Gjon Keka: E vërteta për prejardhjen e Skënderbeut dhe nënës së tij

0
1357

Nga Valeria Dedaj – Shekulli.com.al17 janar 2017

Historiani edhe studiuesi Gjon Keka rrëfen shkakun e vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut në 17 janar të 1468. Ai sjell edhe një pjesë nga testamenti që Skënderbeu i la të birit, që i flet çdo brezi.

Historiani dhe studiuesi Gjon Keka (foto) ka botuar më shumë se sa një libër për Gjergj Kastriot Skënderbeun. Ai na rrëfen se në botimet e tij, bazuar në dokumente të arkivave të ndryshme, Skënderbeu nuk është një luftëtar i zakonshëm, që i është kundërvënë pushtuesit osman. Por, mbi të gjitha ai është edhe një politikanë i urtë edhe me vizion. Historiani i ri, saktëson data të cilat, i njohim ne versione të ndryshme rreth jetës së Skënderbeut, por ai edhe shpjegon arsyet, se përse thuhet, që nëna e Skënderbeut është me origjinë sllave. “Nëna e Gjergjit ishte tipike epirote-arbnore, në vendin se lindjes së saj Pollogun nuk kishte sllav në atë kohë, saqë edhe sot mund të verifikohet lehtë, prandaj tezat janë ngritur për ta rrëzuar lidhjen e dyfishtë të Gjergjit, si me pjesën që zotëronin Kastriotit dhe ata të Pollogut epirot apo abrnor”.

Zoti Keka, cila qe shtysa, që ju nisët të shkruani për Skënderbeun?

Siç dihet ne kemi mësuar në shkollë për historinë e kombit shqiptar e në kuadër të kësaj edhe për figurën dhe heroizmin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Kjo ishte fillesa e parë e njohjes me të bëmat e tij, pastaj kur erdha në Austri, fillova të hulumtoj në arkiva dhe biblioteka për Shqipërinë dhe periudhën e Gjergj Kastriotit apo më mirë jetëpërshkrimin e tij.

Aty hasa në dokumente të shumta, si në kronika, në historinë botërore dhe në shumë vepra tjera të autorëve europian figura e këtij arbënori të madh ishte qendra e trajtimit së bashku me Huniadin për periudhën për të cilën ata jetuan dhe vepruan. Ndërsa tjetra, është se unë isha i etur për të kërkuar më shumë dokumente, si për historinë e Shqipërisë, ashtu edhe të figurës qendrore të kombit tonë europian, pra Gjergj Kastriotit Skënderbeut, po ashtu edhe kjo lidhet me profesionin tim që bëjë, më punën e vazhdueshme në kërkim dhe në pritje së ccfarë do të dalë nga burimi i pashtershëm i arkivave të Austrisë për Gjergjin tonë të Madh.

Cilat janë arkivat, që keni përdorur si burime kryesore?

Në arkivin shtetëror të Vjenës, Arkivat e Landeve dhe bibliotekave të ndryshme austriake, Arkivi i Diocezave Austrikae, Arkivi i Landit të Steiermarkut, Bibliotekat Nacionale etj.

A keni teza të reja, që ju sillni në botimet tuaja, për jetën e Skënderbeut?

Në botimet e mia Gjergj Kastriotit Skënderbeu bazuar gjithnjë mbi dokumentet dhe literaturën e besueshme nuk del vetëm një luftëtar i zakonshëm, ose i madh, një strateg, një manovrues i madh për të gjetur shtigjet e shpëtimit, të kundërvënies së armikut dhe të shkatërrimit të armikut apo pushtuesit otoman. Ai na del edhe një politikan i urtë e me vizion, një diplomat që njeh kanalet diplomatike në thellësi, një burrështetas i papërsëritshëm pasi ndërtoj themelet e një shtetit në unitet, duke bashkuar principatat ai bashkoj gadishullin Ilirik, madje bashkimi i principatave në Kuvendin e Lezhës përbën hapin më të madh të tij në historinë iliro-arbnore dhe mbi të gjitha ky hap u bë si model, si një sinjal se si do të duhet të ishin në unitet princat dhe mbretërit e europës sidomos në atë kohë ky unitet do të shpëtonte jo vetëm europën, por edhe Arbërinë nga pushtimi turk, i cili më vonë do të linte pasoja të mëdha në këtë mjedis.

