GJENERAL RRAHMAN PARLLAKU: NDERIM PËR JETËN DHE VEPRËN ATDHETARE TË TIJ…

0
757
Murat Gecaj - Rrahman Parllaku

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues (*)

Me hidhërim të thellë morëm vesh lajmin e ndarjes nga jeta të Gjeneral Rrahman Latif Parllakut (Novosej-Kukës, 17 prill 1919-Tiranë, 15 shtator 2019). Mbi një shekull jetë, në përpjekje të parreshtura për të përballuar sfidat dhe rrebeshet e shumta të kohës dhe për të dalë fitimtar mbi to. Kjo është dhe arsyeja se përse ai la kudo, që shkoi, luftoi e punoi, gjurmët e një njeriu e luftëtari të paepur për çështjen mbarëkombëtare shqiptare.

Kam patur fatin e kënaqësinë që jam njohur nga afër me Gjeneral Rr. Parllkun, sidomos gjatë zhvillimit të veprimtarive të ndryshme në kryeqytetin tonë, ku ishte pjesëmarrës aktiv dhe kurdoherë i papërtuar.

Ai drejtoi me aftësi edhe Organizatën e Bashkuar të Veteranëve të Luftës Antifashiste. Për këtë qëllim, u botua një libër, i cili u përurua me një pjesëmarrje të madhe të njerëzve të interesuar. Aty pata kënaqësinë të isha dhe unë. Më pas, rreth kësaj veprimtarie përuruese shkrova e publikova, në shtyp e faqe të ndryshme Interneti, një shkrim modest. Në shenjë nderimi, kujtimi dhe respekti të veçantë, për figurën e madhe të këtij atdhetari të shquar, po e ripublikoj atë, duke kërkuar mirëkuptimin e lexuesve.

Vërtet Gjeneral Rrahman Parllakun nuk do ta kemi më ndërmjet nesh, fizikisht. Por kujtimi dhe jeta e tij prej një luftëtari e atdhetari demokrat të vendosur, do të jenë përherë të pranishme në kujtesën e brezave.

Me këtë rast, ju dërgoj ngushëllimet e mia më të sinqerta: Gjithë pjesëtarëve të familjes së tij të nderuar, anëtarëve të OBVLA, bashkëluftëtarëve e bashkëkrahinasve dhe të gjithë atyre, që me të drejtë tani janë të pikëlluar për humbjen e tij, por dhe krenarë, që e njohën dhe ishin bashkëkohës me Gjenaral Rrahman Parllakun.

Të paharruar qofshin jeta dhe vepra e tij shumëplanëshe!

Tiranë, 16 shtator 2019

1.
Në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave u organizua një ceremoni e thjeshtë, por domethenëse e mbresëlënëse, kushtuar 20-vjetorit të krijimit të Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës Antifashiste të Popullit Shqiptar. Merrnin pjesë anëtarë të kësaj Organizate, si nga kryeqyteti e degët nëpër rrethe, nga media e shkruar dhe ajo elektronike, si dhe një delegacion i Shoqatës së Veteranëve të Luftës nga Republika e Kosovës.

Në fillim, kryetari i OBVLA, Gjeneral-Leitnant, në pension, Rrahman Parllaku, “Hero i Popullit” e “Nderi i Kombit”, foli shkurtimisht për historikun e krijimit të kësaj Organizate, për veprimtaritë kryesore që janë zhvilluar, si dhe për disa prej veprimtarëve më të dalluar të saj. Ai nënvizoi se, kjo veprimtari, është pjesë përbërëse e atyre, që do të zhvillohen në vitin jubilar të 70-vjetorit të çlirimit të Atdheut nga pushtuesit nazi-fashistë. Me këtë rast, përsëri flitet me nderim për sakrificat e panumërta, që bëri populli shqiptar gjatë Luftës II Botërore, në luftën për çlirim, për liri e demokraci të vërtetë, gjë që u shërben sidomos brezave tanë të rinj.

Më tej, Gjeneral Parllaku ai u ndal në bashkëpunimin me disa organizata e shoqata të tjera shoqërore, brenda e jashtë vendit, sidomos me atë të Kosovës dhe për vlerat e librit të ri, që u publikua në këtë 20-vjetor, duke i falënderuar përzemërsisht redaktorët Halil Rama e Sakip Cami. Në fund, ai i ftoi të pranishmit, që të mbanin një minutë heshtje, për të nderuar kujtimin e anëtarëve të kësaj Shoqate, të cilët janë ndarë nga jeta, gjatë viteve të fundit.

Në vazhdim, në emër të Shoqatës së Veteranëve të Kosovës, përshëndeti zv.kryetari i saj, Akademiku Pajazit Nushi. Ndër të tjera, ai theksoi domosdoshmërinë e pasqyrimit me vërtetësi të historisë së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit tonë, që brezi i ri ta njohë atë sa më mirë dhe t’i shërbejë me përkushtimin e tij, çështjes mbarëkombëtare shqiptare.

