Gjuha e njësuar nuk është pemë e thatë, por lis në gjelbërim!

0
517
Gjuha Shqipe

Botuar ne “Gazeta Sot” më 29 Nëntor 2013

Nga Preng Cub LLESHI *

(Replikë rreth ideve të shkrimit “Standardit t’i hiqen brakeshat”!)

Më vjen rëndë që po e citoj titullin e mësipërm, sepse unë nuk do të guxoja të shprehesha në këtë mënyrë përpara një opinioni publik, qoftë ky edhe i kufizuar në hapësirën e një ode. Por nuk kisha si të veproja ndryshe, sepse pikërisht ky titull më nervozoi dhe më detyroi ta lexoj tërë shkrimin e Kolec Traboinit rreth gjuhës shqipe të njësuar, ose standardit, si po i thonë, botuar në revistën “Drini”, Nr. 4, të këtij viti.

Çuditërisht, edhe Koleci, si edhe disa kolegë të tij në Shkodër e në Kosovë, vë në shënjestër njërin nga mbrojtësit e gjuhës së njësuar shqipe. Se dukej që, pas gjuhëtarëve të shquar Rami Memushaj e Shpëtim Çuçka, radhën do ta kishte edhe bashkëpunëtori i tyre, akademiku Gjovalin Shkurtaj, i cili duket se është pozicionuar në mbrojtje të vendimeve historike të Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972.

Por artikullshkruesi, që në fillim të sulmit, bën një gabim serioz: E sulmon “kundërshtarin” jo me armë të reja të prodhuara në shkencën e gjuhësisë, por me armët e thyera të kolegëve të tij, me frazeologji politike! Kjo duket kur Koleci, si me nervozizëm, shkruan: “Vendosja e toskërishtes në bazë të Standardit është bërë nga dyshja Hoxha-Shehu dhe marionetat e tyre Kostallari e kompani”, ide të cilës tanimë i ka dalë boja. Por, disi ndryshe nga kolegët e tij, Koleci sikur paraqitet më guximtar. Ai, pothuaj, del hapur kundër Standardit, i cili, sipas tij, “nuk mund të përmirësohet duke u mballosur (?!) me do arna të vjetra nga rekuizitat e vjetra të gjuhësisë politike” (?!), duke i kërkuar bashkëpatriotit të tij, Gjovalin Shkurtaj, që “gjuhëtarët e Enver Hoxhës t’i heqin brakeshat Standardit” (?!), pra ta përmbysin atë dhe të krijojnë një Standard të ri mbi bazën e gegërishtes.

Këtë ide, artikullshkruesi përpiqet ta mbrojë me gjuhën e poetit, kur e krahason gegërishten me Hirushen “e përrallës, të cilën e fshihte shtriga, për të mos dalë në pah bukuria e vajzës”. Por gabon keq Koleci në krahasimin e tij, sepse asnjë “shtrigë” nuk është përpjekur të fshehë bukurinë e vargut poetik të Ndre Mjedes, të cilin Dh. Shuteriqi e quante “Mjeshtër i rrallë i strofës dhe i tingëllimës”!

Koleci gabon rëndë në krahasimin e tij, sepse shqiptarët e kulturuar i kanë vlerësuar, siç i vlerësojnë edhe në ditët tona, veprat e Rilindasve tanë të mëdhenj Pashko Vasa, Preng Doçi, Risto Siliqi, për të ardhur deri tek Migjeni e Gjergj Fishta, i cili, për hir të unitetit kombëtar, pat gjetur si pseudonim togfjalëshin “Geg Toska”! Dhe duket qartë se “shtriga” është vetëm në fantazinë e autorit të shkrimit! Për këtë dëshmon jo vetëm realiteti gjuhësor i ditëve tona, por edhe e gjithë krijimtaria kulturore e artistike gjatë gjysmës së dytë të shekullit njëzet, kur drejtonte, siç thotë Koleci, “diktatura e Enver Hoxhës”.

Se shqiptarët e zgjuar nuk e harrojnë “Ansamblin e Këngëve dhe të Valleve Popullore”, ku zotëronin jo vetëm kostumet e mrekullueshme të Malësive tona, por edhe këngët në dialektin gegërisht! E njëjta gjë ka ndodhur edhe në fusha të tjera të artit, në dramaturgji e në kinematografi. Se nuk mund të harrohen filmat “Besa e kuqe”, “Komisari i Dritës”, “Këshilli i ndrikullave”, “Çifti i lumtur” e të tjera, siç nuk mund të harrohen dramat “Toka jonë”, “Cuca e Maleve”, operat “Mrika” e “Skënderbeu” e plot vepra të tjera, të cilave asnjë “shtrigë” nuk mundi t’ua fshehë bukurinë, siç nuk mund t’ua fshehë as në ditët tona!