Sidoqoftë, Gjergji i Madh u bë mburoja, u bë avokati, u bë zëri i parë dhe më i fuqishmi i unifikimit të Europës e që ky unifikim do të nënkuptonte për atë kohë fuqinë politike, ushtarake, ekonomike dhe të shpëtimit të saj nga armiqtë që gjithnjë i afroheshin. Ndërkaq, si një mbret i përgjegjshëm dhe vizionar, Skënderbeu kishte përgjegjësinë e kujdesit, vigjilencës dhe përdorimit të avantazheve të veta në dobi të vendit të tij, duke treguar kështu zhvillimin e vazhdueshëm në të gjitha drejtimet të shtetit të Arbërit. Po ashtu, ai manifestoi përpjekjet e tij të mëdha për të mirën e përbashkët dhe, mbi të gjitha, për të mirën e gjithë familjes së kontinentit europian dhe civilizimit të përgjithshëm të tij.

Sipas jush, cilët janë faktorët kryesorë, që e ndihmonin Skënderbeun, të ishte fitues edhe përballë forcave të mëdha të Turqisë, gjatë udhëheqjes së tij?

Lufta e Gjergj Kastriotit Skënderbeut me Turqit ishte njësoj, si beteja e Davidit me Goliatin, kjo nuk do të thotë se Gjergji ishte shtatvogël apo kishte fuqi të pakta, por nga forcat ushtarake të pabarabarta me pushtuesin turk dhe ai edhe përkundër kësaj doli fitues pothuajse në të gjitha betejat. Nuk duhet lënë anash Skënderbeu qysh nga fëmijëria kishte treguar talentet dhe dritën e tij që qëndronte brenda tij, dritë kjo që më vonë do të ndriçonte Arbërinë dhe jo vetëm, por edhe Europën. Sepse, pikërisht kjo dritë do të mbante larg për aq kohë sa jetoj errësirën otomane në trojet arbënore dhe ato europiane.

Po ashtu, duhet nënvizuar se Gjergj Kastrioti ishte rritur në oborrin e Sulltanit, ishte edukuar, kishte mësuar të gjitha artet e luftës aty brenda, ai në atë oborr ishte më i famshëm se vetë Sulltani, sepse në gojë të perandorisë emri i tij njihej edhe nga fëmijët e vegjël për mrekullitë, që ai bënte në luftëra apo beteja të ndryshme. Këto, talenti, trimëria, guximi dhe urtësia e bënin atë triumfator, triumfator edhe sa ishte gjallë fizikisht, triumfator edhe pasi vdiq, sepse në varrin e tij sërish u gjunjëzuan turqit dhe morën kockat e tij në qafë, si shenjë e mbinatyrshmes së tij.

“Qeveria e urtë e Skënderbeut”, përse e quani të tillë në një nga librat tuaj?

Së pari, ai mund të përshkruhet si vetë vlera e shëndoshë, e pakrahasueshme e lidershipit të Arbërisë, sepse ai ndoqi qëllimin më të lartë – jo pozitën më të lartë – ai mbrojti ekzistencën e popullit arbëror – por jo vetëm të tij – ai mbrojti ekzistencën e familjes dhe të farefisit, ngriti lart me entuziazëm flamurin e fitores, të identitetit dhe të standardit më të lartë të shtetit të Arbërit, përgjatë epokës së mbretërisë së tij.

