Gilmani, një portret pa e pyetur!

0
905
Gilman Bakalli

Nga Mero Baze, TemA, 9 tetor 2016

E kam njohur kur ishte student i vitit të parë në Fakultetin e Gjeologjisë. Ishte nga ata djemtë hokatarë, që bënte ç’ishte e mundur të kuptohej që ishte në Fakultetin e gabuar. Bënte humor me lëndët e vështira, me pedagogët e rreptë, dhe të qënurit aksidental aty. Ishte një gjendje që unë e kisha tejkaluar si student i Gjeologjisë dhe kisha mundur të gjeja veten duke shkruar në gazetën “Studenti” dhe duke u bërë dhe pjesë e redaksisë së saj.

Një ditë pranvere të vitit 1988, Gilmani më kërkoi të bisedonim seriozisht, nëse ai mund të botonte disa përkthime në gazetë. Si profan që isha nga gjuhët e huaja i thashë “po” menjëherë, pa ditur çfarë kishte përkthyer.

  • Janë do gjana me spec, – më tha.
  • Po bjeri, se si shikon njeri tek gazeta jonë, – i thashë.

Kështu përfundoi në gazetë një përkthim nga Niçe, për të cilin nuk u ndje askush. Gilmani u gëzua shumë dhe vazhdoi të sillte përkthime të tjera, kryesisht nga gjermanishtja.

Më pas u bëmë më shumë miq dhe ma përmendi si vlerë, që gazeta “Studenti” po botonte gjana “me spec”.

Në fakt nuk ishte kurrfarë heroizmi, por injoranca ime për Niçen, ishte e vetmja meritë. Maksimalisht e dija filozof reaksionar, siç e quanin ata të katedrës së Filozofisë së Fugës.

Gilmanit nuk i ngjiste Gjeologjia dhe mezi gjente rast të fliste për letërsinë botërore, për përkthimet, por sidomos për botën gjermane të letërsisë.

Pas vitit 1991 më humbi nga sytë. Për tre vite rresht nga vitit 1992 deri më 1995, provoi të gjente veten në Itali dhe Gjermani si emigrant. U rikthye në Shkodër më 1995 për ta rinisur gjithçka nga e para.

Në vitin 1996, Universiteti i Shkodrës krijoi departamentin e gjermanistikës, si degë “bijë” e Universitetit të “Karl-Franzens” të Graz-it në Austri. Ëndrra për të cilën Gilmani kishte marrë rrugët e Evropës, tani kishte trokitur në derën e tij. Ai i rihyri gjermanistikës dhe vitin e katërt e përfundoi në Graz të Austrisë.

Pas kësaj u emërua Pedagog i letërsisë dhe përkthimit në Departamentin e Gjermanistikes në Shkodër, dhe paralelisht filloi punën për Doktoraturën në Graz. Më 17 Qershor të vitit 2004, ai ishte tani Dr. Phil. në Universitetin e “Karl-Franzens” të Grazit dhe u emërua Drejtor i Departamentit të Gjermanistikës në Universitetin e Shkodrës.

Ky ishte një shans dhe për të ndjekur disa specializime si në shkurt të 2004 në Universitetin e Little Rock-ut në Arkansas dhe një tjetër në Gjermani.

Ndërkohë ishte njeri shumë aktiv në Universitetin e Shkodrës dhe në jetën e qytetit. Ishte një katalizator i raporteve mes Grazit e Shkodrës në nivel universitar, një qytetar aktiv, një iniciator i disa projekteve në fushën e arsimit dhe sidomos në debatin për futjen e Sistemit të Bolonjës në sistemin universitar shqiptar në atë kohë.

I ruaja nga larg kontaktet me të. Ishte martuar kishte dy vajza dhe një grua që e çmonte shumë.

Në pranverën e vitit 2005, u ripamë.

Ferit Hoti, një ish deputet i PD dhe njeri i afërt i Berishës, më kërkoi të isha krah tij, “nëse ai i propoznte emrin e Gilmanit”, Berishës, për deputet të PD në Shkodër.

U gëzova shumë. I thashë nëse ka folur me Gilmanin për këtë çështje dhe më tha se gjithçka ishte në rregull, por unë duhet të isha një argument më shumë.

Në fakt nuk është se binda Berishën për diçka rreth Gilmanit. Kur e gjeta Ferit Hotin në zyrë të tij, e kishin kaluar temën e Gilmanit dhe po diskutonin për Arencën. Vetëm se Berishës, i qe mbushur mendja se këta ishin të dy miq të mi dhe më tha, – “mi gjej pak ku janë dhe mi thirr”.

  • Gilmanin kam mik i thashë, por po përpiqem ta gjej dhe Arencën.

