GËZIM NIKA–35 VJETË KËNGË DHE VEPRIMTARI KOMBËTARE

0
1792

Nga Frank Shkreli

Njoftohet se me 1 dhjetor 2017, komuniteti shqiptaro-amerikan do të festojë 35-vjetorin e veprimtarisë muzikore të artistit dhe të legjendës së këngëve me motive patriotike, Gëzim Nika. Gëzim Nika njihet mirë në Shqipëri dhe në Kosovë, por edhe në diasporë, pikërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku për më shumë se 20-vjet tani jeton me familjen e tij.

Veprimtaria e tij, sidomos në lëmin e dendur muzikor, por edhe në veprimtarinë e tij patriotike është e njohur mirë tanimë anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në diasporën shqiptare, jo vetëm në Amerikë dhe Evropë, por kudo që gjënden shqiptarët, përfshirë edhe Australinë e largët. Këngëtari i njohur i folklorit shqiptar Gëzim Nika njihet për repertorin e tij të pasur me krijimtari të larmishme dhe si i tillë është ndër të pakët këngëtarë në diasporë dhe në trojet shqiptare që e mban gjallë këtë traditë duke ia përcjellur këtë lloj muzike edhe brezit të ri të shqiptarëve. Vitin që kaloi, për veprimtarinë e tij artistike, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani dekoroi këngëtarin Gëzim Nika me titullin e merituar, “Mjeshtër i Madh”.

Me rastin fatbardhë të 35-vjetorit të daljes në skenë për të, familjen e tij dhe për shqiptarët kudo, disa bashkatdhetarë po organizojnë në fund të kësaj jave një darkë madhështore në nder të këngëtarit të njohur dhe tashmë legjendës së muzikës popullore shqiptare, i cili është gjithnjë aktiv dhe në këtë fushë dhe tepër i preferuar nga shqiptarët kudo për festat, dasmat dhe për ngjarje të ndryshme familjare, si ditëlindje dhe përvjetorë. Pritet që në këtë solemnitet të marrin pjesë një numër i madh bashktadhetarësh nga Nju Jorku dhe nga shtetet për rreth. Të ftuar të posaçëm në këtë darkë do të jenë një numër këngëtaresh dhe këngëtarësh si dhe artistë të njohur shqiptarë, për të nderuar veprimtarinë 35-vjeçare të kolegut të tyre të respektuar, Gëzim Nikës.

Pritet që darka të kalojë në një atmosferë përzemërsije të sinqertë dhe vëllazërore dhe si e tillë të jetë një dëshmi e nxehtë, nderim dhe falënderim për veprimtarinë muzikore dhe patriotike prej tre dekada e gjysëm të Gëzim Nikës, nga pjesëmarrësit dhe kolegët e tij artistë që do të jenë pranë tij atë mbrëmje për të festuar me ‘të, këtë jubile të shënuar për të personalisht dhe për kulturën dhe muzikën shqiptare në përgjithësi, këtë ngjarje pra tepër të rëndësishme në jetën artistike të Gëzim Nikës dhe për të gjithë admiruesit e tij sot dhe gjatë dekadave të kaluara.

Ndër pjesëmarrësit muzikantë, kolegë e kolege në këtë ngjarje me rëndësi jo vetëm për këngëtarin e njohur popullor do të jetë edhe këngëtarja e njohur Albërije Hadërgjonaj e cila ndanë me miqtë e saj në instagram njoftimin për këtë jubile dhe urimin e saj për Gëzimin – që shumë shqiptarë ndjejnë për këngëtarin e njohur dhe yllin e muzikës popullore shqiptare – dhe jo vetëm në këtë jubile, duke iu drejtuar atij me këtë mesazh: “1 Dhjetori është një festë për ty dhe për gjithë shqiptarët. Miq e mikesha, ju njoftoj se me 1 Dhjetor, Gëzim Nika feston 35-vjetorin e daljes në skenë! Unë dua të uroj paraprakisht për sukseset ndër vite me këngë që sot e përgjithmonë janë gur i rëndë në artin shqiptar. @gezimnika, ti për mua dhe familjen time je mik, vëlla që të duam fort! Këndofsh për shumë e shumë vite o Legjendë”, përfundon urimin e saj, Albërije Hadërgjonaj.

