Publikuar më 18.02.2020 nga erjon dervishi, Shekulli
Prof. Gëzim Alpion nga Departamenti i Sociologjisë në Universitetin e Birminghamit në Britaninë e Madhe, flet në një interviste ekskluzive për gazetën “Shekulli”. Prof. Alpion analizon krizën në të cilën ndodhet Shqipëria, diasporën, çështjen Brexit dhe krizën në familjen mbretërore
Erjon Dervishi
Britania e Madhe ka dalë përfundimisht nga Bashkimi Europian, por dilemat mbeten. Atje jeton dhe punon një emigracion i konsiderueshëm nga Shqipëria, të cilët do të preken drejtpërdrejtë nga ky proces. Gazeta “Shekulli”, ka realizuar një intervistë ekskluzive me Profesorin e njohur të Sociologjisë në Universitetin e Birminghamit në Britaninë e Madhe. Prof. Alpion shpjegon situatën në të cilën ndodhet Shqipëria, krizat e saj, e ardhmja sociale dhe niveli qesharak i klasës politike në vend, si dhe ikja e Agron Tufës nga Shqipëria. Prof. Alpion në korrik të këtij viti, do të botojë të plotë librin për humanisten e madhe shqiptare, Nënë Tereza.
Prof. Alpion, Shqipëria gjendet në një udhëkryq të madh. Nga njëra anë kemi sfidën e integrimit për në Bashkimin Europian, nga ana tjetër kemi krizën politike dhe sfidat sociale, të cilat prekin thellë ekonominë dhe shoqërinë shqiptare. Si e shikoni perspektivën e Shqipërisë në vitet që vijnë?
Shqipëria po përjeton një krizë identiteti. Shkaqet për amullinë e tre dekadave shpesh ia faturojmë kryesisht sistemit totalitar. Monizmi ka fajet e veta por rrënjët e kësaj situate duhen gjetur si në dekadat e fundit ashtu edhe në të kaluarën e largët. Ne kemi humbur kontakt me thelbin tonë, vetëdijen tonë, dhe gjenezën tonë.
Ndërsa popujt e tjerë e sajojnë me lloj-lloj mënyrash ‘lashtësinë’ e tyre, ne vazhdojmë ta shpërfillim dhe shpërdorojmë antikitetin tonë me indiferentizëm dhe papërgjegjshmëri të frikshme. Në 108 vitet e shtetit modern shqiptar shumë gjëra duhej dhe mund të ishin bërë më mirë, por mbi të gjitha duhej të kishim punuar më shumë kryesisht për t’u rilidhur me rrënjët tona.
Disa nga mangësitë që vihen re gjatë ekzistencës së shtetit shqiptar shpjegohen me mungesën e një elite kombëtare të përgjegjshme për fatet e vendit.
Faik Konica ka argumentuar se elitën tonë e shkatërruan otomanët. Kjo deri diku është e vërtetë.
Asnjë elitë nuk është e përjetshme. Çdo elitë ka ciklin e saj: ajo lind, lulëzon, venitet, shpërbëhet dhe zëvendësohet me një elitë tjetër me mendësi të re dhe vizion të ri. Ajo që çdo elitë ka të përbashkët është përgjegjësia ndaj fateve të vendit. Mjerë ai vend e popull që mbeten pa një elitë të tillë.
Pushtimi otoman pati kusuret e tij në zhvillimin ose më saktë në stanjacionin tonë kombëtar. Fantazma otomane akoma nuk është larguar nga trojet tona; ajo është rishfaqur rishtasi në formën e neo-otomanizmit, metastazat e të cilit po depërtojnë gjithmonë e më thellë në Shqipëri dhe veçanërisht në Maqedoni dhe Kosove ku, nën trysninë direkte të Ankarasë, janë edituar edhe tekstet e historisë për periudhën e pushtimit turk.
Sindroma e ‘fajtorizimit’ të pafund të faktorit të jashtëm është një tregues tjetër i tendencës tonë kolektive për të mos marrë përsipër fajet tona. Në 100 vitet e fundit vetë ne shqiptarët jemi shkaktarët kryesorë që kemi mbetur pa elitë. Për rrjedhojë, ne jemi bërë pre brezash-ofiqarësh, motivi kryesor i të cilëve është pasurimi nëpërmjet uzurpimit dhe monopolizimit të shtetit.
Dihet se si përfunduan një numër i madh i nënshkruesve të deklaratës së pavarësisë, këtyre vizionarëve të cilëve u detyrohemi aq shume. Fati i Nolit, Fishtës dhe Konicës dëshmon se sa e vështirë ka qene dhe mbetet për elitën shqiptare të ketë mundësi t’i shërbejë vendit. Fakte të reja trishtuese kanë dalë në dritë se si u trajtua elita intelektuale nga Enver Hoxha. Komunizmi ishte një periudhë paradoksale: arsimimi masiv rezultoi në një inteligjencë inerte. Që intelektualët janë zëri më i mekur i shoqërisë shqiptare edhe në ‘demokraci’ duhet të na shqetësojë dhe tremb të gjithëve.
