Gëzim Alpion në Universitetin e Shkodrës për një leksion mbi Nënë Terezën

0
178
Gëzim Alpion - Shkodër

Arben Çokaj

Në një sallë moderne në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Shkodrës, u zhvillua sot me datë 23.07.2021 takimi me prof. Gëzim Alpion për të folur për Nënë Terezën dhe kombin e saj, pas botimit të librit të fundit të tij, “Nënë Tereza, Shenjtorja dhe kombi i saj“.

Ftesa për këtë leksion ishte bërë nga Dekania e Fakultetit Ekonomik me ndërmjetësimin e pedagoges Elvisa Drishti, e cila po mbron doktoraturën në Universitetin e Birmingham-it, ku punon edhe prof. Alpion, në departamentin e Sociologjisë.

Pjesëmarrësit nuk ishin të shumtë, aq sa do të duhej të ishin, për shkak të pushimeve verore, por pati një numër të konsiderueshëm pedagogësh të degëve të ndryshme të Universitetit. Takimi pati edhe një mbulim të mirë mediatik, pasi gazetarët e operatorët e TV-ve të ndryshme ishin të pranishëm aty, për të bërë kronikat e tyre.

Takimi i planifikuar për një orë, zgjati më shumë se dy orë. Takimin e hapi pedagogu i gazetarisë Erzen Koperaj, dhe më pas prof. Alpion filloi me leksionin e tij për nënë Terezën, të shrirë në shumë situata e fenomene të ndryshme, duke e krahasuar atë edhe me personalitete të tjera botërore.

Më pas vijuan edhe pyetjet nga pjesëmarrësit dhe takimi u mbyll pak pas orës 12:00, duke tejkaluar me një orë kohën e planifikuar.

Gjatë leksionit u trajtuan tema të ndryshme, ku Alpion theksoi se feja duhet të jetë më e hapur dhe duhet të bashkëpunoijë më shumë me shkenca të ndryshme, e të mos rrijë e ngurtë e mistike, pasi mundet me qenë një aktivitet më i dobishëm dhe më i pranueshëm për shoqërinë moderne.

Për mënyrën se si shoqëria shqiptare apo përfaqësuesit tanë politikë e përdorin emrin e Nënë Terezës, Alpion e quajti këtë si një formë e lartë e hipokrizisë sonë kombëtare. Nëse ne duam ta nderojmë Nënë Terezën, do të ishte më mirë të flisnim më pak për të, por të sillemi më shumë si u soll ajo për shoqërinë!