Në këtë linjë, Kolec Traboini, si edhe ca kolegë të tij në Shkodër a në Kosovë, “harrojnë” një të vërtetë të madhe: Harrojnë se, kudo në botën e qytetëruar, “gjuha kombëtare” nuk ka dy baza, por një bazë dialektore, e cila vendoset si e tillë për shkaqe objektive e subjektive. Dhe nuk mund të ndodhë, siç po “bën vaki” në Shqipëri, të dalë një “krahinë” e të thotë: “Duhet ndryshuar gjuha jonë kombëtare! Duhet sjellë ajo në dialektin e krahinës sonë”!

Aq më tepër, në realitetin shqiptar nuk ka pse të tentohet të ngrihen mure midis dy dialekteve të gjuhës sonë, sepse, për fatin tonë të mirë, dialektet e shqipes, siç kanë konstatuar gjuhëtarë të mëdhenj vendas e të huaj, nuk kanë ndryshime thelbësore midis tyre. Se ka të drejtë gjuhëtari Emil Lafe kur thotë se “Dialekti amtar toskë ose gegë nuk e ka penguar aspak brezin tim, …që të kuptojë e të shijojë shkrimtarët e një dialekti tjetër?

Për rrjedhojë, bie edhe mendimi i autorit të shkrimit, sipas të cilit “gegnishtja është varrosur si kauzë, një herë e përgjithmonë”, siç bie edhe ideja e tij se “nëse e anashkalojmë… praninë e gegënishtes në Gjuhën Letrare Shqipe, na do të jemi një degë e thame në trung të kombit”(?!) – ide që e vret shpirtin e dashamirësit të gjuhës së njësuar shqipe! Se krahasimi i mësipërm, edhe pse i shprehur me një gjuhë disi poetike, nuk qëndron dot në këmbë përpara realitetit gjuhësor në Shqipëri. Sepse, në qoftë se “gegë” e “toskë”, sipas poetit të Rilindjes sonë Kombëtare Asdreni, “janë dy lisa pranë ngjitur”, edhe të dy dialektet e shqipes janë dy burime të pashtershme, që e mbajnë përherë të gjelbër lisin madhështor të gjuhës së njësuar shqipe, duke ia shtuar gjethet-fjalë pa prerë!

Për këtë bindet kushdo që e ka ndjekur punën kolosale të gjuhëtarëve shqiptarë gjatë gjysmës së dytë të shekullit njëzet për mbledhjen e fjalorit të begatë të gjuhës sonë.

Mjafton të kujtojmë se Fjalori i Gjuhës Shqipe i vitit 1954 përmbante rreth 25 mijë fjalë, kurse Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe, botuar në vitin 1980, përmbante 41 mijë të tilla, ndërsa Fjalori Drejtshkrimor i Doktorit të Shkencave Rami Memushaj, i vitit 2006, ka mbi 70 mijë fjalë.

Se edhe disa shembuj që përpiqet të sjellë Koleci, për të ”vërtetuar” të ashtuquajturën supremaci (?!) të dialektit “gegë” (?!) mbi dialektin “toskë”, në fakt, nuk shpjegojnë “supremacinë” e këtij apo atij dialekti mbi tjetrin, por bashkëveprimin midis tyre. Ato shembuj tregojnë se të dy dialektet, në shtegtimin e tyre historik, kanë marrë e kanë dhënë elementet më aktive dhe gjuhëtarët tanë i kanë fiksuar këto elemente në veprat më të mira të tyre.

Këtë të vërtetë duket se ka pasur parasysh edhe krijuesi Mentor Thaçi, i cili strofën e parë të një poezie kushtuar gjuhës shqipe e formulon me këto vargje:

Sa gegnishte,
Aq tosk’rishte,
Gjuha shqipe
Ilirishte”!