Së dyti, ky mbret largpamës, i drejtë dhe atdhedashës ia riktheu lavdinë vendit të tij, mbretërisë arbërore, menjëherë pas rikthimit të tij në folenë atërore, e cila kishte vite, që rënkonte nën peshën barbare turke që e pat gllabëruar e shkatërruar. Skënderbeu e rindërtoi rrugën e re bazuar gjithnjë në themelet e qenies dhe të identitetit të lashtë iliro-arbëror, e fuqizoi vendin dhe tregoi me guximin e tij aftësitë dhe urtësinë, si qëllimin e tij të vetëm për të formuar një shtet të lirë, të fuqishëm arbëror mes kombeve mbretërore europiane. Me autoritetin e tij prej shtetari të mençur Skënderbeu ndikoi, si dhe u bë mbledhës i të bukurës, u bë roje e vlerave të lashta të kombit iliro-arbëror.

Dhe së fundi, ai kishte plotësisht të drejtë kur ndërtoi shtetin e Arbërit në themelet e etërve të tij, për të mos dalë jashtë binarëve të të parëve. Kështu, ai e hodhi spirancën dhe legjitimoi të drejtën e tij dhe të trashëgimisë së tij, duke e ringritur në mënyrë të fuqishme vendin, atdheun, për të ndriçuar jo vetëm mbi gjithë gadishullin ilirik, por edhe në atë të kontinentit europian.

Gjithashtu, gjatë tërë jetës së tij ai i bëri ballë presionit të kohës së mesjetës dhe zhvillimeve dramatike që vinin si nga pushtuesit e jashtëm, më pas ata të brendshëm, si dhe ata që rrinin mënjanë në mënyrë neutrale apo që shpesh zinin dhe dilnin në anën e armikut. Guximi i tij i madh, bujaria dhe udhëheqja vizionare përbëjnë tharmin e politikës së mirë, të diplomacisë së qëndrueshme dhe dobiprurëse, si dhe bërjen model të shtetit të Arbërit për shumë vende të tjera në kontinentin europian.

“Skënderbeu, ideator i Europës”. Por, çfarë vendi zë kjo figurë konkretisht në historinë e Europës? Po roli politik dhe ushtarak i Arbërisë në raport me vendet Europiane?

Figura e Gjergj Kastriotit Skënderbeut zë vendin qendror në historinë e Europës, së bashku me Gjon Huniadin, por mbi të gjitha Gjergji ishte referenca, ishte pikëmbështetja e Evropës, kontinentit ishte në kurrizin e tij gjerë në vdekjen e tij më vitin 1468, sepse ai e mbrojti atë, në fakt duke mbrojtur atdheun e tij ai mbrojti edhe tërë kontinentin, po të kishte mbështetje Kostandinopoja sot do të ishte pjesë e thesarit Europian, po ashtu, edhe po të mos shembej Projekti i përbashkët europian i Papa Piu II më në krye Gjergj Kastriotin, sot trojet arbënore sigurisht do të ishin pjesë kardinale e europës së Bashkuar dhe me një zhvillim të madhe në shumë fusha.

Ndërsa, sa i përket pozitës së brendshme dhe të jashtme, pra ajo ndërkombëtare e shtetit të Arbërit ishte tepër e avancuar, në atë kohë, si dhe jepte siguri të lartë. Ky shtet luftonte një të keqe të madhe dhe, njëkohësisht, kishte marrëdhënie diplomatike ndërkombëtare me shumë shtete, çka tregon zhvillim dhe bashkëpunim të domosdoshëm për një shtet. Shteti i Arbërit ishte i rrethuar me troje të rëndësishme të kulturës shpirtërore dhe materiale gjë që, në fakt, ishte edhe thelbi i shtratit të civilizimit të përgjithshëm europian, mbi të cilin Europa si familje ekziston, jeton dhe zhvillohet edhe në ditët tona.

