Gjaku i Kombit
Nga Haki KOLTRAKA
Kombi im me rrënjë lashtësie,
me rrënjë pellazgjie,
me rrënjë Epiri,
me rrënjë Dardanie,
me rrënjë Ilirie.
Kombi im fjalëdhëni
e besëmbajturi
kombi im miqësori
e paqësori
kombi im tolerant
e bukëdhëni.
Gjaku i Kombit tim
rrjedh ndër kapilarë
nëpër vena e damarë
duke ngjyrosur me të kuqe
vellon, kur vajza bëhet nuse…
E shqiptarët si shqiponja
fluturojnë paqësisht
me dy krerë
sepse shqiptari jeton
për Atdhe dhe për Nder.
Zemrat shqiptare
gurgullojnë nga gjaku i pastër
nga Molla e Kuqe
në të Pervezës gji
nga Presheva në Gjirokastër
nga Arta në Plavë e Guci
burra me zemër të madhe
e gra me zemrën flori,
vajzat ballëhëna si sorkadhe
e djemtë si petrita me kapuç mbi sy.
Gurgullojnë burimet bjeshkëve,
siç gurgullojnë zemrat në krahëror…
lëvizin rrëketë si kapilarë
përrenjtë si damarë
lumenjtë si venat
e hijeshi e blerim
i falin në çdo stinë
të bukurit Kombit tim.
Kombi im flet, dëgjon, shikon
ndjen, beson, të jep besë,
në do ta futësh në dhe Kombin tim
preje në besë dhe…
një besëprerje
mund t’i bëjë gjëmën më të rëndë.
Gjëmat si gjethet e pemëve
zverdhen e bien
e Kombi im si një qenie e gjallë
e përballon me dhimbë
i kalon me burrëri
dhe përherë ka ndjerë krenari…
se gjaku që i vlon në gji
është veçse gjak i pastër shqiptar.
Se shqiptarët janë të paoksidueshëm
sado llumëra t’u hedhin barbarët
mercernarët, lumpenproletarët
Kombi im
Vetëm ndrin…
Kastragjyshi im u vra në luftë
për ty, Kombi im.
Stërgjyshi im po në luftë ra për ty
gjyshi im mbeti në kufi për ty.
Ndaj baba im
nuk njohu gjysh e baba.
Unë nuk njoha gjyshin
dhe djali im nuk njohu gjysh.
Nuk i hëngri njeri më sysh
po i qëndruan barbarit përballë
e përsëri ndër kulla rritej një djalë
e Kombi im përsëri është gjallë…
Kombi im
qëndrove perandor
Botës iu bërë gjoks-mburojë.
Bijë shqipesh që binin dëshmorë
askush këtë mos ta harrojë
o paqësori, Kombi im
që kulmon me Skënderbeun kryetrim
e me Nënë Terezën hyjnore
ku ka më të madhin sublime
se sa të falësh gjakun për trojet arbërore?!
O flamuri simbol gjak
o gjuha shqipe që identifikon
o zemra shqiptare në çdo prag
Kombin mbarë na e lartëson.
O brez i ri
o vrull i ri
o forcë e re
o këngë e re.
Ti je gjaku i kombit tim
ti je e ardhmja plot frymëzim
ti je vrulli plot zhvillim
i Europës qytetërim…
Hej burra shqiptarë
me hapin një pash
të gjatë si pishat e maleve
burra që hani një dash
e me një dorë e mbysin
kulçedrën e shkjave…
Kulçedra të zeza
kulçedra laramane
kulçedra aq të egra
sa vetë egërsia e djallit
sa vetë ligësia e djallit
po, more, po,
këto i mundi
guximi i shqiptarit!…
Në katër vilajete
të ndanë me dhunë
Shkup, Shkodër,
Manastir, Janinë,
por kush më pak e kush më shumë
kemi derdhur gjakun lumë
për këtë Komb që quhet Atdhe
që nga i madhi Skënderbe…
Kombi im
nëpër damarë kohe
që nga prehistoria
ndër vija fati e trilli
vjen nga lashtësia
e shkon kah përjetësia…
Ku jeni o arbëreshë?
Ku je ti diasporë?