Se janë me mijëra fjalë të dialektit gegërisht, edhe pse Standardi është ndërtuar mbi bazën e dialektit toskërisht, që kanë hyrë natyrshëm në gjuhën tonë të njësuar, shumica e të cilave u grumbullua në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë në vitet 1967-1972. Disa prej tyre janë: Pishnajë, krahnezë, amtar, dykrenore, loke, kreshnik, gjithkund, bjeshkë, dashnor, çetinë, farefisni, varrë, zanë, njoftim, gëmushë, kurrkush, ranishte, rinohem, shtojzovalle e të tjera e të tjera, të cilat janë fiksuar në fjalorët e gjuhës sonë.

Ky realitet gjuhësor, që konstatohet lehtë nga cilido dashamirës i gjuhës sonë letrare kombëtare, e rrëzon, pa mëdyshje, edhe tezën absurde të Kolec Traboinit, sipas të cilës “gjuha shqipe, me atë bazë fjalori që kemi, është si një lis në vjeshtë, që po i lëshon gjethet një nga një”. Se, edhe në qoftë se autorit i duket kështu, duhej të kujtonte vargun mjedian “pas dimnit vjen pranvera”, edhe pse gjuha e njësuar po e jeton këtë pranverë!

Por lind edhe një pyetje kur dëgjon opinione të tilla: Nga ç’motive niset autori i shkrimit kur thërret: “Mjerë ne!” dhe pastaj bërtet në kupë të qiellit: “Përse duhet që arbërorët tanë ta ndjejnë vetën të huaj në këtë farë Standardi, që është fund e krye dialekti i një treve të ngushtë gjuhësore”? Mos vallë niset nga motive shkencore, se i duket se po prishet e “bastardohet” gjuha jonë e bukur? Jo!

Motivi që e shtyn Kolecin të flasë kaq ashpër kundër gjuhës sonë letrare kombëtare, ose kundër Standardit, është, për fat të keq, motivi politik: Urrejtja patologjike ndaj çdo gjëje të krijuar në gjysmën e dytë të shekullit njëzet! Prandaj edhe Koleci, si edhe disa kolegë të tij shkodranë, thotë si me dhimbje, se Standardi “u imponue nga pushteti i Enver Hoxhës”, duke shtuar, përsëri me dhimbje, se “me keqardhje konstatojmë se, falë profesorëve të tij, duhet t’i heqim pasojat e ideologjisë së tij”. (?!)

Por këto gjykime, të cilat i fryjnë psikologjisë antikombëtare të ndarjes “Jug-Veri”, duket se nuk i pranojnë edhe ca antikomunistë të thekur. Kjo merret vesh kur, në një shkrim të kohëve të fundit të Kristo Zharkalliut, ku lexojmë: “Nuk mohohet që ky Kongres (Kongresi i Drejtshkrimit-shënimi im)… dhe vendimet e marra u bënë në kushtet e një diktature të egër, por kjo nuk ua zbeh aspak vlerat kombëtare… për një gjuhë të njësuar”, duke shtuar pastaj se “në këtë fushë nuk ka vend për politikë, për ideologji dhe për mllef antigjuhësor”!

Dhe, në fund, dua t’i them shumë shoqërisht Kolecit: Mirë se me Gjovalin Shkurtaj-n të “lejohet” të flasësh edhe “pa dorashka”, po me Akademikun e shquar kosovar – Rexhep Qosja nuk të ka hije fjala fyese! Se ky kolos i kulturës shqiptare, nuk lufton për të mbrojtur “arat e tij” në Kosovë, por për të mbrojtur Monumentin më madhështor të kulturës shqiptare në shekuj – gjuhën e njësuar letrare kombëtare!

Dhe le ta dëgjojmë këtë kolos kur thotë se “Gjuha standarde është fryt i përpjekjeve të krijimit të saj prej Rilindjes kombëtare e deri sot; është fryt i studimeve të gjithanshme… që janë bërë në gjuhën shqipe. Gjuhën standarde shqipe nuk e ka krijuar politika, nuk e ka krijuar Enver Hoxha! Po ta kishte krijuar, unë do t’i thosha: “Të lumtë! Ke bërë vepër madhështore, veprën më të madhe gjuhësore, kulturore, politike, kombëtare… në jetën e popullit shqiptar”!”. Dhe ti, Kolec, nuk don ta dëgjosh Akademikun tonë të madh?!

*Autor i dymbëdhjetë librave poetikë, publicistikë, historikë e gjuhësorë dhe diskutant në Kongresin e Drejtshkrimit në vitin 1972