GJERGJ KASTRIOT SKENDERBEU — I PËRGJITHMONËSHMI I FISIT SHQIPTAR

0
1162
Gjergj Kastrioti - shtatore

Nga Frank Shkreli

Kështu e pat cilësuar Fatosin e Kombit Shqiptar, Papa Pali i VI me rastin e ceremonive që janë zhvilluar në Romë në vitin 1968, në kujtim të 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skenderbe. Kremtimet me këtë rast zgjatën plot katër ditë në Romë dhe në Vatikan, ku udhëheqsi i atëherëshëm i Kishës Katolike Papa Pali i VI priti pasardhësit e Skenderbeut në qytetin e përjetshëm, shqiptarë mërgimtarë nga Evropa, Amerika dhe më gjërë.

Ndërkohë që viti 2018 është shpallur nga qeveritë e Tiranës dhe të Prishtinës, por edhe nga Kisha Katolike në trevat shqiptare dhe në diasporë si viti i Gjergj Kastriotit Skendërbe, kanë filluar tashmë përgatitjet për të shënuar 17 Janarin si ditën kur ndërroi jetë Heroi i kombit Shqiptar, ndërsa janë në plan të zhvillohen programe të ndryshme kulturore, akademiko-shkencore dhe ceremoni të ndryshme, jo vetëm në trojet shqiptare, por edhe anë e mbanë botës ku ka shqiptarë, gjatë gjithë këtij viti. Këtu në Shtetet e Bashkuara kanë filluar përgatitjet dhe janë njoftuar disa kremtime fillestare për të shënuar këtë përvjetor me rëndësi historike, ku shqiptarët pa dallim feje a krahine, ashtu siç janë bashkuar gjithëherë për raste të tilla, do të bashkohen edhe kësaj radhe për të kujtuar heroin e tyre kombëtar, me rastin e 550-vjetorit të vdekjes, këtë javë dhe gjatë gjithë këtij viti.

Ishte pikërisht, 50-vjetë më parë që diaspora shqiptare qe bashkuar në Romë dhe në Vatikan për të shënuar 500-vjetorin e vdekjes së Kryetrimit të Kombit shqiptar dhe të verpimtarisë së tij epike. Me ndihmën e Vatikanit dhe Papa Palit të VI, të Arbëreshëve dhe të diasporës shqiptare të njohur në Romë në atë kohë, përfshirë Profesor Ernest Koliqin dhe të tjerë, shqiptarët mërgimtarë nga të gjitha trojet shqiptare, me arbëreshët e Italisë — të gjithë të bashkuar në Romë dhe në Vatikan ( me përjashtim të përfaqësimit të regjimit komunist të Enver Hoxhës) – i treguan botës dinjitetin kombëtar dhe krenarinë e tyre duke nderuar Fatosin e tyre të Madh. 500-vjetori i Vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skenderbe ishte gjithashtu një rast që vuri në dukje respektin e Vatikanit për Heroin e Shqipztarëve dhe për kombin shqiptar në përgjithësi.

Papa Pali i VI, i cili luajti në rol të rëndësishëm në ceremoninë e 500-vjetorit të vdekjes së Skenderbeut, është njëri prej papëve që nuk njihet aq mirë ndër shqiptarët, pasi jetoi dhe veproi gjatë luftës së ftohtë kur feja ishte e ndaluar me ligj në Shqipëri ndërkohë ishte edhe kulmi i vrasjeve, përndjekjeve dhe i persekutimeve të klerit katolik në Shqipëri, në një kohë kur Shqipëria komuniste ishte shpallur, “shteti i parë ateist në botë”dhe regjimi komunist i Enver Hoxhës e quante Vatikanin si “qëndrën e obskurantizmit botëror”. Megjithkëtë, besimi i Papa Palit VI në vlerat, në traditat dhe vetitë cilësuese të shqiptarëve, si dhe respekti i tij ndaj historisë së shqiptarëve dhe vuajtjeve të tyre në përgjithësi, e sidomos respekti i tij ndaj Heroit Kombëtar të shqiptarëve Gjergj Kastriotit – Skendërbe, u tregua me pritjen entuziaste që ai u bëri shqiptarëve në vitin 1968, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Fatosit kombëtar të shqiptarëve.

Shqiptarët kishin shkuar në Romë për të festuar 500-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit nga të gjitha anët e botës, përveç Shqipërisë komuniste. Kishin vajtur atje arbëreshët e Italisë, shqiptarë nga Kosova, mërgimtarë nga Evropa dhe Australia dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Organizata Pan-shqiptare Vatra ishte e pranishme në krye të një delegacioni shqiptaro-amerikanësh, që i printe i ndjeri Anthony Athanas. Ishin këto festime e kujtime 3-4 ditëshe në Romë dhe në Vatikan më 1968, ku mërgimtarët e ri të arratisur nga murtaja e komunizmit e shekullit 20 u bashkuan me arbëreshët që ishin detyruar të largoheshin nga trojet e tyre nga otomanët, pesë shekuj më parë. U bashkuan në Romë dhe në Vatikan për një takim vëllazërimi, rreth heroit të tyre kombëtar, pa dallim feje e krahine — ashtu si ishte dikurë dhe si duhet të jetë edhe sot – të bashkuar ashtu siç i do Gjergj Kastrioti Skenderbe.