Një komb pa elitë është një turmë të cilës mund t’i servirësh lehtë idenë se nuk bën dot kurrë pa ‘faktorin’ e jashtëm. Kjo shpjegon se përse kemi kaq shume ‘vëllezër’ dhe ‘miq’ – turq, sllavë, italianë, gjermanë, sovjetikë, kinezë, amerikanë – të cilët i ndërrojmë si veshjet me ndërrimin e stinëve.
Ne na është krijuar bindja se nuk bëjmë dot pa një fuqi të huaj dhe për pasojë nuk përpiqemi të gjejmë forcën mes nesh. Aktualisht, çështjen e korrupsionit endemik qeveritar presim të na e zgjidhin amerikanët dhe BE-ja.
Ky inferioritet patologjik ndaj të huajve, vihet re qartë edhe në diskursin infantil në Shqipëri dhe Kosovë, për ‘ëndrrën Europiane’. Kjo nuk përbën ndonjë çudi po të kemi parasysh se personat që negociojnë anëtarësimin e këtyre dy trojeve shqiptare në BE zor se e dinë se, në lashtësi, fillimisht ‘Europë’ quhej vetëm gadishulli Ilirik.
Ne kemi kohë që jemi katandisur në nxënës të prapambetur që bëjmë detyra shtëpie me imponim, që të na pëlqejë Europa, por nuk e kuptojmë se reformat duhen bërë pikë së pari se janë të domosdoshme, që Shqipëria dhe Kosova të funksionojnë si shtete normale. Ngërçi shtetëror që po përjeton Kosova diktohet edhe nga disa rrethana për të cilat nuk do të ndalem në këtë intervistë.
Situata në të cilën është katandisur shteti shqiptar me kryeministra që sillen dhe veprojnë si kapo dhe me një opozitë qesharake, është e pafalshme. Pra, në përgjigje të pyetjes tuaj, se si e shikoj unë perspektivën e Shqipërisë, mund të them se vetëm me konsolidimin e shtetit ligjor, ku të gjithë të jenë të barabartë para ligjit, vendi ynë do ingranohet me dinjitet në botën demokratike.
Cilat janë krizat që ju mendoni se klasa politike shqiptare duhet t’i tejkalojë në mënyrë që Shqipëria të ketë një model zhvillimi?
Në Shqipëri nuk ka ‘klasë politike’ por ‘kaste kulisash’. ‘Rekrutimi’ në të, përcaktohet nga shkalla dhe kohëzgjatja e ‘besnikërisë’ ndaj sekserit që shpërblen ‘mercenarët’ me kocka nga gostia e pafund në kurriz të pasurive të vendit. Sekserët e kësaj kaste që qeverisin me rotacion nuk dallohen për ndonjë filozofi politike. Ata janë njerëz të rëndomtë, me një arsimim të cunguar që mangësitë e formimit intelektual përpiqen t’i fshehin pas ‘titujve shkencorë’ që, si çdo gjë në jetë, i kanë të vjedhura.
Këta sekserë janë shkaktarët kryesorë për atë që Emile Durkheim i quan ‘anomie’, që ka kapërthyer jo vetëm ata por edhe nëpunësit e thjeshtë në çdo segment të shtetit qendror dhe lokal; pra, ata janë robër të obsesionit të pa kontrollueshëm për pasuri pa fund në një botë që nuk njeh asnjë rregull. Këta gjallesa banale kanë legjitimizuar përjetësinë e pushtetit nëpërmjet korruptimit të votës.
Pa një reformim rrënjësor të sistemit të zgjedhjeve lokale dhe kombëtare, dhe pa një arsim modern në çdo hallkë, nga ai parashkollor e deri në atë pasuniversitar, Shqipëria do të vazhdojë të zbukuroj fasadën pa rikonstruktuar thelbin.
Po kaq i rëndësishme është reformimi i partive politike që, tani për tani, janë shndërruar dhe funksionojnë kryesisht si biznese private.
Në Shqipëri nuk do të ketë zhvillime demokratike po qe se nuk funksionon opozita. Në ketë drejtim, Shqipëria është më keq se çdo vend tjetër, që doli nga sistemi komunist. Edhe në kohën e monarkisë, në disa momente parlamenti shqiptar funksiononte në mënyrë më efikase.
Dhe së fundi, Shqipëria nuk mund të dalë nga ky ngërç pa angazhimin direkt të elitës së diasporës. Dyert e shtetit shqiptar për intelektualë të pavarur në diasporë, të cilët nuk i bëjnë temenara asnjë partie apo pushtetari por që kanë pasionin për t’i shërbyer vendit me përkushtim, vazhdojnë të jenë të mbyllura në Shqipëri.