Dhe atë ditë vendosa kontakte me të dy. Me Gilmanin fola në telefon dhe e ftova të vinte në Tiranë të flisnim për fushatën e tij, ndërsa Arenca ishte në Austri dhe m’u desh të shkëmbeja e-maile për një intervistë promovuese.

Kandidimi i tij zgjoi goxha reaksion brenda PD dhe aty e kuptova, përse i duhej emri im Ferit Hotit. Jo për t’i mbushur mendjen Berishës, pasi atij ia kishte mbushur vetë, por që kur të thonin “ku e gjetën”, të përmendesha dhe unë. Dhe këtë pjesë e qante Berisha me këdo që e zgjidhte vetë.

Kur flisja me Gilmanin, gjatë fushatës, bënte më shumë humor me PD e Shkdorës, se sa me kanddatin përballë. Më tregonte se sa vështirë ishte të ndiqte ato rregulla dhe atë tip fushate. Tregonte se si “këshillohej”, të premtonte, të premtonte, dhe të thoshte shifra.

  • Si me kenë autokombanjë” veç me qit kashtë thoshte me humor.

Berisha ishte i kënaqur nga emri i tij dhe i sidomos i fisit të tij. Dukej se kjo i bënte punë. Por sapo filloi të qeveriste, mes tij dhe Gilmanit u ngrit një mur. Natyra liberale e Gilmanit që më shumë interesohej për “Karnavalet e Shkodrës” se sa për një konferencë të PD, pushteti i fortë i Topallit në Shkodrër dhe eklipsimi i ndikimit të deputetëve të tjerë në vendimarrje atje, e la atë në hije.

Në prill të vitit 2007 më kërkoi të uleshim seriozisht. Qëndruam gjatë në kafe në “Rogner”. Ishte vrerë. I dukej gjëja “ma e marrë” që kish ba në jetë, që ishte bë deputet.

  • Kam gënjyer njerëzit, tha. S’u kam bë asgjë, që u kam thënë. S’më pyet kurrkush. Nuk çoj dot në punë askënd pa leje të asaj Zojës. …Du me ik!

Ky ishte vendimi që duket se e kishte marrë.

I dhashë të drejtë, por i thashë të përpiqej të bënte ndonjë betejë aty brenda.

  • Ashtë, si me fol me muret, – tha. Kurrkush nuk të dëgjon. Du me ik…!

E përsëriste këtë sikur donte të kërkonte leje.

Ramë dakord të rrinim në kontakt për çfarë do bënte.

Pak më vonë pasi Berisha ju turr Top Channel-it, dhe i krijuan një konflikt me një antenë përforcuese në Shkodër. Gilmani u shfaq tek stacioni i antenave duke ngritur çelsin. Ishte në betejë të hapur me pushtetin. Kishte muaj që kishte dalë publikisht kundër PD dhe ndjehej i qetë me veten.

Në vitin 2009 tentoi të rikandidonte nën siglën e LZHK. U përpoqa ta ndihmoj sa munda. Në Prill të vitit 2009, Berisha lëshonte çdo ditë ndonjë nga ato mufkat plot delir që trondisnin vendin. Një e tillë ishte dhe ajo se do të ndërtonte një central atomik në Shkodër. E kishin thënë diku në shtypin kroat. Gilmani thirri një protestë në Shkodër, për ta kundërshtuar projektin. Hija e rëndë e pushtetit e izolonte dhe tentonte ta paraqiste si “një të marrë”, që është dëshpëruar nga pushteti. E ftova në emisionin tim ditor tek “Vizion Plus” dhe u përpoqa t’i krijoj sa më shumë hapësirë në media, për këtë çështje. Ende njihej pak dhe shtypi ishte nën diktatin e pushtetit të Berishës, që hartonte lista censure dhe për ata që kishin rezerva për qenin e Shkëlzenit.

Zgjedhjet në Shkodër ishin një turp. Gilmanit nuk i lanë as votën e vet në qendrën ku votoi. Harruan me sa duket që duhet të linin së paku tre vota, të atij të gruas dhe nënës.

Prej asaj dite hoqi dorë nga politika.

Henri Çili ju gjend pranë, duke e marrë pedagog në Universitetin Evropian të Tiranës dhe ai rigjeti veten dhe lirinë e tij mes librave përkthimit dhe jetës së tij atë sportive, që niste nga shëtitjet me biçikletë buzë Liqenit dhe përfundonte në rrugëtime në Bjeshkët e Kelmendit.

E jetoi jetën me aq shumë pasion dhe vërtetësi, sikur ta dinte që do ikte papritur. Ashtu dhe siç e mendotne ikjen e tij. Jo duke e pritur ai vdekjen, por duke e pritur vdekja atë.

Iku dhe tani nuk ka fuqi të ndreqë më asgjë, që ka lënë në mes. As betejat e nisura, as paqen që kishte gjetur me veten dhe familjen e tij dhe as nderimin e atyre, që nuk e deshën kurrë.