Intervistë ekskluzive me autorin shkodran të librave të dashurisë, me banim në Vjenë!
REDAKSIA.
Z. Gjergj, çfarë është dashuria për ju në jetë dhe në letërsi?
Gjergj Jozef Kola:
Dashunia asht forca lëvizëse e jetës. Unë jam i lumtur që jam martue me dashuni. Pa dashuninë nuk do kishte as jetë dhe as art e letërsi. Shikjo Shqipninë nën 45-vjet dikaturë, asnji roman, asnji dramë dashuniet nuk e pat, prandaj ishte nji letërsi e vdekun.
REDAKSIA
Ju jeni tash 25 vjet në Austri, keni mbaruar studimet pedagogjike dhe jepni mësim në gjimnazin „Otto Glöckel“ në Vjenë. (siç mund të mësohet nga Home Page e shkollës tuaj) Si e keni ruajtur në Austri lidhjen me familjen dhe letërsinë në vendlindje, në Shkodër?
Gjergj Jozef Kola:
Kur kam mbrritë në Austri në 94 isha me fat se kisha fitue nji bursë studimit. Bursën e parë e mora sapo shkova, 500 euro në muej ishte. Nga kjo shumë, derisa mbarova shkollën ju dërgova prindve pensionista nga 100 euro në muaj për 4 vjet me radhë. Dashunia ndaj prindjes asht nji virtyt i shqiptarit autentik.
REDAKSIA
Demokracia shqiptare i la prindërit tanë me 100 euro pension megjithse kishin punuar një jetë të tërë.
Gjatë prezantimit të dramës “Dashunia me birë në zemër”, Vjenë 2015
Gjergj Jozef Kola:
Asnji nga vendet ish-komuniste nuk asht mashtrue dhe zhgënjye aq sa kombi shqiptar. Të duket se kët komb e kanë vra me bukën e demokracisë në gojë. Në dramën time „Helloween e kungujve pink“ e jap humnerën, ku ka përfundue Shqipnia prej politikaneve dhe korrupsionit postkomunist. Kjo dramë asht çue në konkursin që ka shpallë bashkia e Shkodrës në Nandor 2016, porse ala as sot nuk janë shpallë fituesit.
REDAKSIA
Një shqiptar në perëndim, Ermal Meta asht sensacion i Festivalit të San Remos me një këngë që mbart një revoltë sociale në vete, porse njëherësh është një këngë dashurie.
Gjergj Jozef Kola:
Kjo asht nji kangë dashunie e shkrueme me stil origjinal, mesazhi i të cilës asht: Në kjoftë se dashunon nuk vdes. „Vietato morire” dhe Ermal Meta kallxon edhe nji herë se fara iliro-arbnesho-shqiptare kur hidhet në tokën e mirë të lirisë, pa psikozat orientale, shpërthen dhe e mbush botën me dritë.
REDAKSIA
A përkon kjo me lajtmotivin bazë të dramës tuaj „Mrekullia e heshtun e Nanë Terezës“? Në këtë dramë lexojmë: „Kur në atdhe ia mbyllin derën të bukurës, ajo e hapë nji dritare në botë“.
Gjergj Jozef Kola:
Nga të 7 dramat që kam shkrue dhe botue, njena „Zemër Nane“, asht vendosë në skenë në Shkodër në vitin 1994, në bashkpunim me teatrin dhe drejtorin fisnik të asaj kohe z. Ndoc Çefa. Ishte kjo e vetmja dramë e atij viti për tanë qytetin dhe kjo ishte nji dashuni tragjiko-sublime. Drama e Nanë Terezes asht shkrue me gjakun e zemres time, njashtu siç ushqen pelikani bijte e vet, dialog mbas dialogu dhe akt mbas akti.
REDAKSIA
Pse nuk u vendos në skenë kjo dramë e Nanë Terezës, mbi të cilën kam lexue edhe disa recenca shumë pozitive?