Sot Kombi pret një kurorë
me brilante, perla e rubin,
nga ju pret sot dashurinë,
nga ju pret sot bashkimin,
nga ju pret sot përqafimin,
se ti kurrë s’do jeshë jetim,
o i larti Kombi im!
Këmbanat e Unitetit,
këmbanat e afrimit,
këmbanat e dinjitetit,
ranë si në kohën kur Donika
urdhëroi rënien e të gjitha
këmbanave në kisha…
që të festonin fitoren e madhe
në Fushë të Trojvjollit…
E sot gjithë shqiptaria
është e mbledhur në Trojvjollin shqiptar
në çdo pëllëmbë tokë shqiptare
duke valëvitur flamurin arbëror.
Të falem ty, Kombi im!
Përulem para teje në betim
se brezat që të gjejnë amëshim
duhet ngritur një përmendore
në çdo zemër arbërore…
Ndër kapilarë dhimbje
ndër hove qëndrese
lidhur në pragje epokash
me fjalë bese
Gjak në rrënjë të dehura lirie
me ylbere shprese
e dritë ardhmërie…
Mirëmëngjes qyteti im!
Nga Haki KOLATRAKA
Qytet i kalasë së lashtë
me emrin e bukur Alban
Mirëmëngjes!
Dhe në përqafim ylberesh
e në mori vezullimesh
në shpirtin tim përherë
do të mbetesh qyteti im
me emrin Tironë.
U ngrite madhështor
me grataçela që puthen me yjet,
ngritur nga balta e qerpiçit
si Feniksi
nga hiri i shuar,
nga rrugicat e kalldrëmta
nga shëmbëlltyra e Hiçit…
Tashmë qyteti im metropol
si një zgjua blete i stërmadh
plot gjallëri…
Periferive shihet një portë
a një gardh…
Me syrin si diell
e fytyrat e qëndisura me buzëqeshje zmeraldesh
o vrull rinor i qytetit tim
ti je gjallëria ime
synimi im
shpërthimi shpirtëror
si lulet në lëndina.
Ata që na vranë ëndrrat
ata që na thyen horizontet
ata që na shpërbënë dritën
e na shkapërdodhën shpirtërat
i vraftë vetetima!
Po tash qyteti im
një vrull i ri po na vlon në gji
që të arrijmë kohën
kur na vdorën diktaturat
e na coptuan mëlçinë
e nën kërcënime e shtrëngime dhëmbësh
na thonin: -Harrojeni gjuhën tuaj!
Harrojeni Shqipërinë!
Por ne nuk u dhamë
s’u përthyem
kafshatën e bukës
në krypë e ngjyem
e si shkëmb
qëndruam mes flakëve
në këmbë.
O i bukuri qyteti im
me rrënjë Ilirie!…
Ardhur kryelartë
ndër mijëra vjeçarë pellazgjie,
me stërgjyshër
me nipa e etër
me akademi e mbretër
ku horizonteve
fakëllonte e Skënderbeut shpata
e merrte arratinë nata.
Shekull pas shekulli
plot martirë e kapedanë
që si kreshnikët
për ty qyteti im ramë,
për ty qytet,
për ty qytetërim europian
e gjer te Nënë Tereza
që zemrën për të varfërit e bëri jatak
nëpër maraze
nëpër dhimbje
nëpër gjak
e kudo që fluturonim
tha: “Jam shqiptar
o Botë, jam shqiptar!”…
Sot qyteti im me nur,
nëpër rrugë e rrugica,
skuqur me flamur
freski maj
të fal Dajti serbes-serbes,
qytet i dashur,
Tirana ime, mirëmëngjes!
Rrugëve të tua
vrullojnë studentët,
rini studentore plot vullnete
mbushin auditoret
nëpër universitete.
Se sot ke festë,
se sot ke dasëm 100 vjeçare,
Nishi, Perveza, Shkodra,
Presheva, Shkupi, Manastiri,
troje të ngrënë nga ujqërit barbarë
dhimbje që klithin
e duan të zgjohen nga makthi…
Dikur të kërrusën,
dikur të trusën
me mijëra tonelata beton mbi shpinë,
qyteti im të përdrodhën
të drodhën e të trodhën
në pleqëri ta kthyen rininë.
