Gëzuar Shën Valentinin! – Cikël poetik

0
712
Helidon Haliti - Portret vajze (vaj)

HELIDON H: PORTRET VAJZE ( VAJ )

Faslli Haliti i riFASLLI HALITI

CIKËL POETIK

Për shën valentinin!
RRUGA ME PLEPA

Nirvanës

Plepa të zverdhur.
Gjethe të shtruara mbi rrugë.
Duke shkelur mbi gjethet e verdha po vij.
Çfarë surprize, moj e dashur,

Ti ma paske shtruar rrugën me flori?

1964

MARTON VJESHTA VAJZAT

Marton vjeshta vajzat,
Marton vjeshta djemtë,
Daulleve të bubullimave qiejt
Me shkopinj vetëtimash u bien.
Degët e vidhave belin e dredhin,
Fushave valle erërat seç hedhin.
Dridhuni degë,
Dridhuni lladike!
Nën ritme bubullimash kërceni degë,
Kërceni nën ritme sqotash lirike.
T’u trashëgofshin, vjeshtë, vajzat,
Vajzat, nuset, djemtë!
Rend moj lumturi fushave,
Rend moj dashuri, rend.

KALOJ

Buzë dashurive,
Bukurive,
Buzë buzëve vishnje,
Buzë syve aksioniste,
Buzë vetullave, trupave të hijshëm,
Buzë flokëve që tunden, fëshfërijnë,
Buzë plepave bleroshë,
Që pluhurin e kuq perëndimit,
Si fshesa vigane ia fshijnë,
Unë i lidhur nuk kaloj,
Siç kalonte pranë sirenave, i lidhur Odisea.
Buzë tyre shkoj i lirë,
I mbushur me ndjenja të reja.
Ato, me qindra ma bëjnë me dorë,
Aty, tek traseja.

A J O

U ndeshën sytë e saj me shikimin tim,
Si dy ajsbergë u ndeshën,
U thyen.
E fyer më tha:
– Jam qytetare!
Jeni fshatar!
S’mund të martohemi bashkë!
Të kuptova, e qartë:
Je copë dëbore në mes të beharit,
Mos u ngut –
Shkrirjen e ke të sigurt!

MIK NË FSHAT

Mik me nusen vajta në fshat,
Që nusen time të gjithë të shikonin,
Dolën gocat, plakat, gratë.
«Kjo qenka, moj, nusja e nipit Shahinit?!
Ç’qenka, moj qyqe, kjo nuse kështu?!
Kjo të shikoka në kokrrën e syrit,
Supet përjashta, fustanin në gju?!»
Po daja fshatarëve nuk la pa u thënë:
– Nusen me nipin sonte kam miq!
Po dreqi ta hajë karamele s’më ndodhen,
U turpërova që dreqi ta hajë,
Nisu, or çun, edhe shko në dyqan!
Ç’dajë, ore, qenkam,
Më thoni dhe dajë…
Po dajës, fshatarët i folën të gjithë:
– Nxirru përpara kaçilen me rrush,
Nxirru përpara kaçilen me fiq!
Daja fshatarëve nuk la pa u thënë:
– Nusen me nipin sonte kam miq,
Po dreqi ta hajë, se sot bukë gruri
Plaka ime nuk paska gatuar!
Po jemi në kohën e lëmit, moj plakë,
Kur thasët e grurit tërbojnë në lëmë,
Pse t’u japim bukë misri të hanë?
Ç’dajë dreqi, ahere më paskan,
Ç’dajë dreqi, ahere më kanë!?
Po dajës fshatarët i folën të gjithë:
Po hë, o Shahin, se buka e misrit,
Po buka e misrit ata i ka rritë,
Pse neve, çfarë jemi që bukën e misrit
Si bukën e grurit e hamë e na ngjit?!
Pra, vërju bukë misri përpara të hanë
Dhe preju pas buke një kokërr shalqi
Dhe preju pas buke një kokërr bostan.
Daja fshatarëve nuk la pa u thënë:
– Nusen me nipin sonte kam miq,
Po, dreqi ta hajë, krevate nuk kam,
Kam mbetur prapa, shokë, e kuptoj,
Krevati si buka qenka njësoj.
Po dajës fshatarët i folën të gjithë:
– Shtroju përtokë dyshekun në qoshe,
Hidhu përsipër jorganin e larë,
Fle nusja, fle nipi,
Flenë, ata, flenë,
Nuk janë agallarë…
Mik me nusen unë vajta në fshat,
Po nusen time kur shohin tani,
Duke korrur e duke prashitur,
Mbeten plakat, dhe gocat, dhe gratë,
Mbeten dhe burrat krejt të habitur.

IKE

Në livadhin e blerët të shpirtit të ri
Me lule ndjenjash, dashuri të njomë,
Ishe.
Por ike,
Ike shkretëtirës së shpirtit të tij,
Ku lulëzonte vetëm një diplomë…

BISEDË ME BABANË

Fare s’paska pasur dashuri në ditët tona?
Përgjigju bir këtu!
Nga dashuritë tona
A nuk lindët ju?
Ka pasë në ditët tuaja
Baba dhe dashuri,
Pakëz dashuri
Dhe shumë tregti.
Si kumbulla jeshile që vilen në prill
Dhe shiten ashtu të pabëra në treg,
Këputeshin zemrat në kohërat tuaja
Dhe bliheshin zemrat e vajzave tona,
Siç blihen në treg
Kumbullat e njoma.

LICEISTES

Liceiste e viteve liceiste,
E dashura
Ime

E dashur,
E dashura ime
Më e çuditshme,
E dashura ime
E vetme e vërtetë,
E dashura ime që kurrë s’më deshe,
Oponentja më egër e dashurisë sime në jetë…

Mos eja netëve në shtratin tim fshehtas burrit,
Mos bëj dashuri në ëndërr me mua!
Gjersa s’më deshe ditën
Zgjuar,
As unë nuk dua

Të bësh dashuri netëve në ëndërr me mua…

ËSHTË PËRJETËSI

Kam dasuruar vetëm një herë
Një herë të vetme në jetë.
Ishte e bukur?
Ishte bukuri.
Ishte e menҫur
Ishte
Menҫuri
Ishte
E dashur?
Ishte dashuri.
Ishte
E besnike?
Ishte besnikëri !

Është
Përsëri ?

Ishte përjetës …!