Gjatë prezantimit të dramës “Mrekullia e heshtun e Nanë Terezës, Vjenë 2016
Gjergj Jozef Kola:
Drama fillimisht u pranue nga drejtoresha e teatrit migjeni, znj. Gjekaj porse kjo dramë, tashma e perkthyeme dhe botueme në anglisht dhe gjermanisht, nuk u pranue nga regjizorja e vetme e këtij teatri, znj. Smaja, e cila me shkroi se nuk mund të vinte në skenë nji dramë antikomuniste, që lidhej me Nanë Terezën. Ma vonë mora vesht prej miqve të vërtetë se kjo regjizore ishte njiherësh edhe mësuese në medresenë turke te Güllenit në Shkoder dhe në nji fare mënyre u perpoqa me e kuptue edhe refuzimin e saj.
REDAKSIA
Medresenë, ku pak më parë u arrestue dhe u lirua nji mësuese, që bënte „temenara“ kalifatit islamik dhe Bin Ladenit?
Gjergj Jozef Kola:
Nuk jam krejt në dijeni mbi sistemin arësimor fetar në Shkodër, unë jam për nji shkolle laike dhe të pamvarun nga besimet fetare. Zoti asht dashuni, porse kjo si çdo dashuni asht private dhe jo kolektive.
REDAKSIA
Ju keni botue edhe nji tregim mbi kishën-xhami në kështjellën “Rozafa”. Cili asht mendimi juej mbi këtë temë kaq te shumëfolur?
Gjergj Jozef Kola:
Ky tregim si gjithçka tjetër e jemja asht nji tregim dashunijet. Në kët rast i dashunise për shkrimtarin – bestseller të vetëm të letrave shqipe derimëtash, Marin Barleti. Kisha-xhami në fjalë asht pronë e shtetit shqiptar dhe e Marin Barletit, shkrimtarit te kombit, qe ruejti kujtesën tonë kolektive. Ajo duhet të rindërtohet sa ma parë në nji Atelje të autorit, siç ka qene 500 vjet ma parë. Aty duhet ta vizitojne si detyrim te gjithë nxanësat shqiptarë nji here ne jetë, siç bajne nxanesat austriakë me Mozartin e tyne. Fale Barletit na shqiptarët u bamë imunë ndaj genocitit osman.
REDAKSIA
Në romanin „Kohë e Pajetueme“, ju flisni per Shqipninë se si do te ishte ajo sikur të mos e kishin shkëputur osmanët nga Europa për 500 vjet.
Gjergj Jozef Kola:
Ky roman asht historia e dashunise ma te madhe që asht shkrue në shqip derimësot. Ajo asht nji histori 500 vjeçare dashunie të pamundun e megjithatë të jetueme si andërr. Simvjet bahen 50 vjet qëkur komunistët-hoxhiste shkatërruen institucionet fetare, kishat mijëvjeçare dhe xhamitë qindravjeçare. Asnji lajm dhe asnji sesion shkencor me përpunue kët krim të përbindshëm kundra të drejtave të njeriut. Romani jem përpiqet me mbushë ket boshllëk.
REDAKSIA
Në ndryshim me Europën ku kemi një „Vergangenheitsbevältigung“, në Shqipëri nuk e ve kush ujin në zjarr për këtë. Pse thoni ju? Nuk e duan politikanët këtë vend sa dhe si duhet?
Gjergj Jozef Kola:
Berisha, mbi të cilin shqiptarët patën shume shpresë i zhgënjeu ata tmerrësisht, njilloj edhe Rama, në të cilin shqiptarët patën aq shumë shpresë i mbyti në zhgënjim. Duket se Shqipnia asht nji vend ku pushtetarët zhgënjejnë pandërpremje popullin e tyne. Nuk asht serioze me hapë ekspozita në perëndim në nji kohe që simbas statistikave te perëndimit nji nder 4 fëmijë shqiptarë vuan uriet. Politikanët nuk e duan aspak këtë vend, popullin dhe historine e tij. Shqipnia ka nevojë për ULIKSË jo per mtonjës.
Në dramën time „Helloween“ mund ta lexosh shume mirë këtë. Politikanët shqiptare vazhdojnë të jene pa „kolonë vertebrale“, tuj u nisë nga nji president i PD-së që mshehë Skanderbegun sa herë vjen nji delegacion islam, deri tek Kryemnistri aktual të PS-së qe shpall Trumpin para zgjedhjeve si „Turp dhe rrezik per njërzimin“, megjithse askush se kishte ngarkue me fole në emën të njerzimit.