Rini që fliste me vete e nuk ia njohëm zanin,
rini që ëndërronte,
ëndrrat të fashiteshin, s’bëzanin…
Mirëmëngjes qyteti im!
I bukuri, i hareshmi
ku Dajti
me një dush vese
t’i freskon trëndafilat
freskon shpirtërat
e ëndrrat shpërthejnë,
duke gufuar
me lule plot
që fëmijët mbajnë në duar.
Fëmijë të suksesshëm
në shkolla ku marrin dituri
fëmijë që zhbirojnë mistere,
mbushin shpirtërat plot lumturi,
fëmijë të ëndrrave europiane
që përpijnë horizonte drite…
Sot qyteti im ka festë
koha rrjedh në damarë ëndrre
ëndrra rrjedhë në damarë drite
qyteti im rritet e hijeshon
nën projeksione vrulli
duke ecur me ritmet europiane
nën hënën e netëve moderne
veshur me fustan dasme
nën harqet e përulura
të erës së lehtë vjeshtore…
Dragonjtë e Dejës
– Kushtuar derës fisnike Kola të Matit dhe posaçërisht qëndrestarit epokal Bilal Kola, që shkroi një nga faqet më të ndritura të rezistencës antikomuniste shqiptare –
E kthjellët ishte dita e motit
Në mëngjes herët iu luta Zotit
-Ma mbush shpirtin me jehona
Me i këndu trimit Bilal Kola.
Lindur shqiponjë në truall të barotit
Vëlla i vogël i Kastriotit
Në mal të Dejës ishte drague
Me qumësht zanash ishte mëkue.
Është nipi i Zirë Kolës
Të gjithë lindur prej grykëhollës
Vëlla me Dibër e me Kurbinin
Lidhë me besë trimi me trimin.
Gjysh stërgjysh në luftë me kuçedra
I kanë rrënjët nga kohë të vjetra:
“Ky Zir Kola po psiket
Dervish Pasha bje në shajdet!
Ma punoi Mati apet
N’Gjinish unë ene pa shku
Gjithë tabori m’është faru”…
Kështu populli i ka këndu…
Në luftë me turk në luftë me Serbi
Ahmet Kola burrë zotni
Ishte i pushkës e i kuvendit
Në çdo odë ish në krye të vendit…
Ndan kuvend me drejtësi
Fjala e tij peshon flori
Kudo shkoi nëpër Malësi
Pajtoi fise, pajtoi vllazni.
Ia fal gjakun vëllai vëllamit
Veç për hatër të vatanit
U hap fjala mori dhenë
Ahmet Kola ngjan me Skënderbenë…
Skënderbeu flamur bajrak
I bashkoi vllaznit të pinin gjak
Sepse Zoti ka ba emër
Jetë e mot të jemi vëllezër…
Kur je bashkë bëhesh deng
Dhe rëndon për këtë vend
Po u bëre fije fije
Bije pre e shtrigë Serbie…
Ahmet Kola në Lidhje të Prizerenit
Ishte balli i Kuvendit
Shkoi në Rrafshin e Dukagjinit
Për Shqipni Etnike rrihte zemra e trimit.
U dallua në mes përleshjeve
Fitimtar kundër serbit te Shkalla e Deshëve
Sa qe gjallë deri sa ndërroi jetë
Mbeti nacionlaist konseguent.
Mbreti Zog për të ishte shpresa
Si Feniksi në horizont vezullonte kthesa
Për të shpëtuar nga robëria shekullore
Për me ba të lirë trojet arbërore.
Në bahçe sa kish çelur molla
Si një lule e çelur u rrit Lam Kola
I hollë, i gjatë si selvi
Shpresë e re për Shqipni.
Me zgjaursi e mprehtësi natyrale
U dallua në kryeodat në male
Pjesëmarrës në lëvizjet për liri
Në Mat e Dibër shkëlqente zgjuarsi.
Plot energji shpirti i fisnikërisë
Në shërbim të paqes e mbarësisë
Gjer në Dibër të Vogël, në Kryq Ujor
Ndrin si yll, si meteor.
E në odë diplomacie në Dibër të Madhe
Mençuria e tij mal përmbi male
Ky Lam Kola në krye të Bajrakut
Mbante postin e Kryeplakut.
Syrin çelë si lule e zambakut
Mbronte nderin e kullës, të pragut
Mbronte nderin e tokës arbërore
Të rritej liria si lule bore.
Durgut Pasha vjen me urdi
Për të nënshtruar këtë malësi…
Por babai ia lë amanet djalit
Të mos i nënshtrohet kurrë barbarit.
Macukulli me terren gjeostrategjik
Varrmihës bëhej për çdo armik
Këto katakombe prehistorike
Përballonin luftëra e rreziqe.
Në ballë të luftës ky Lam Kola
Si bilbil i këndon grykëholla…
Se këto lisa kanë rrënjë të trasha
Me turp u shpartallua Durgut Pasha.
Pas turkut vjen austrohungarezi
Dhe me ta luftën e ndezi.
Mua më thonë Lam Kola
Nuk dorëzojmë trojet tona.
Ndizet lufta zjarr e flakë
U skuq toka pëllëmbë e gjak
Nuk po e çajmë rrasën e gurit
Nuk po e thyejmë qëndresën e burrit.
Të përdorim metodën e tradhëtisë
Të përdorim besën e miqësisë
Të ngrejmë kurthin me Gjon Lufin
Hovin Lamit të ia këpusim.
Lam Kola burrë më tradita
I besoi mikut, ra te prita.
Lam Kola kuptoi të vërtetën
Kur e arrestuan me gjithë çetën.
Pa me sy këmbët e Hidrës
Kur përfundoi në burg të Dibrës.
Pas pesë muajsh në burg të zi
Thyen burgun me shokët e tij.
Lami nuk mund t’ia harronte ish mikut.
E kap Gjon Lufin një ditë korrikut.
E detyroi këtë lloj qafirit
Të mbante në shpinë gurin e mullirit.
Tash të larë ishin të dy burrat
Gjon Lufi tha: “Mos ndezim unat!”…
“Unë ndihem tejet i turpëruar,
Kundër armikut të jemi të bashkuar”.
Lam Kola ishte soj kreshniku
Vjen ora që falet miku
Se për çeshtjen e Shqipërisë
Shtrëngojnë duart e miqësisë.
Lami ecte natë e ditë
Mat, Dibër, Lurë, Mirditë.
Besa e tij ishte e pastër.
Shkodër, Lezhë, Vlorë, Gjirokastër.
Ku kishte valle miqësie të madhe
Me miqësinë qante halle.
Sepse u ishin qepur nga pas erenitë
Këto ishin hakmarrëse nga perëndiitë…
Kur i lindi djali, ishte te Kapedani në Mirditë
Në kullën e Lamit ndriçoi një dritë.
I dhanë sihariqin: “Të lindi një djalë
U shtua një pushkë në kullën e bardhë”.
Lam Kola qiti pushkë në kullë të Kapedanit
Se u lidh besa për liri të vatanit.
Kjo pushkë qe sihariq dhe për djalin
Lam Kola u kujtua për Bilalin.
Që i pari në xhaminë e Medinës thirri Ezanin
Bilal Kola që sa lindi zërin kishte buçimë.
Zëri i tij do të jetë zgjim për vatanin,
Ky djalë, le të thirrë ezanin për Shqipërinë.
Bilali i vogël, flokë kuq e sy blu
Sikur thërriste: “Mblidhuni këtu!”
Si oshëtimë e kishte zanin
Ngjante me Bilalin e Medinës që thirri ezanin.
Ky Lam Kola bie në shajdet
Lidhë ishte te Profeti Muhamed.
Ky djalë të rritet me shpirt të drejtë
Me shëndet e plot gazmend.
Bilali po rritej ditë pas dite
Ku dallohej për sjellje fisnike.
Kështu Lami e nisi Bilalin e vogël
Të shkollohej në Shkodër.
Djali i vogël me tipare të brishta
Mori mësime nga Mjeda e Fishta.
Formimi shkencor shkrihej me atë human
Të ishin e ardhmja për vatan.
Talenti i tij për të nxënë dije
Autoriteteve të shkollës në sy u bie
Në gjimnazin e Jezuitëve dhe Françeskanëve
Ishte në listën e të parëve…
Që u zgjodh të studionte në Vjenë
Por shqipja e maleve nuk harroi folenë
Mësoi mes qytetërimit të Europës
Por nuk harroi traditën e votrës.
Kreu shkollën me rezultate të shkëlqyera
Për të malësorët kishin vlera të vyera.
Nuk i mohonte sikur t’i falnin botën
Mallë kishte ai për nënë Loken.
Sa erdhi, nëntoger ishte grada
Tash ishte shqiponjë e rritur me flatra…
Erdhi me përgatitje të lartë intelektuale
Me tri gjuhë: angleze, gjermane, italiane.
Emërohet me detyrë zëvëndëskomandant.
Në vendlindjen e tij atje në Mat…
Porsi skifteri ma kishte synë,
Venlindja i jepte forcë, e mbushte me frymë.
Së shpejti nis shkollën e Gardës Mbrtnore
Të mbruhej me cilësi ushtarake e njerëzore.
Në udhën e tij ku do ta shpinte fati,
Idhull për të ishte Napoleon Bonopardi.
Të cilin e konsideronte strateg mendjehollë
Si në fushë të luftës dhe për shkollë.
I cili bëri përpjekje për të pajtuar mbretër
Për të bashkuar kontinentin e vjetër.
Për Bilalin, Bonopardi ishte gjenerali heroik,
Se njohu emrin e vërtetë të Gadishullit Ilirik.
Se ilirike ishte dhe Arbëria
Ilirike janë dhe trojet e mia!…
Në shkollën e Gardës Mbretnore
Bilali shkëlequ me dritë dëbore.
Profesorët ishin me grada kolonela,
Nga Austria, Italia, Inglitera.
U njoh me njerëz të ditur të botës së Perëndimit,
Shqipërinë kah perëndon e deshi zemra e trimit.
Në këtë kohë kërcënonte fashizmi si re të zeza,
Gjeneral Aranitasit i thotë: -Unë zjarrin e ndeza!
Të përballojmë një luftë të gjatë e të egër
Ndaj të bëhemi bashkë, ju o miq e ju o vllezër…
Këtë shqetësim ngre ministri Brendshëm Musa Juka
Kur retë e pushtimit po vinin shtëllunga-shtëllunga…
Mbreti Zog i shqetësuar për situatën
Nuk bënte gjumë as ditën as natën…
Ndaj Shqipërisë pritej një agresion,
Ndaj duhej përballje, trimërisht, me pasion.
Bilal Kola përkrah Abaz Kupit
Me pushkë e pritën, i dolën në ballë pushtuesit.
Portin e Durrësit e mbyti gjaku
Ra heroikisht oficeri Mujo Ulqinaku.
Atë ditë rezistence dhanë jetën shumë trima
Tri herë e thyen pushtuesin me zemrat vetetima…
Por forca të pushton, por nuk të nënshtron
Ndaj nuk u nënshtrua Bilal Kola syrin shqiponjë.
Bilal Kola ishte një uragan drite e kthjelltësie
Qëndrestar për Kombin plot vetëdije.
Luftëtar i zellshëm me forcë diturie
Drague i lindur në Deje të asaj Malësie.
Jakomani u përpoq ta bënte për vete Bilal Kolën,
Por nuk ia arriti të ia vinte njollën.
Me fashizmin nuk u bë kurrë bashkëkpunëtorë,
Por qëndroi kryelartë me flamur në dorë…
Të gjithë qëndrestarë, të gjithë kapedana
Nuk mohuan qumështin që u mëkoi nëna.
Sul Kurti e Haxhi Kurti në burg në Itali
Bilal Kola dhe Kaloshët në Berat, në burg të zi.
Këta ishin legjendë heroizmi
Nuk i theu, nuk i nënshtroi fashizmi.
Italia kur me Greqinë po pësonte disfatë,
I liroi oficerët shqiptarë nga ajo lëngatë.
Bashkëpunimi me Dyle Çelën nuk qe i gjatë,
Jeta e tij u pre nga plumbat e fashistëve një natë.
Bilal Kola ndjeu dhimbje, iu prenë krahët,
Humbi mikun e familjes më të aftë.
Abaz Kupi organizoi Konferencën e Mukjes
Që kombi shqiptar mos të shkonte drejt zhdukjes.
Kjo Konferencë tërboi armiqtë e vatanit,
Ndaj u kundërshtua prej Meladinit, Tempos, Dushanit.
Enver Hoxha ishte pjellë e marrëzisë
Ndaj tha: “Kosova duhet t’i mbetet Serbisë!”
Enver Hoxha, Mukjen e ktheu në arenë të luftës civile
Vrau të gjithë ata që e deshën atdheun pa hile.
Si Hysni Lepenica, Mustafa Gjinishi, Shefqet Beja
Helmoi Omer Nishanin, që i vrafrë rrufeja!
Bilal Kola dënohej me vdekje nga komunistët dhe nazistët
Kjo ishte barbari e grupeve terroriste.
Më 1943 Bilal kola organizoi Kuvendin e Bruçit
Duke ngritur në luftë matjanët ditëve të korrikut e gushtit
Ky kuvend solli një ogur të mirë
Për ta mbajtur atdheun të lirë.
Abaz Kupi gjithmonë në krah të Bilal Kolës
I cili mbajti frontin e Qafë Shtamës.
Fashistët u dogjën në flakën e grykëhollës
Duke u shokuar të gjithë prej traumës.
Nacionalistët luftonin me trimëri, heroikisht.
Populli u qënderonte pranë bensikërisht.
Pas nacionalistëve vinin dy tre komunistë,
Asnjëherë në ballë, po qëndronin në bisht.
Fashistëve nga Mati u vjen ultimatumi:
“O tërhiquni, o ju mori lumi!”
Përkrah trimave matjanë ishin dhe ata lurianë
Çliruan Matin këto viganë…
Misioni anglez qëndroi pranë Bilal Kolës,
I mbrujtur prej trimërie, i ndritur prej shkollës.
Kulla e Kolës në flakë është ndezë
Për të mbrojtur misionarët anglezë.
Bilal Kola përkrah majorit Hans Fric
Përballë gjermanit qëndronte një princ.
Që nuk bënte kompromise me pushtuesin
Sikur shtatë pashë nën dhe ta fusnin…
Tash duhej luftuar me pushtuesin e ri
Misionin anglez e ruajti si mollën në gji.
Deshte guxim pët detyrën e rëndë,
Misionarëve nuk u hyri ferrë në këmbë.
Krah Bilal Kolës qëndronin matjanët
Nga populli merrnin forcë titanët.
Populli i ruante si dritën e syrit
Për t’i bërë ballë pushtues qafirit.
Misionit anglez të dhënat ia rrokulliste
Agjentura e egër sllavo-komuniste.
Deformonin të dhënat për Qendrën
Misionarëve duke ua rrotulluar mendjen.
Sepse përgjigjet vinin tjetër për tjetër
Sllavo-komunistët, kjo kuçedër e vjetër
Misionarët anglezë i la pa fjalë
Të përkrahnin komunistët: -Jo, sa të jemi gjallë!”
Mbështetja u erdhi komunistëve në të vërtetë
Në pranverë mbushën malet si pema me fletë
Abaz Kupi e Bilal Kola u prenë në besë
Nuk u besohej ta bënte këtë misioni anglez.
Takohen me Enver Hoxhën në Shëngjergj të Tiranës.
Enveri po fliste si Çeço majë të thanës.
Atëhere Abaz kupi fort sokëlliti,
Enveri u drodh, sa nuk i doli shpirti.
Në krah të Kupit qëndronte Bilal Kola
Me atë vështrim të rreptë si shqiponja.
Enveri thotë: “Bilali po më ha me sy”!
Bilali dorën gati mbante në allti.
Përballë këtyre burrave u drodh si lepur:
“Dakord me ju, dakord, patjetër!”…
Por kur kthyen përgjigjen me letër,
Kupi tha: “Bilal, e paske kuptuar se ishte gënjeshtër!”…
Abaz Kupi pa Bilalin me syrin vetëtimë.
“Të lumtë! E psikologjise me një takim”…
Bilali gjithë mllef ishte nga idhnia:
-Një plumb kokës deshi, të shpëtonte Shqipëria!
Bilal Kola një shqipe mali
Përkrah tij Muharrem Bajrajtari.
Bilal Kolës i shkëlqente bajraku,
Ka në krah Fiqiri Dinen e Mark Gjon Marku.
