Poezi nga Petraq Floku
Eja !
Jam unë, “meridiani”
Hapur po te flas,
S’dua të dëgjohem,
S’dua të trokas.
Në dy polet gjeta
Akuj dhe deborë,
M’i merr koordinatat!
Jam në ekuator. Sot po prezantoj, në ditën e dytë të maratonës, poezinë
Apel
Ti mendon se ikën vitet,
Edhe jeta mori fund?!
Jo moj zemër, gjithçka rritet,
Transformohet, por kurrë s’humb…
Se për ndryshe kot jetojmë,
Po s’i dhamë vetes gëzim,
Vitet ikin, si pengojmë,
Ato në fund, ne në fillim…
Kush morri flori me vete,
Pasurinë atje ç’e do?!
Kot mbytemi në derte,
Sa ke frymë jetën jeto!
Se të bukurën mbi dhe’ ,
S’ka njeri që mos ta dojë,
Ndaj them: veten mos gënje,
Fol me zemër, jo me gojë !
Kush të tha që iku mosha,
Dhe tashmë asgjë sja vlen?!
Cilët janë ata djelmosha,
Konkurues në arenë!?
Nuk dua të flas shumë,
Se kohën e kam flori,
Ai që vetë është me brum,
Do brum të ardhur dhe tani…
“Ndjenjë”
Mëngjesi ledhatues me rreze agimi,
Më zgjon, më ndriçon e më ngroh,
E di mirë, kjo ndodh nga mendimi,
Se prapë unë ty do të shoh…
Në trillet djaloshare,
Si zanë të bardhë të kam pritur,
Ti erdhe e urtë si manare,
E ëmbël, buzeqeshur, zemërndritur…
Jetoj me mendjen ngatërruar,
I përhumbur, por me shpresë,
Në qerpikun nga nata rënduar,
Përgjigja që prisja, pikoi si vesë…
Kaluan ditë pa u takuar,
Njeri tjetrin pa e patur pranë,
Mijëra fjalë mbetur mërguar,
Nën tingujt e puthjeve u thanë…
FJALA
Fjala e pathëne lexohet në sy,
Nuk dimë të lexojmë as unë e as ti?!
Zili e kam zemrën që s’e tjerr kaq hollë,
Thotë: ”kjo punë e ndjenjës nuk do shume shkollë”!
ËNDËRR
Tani edhe natën ëmbël po ma merr,
Futesh nëpër ëndrra, qetë dhe pa u ndier,
Por pa këto ëndrra s’jam i qetë në “gjumë”,
Ti në botën tënde, le të vuaj unë.
BUZËT
Buzët po me hanë, ti kujtosh bën mirë,
Edhe në s’ka drita, puthi në errësirë!
Veç me ato buzë më jep pak nektar,
Dimëri të shkojë, te ketë veç behar.
FRIKA
Qenka botë e vogël, më të vegjël ne,
Mbyllur në vetvete, strukur në fole.
Jetojmë të vetmuar, do vdesim të mjerë,
Kemi frikë nga vetja, jetojmë për të tjerë.
QËNDRIM
Të dua shumë, ti e di,
Sepse shumë vleresoj mirësinë.
Të dua shumë, sa nuk thuhet,
Aq shumë sa … urrej dhe pabesinë.
VETMIA
Po më bren vetmia, dua ngrohtësi,
Hej, këto daulle po bien për ty!
Mos m’u fshi nën syza, zemrën ta kam parë,
S’e humbas durimin, do plas sa t’a marr.
IKA
Ika nga vendlindja,
Dhimbien lash nga pas,
Shoqen, miken time, s’dua ta humbas.
Po një ditë do iki e s’do kthehem më,
Në një cep shtëpie do të qaj nën zë.
DIALOG ME GJUMIN
Gjumi më ka marë inat,
Me mua është zemëruar,
-Je problem! – thotë, natë për natë,
Prej teje rri dhe unë zgjuar…
-Gjumë i dashur, fli i qetë,
Unë vërtet një hall e kam,
Lerma mua ta zgjidh vetë,
Ta provoj se ç’vlerë jam!
-Je dobësuar miku im,
Flet gjumi gjithë merak,
-Zgjuar nga mbrëmja në agim,
Vallë ty të duket pak?!
Unë të dua ndaj të flas,
Të kam rritur që fëmi,
Ke qenë dhimbja e mamasë,
Kur qumësht pije në gji…
Pa më thuaj të vërtetën,
Mua gjumit merakli,
Pa mua s’e shtyn dot jetën,
Fol se s’na dëgjon njeri!
