Isak . A H M E T I
Një nga kryeveprat letrare-poetike të Anton Nikë Berishës është, pa dyshim, romani: “GJIN BARDHELA I ARBRESH & ETJA E GURËZUAR“, SHB “Faik KONICA”, Prishtinë 2002; La sete pietrificata. Romanzo. Pellegrini Editore, Kozencë, 2013, përkthyer italisht nga Albana Alia. Të dy bitimet e këtij romani, shqip dhe itslisht, kanë zgjuar një interesim të veçantë tek kritika letrare shqipe dhe ajo italiane.
Ky roman si tekst narrativ dhe si tekst i hapur (U. Ecco), ka ofruar mundësi të shumta interpretimi dhe vlerësimi. Si arritje e përkryer artistike (E.Topi), si roman i një bukurie kulmore (Ganni Mazzei ), ka zgjuar interesim të madh, të jashtëzakonshëm, tek kritika letrare shqipe dhe e huaj, veçanërisht ndër shkrimtarët dhe studiuesit italianë dhe arbëreshë. Kjo shihet dhe dëshmohet më se miri te libri i sapo botuar me titull:
ROMAN VLERASH TË JASHTËZAKONSHME POETIKE
52 punime të autorëve shqiptarë dhe të huaj për romanin “Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar” të Anton Nikë Berishës, SHB “Faik Konica”, Prishtinë 2019.
Vëllimi në fjalë, 52 punime të autorëve shqiptarë dhe të huaj paraqet një ngjarje të rrallë jo vetëm për letërsinë shqipe, por edhe për atë italiane. Punimet e 52 autorëve shqiptarë dhe të huaj, siç janë:
Amik Kasoruho, Domenico Corrado, H. Brousard, Anton Çefa, Lazër Stani, Dante Maffia, Agron Tufa, Sergio Paulo Foresta, Eris Rusi, Albana Alia, Prend Buzhala, Eneida Topi, Zef Skiro di Modika, Bardhyl Matraxhia, Ragip Sylaj, Vinçenc Bellmonte, Anton Gojçaj, Faruk Tasholli, (Hamdi) Erjon Muça, Isak Ahmeti, Pasquale Maffeo, Fiorella De Rosa, Nicla Marletti, Gianni Mazzei, Rossella Fusco, Vincenzo Bruno, Natasha Xhelili, Giuseppe Napolitano, Francesco Fresca, Giannini Antonio Palumbo, Fatmir Minguli, Alessandro Gaudio, Enrico Bagnato, Flavio Nimpo, Griselda Doka, Matteo Pulizzi, Giovanni Pistoia, Demetro Emanuele, Flavio D’Agostino, Alberico Guarnieri, Deborah Rocco, Irena Gjoni, Giorgio V. Sammarra, Nexhat Rexha etj. nxjerrin në pah dy çështje thelbsore:
nga njëra anë qasje, lexime dhe interpretime të ndryshme, substanciale, pra ndriçojnë veçantinë, pasurinë dhe pafundësinë e vështrimit të tekstit dhe mundësinë e komunikimeve të ndryshme me të dhe nga ana tjetër aftësinë dhe dijen e autorëve të punimeve, të përfshira në këtë vëllim, për t’u ballafaquar dhe komunikuar me një strukturë tekstore poetike të hapur (U. Ecco), të ndërliqshme siç është romani Etja e gurëzuar (Albana Alia).
Këtij vëllimi i paraprin një Parathënie, shqip dhe italisht, shkruar nga Albana Alia & Labinot Berisha, që është mjaft përmbajtësore dhe shërben si një Vade mecum për të hyrë në libër dhe në vlerat që ai ka.
Nga vetë titujt e shkrimeve dhe përmbajtja e tyre kuptojmë se vepra në fjalë e Anton Nikë Berishës është vlerësuar si roman kulmor, si vepër e një bukurie kulmore (Gianni Mazzei), si roman që lë shenjë të pashlyeshme në letrat shqipe të çdo kohe (Irena Gjoni ), si poet i frymëmarrjes së përjetshme të jetës (Demetrio Emanuelle), roman që mban mijëra magji që gurëzojnë (Giovanni Pistoia), si roman shumë pushtues (Cosmo Azzinori ), etj.
Në fund të këtij vëllimi është edhe një fjalë përmbledhëse e autorit Anton Nikë Berisha, ku konstaton me shumë të drejtë, se leximi dhe vlerësimi i veprës – ngushëllim dhe dhuratë për autorin.
Të gjitha punimet, 52 sosh, për Gjin Bardhelën, që janë përfshirë në këtë vëllim, të gjitha së bashku dhe secila veç e veç për autorin janë një dhuratë dhe një ngushëllim i madh.
Krejt në fund, duke iu referuar edhe fjalës përmbyllëse të autorit të romanit, Anton Nikë Beishës, le të theksojmë se 52 punimet në shumësinë e qasjeve, të interpretimeve dhe të mendimeve të shfaqura, e kanë pasururuar botën e romanit, duke i dhënë asaj një përmasë edhe më të gjerë, e kanë plotësuar me ato nuanca, që autori nuk ka mundur t’i shprehë e t’i përligjë në tekstin e përftuar.