REDAKSIA
Si e shihni ju si poet, si autor ardhmërinë politike të Shqipërisë?
Gjergj Jozef Kola:
Nji poet, nji dramaturg, nji autor, asht nji shkrimtar politik, sidomos kur atdheu lëngon. Në romanin tem „Kohë e pajetueme“ heroi e jep zgjidhjen e Shqipnisë. Nji qeveri me pjesmarrjen e ministrave që kanë studjue dhe janë formue në perëndim me nji drejtues shteti që ka mbarue dhe asht formue andej.
REDAKSIA
Konkretisht si mund te ishte kjo për Shqipërinë?
Gjergj Jozef Kola:
Une jam per Leka Zogun si Monark te Shqipnise, megjithë dashuninë teme republikane. Jam për nji krymenistër dhe ministra që kanë mbarue e janë formue në perëndim. Jam mbi të gjitha për KATARSIS të Elitës politike të këtyne 25 vjetëve zhgënjim të plotë. Deputet duhet të zgjidhen ata njerëz që kanë mbarue në perëndim, të tillë si Gilman Bakalli, të pakompromis e të pakorruptuem.
REDAKSIA
Gilman Bakalli asht edhe laureat i çmimit prestigjoz nderkombëtar „PENDA E KRISTALTE“, për aftësinë e jashtzakonshme si pedagog dhe publicist.
Gjergj Jozef Kola:
Po asht nji nder dhe fat i madh për Shkodrën, që ka rritë njerëz të tillë si Gilmani dhe unë si anëtar i Jurisë së konkursit jam shumë i lumtun që ky çmim ju dha atij. Penda Kristaltë asht rezultat i nji „Elite të ndershme“ të intelektualeve shqiptare në katër anët e botës.
REDAKSIA
Personat që e kanë marrë këtë çmim prestigjoz nuk jane nga më te njohurit aktuale të politikës dhe elitave të reja postkomuniste, pse?
Gjergj Jozef Kola:
Kjo kallxon se jena në rrugë të drejtë, se korruspioni nuk po arrin me u futë këtu ndër ne. Dihet tashma se në Shqipni, politika, banka dhe mediat jane tri KRENAT e Erinive të fatit të mrapshtë të mitologjisë greke. Unë uroj që të vijnë dita e kësaj KIMERE, t’i kendojnë Requiemin, që Mozarti shkroi si meshën e shejtë për të vdekunit, anipse në Shqipni e perdorin edhe ateistët.
REDAKSIA
Ju jeni besnik i patundur i gegnishtes?
Gjergj Jozef Kola:
Jam besnik i ligjit të parë të kulturës shqiptare: Gjuha shqipe pa gegnishten asht si gjuha shqipe pa toskërishten. Jam i lumtun se poetët ma të mëdhej shqiptarë janë gegëshkrues dhe toskëshkrues. Standarti asht nji krijesë kimera, që së shpejti ka me e ndigjue Requiemin e vet.
REDAKSIA
Projektet tueja për vitin 2017?
Gjergj Jozef Kola:
Kam në dorë Projektin e nji dramë që e kam fort për zemër, nji dramë dashunie të nji shkodrani të jashtzakonshëm, nji martiri të demokracisë dhe uroj ta shoh në skenat e teatrove shqiptare. Meqi jam në tratativa me regjizorë dhe sponsorë për këët projekt, nuk mund të tham ma shumë aktualisht.
REDAKSIA
Atëherë ju uroj punë të mbarë dhe suksese në veprat tuaja letrare me temë dashurinë.
Gjergj Jozef Kola:
Ju të „Fjala e lirë“ jeni ndër të parët që i keni ba jehonë disa herë krijimeve të mia letrare ndër vite e ju falem Nderës për intervistën. Uroj që shqiptarët të jenë mirnjohës ndaj punës suaj dhe suksesit virtual-informativ që gëzoni, pa asnji investim të klaneve politike shqiptare.
Intervistoi:
Arben Çokaj.