-Po ta them në mirëbesim,
Unë kam rënë në dashuri,
Betohu gjumë, sekretin tim,
S’do ta flasësh me njeri!
Nuk kam frikë nga njerëzia,
Ata janë njësoj si unë,
Por kam frikë nga dashuria,
Qenka punë e përmbi punë…
-Se ti je dhe djal me shkollë,
Je besnik, me karakter,
Mos e tirr kaq hollë,
E mira të erdh në derë…
Eja fli se shkoi vonë,
Se unë gjumi do të mbroj,
Një sy mbyllur, tjetrin hapur,
Rreth e qark do të vëzhgoj!
Të kam mik dhe shok të mirë,
Nuk të lë gjumi në baltë,
Për ty s’e kam të vështirë,
Do rri zgjuar ditë e natë!
VETES
Rodhën vitet buzëqeshur,
Veç dhe lotët s’më janë ndarë,
Herë me zë dhe herë heshtur,
Kam qeshur e kam qarë…
Vitet le të bëjnë të vetën,
Me to paqen kam nënshkruar,
Siç dija, jetova jetën,
Për asgjë nuk jam penduar.
Se pendesa s’ka më vlerë,
Çfarë ka ikur, s’kthehet më,
Sikur të lind dhe një herë,
S’di se ç’gjurmë mund të lë.
Sa shumë paskam ëndërruar,
Ndaj s’e kthej kokën nga pas,
Nuk ndjehem i dëshpëruar,
Ndonëse s’jam krejt pa marraz…
Ky nuk është një amanet,
Se unë jam i thellë në rrënjë,
Le të kalojnë këto 100 vjet,
Për më tej shohim e bëjmë…
Di që kurrë në jetën time,
Keq unë s’i kam bërë njeriu,
Veç kam zbutur hidhërime,
Tek i vjetri, tek i riu…
S’e mohoj, kam dashuruar,
Nuk e di të jetë mekat,
Se vet Zoti e ka shkruar:
Dashuro, t’jetosh më gjatë!
Dhe kjo është një e vërtetë,
Askush s’ka pse të mërzitet,
Na e ka bërë Zoti kismet,
Vallë unë kujt ja vodha vitet?!…
ME NJIHNI!
Po ju them se cili jam,
Me ca vargje poezie,
Sa miqësor dhe bes unë kam,
Aq dhe heshtje mënçurie.
Shoqërinë e zgjedh me sqimë,
Dhe e dua jetëgjatë,
E kërkoj kënaqësinë,
Sikur di dhe vet ta jap.
S’e pëlqej paragjykimin,
Hamëndësitë janë kohë e humbur,
Ushqej, kultivoj gëzimin,
Endërroj çastin e lumtur!
Jeta kalon pa u ndier,
Zbardh shpejt dhe ngryset herët,
Tretet, bëhet pluhur, erë,
Pas ne radhën kanë të tjerët…
Ndaj çdo ditë duhet jetuar,
Se ikën, s’kthehet më pas,
E vërtitim nëpër duar,
Dhe e mbyllim në kafaz.
Sa mizor jemi me veten,
Ndrydhur, shtypur e prangosur,
Endrrat, dashuritë treten,
Nën një pllakë mermer vulosur…
Vërtetësi
Sa e bukur bëhet jeta,
Kur mes dashurisë jeton,
Sa e ëmbël dashuria,
Kur pranë saj qesh dhe loton.
Sa i vogël duket Dielli,
Para shpirtit që rrezaton,
Sa hapësira përshkon zëri,
Kur dashurisë i këndon.
Sa e brishtë është dashuria,
Kur vërtet dashuron,
Ndonëse flet gjithë gjuhët e botës,
Prapë e prapë nuk mjafton…
Ndoshta më paragjykon,
Dhe habitesh ti me mua,
Por ai që dashuron,
Nuk ka frikë të thotë: të dua!
Se ne kemi veç një jetë,
Dhe ajo duhet jetuar,
Ndaj mbetem shumë i vërtetë,
Kur të them jam dashuruar!
Pse të dua s’ka shpjegim,
Se askush dot s’e ka gjetur,
Ekuacion përjetë jetim,
Ndaj pa zgjidhje ai ka mbetur…
Petraq Floku
18-25 Tetor 2020
Dërgoi për publikim, Flora Agolli