Këto zona me vlera dhe objekte arkeologjike, dëshmi të lashtësisë dhe kulturës shqiptare, i ruante dhe i restauronte lideri i shtetit të Arbërit, Gjergj Kastrioti. Ai ishte tepër i kujdesshëm në ruajtjen dhe rritjen e këtyre vlerave të trashëguara, si dhe të rrezatimit të kulturës, artit dhe të gjitha fushave të tjera që ishin me rëndësi për vendin. Sidoqoftë, ajo çka tregon më shumë është tradita e origjinës së këtij shteti, themelet dhe lashtësia e tij, sepse shteti i Arbërit kishte një histori të vjetër, në kuptimin se mbi ç’parime ishte ndërtuar ai dhe cili shpirt e mbante atë lidership që udhëhiqte, pra Gjergj Kastrioti, bir i Gjon Kastriotit, mbretit të Arbërisë, themeluesit të kodit shtetëror dhe politik në trojet arbërore e deri në Dalmaci.

Asgjë nuk ishte në kundërshtim me themelet dhe traditën në këtë shtet, gjithçka atje ekzistonte mbi vlera të lashta dhe në traditën e kulturës të mirëfilltë, sepse shpirti i lashtësisë gjallonte në brendësinë e secilit, ndërsa fryma e zhvillimit të së mirës së përgjithshme dhe jetës ishte në unitet të shtetit të Arbërit. Jo të gjitha republikat në periudhën e mesjetës ishin kaq të fuqishme, të lulëzuara dhe krenare, si dhe nën mbrojtjen e ndonjë shenjti, vizionari, strategu dhe të urti, siç ishte shteti arbëror nën udhëheqjen e mbretit Gjergj Kastrioti.

Cilat janë vendet e Europës, që i dhanë ndihmë gjatë udhëheqjes ?

Janë tri vende Napoli, Venedikut(jo deri në fund), Papati, Hungarezët etj. Po të kishte mbështetje konstante edhe nga princërit tjerë punët e Arbërisë dhe të vetë Europës do të ishin më mirë se që janë sot, sepse europa, më saktësisht Shqipëria dhe disa nga vendet tjera nuk do të prekeshin nga ideologjia e pushtuesit turk, por do të ishin vende aktive në jetën dhe dinamikën e popujve të Europës së bashkuar.

Për rrethimet e Krujës dhe Lidhjen e Lezhës, çfarë do të na thoshit?

Kruja ishte epiqendra, aty ishte pika më e nxehtë e luftës më pushtuesin turk, aty ishte edhe muri i pakalueshëm i kësaj perandorie famëkeqe, nga aty ajo u kthye shpesh e turpëruar dhe me humbje të mëdha. Ndërsa, Lezha siç e nënvizova edhe më Lartë ishte modeli i unitetit, ishte vërtet një hap i madh historiko-politik dhe ushtarak i vendit, por edhe një tregues se si duhet të ishte Europa në të vërtetë. Pra shembull i madh për kohën dhe të ardhmen e Arbërisë dhe Europës.

Çfarë e bënte Skënderbeun guximtar dhe vizionar?

Ai nuk njihte frikë, njeriu që do lirinë nuk njeh frikë, ai ishte i guximshëm, sepse besonte në veten e tij, në aftësitë e tij, në talentin e tij, në krahun e tij, në ushtrinë besnike të tij, pra ai kishte një zemër e tru me duar dhe me sy e vesh, që i shërbenin trupit të tij. Më mirë ta them në të përmblidheshin guximi, talenti, urtësia, vizioni dhe njohja e paimagjinueshme.

Cili është letërkëmbimi më me vlerë i Skënderbeut, të cilin mendoni se duhet të dinë shqiptarët e sotëm?