Fjala e lirë ka qenë pjesë e një debati të fundit, ku në qendër të saj ka qenë shkrimtari i njohur Agron Tufa. Së fundmi ai ka dhënë dorëheqjen nga posti i Kryetarit të Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit dhe ka kërkuar strehim politik në Zvicër. Çfarë pasojash mund të ketë Shqipëria nga ky akt? A mundet që në një vend të lirë të ketë mungese të fjalës së lirë dhe besoni se kjo ndikon edhe në perceptimin e faktorit ndërkombëtar?
Dr. Tufa është një intelektual dhe krijues i spikatur i tre dekadave të fundit. Përpjekjet e tij për të zbardhur periudhën komuniste janë të admirueshme dhe duhej të kishin përkrahje shtetërore.
Historia që na është servirur për periudhën 1941-1991, është historia e ‘fitimtarit’ dhe për pasojë nuk mund të jetë as a plotë dhe as objektive. Megjithatë, në përpjekjet tona amatoreske për të rishikuar dhe rishkruar historinë nuk duhet të bëjmë gabimin e serbëve të cilët, siç argumenton Jelena Dureinoviç, në studimin e sapo botuar ‘Politika e Kujtesës së Luftës së Dytë Botërore në Serbinë e Sotme’, ka shndërruar në ‘heronj’ persona me një të kaluar të erret të dokumentuar.
Në historinë e shtetit shqiptar nuk ka engjëj; kjo është e vërtete për monarkinë, periudhën 1939-1944, regjimin komunist, dhe amulline ‘demokratike’ të tre dekadave te fundit.
Askush nuk ka të drejtë të hedh poshtë Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, apo të mohojë sakrificat e dëshmorëve. Është absurde të mendosh se ata që sakrifikuan pasurinë dhe veten gjatë luftës e bënë këtë vetëm ose kryesisht për partinë komuniste. Po kështu, ideja se vetëm komunistët e donin vendin është sa banale aq edhe qesharake. Përçarja kombëtare, që u kthye në sistem në komunizëm, është një nga mëkatet nga i cili po vuajmë edhe tani.
Ata që nuk janë dakord me Dr. Tufën për çështjet që ai trajton dhe mënyrën e trajtimit nuk kanë të drejtë ta kërcënojnë. Është për të ardhur keq që në parlamentin shqiptar diskutohet shpesh për gjëra ordinere me një vulgaritet që është bërë tipar thelbësor i këtij institucioni, por nuk debatohet me seriozitet për rëndësinë e garantimit dhe mbrojtjes me ligj të fjalës së lirë.
Rishikimi objektiv i historisë nuk është projekt shqetësues vetëm për Dr. Tufen, Institutin që ai drejtonte apo viktimat e komunizmit. Kjo çështje, me rendësi vitale për kohezionin tonë si popull, duhet të na shqetësoj të gjithëve. Por ky rishikim duhet të drejtohet nga historianë të mirëfilltë, që janë të çliruar nga çdo influencë politike.
Vitet e fundit Shqipëria është prekur nga një valë masive emigrimi. Kjo e lidhur me situatën politike në vend, mungesën e shpresës, krizën ekonomike apo edhe nivelin e lartë të krimit dhe korrupsionit. A mund të përbëjë kjo një emergjencë kombëtare për Shqipërinë?
Emigracioni masiv përbën një emergjencë kombëtare dhe kjo situatë kritike, po qe se nuk merren masa, mund të keqësohet. Njerëzit kanë humbur besimin se ata që janë në krye të shtetit kanë një vizion dhe, mbi të gjitha, karakterizohen nga përgjegjësia ndaj fateve të njeriut të thjeshtë.
Megjithatë, emigrimi ekonomik nuk duhet shikuar vetëm me nota negative. Është përgjegjësia e shtetit shqiptar që të hapë vende të reja pune, dhe në pamundësi për ta bërë këtë në nivele të premtuara gjatë fushatave elektorale, të negociojë me vende të interesuara, në dhe jashtë BE-së, për një emigracion të organizuar sezonal. Pra, duhet shikuar mundësia e një emigracioni të rregulluar.
Ju që nga viti 1993 jetoni dhe punoni në Britaninë e Madhe. Kohët e fundit mediat në Britani kanë realizuar disa reportazhe por edhe lajme në lidhje me bandat kriminale shqiptare atje. A mund të themi se kriminialiteti shqiptar në Britani është rritur? Po historitë e suksesit shqiptar, cilat janë në Britani?
Emigracioni nuk është një ndër specializimet e mia si sociolog. Megjithatë, temën e trajtimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në mediat britanike e kam trajtuar në disa studime si dhe në krijimtarinë time letrare.
