Ajet Shala
GJENERALIT
( Bekim Berisha “ABEJA” )
Merri fjalët e zemrës plot dhembje, Gjeneral
Mbështillma xhamadanin vrima vrima në trupin që dridhet
Në fushën e betejës po më skuq dhe mua ai gjak
Gdhend shkronja shqiponje me klithma lirie.
I lava këto shkronja me lotin e kristaltë
Ndaj të lutem bëni plumba për armiq
Në gjerdanin e trimërisë që akoma gjakon
Këndoje një këngë të re që të marrë malet.
M’i merr fjalët plot krenari trimash, gjeneral Abeja
Si ballsam plagësh në fushën e Komarevës
Atje në Kroaci, me nofkën “Shoku” prijatar në llogore të reja
Kurrë s’u lëkunde i bëre ballë çdo stuhie në mes pranverës.
E ndjej thellë në zemër atë britmë burri të fortë
Si luan u sule drejt barbarëve karpatianë
Thua se u ngrit Skënderbeu nga varri nëpër kohë
Në brez të shkëlqente jatagani fitimtar.
Sa herë që vi në Graboc në fushat e bleruara
Ndalem i menduar duke marr me nderim një grusht dhe
Flas me portretin e skalitur me buzëqeshjen e pambaruar
Ishe zjarr për armikun, ishe vetë rrufeja.
Krismën e pushkës ta dëgjuan edhe në Bosnjë
Atje ku barbarët ushtruan gjenocid
E ti asnjëherë s`u ndale drejt fitoreve
Dole fitimtar ndër beteja ditë e natë.
Agimet e Drenicës sikur ma ringjallin ëndrrën
Për ty Bekim Berisha i ngrehur rri teli i lahutës
Që ta lartësoi përmbi bedena këngën
Gjithandej ku është Arbëri do të jesh dritë e rrugës.
I mbledh kujtimet si relikt kudo ruhen për ty
Në hapat e tu hapëroi drita dhe vetë liria
Ti vrapove drejt frontit mbi armikun sy më sy
Djepa, furka ishin bërë thengjill në kullat në zjarrta.
Kudo ndër beteja jehuan armët e çlirimtarit
Pushka tmerroi armikun për ta mbrojtur pragun e nderuar
Vetë rrufeja ishe o Bekim Berisha, yll i malit
Vrave këlyshët e Car Llazarit që këtu qenë strehuar.
Vjen nga bjeshkët Arbërore, zbret si vetëtimë
Ku barbarët e vënë gurin e kufirin aty dëgjohet ushëtima
Thonë se u ngjall vetë Kastrioti me trima
Me shokët besnikë mes lufte vjen Bekim Berisha.
Lufton Abeja po i shpartallon bishat
Gjuha jonë ka lashtësi sa vetë njerëzia
Jetojmë me nderin që na ndez liria
Këtu ku lanë kockat mbretërit, e tani Serbia.
Luftojnë djemtë nxihet qielli nga baroti,
Gjëmon nga gjylet e rënda bjeshka
Në fushë të lirisë po bien trimat zemër burri
Bien Bedri Shala, Përmet Vula, Elton Zherka.
Mu këtu përjetësohet dhe Gjenerali
Bekim Berisha si kapitull na sjell ditë të reja.
Siç është shqiponja në flamur që e freskon flladi
I përjetshëm mes brezash së tokës shqiptare“ABEJA”