Letërkëmbimet, të cilat do të duhet sot t’i din shqiptarët janë ato me Sulltanin, ku ai tregon arsyen e rikthimit të tij në atdheun e tij për ta çliruar dhe domosdoshmërinë e dëbimit të pushtuesit otoman-turk nga kontinenti europian. Po ashtu edhe Letërkëmbimet me Papët e kohës tregojnë, si për lidhjet e tij me Papët e kohës, mbështetja e tyre e madhe për të dhe shtetin e Arbëri, por edhe zhgënjimet e Gjergj Kastriotit nga ta dhe Venediku. Duhet cekur se aleati më besnik i Gjergj Kastriotit ishin hungarezët në krye me Huniadin dhe Napoli.

Sa njihet historia e vërtetë e Skënderbeut, nëpërmjet teksteve të historisë shqipe. A ka nevojë për një rishikim të kësaj epoke nga historianët?

Historia e Skënderbeut njihet mjaft nëpërmjet teksteve të historisë, edhe pse do të duhet të bëhet akoma më shumë, që kjo figurë të jetë kryetema e historisë, sepse nga aty dhe nga ai e koha e tij brezat tani dhe në të ardhmen do të mësojnë thellësinë dhe lartësinë e kombit të tyre dhe figurës qëndrore të saj. Jeta dhe vepra e Gjergj Kastriotit është kapitulli më i rëndësishëm i historisë së popullit shqiptar dhe ajo duhet t’u mësohet brezave më dashuri.

Nuk mendoj se ka nevojë për një rishikim të kësaj epoke, por ndoshta më mirë do të duhet të të themi a ka nevojë të shkruhet më shumë për këtë epokë të lavdishme të historisë së shqiptarëve. Historia dhe ajo epokë nuk mund të ndryshohet, as të rishikohen, sepse nuk ka ndonjë dokument që e hedh poshtë atë epokë, përkundrazi ka dokumente të mjaftueshme, që e përforcojnë se ajo epokë ishte një nga epokat e lavdishme të historisë sonë.

Ndërkohë, që ne në 17 janar 1468 përkujtojmë ditën e ndarjes nga jeta, 6 maj 1405 ditën e lindjes, a janë të saktësuara këto data?

Në shumë kronika kam gjet Janarin si datë të vdekjes së tij, edhe nëse është shkruar diku-diku më 24 diku më 27 apo 17 Janar ato mund të jenë bërë nga kronistët, ajo që është me rëndësi të them këtu është se Gjergj Kastrioti ka vdekur në Janar, ndërsa 17 Janar është dika që simbolizon më shumë vdekjen që simbolizon më tepër humbjen e shpresës për të ardhmen e arbërisë, sepse gllabëruesi turk tanimë kishte hapur gojën për ta shkatërruar arbërinë.

Megjithëkëtë data 17 Janar është datë e vdekjes pasi më nuk dëgjoheshin të bëmat e Gjergjit të Madh. Ndërsa datën e lindjes, po ashtu e kam has se ai ka lindur më 3 Maj, 6 Maj, apo 9, por e vërteta është se ai ka lindur më 6 Maj, sepse pikërisht atë ditë thuhet se e ëma sheh ëndrrën e saj që do të simbolizonte shpëtimtarin apo “dragoin e Arbërisë”, dhe vetëm dragoit e tillë lindin më 6 Maj edhe Gjergj lindi në atë datë.

Po për prejardhjen e familjes së tij, sipas jush cila tezë është konkrete? Për nënën thuhet se është me origjinë sllave. Çfarë mund të themi për këtë?

Ka teza të ndryshme, por e vërteta qëndron gjithmonë dhe ajo fletë nëpërmjet dokumenteve dhe fakteve, në kohën e epokës së Kastriotëve territoret shtriheshin përreth tezave lëvizëse, që sot shëtisin në gojët dhe librat e shumtë, por më e sakta është se ata ishin fis Kastrati dhe vinin nga Hasi i Prizrenit, që rrethonte edhe Mirditën dhe pjesë tjera, prandaj ka edhe dokumente që thonë se ai ishte një Mirditor dhe mund të jetë ashtu se Kastratët e Hasit i lidh kjo pjesë e rëndësishme.

