rilindjes shtruan nevojën edhe të një gjuhe të përbashkët. Në një letër që i drejton De Radës bashkë me Jani Vreton dhe Naim Frashërin, Sami Frashëri shkruante: ―Lidhja Shqiptare kërkon bashkimin e Shqipërisë në një vilajet autonom‖. Krahas bashkimit politik Samiu shtronte edhe çështjen e gjuhës së përbashkët: ―Një gjuhë shqipe e pandame dhe e njëjtë na duhet se shumë gjuhë e dialekte sjellin ndarje e mërgim. Gjuha shqipe do të bëhet e begatë, e gjerë e do të shpëtonjë nga të pasurit nevojë me fjalë të huaja dhe gjithë dialektet do të gjenden të bashkuara e të përzjera.‖ Gjithë veprimtaria gjuhësore e letrare e rilindësit Konstandin Kristoforidhi (1827-1895) do të përmbante në mënyrë implicite idenë e tij për gjuhën e ardhshme të përbashkët letrare shqipe.
Si njohës i thellë i gjuhës amtare si në përhapjen e saj gjeografike-dialektore ashtu dhe në fazat e vjetra të saj, ai pasqyroi në Fjalorin e tij (1904) pasuri leksikore nga të gjithë dialektet dhe nga tekstet të vjetra të Budit, Bardhit e Bogdanit, duke vendosur një gur themeli në kodifikimin e gjuhës letrare shqipe. Për të njëjtin qëllim shërbeu edhe gramatika e tij e gjuhës shqipe (1882) e mbështetur në dialektin toskë. Me lëvrimin e gjuhës shqipe në të dy dialektet ai dëshmoi se mes tyre nuk ka dallime të mëdha dhe u përpoq për afrimin e tyre në shkrim. Ai zhvilloi edhe një punë të ngjeshur krijuese për pasurimin e fjalorit të shqipes me neologjizma të goditur. Cilësimi që përdori ai për veten si ―babai i gjuhës shqipe‖ tregon për veprimtarinë e ndërgjegjshme të tij për themelimin e një gjuhe letrare shqipe.
Çështjen e gjuhës letrare shqipe do ta trajtonte më pas në mënyrë sistematike Faik Konica në revistën Albania, që në numrin e parë të saj më 1897, me rubrikën ―Për themelin e nja gjuhës letrarishtes shqip.
Përfytyrimi i rilindësve për gjuhën letrare kombëtare shqipe ishte krijimi i saj nga një përzgjedhje e të folmeve të ndryshme krahinore, që do ishte produkt i punës krijuese të lëvruesve të gjuhës. Këtë ide e pati një kohë Kamarda, i ndikuar nga procesi i formimit të gjuhës letrare italiane, i cili përgatiti edhe një antologji me tekste të zgjedhura shqipe për të bërë të njohur modelet gjuhësore të anëve të ndryshme të hapësirës shqiptare.
Kamarda ndërmori madje edhe nismën vetjake për të krijuar një gjuhë të përbashkët letrare, mbidialektore, me rastin e përkthimit në shqip të një studimi të Dora D‘Istrias, botuar në frëngjisht në vitin 1866. Për këtë qëllim ai lexoi e studioi tekstet e vjetra shqipe dhe gjuhën tyre, si dhe gjithë çka ishte botuar në shqip deri në atë kohë, dhe përdori atë lëndë dialektore që i dukej më e mira, më e fismja e më e pastra shqipe.
Edhe Faik Konica në fillimet e revistës Albania kishte mendimin se gjuha letrare duhet krijuar me lëndën e nëndialekteve të ndryshme, sipas disa rregullave të caktuara. Sipas kësaj ideje disa rilindas shkruanin në një gjuhë të përzier, si Jani Vreto, Samiu dhe Naimi, vetë Konica në fillimet e revistës Albania, Luigj Gurakuqi etj. Me kalimin e kohës, kur u bë e qartë se shkrirja e dialekteve në një nuk kishte gjasa të ndodhte në një kohë të parashikueshme, veprimtarët dhe filologët pasrilindas ndërruan mendim lidhur me gjuhën e përbashkët të shkrimit dhe u përqendruan në një dialekt natyror si bazë e gjuhës së shkrimit, në hullinë e idesë së Zef Jubanit, të Kamardës e të Konicës për ―gjuhën e mesme‖ ose të Elbasanit e rrethinave të tij si ―e folmja më e bukur e më e pastër shqipe‖ dhe njëkohësisht si ―urë midis dialekteve‖, ku përziheshin elemente të të dy dialekteve të shqipes.
Megjithëse përpjekjet për krijimin e vullnetshëm të një gjuhe të përbashkët nga përzierja dialektore u treguan të pasuksesshme, përpjekjet e përbashkëta afatgjata të pararendësve të Rilindjes, të vetë rilindasve dhe të të gjithë shkrimtarëve të mëvonshëm që u ndikuan nga ideja e një gjuhe letrare mbidialektore me pjesëmarrjen e të dy kryedialekteve të shqipes, kontribuan në formimin e një gjuhe letrare të përpunuar e të pasuruar me lëndë gjuhësore nga e gjithë hapësira mbarëshqiptare. Në fund të fundit, siç thotë Çabej, këto qarqe parakombëtare, qarku letrar katolik, ai ortodoks dhe qarku italo-shqiptar, duke kontribuar secili me elementet e veta dhe pavarësisht nga njëri-tjetri, janë derdhur të gjitha në ―lumin e literaturës nacionale të shek. XX.
Në një ndërlidhje e bashkëveprim të ngushtë shkak-pasojë, shkrimi i gjuhës shqipe, hapja e shkollave shqipe dhe përhapja e letërsisë në gjuhën shqipe nga fundi i shekullit XIX e fillimi i shek. XX patën një ndikim të jashtëzakonshëm në forcimin e idesë kombëtare që çoi në pavarësimin e Shqipërisë më 1912.
E përgatiti për publikim, prof. Zymer Mehani