Në Britani kemi një komunitet që po integrohet vazhdimisht. Si në çdo vend tjetër, edhe këtu ka elemente kriminale dhe persona të papërgjegjshëm që, për përfitime personale, nxijnë gjithçka që ka të bëjë me vendlindjen.
E vërteta është se imazhi negativ i Shqipërisë vjen kryesisht nga Shqipëria dhe jo nga diaspora. Krimi i organizuar shqiptar në perëndim nuk mund të përbëjë një shqetësim kaq të madh, po qe se nuk ka lidhje me zyrtarë të lartë në Tiranë.
Çështja e Brexit është një çështje shumë e nxehtë për Britaninë e Madhe. Më 31 janar Kryeministri i vendit, Boris Johnson nënshkroi marrëveshjen finale të divorcit me Bashkimin Europian. Si e shikoni perspektivën e Britanisë së Madhe në këtë aspekt si dhe faktin që aty jetojnë dhe punojnë shumë shqiptarë? Çfarë do të ndryshojë tani për shqiptarët pas Brexit?
Dalja e Britanisë nga BE-ja është një çështje e ndërlikuar që kërkon kohë të shtjellohet. Me pak fjalë, për këtë divorc fajtorë janë si Britania ashtu edhe BE-ja. Për mendimin tim, largimi i Britanisë nga BE-ja ishte një gabim i klasës politike britanike. Ky gabim duhet parë në kontekstin e së kaluarës imperiale të këtij vendi dhe të krenarisë për bashkë-ekzistencën prej një mijë vitesh të parlamentit dhe monarkisë. Megjithatë, të kërkosh të kesh sovranitet të plotë në një botë globale si kjo që jetojmë tani është ambicie utopike për çdo shtet, përfshirë edhe Britaninë.
Nga ana tjetër, BE-ja në Britani është shikuar gjithmonë si një ‘projekt’ Gjerman. Si në të kaluarën, edhe tani rivaliteti, here i hapur here i kamufluar, midis Britanisë, Gjermanisë dhe Francës është përcaktues për fatet e Europës.
Vetëm pas 31 Janarit 2020, kur Brexit-i u ratifikua nga parlamenti britanik, drejtuesit e BE-se pranuan se janë bërë ‘gabime’ nga ana e tyre. Gabimi më i madh, mendoj unë, është iluzioni që ushqen BE-ja se nocioni ‘komb’ nuk është më i rëndësishëm si më parë.
Le të shpresojmë që BE-ja do të nxjerre konkulzionet e duhura në këtë drejtim. BE-ja nuk është një klonim federal i versionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kombi është dhe do të mbetet një tipar dallues i identitetit të popujve europian.
Pas Brexi-it, si çdo të huaj, edhe shqiptarët në Britani do të trajtohen sipas ligjit. Në ketë drejtim asgjë nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë.
Britania është një vend që i ka mirëpritur dhe do të vazhdoj të mirëpres të huajt që zbatojnë ligjet, integrohen dhe kontribuojnë në shoqërinë britanike.
Një tjetër çështje e nxehtë në Britaninë e Madhe është edhe kurora mbretërore. Prej disa javësh familja mbretërore ka filluar të përçahet. A mund të themi se sistemi tradicional britanik po lëkundet? Nga pikëpamja sociologjike, si e shpjegoni faktin e largimit të Princ Harryt nga Buckingham Palace?
Pas dy dekadash relativisht të qeta që nga vdekja e Princeshës Diana, familja mbretërore britanike është përsëri objekt interesimi jo për arsye të mira, fillimisht përfshirja e Princ Andrew në skandalin Epstein; dhe së fundi largimi i Princ Harry-t me bashkëshorten e tij nga familja mbretërore, për të filluar një jetë të pavarur financiare.
Familja mbretërore është tronditur nga këto ngjarje por vazhdon të mbetet një institucion i rëndësishëm. Vendimi i Mbretëreshës Elizabeth II për të lejuar nipin e saj Harry të jetojë i pavarur në Kanada, por jo të lejojë të ketë funksionet ushtarake apo të flasë në emër të saj, tregon se asnjë anëtar i Familjes Windsor nuk është më i rëndësishëm se Monarkia dhe e ardhmja e saj.
Monarkia Britanike do të vazhdojë të luajë një rol të rëndësishëm në këtë vend. Zhvillimet e fundit tregojnë se, si çdo aspekt tjetër i jetës në Britani, edhe ky institucion nuk mund t’i shmanget modernizimit. Përkundrazi, ekzistenca e monarkisë varet nga aftësia e tij për t’u modernizuar në përputhje me rrethanat. Në këtë drejtim, monarkia ka treguar se është në gjendje të adaptohet.