Ndërsa, Nëna e Gjergjit ishte tipike epirote-arbnore, në vendin se lindjes së saj Pollogun nuk kishte sllav në atë kohë, saqë edhe sot mund të verifikohet lehtë, prandaj tezat janë ngritur për ta rrëzuar lidhjen e dyfishtë të Gjergjit, si me pjesën që zotëronin Kastriotit dhe ata të Pollogut epirot apo abrnor. Madje në një vepër të vitit 1553 e kam gjet, ku pikërisht për këtë shkruan se tribalët ishin epirot, apo quheshin edhe “Epiarensios Tribalos”.

Ne jemi mësuar me një Skënderbe, të fuqishëm fizikisht, që mban në kokë, një helmetë me brirët e dhisë (përkrenare). Por, cili është ai version, që i afrohet më shumë portretit të Skënderbeut?

Më shumë duhet ta shohim Gjergj Kastriotin në versionin, i cili mban një kurorë lavdie, një kurorë të madhështisë. Por, Gjergji mbante edhe veshjen kombëtare, në kohë pushimesh, kur rrinte në shtëpi-oborrin e tij mbretëror, pra atë duhet ta shohim, sipas versionit të një arbnori të pastër dhe europiani të madh.

Rreth vdekjes së Skënderbeut historianët flasin për shkaqe të ndryshme. Cili është ai variant, që ju e gjeni më të besueshëm?

Ka dy teza të cilat tani qarkullojnë: e para, e vdekjes së natyrshme, dhe e dyta e vdekjes nga helmimi. E para, është tezë që tani për tani është më e mbështetura, por duhet akoma dokumente të gjenden për ta bërë më të fuqishme këtë fakt. Ndërsa, teza tjera ka dal si rezultat i vdekjes nga helmimi, duhet ditur se ka patur tendenca të vazhdueshme për ta helmuar Gjergj Kastriotin nga sulltanët, por edhe nga Venediku kur i rrezikoheshin interesat e saj. Por, edhe nëse kjo ka ndodh ajo sigurisht është bërë nga ndonjë njeri që ka jetuar brenda oborrit të mbretërisë së Kastriotit, pra një njeri i brendshëm, por që i ka shërbyer interesave të ndryshme të armiqve të ndryshëm. Gjergjin nuk ka e qenë lehtë ta helmoje, pasi ai e kishte të njohur këtë qysh në oborrin e Sulltanit dhe më pas, kur ai u rikthye në Krujë dhe tendencat për ta helmuar.

Për memorialin e tij, ka historianë, që janë shprehur, se eshtrat e heroit nuk ndodhen në Lezhë. Çfarë mund të thoni diçka më tepër?

Ashtu si për vdekjen, ashtu edhe për eshtrat e apo varrin e tij. Lezha jo rastësisht ka memorialin e tij, aty pranë Katedrales së Shën Nikollës, ai u varros dhe kjo është ajo që qëndron më shumë, sepse në atë kohë Lezha ishte nën administrim Venecian, ndoshta kjo është një nga arsyet që kanë devijuar nga e vërteta me teza tjera jashtë Lezhës.

Çfarë ka diçka, që do të donit të përmendnit nga testamenti i Skënderbeut?

Testamentin e Gjergj Kastriotit duhet ta ketë çdo shtëpi Arbënore, çdo shkollë, çdo universitet, sepse testamenti i tij na flet edhe sot neve, ai këtë nuk ja la vetëm birit të tij, ai këtë na e le neve, dhe brezave që do të vijnë. Këtu do të përmend këto nga Testamenti i tij e që ka rëndësi: “Të jesh i dobishëm për të gjithë njerëzit, pa dallim gradash. Një gjykim i nxituar gjithmonë provon një mungesë të plotë të gjykimit… Mos vdisni skllevër… Një monark, edhe nëse do të ishte i varfër, ai duhet të jetë bujar…, drejtësinë që është themel i të gjitha virtyteve…”.