Në këngët e tija, Gëzim Nika shpreh dashuri dhe mall për kombin e vet, për shqiptarët në trojet e tyre dhe kudo janë të përhapur anë e mbanë botës. Shpresoj se darka që komuniteti shqiptaro-amerikan po organizon me1dhjetor në nder të tij dhe të punës së tij prej 35-vitesh në skenë, të jetë sado pak një njohje e vogël, në shënjë falënderimi nga publiku — të pakën nga publiku shqiptaro-amerikan – ndaj rapsodit të shquar të kombit shqiptar, Gëzim Nikës. Unë personalisht i jam mirënjohës, Gëzimit për këngët e tija që tani i dëgjoj rregullisht, por që dikur i dëgjonim me shumë vështirsi pasi i transmetonte radio Tirana me valë të shkurtëra në emisionin për bashkatdhetarët jashtë atdheut, këngë siç është, “Në Dardani bien tupanat” – por këngë të cilat më lehtësonin deri diku mallin për çdo gjë shqiptare, në atë kohë.

Prandaj, edhe unë bashkohem me Albërie Hadërgjonajn dhe me qindra mijëra bashktadhetarë, në Shtetet e Bashkuara, anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në mbarë botën, që ndërsa Gëzim Nika kremton 35-vjetorin e tij në skenë – bashkohemi për t’i uruar atij suksese edhe në të ardhmen, në paqë e liri për shqiptarët kudo qofshin dhe në të mirën dhe përparimin e kulturës shqiptare kudo, megjithë bukurinë dhe shpirtin e saj arbëror që e dallon nga kombet e tjera.

Thashë më lartë se veprimtaria e tij artistike prej 35-vitesh, përveçse shquhet në fushën e muzikës, ajo veprimtari dallohet edhe si vepër patriotike, pasi këngët e Gëzim Nikës, siç është kënga, “Shqipëri oj Nëna ime”, përshkohen nga malli i mërgimtarit për Atdheun si edhe nga fryma e patriotizmit, ato shprehin dashurinë për popullin shqiptar si dhe besnikërinë ndaj interesave dhe vlerave të kombit, për bashkimin dhe lirinë e tij. Gëzim Nika është dhe do të mbetet për gjithmonë, një “Gur i rëndë në artin shqiptar”.

I dashtun Gëzim, në këtë 35-vjetor të paraqitjes tënde në skenë, në mes të dollive dhe breshërisë së urimeve, mundem vetëm me të dërgue përshëndetjen që e përdornin malet tona, pasi lahutari mbaronte këngën: Sot e gjithmonë ty të lumtë goja e të këndoftë zemra dhe kënga jote u ndëgjoftë për gjithmonë: “Në Prishtinë e në Tiranë, dorë për dorë si vëllau me vëllanë”, dhe jo vetëm në Prishtinë e në Tiranë, por kudo jetojnë shqiptarët. Urimet e mia më të përzemërta në këtë përvjetor të shënuar suksesi e arritjesh!

Unë e dua Shqipërinë


Këndon: Gezim Nika

Unë e dua Shqipërinë
Me gegninë, me toskninë
Per atë sofër bardh si borë
Ku rrinë bashk lab e malësor
Unë e dua Shqiperinë
Me Kosovën, Çamërinë
Per Ulqin e Gostivar
Dhe për lotin mërgimtar
Unë e dua tokën nan’
O bukës, bukë e ku i kanë thanë
O gjakut, gjak
O zanës, zanë
Se jam shqiptar-o
Tjetër s’kam dasht-e
Vec zemrat tona-a
Të rrahin bashkë
Unë e dua Shqipërinë
Per një vajzë gjeraqinë
Për tim bir që po lodron
Për manarin që blegron
Unë e dua Shqipërinë
Për rininë e mençurinë
Dhe për djepat me stoli
Dhe për varret me lavdi

Në Dardani Bien Tupanat

Këndon Gëzim Nika

Ç’janë kto gur’ t’bardh e t’zi
Dikush krushqit na i ka ngri
Na i ka ngri, o i ka bo gur
O krushqit tonë o me flamur
N’Dardani bjen nji tupan
Krushqit vijnë me kapuç t’bardh
ë
Cili je krushku i parë që prinë?
O është Flamuri Kuq e Zi
Cili je krushku i dytë në radhë?
Skënderbeu me shpatën zjarr
Krushku i tretë o është Naimi
O Mic Sokoli thërret kushtrimin
Nji mijë vjet ecën këta krushq-e
Si e ka emnin kjo nuse?
Liri emnin o k’saj ia thonë
O lind e rrit në gjakun tonë
Nusja jonë o kurrë nuk vritet
N’çdo pikë gjaku ajo rritet
Ku e derdh Shqiptari gjakun
O n’at Liria ngre Bajrakun!