Më tej, Prof.Dr. Ana Lalaj foli për përmbajtjen kryesore të librit, që u prurua, kushtuar OBVL dhe tregoi se, nga anëtarët e kësaj Organizate, janë publikuar mjaft libra me vlerë, si për sot dhe të ardhmen.

Me interes u dëgjuan edhe përshëndetjet e bëra nga: kryetari i Shoqatës “Labëria”, prof.Ago Nezha; zv.kryetari i OBVL, Myfit Guxholli; historiani nga Puka, Xhemal Meçe dhe redaktori i gazetës “Veterani”, Halil Rama. Ndërsa Çobo Skënderi përmendi, me emra e fakte, persekutimet e kryera nga udhëheqësit më të lartë të rregjimit monist, ndaj sa e sa kuadrove kryesore të Luftës Antifashiste të Popullit Shqiptar dhe të Ushtrisë Shqiptare.

Gjatë kësaj veprimtarie, me moderator gazetaren e re, Lindita Bushgjokaj, u projektuan pamje nga jeta dhe veprimtaritë e zhvilluara nga OBVL.
Në mbyllje të veprimtarisë, pjesëmarrësit i vazhduan bisedat e tyre dhe bënë fotografi të përbashkëta, për kujtim, gjatë kokteji të të shtruar, me këtë rast.

2.
Si e shënuam më lart, pjesë e rëndësishme e kësaj veprimtarie ishte përurimi i librit të ri, “20 vjet, Organizata e Bashkuar e Veteranëve të Luftës Antifashiste të Popullit Shqiptar” (Tiranë, 2014). Libri në fjalë përmban 390 faqe dhe është ilustruar me mjaft fotografi. Ai ndahet në 11 kapituaj. Në faqen e parë theksohen detyrat kryesore të OBVL: Vlerëson lart ndihmesën e shquar të popullit shqiptar në në Luftën e Dytë Botërore; dënon krimet e komunizmit dhe mbështet fort luftën e drejtë të UÇK-së e Çështjen mbarëkombëtare shiptare.

Vend me rëndësi, në këtë libër, zënë figurat e drejtuesve dhe veprimtarve të dalluar të kësaj Organizate, si dhe të luftëtarëve e komandantëve të paepur, për liri e demokraci, që nga Sadik Bekteshi e Muhamet Prodani, Ernest Jakova e Nexhip Vinçani dhe Salfixhe Broja (Ciu), Zenepe Golemi (Ashiku), Liri Belishova, Vera Ngjela(Pojani), Mine Doraci etj. Po kështu, që në hyrjen e shkruar nga vetë Gjeneral Rrahman Parllaku, nënvizohet se, përveç nderimit që u bëhet të të rënëve në luftë, të pushkatuarëve nga diktatura, të vdekurve në burgje e internime, OBVL ka dalë në mbrojtje të vendosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të të drejtave të shqiptarëve, si në Kosovë, Preshevë, Maqedoni, Mal i Zi e të komunitetit çam etj.

Duke shfletuar më tej faqet e këtij libri, njihemi me mjaft figura të shquara të Luftës dhe të Ushtrisë Shqiptare, pjesa më e madhe e të cilëve u dënuan me ashpërsi nga rregjimi i diktaurës në Shqipëri, si; Ymerf Dishnica, Sejfulla Malëshova, Tuk Jakova, Gjin Marku,Tahir Kadare, Dali Ndreu, Beqir Balluku, Petrit Dume, Muhamet Prodani, Todi Naçi, Maqo Çomo. Dashnor Mamaqi, Kiço Ngjela, Veli Dedi e të tjerë.

Një vend me rëndësi në këtë libër zë edhe pjesa, “Homazhe, në nderim të veteranëve dhe veteraneve të LANÇ”, si: Spiro Moisiu, Tanush Shyti, Dilaver Radëshi, Hava Bekteshi etj. Po kështu, pasqyrohen veprimtari kushtuar ngjarjeve historike, siç ishte ajo për Konferencën e Bujanit-Tropojë dhe jepen kronika për libra të përuruar dhe që u kushtohen disa figurave të njohura të Luftës dhe të Ushtrisë, në Shqipëri e Kosovë, si: Skënder Malindi, Nexhip Vinçani, Fadil Hoxha, Hajdar Dushi, Edip Ohri etj.

Në tërësi, ky libër përmban vlera të rëndësishme, për njohjen e rrugës së mbarë, që ka përshkuar OBVL, por dhe të jetës së mjaft figurave të shquara të Luftës Antifashiste të popullit shqiptar, për liri e demokraci dhe përparim shoqëror.

Tiranë, 18 korrik 2014


*) Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë