GJAKU DHE SHPIRTI KUR QARKULLOJNË NË DAMARËT E POEZISË

0
478
Rexhep Bajrami - Zezëjeta

Kopertinat e librit: ZEZËJETA i autorit Rexhep Bajrami

(Rexhep Bajrami: ZEZËJETA, botoi Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptar – Shkup, 2019).

Kalosh ÇelikuNGA KALOSH ÇELIKU

Në këtë kohë shterpë, kur të gjithë shkruajnë poezi e kemi shumë pak poetë, vështirë mund të të bie diçka e bukur në dorë. E them këtë se, shumica e shqiptarëve me këmbëngulje dëshirojnë të gjithë të bëhen poetë. E dhunojnë letrën e bardhë me parulla të thata, përshkrime të kota e patetikë “artistike” kombëtare. Gjakun për liri e kanë derdhur fushave e maleve deri në gju. E vrasin shkaun me poezi patetike. I këndojnë gjuhës shqipe. Flamurit. Skënderbeut. Besës. E harrojnë se një popull që i këndon aq shumë besës dhe trimërisë, atë nuk e ka në jetë.

Historia është dëshmitare, dhe siç duket popullit shqiptar po i përsëritet historia. Gjithmonë për liri ka qenë i vonuar me shekuj: Turqia kur e humbte luftën edhe në Stamboll, populli shqiptar me armë në dorë kërkonte Baba Dovletin. Gjermania humbte luftën në Berlin, shqiptarët në malet e Zajazit ende e vazhdonin luftën. Komunizmi humbte në Rusi, studentët shqiptar në demonstrata dilnin rrugëve të Prishtinës me fotografinë e Shokut Tito në ballë (1981)?!

Dhe, siç duket edhe kësaj radhe jemi të vonuar për në Evropë. E pse të mos e themi se jemi të vonuar edhe në poezi. Një popull gjithmonë i këndon asaj që nuk e ka, i mungon me vite. Në këtë rastë Lirisë. Vetëm se, aq shumë i kemi kënduar me parulla të thata patetike pa gjak e shpirt, sa që në këtë kohë duhet ta vjellim me gjithë zorrë. Gishtat t’i fusim në gojë, t’i nxjerrim jashtë edhe mushkëritë.

Skënderbeu po të ishte gjallë, vetë me shpatën namëmadhe me një të rame shumë politikanëve dhe poetëve patetik në Tiranë, Prishtinë e Shkup do t’ua hudhte kokën para këmbëve të Kalit si kunguj Stambolli. Mjaftë më u tallët me mua, më kënduat nëpër manifestime kulturore, revista letrare e libra. Ju nuk jeni poetë, po hadumë. Partizanë të partive politike në pushtet. Thyeni qafën nëpër parti politike dhe u këndoni atyre “burrave” mejdani, i hipni po të doni edhe në kalë të bardhë me një këmbë të thyer nëpër stadiume sportive, siç i keni hipur gjithmonë para zgjedhjeve parlamentare. Luftë për pushtet. Vetëm nga unë ikni sa më largë, nuk dua të më shkruani poezi, nuk dua të më këndoni këngë patriotike me çifteli.

Dhe, në këto beteja të përgjakshme me penë, pak poetë ia arrinë qëllimit, ulen këmbëkryq në letër. Një poet i tillë është Rexhep Bajrami. I këndon Atdheut. Lirisë. Dashurisë. Po, jo siç këndon ushtria e poetëve patetik nëpër instikame partiake plot gjak në prag të zgjedhjeve lokale dhe parlamentare: Pushkë. Topa. “Bomba” politike. Poezia e këtij poeti në damarë ka gjak dhe shpirt. Ose: ky poet në poezitë e tia gjakon patriotizmin me dashurinë. Herë pas here mes këtyre vargjeve e ngre zërin e poetit kryengritës për liri:

Udhëkryqeve të botës
jeta na braktisi.
Na u thanë kujtimet
si degët e një lisi…
(Borë në zemër f. 108)

Vargu, poetit nuk i ka mbetur në fyt. Nuk e ngulfat veten, po as edhe lexuesin. Muza e tij nuk është Partia Politike, prijësi me kalë të bardhë me një këmbë të thyer, që e shalon nëpër stadiume sportive para fushatave të zgjedhjeve lokale dhe parlamentare, po Mikja me dy shtamba verë nën Rrap. Hëna që është ulë si një Zanë Mali në një degë. E merr në prehër, i jep gji. Fuqi për luftë. Shtatë sahat larg ta flukë vargun:

E nemitur seç po rrinte
nuk e di cilin ajo priste?!
Kur e pashë në errësirë.
Thashë: është Hënë, apo yll…
(Thashë: është Hënë f. 67)

Dhe, në fund, poezia që ka gjak dhe shpirt nëpër damarë, është poezia e Ditës së Nesërme. Parullat e thata plot shterëzime e patetikë kombëtare, pa një pikë gjak do të vdesin rrugës. Nuk do të ketë njeri t’i shti as në arkivol, t’u hudhë një grusht dhe mbi varr. E ku më të ngjiten dhiareve për në Baba Tomor. Atdheun e Perëndive. Tyrben ku pihet vera, shkruhet poezia. Dhe, bëhet dashuri…