Revista Shëjzat e botuesit Ernest Koliqi, në një përshkrim të gjatë të festimeve, shkruante se emëri i Shqipërisë dhe i Fatosit të saj Gjergj Kastrioti -Skënderbeu gjatë festimeve të 500-vjetorit, bëri jehonë anë e mbanë botës, si asnjë herë më parë, falë kryesisht edhe fjalimit që mbajti me atë rast para shqiptarëve të mbledhur në Vatikan, Papa Pali i VI dhe i cili u transmetua anë e mbanë botës. Në fjalimin e shpërndarë nga media ndërkombëtare e kohës, Papa Pali i VI iu drejtua shqiptarëve të pranishëm dhe “gjakut të shprishur”, të përhapur anë e mbanë botës, me këto fjalë:

“Bijë fort të dashur Shqiptarë,
Po ju sjellim një mirëseardhje të veçantë në këtë ditë që jeni mbledhur për të kujtuar 500-vjetorin e Gjergj Kastriotit – Skanderbeg, fatosit tuaj të emërit të krishterë, pranë kësaj Selie Apostolike, të cilën mund ta konsideroni si shtëpinë tuaj atnore.

Ne ju shohim me kënaqsi, pse e dijmë se shpirti me të cilin ju e kujtoni këtë ditë është ai i gjithmonëshmi i fisit tuaj, i cili gjithëherë, mbi çdo interes ka vendosur vlerat e trashëguara të Besës, të Nderit e të Burrënisë (fjalë këto që Papa Pali i VI i tha në gjuhën shqipe).

Fatosi Skandërbeg ka qenë personifikimi i gjallë i këtyre cilësive: ai ua ka lënë si trashëgim, bashkë me miqësinë e miqëve të vjetër të Atdheut tuaj, ndër të cilët kjo Seli Apostolike gëzohet se bën pjesë, mbasi e numëron veten ndër ata që kurrë s’i dolën fjale. Këto virtyte Gjergj Kastrioti ua ka lënë në roje trashëgim të shënjtë në Atdhe dhe në mërgim.

Papa Pali i VI

Dhe nëqoftse se historia ju ka parë të shtypur e të shpërndarë, mirësia e Zotit ka premtuar që ju, me të gjitha të mirat e gjakut tuaj të shprishur, (edhe këto fjalë Papa Pali i VI i tha në shqip) me veprimtarinë e gjallë që e kini në shpirt dhe me njohuri të fituara, u bëtë urë miqësishë e bashkpunimesh, dhe në këtë mënyrë jeni bërë para-ardhësit e ekumenizmit modern.

Urimi ynë në këtë rast pra për ju, për të gjithë Shqiptarët, të jetë që vuajtja të shoqërohet gjithmonë nga shpirti i juaj kreshnik që kini trashëguar nga të Parët tuaj. Uroj që kjo trashëgimi të japë mundësi dhe meritim, që të jeni element kuptimi dhe paqeje ndërmjet fisesh e gjuhësh të ndryshme.

Këso dore do të rindërtohet testamenti i Skandërbegut dhe Atdheu i juaj do të shkëlqejë me meritime të reja, Atdheu i juaj, të cilin na e kemi aq fort për zemër dhe që e bekojmë me dashuri atënore.”

Shqiptarët e shpërndarë në të gjitha anët e botës së lirë kishin shkuar në Romë për të kujtuar heroin e tyre kombëtar, Gjergj Kastriotin Skënderbe — i cili në 500-vjetorin e vdekjes i mblodhi ata ashtu siç i pat bashkuar princat shqiptarë më 1444, kundër armikut të përbashkët. Ata kishin vajtur aty gjithashtu për tu takuar me Papën, për të dëgjuar fjalët e tija përshëndetse dhe tepër miqësore ndaj kombit shqiptar, për të marrë bekimin e tij dhe që shqiptarët pa dallim feje a krahine — për të treguar njëkohësisht ndjenjat dhe respektin e popullit shqiptar ndaj Selisë Apostolike, megjith propagandën komuniste anti-Vatikanit që në atë kohë kishte arritur kulmin.

Fjalimi i Papa Palit të VI para grupit të shqiptarëve të mbledhur me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbe në Romë, ku ai i deklaroi botës, cilësitë dhe vetitë dalluese të kombit shqiptar, besën, nderin e burrërinë, fjalë këto që ai i tha në gjuhën shqipe – janë dëshmi e historisë së ndjenjave të respektit dhe miqësisë midis Vatikanit dhe kombit shqiptar, ç’prej kohës së Skënderbeut.

Deklaratat e Papa Palit VI me rastin e 500-vjeotirt të vdekjes së Skënderbeut 50-vjetë më parë dhe të papëve të tjerë gjatë historisë, mund të jenë bërë në periudha të ndryshme historike, por në thelb, përmbëjnë vazhdimësinë e marrëdhënieve miqësore si dhe kujdesin, dashurinë dhe respektin e Vatikanit për kombin shqiptar dhe për mirëqenjen e tij në hapësirat e veta gjeografiko-historike, por reflektojnë gjithashtu edhe respektin që kombi shqiptar ka pasur dhe vazhdon të ketë për Papët e Romës, ç’prej kohës së Gjergj Kastriotit – Skenderbe.