Sytë e Bilalit lëshojnë shkëndia,
Kur i rri në krah Halil Alia.
Halil Alia atje në Kidnë
Mbi forcat komuniste bëri kërdinë…
Në Veri organizohet Komiteti i Malevet
Për të shpëtuar nga komunizmi, vuatja e hallet.
-Si qëndrove herokisht pesë vjet?!
Bilal Kola, o dragua me fletë!…
-Kisha një zjarr, flakadan në gji
Që më jepte forcë për Shqipëri!
Kisha amanetin e të parëve të mi
Që jetën për Atdhe kanë shkri.
Në malet e mia rezistova gjashtë vjet
Përkrah matjanëve shkrep më shkrep.
Më dhanë bukë si fëmijës së vet
Më dhanë veshje që ruanin në sepet.
Në janar dyzet e nëntë, dimër i ftohtë.
Etja për liri e mbante ngrohtë.
Bashkë me dymbëdhjetë luftëtarë
Rrugën drejt Shkupit ka marrë.
Bilali e mori këtë vendim
Se përkrahësit po shkonin në pushkatim.
Të gjithë burrat matjanë
Për përkrahje të Bilalit i vranë.
Kudo komunistët bënin masakër
Luftë klase, genocid i pastër.
Bilal Kola këtë nuk e donte kurrë…
Komunistët nuk mëshironin grua apo burrë.
Në internime, në tortura çnjerëzore
Në gra e fëmijë ç’t’iu vinte për dore!
Për Bilal kolën Matin e bënë kasaphanë
O ç’tmerr e dhimbje, nënë, o nënë!
Me dymbëdhjetë burra çanë dëborën
Me vete kishte Ganiun, djalin e vogël.
Matanë e priste Aqif Lleshi si mik
Bilal Kola po fuste veten në rrezik.
Me të mbërritur, Aqif Lleshi lajmëron Tiranën.
Bilal Kola erdhi, do t’i bëjmë gjamën!
Vihet në lëvizje qeveria komuniste
Me dorën e Lleshit të Zi do ta vriste.
Enver Hoxha, Haxhi Lleshi, Mehmet Shehu,
Fërkonin duart, në sy gëzimi u shpërtheu…
Meqë Bilal Kola nuk pranoi të punojë për UDB-në,
Me Kadri hazbiun likuidimin do ta përfundojnë.
Me agjentë të paguar lidhet me Aqif Lleshin.
Kriminelët së bashku gatuan përsheshin.
Për Bilal Kolën i rëndë qe fati i zi
E vranë dragoin që luftoi për Shqipni.
Në Mat Bilal Kola la Kurtin e vogël
Në mal të Dejës po rritej rrotull…
Ku jeta e Bilal Kolës si flakë vetetime
Ia ndriçonte udhën Kurtit plot vezullime…
Gra e fëmijë iu nënshtruan internimeve
Duke u privuar prej vllaznie e gëzimeve.
Kurt Kolën e morën fëmijë tetë vjeçar
Rrugës së kalvarit në lëngatë të gjatë…
Pas internimit, e arrestuan te pragu,
Njëzet e pesë vjet burg i dha lugati.
Kurt Kola është drague nga Mati
I zi dhe për të qe fati!
Lufta e klasave si një breshër i egër
Që lëndoi çdo shpirt, çdo zemër…
Familja e Kurtit dyzet e pesë vjet internime
Lindën e u rritën fëmijët me thërrime…
Por ti qëndrove si bir matjani
Nënshtrimin nuk ta desh tabani…
Dëno e ridëno djalin e ri
Gjera erdhi kjo fasadë demokraci…
O Kurt! O djalë! O burrë! O qëndrestar!
Ti rrjedh nga fisi që frikën ka vrarë!
Fis që natyrshëm ka zgjursinë
Fis që në gen ka trimërinë.
Në burg të Shkupit gjete eshtrat e Bilal Kolës
Të Ganiut, vëllait të zemrës.
Të njëmbdhjetë bijtë e grykë hollës
Që klithin si zogjtë e shqipes.
Në internim, Kurt, të lindi djali
Ti nga burgu i dërgoje puthje malli.
Ti në origjinë ishe Gjeneral
-Djali do ta ketë emrin Bilal!…
Bilal Kola rilindi, u ngjall
Po ty Kurt të gjeti një hall…
Gjendja civile nuk e deshi këtë emër.
Ky emër, komunistëve, u sillte infrakt në zemër.
U detyruan ta rregjistrojnë një ditë
Po dhe Bilali i ri ishte rritë…
Në shkollë Bilali ishte i pari
Nuk lejohej më tej të vazhdonte shkollë djali!
Nga burgu, një letër të egër i dërgon Ramiz Alisë:
-Ky është kulmi i marrëzisë!
Po të ishte djali yt do të ndiheshe mirë?!
Një fëmije jetën me ia nxirë?!
Falë këtij presioni për një të drejtë
Bilal Kola i Ri u bë me fletë.
Kur u lejua të vazhdonte shkollën
Këtë e festoi, u gëzua për fitoren.
Bilali i ri tashmë duket burrëror
U ngjan fort kreshnikëve arbërorë.
Në vitet që u shemb tirania
Lirisht nisi të marrë frymë njerëzia.
Viti 1994, në ditët e gushtit
Bilal Kola i ri mbante emrin e gjyshit.
Fluturon drejt Londrës si skifteri,
I telefonon lordit Julian Amery.
-I thoni: Dëshiron t’iu takojë Bilal Kola.
-Okej! Okej. Qartë u informova.
Me padurim po pres një të vdekur të ringjallur,
E pa me kërshëri, e pëqafoi i përmallur.
Lord Amery tashmë i plakur
I buzëqeshur me sytë përflakur.
-Ti je po ai Bilali që njoha dikur,
Po ato tipare, po ai hir e nur.
U zhyt në kujtime të vjetra
Ngjarjet vazhdonin radhë, nga njëra tek tjetra…
Kapiteni Amery kujton kolonelin Neil Helan
Dhe majorin David Smiley nuk e ndan.
Ah, Bilal Kola i ri më ka marrë malli
Për rakinë e gjyshit tënd në atë kullë mali.
Tash kujtimet i kthehen si të gjalla
Rrjedhshëm, këndshëm buron fjala…
BIlal Kola i Ri, ngrije zërin të buçasë
Bëj me dije të gjithë dynjasë
Kudo ndodhet çdo shqiptar
Erdhi koha për Bashkim Kombëtar.
Mali i Dejës lindka dragonj
Janë për Kombin të gjithë heronj.
Sa të jetë jeta në histori
Ata shkëlqejnë porsi flori.
Haki Koltraka-Trojvogjli
Kidën-Kryq ujor
Dibër diellore
Dërgoi për publikim, Denis Hata, gazetar
*KRYEPOET – atdhetar* – Haki KOLTAKA – Ditet njemije…
Nje jete sot drejt 85 viteve si Bir i *Dangellise Naimjane* me Poete jetoj, Naim Frasheri sa Migjeni RRALE, TRINITRIN*, po sot njohur kete pene ATA P E R J E T E S U A R. me keto TRE poezi, thene te gjitha ç’duhet thene per Historine e atdheut tone dhe Herronjte e saj.
Faleminderit i nderuar Haki KOLTAKA dhe ndiese që të kam njohur vonë une, PENEN tuaj BRILANTE A T D H E T A R E. Monument i HISTOIRISE SONE KOMBETARE. Ditet njemije. Nga tej oqeani ju uroj: *Gezuar festat e NENDOREVE* qe presim: nga -1444-1912 dhe krye NENDORIN 1944 te mëse 28 mije deshmore. I perjeytshem kujtimi tyre.
*Pasuesi veteran* – me Gjyshin *kapedan* Jano P. Xhoga Zavalani, me 1913, jeten e dhene në krye të çetës, per mbrojtien e PV. atdheut sa shpallur, fqinjet jugore sulmuar. Me Te sa-Pasuesit – pasues ne BREZA na bejne KRENARE…
Faleminderit i nderuar Kaki Koltaka! Me JU- *Pasuesi veteran* me 85-pasues-Guri Naimit D.
Toronto 15-09-2020. Teksa po presim *16 Shtatori e *Konferences herroike te PEZES – Mbare atdhetare* ta festojme.
Komentet janë mbyllur.