Albanian News
Dr. Fatmir Terziu
Londër, më 14 nëntor 2016
http://www.fjalaelire.com/root/30252.html
Akademiku Gëzim Alpion, i cilësuar nga kritika si ‘studiuesi më autoritar i Nënë Terezës në botën anglofone’ për qëndrim të paanshëm në botimet e tij skrupoloze për misioneren shqiptare që nga viti 2003, ishte në vëmendjen e mediave në prag të shenjtërimit me një numër shkrimesh, intervistash dhe referimesh në disa media kryesore në Amerikë, Mbretërinë e Bashkuar, Danimarkë, Itali, Turqi, Indi, Australi, Brazil etj. Në këtë përmbledhje të shkurtër do të paraqesim disa prej tyre duke filluar me botimet më të fundit.
Më 29 tetor, ‘Mangalore Today’ në Indi botoi shkrimin me titull ‘Akademiku britanik kritikon Vatikanin për emrin e Shën Terezës’. Ky shkrim, i botuar edhe në media të tjera indiane, ndalet në një pikë që Alpion theksoi në leksionin e tij të parë pas kanonizimit, i zhvilluar në Ambasadën e Shqipërisë në Londër më 27 tetor. Sipas Alpion, emërtimi i shenjtores më të re të Kristianizmit si ‘Shën Tereza e Kalkutës’, në vetvete, e redukton rëndësinë globale të veprës dhe trashëgimisë së Nënë Terezës.
Më 12 shtator 2016, Michael Ireland, korrespondenti i agjensisë së lajmeve ASSIST në Kaliforni, botoi shkrimin me titull ‘Sociologu britanik reflekton rreth shenjtëreshës të cilën e ka ndjekur me interes’. Artikulli përcjell ekskluzivisht përshtypjet e Alpion rreth ceremomonive që u zhvilluan në Vatikan nga data 3-4 shtator në kuadrin e Vitit të Mëshirës dhe shenjtërimit të Nënë Terezës, ku ai ishte ftuar të merrte pjesë. Alpion thekson se në ceremoninë në Sheshin e Shën Pjetrit në ditën e shenjtërimit i ranë në sy njerëz nga të gjitha grupmoshat, që nga foshnje deri në invalidë të moshuar, të kombësive dhe feve të ndryshme, si dhe prezenca e një larmie të madhe flumurësh, ku binte në sy veçanërisht flamuri shqiptar.
Gazeta e mirënjohur e New Delhit ‘The Hindustan Times’ i kërkoi Dr Alpion një shkrim të veçantë me rastin e shenjtërimit para se të nisej për Romë, që u botua pikërish më 4 shtator. Në këtë shkrim Alpion thekson se, për Nënë Terezën, India nuk ishte thjesht vendi i saj i adoptuar. Sipas tij, dashuria e Nënë Terezës për Indinë nuk do të thotë se ajo e donte Shqipërinë me pak por se murgesha shqiptare e konsideronte edhe Indinë si vendin e saj.
Më 3 shtator, shkrimi i Dr. Alpion për Nënë Terezën u botua në faqen e parë të ditores prestigjioze britanike ‘The Independent’ ku u komentua gjerësisht nga lexuesit online. Një numër i konsiderueshëm reagimesh për disa tema të trajtuara në këtë shkrim rreth imazhit, veprës dhe shenjtërimit të Nënë Terezës ishin negative.
Tendenca e lexuesve për komente negative në adresë të Nënë Terezës u vu re edhe në reagimet për shkrimin e Alpion në forumin akademik online ‘The Conversation’ në Londër. Në këtë artikull, Alpion thekson se, ndërsa lumturimi dhe shenjtërimi i Nënë Terezës 19 vite pas vdekjes nuk përbëjnë një kohë të gjatë, shpallja e saj shenjtëreshë nga Vatikani kishte shumë mundësi të ndodhte para se kolegu dhe miku të saj i ngushtë, Papa Gjon Pali II, të vdiste në 2005. Sipas Alpion, Karol Vojtila kishte dëshirë ta shenjtëronte Nënë Terezën në shenjë mirënjohje për ndihmën e paçmuar që ajo i dha papatit të tij dhe atij personalisht në përpjekjet për propagandimin e katolicizmit dhe rrënimin e komunizmit.
Alpion thekson se është në gjendje të dëshmojë se papa polak nuk e realizoi shenjtërimin e mikeshës së tij besnike shqiptare pasi ai u këshillua se një vlerësim i tillë mund të shkakonte skandal. Në këtë rast, ‘skandali’ kishte të bënte me shkrimet personale të Nënë Terezës, që u gjetën në vitin 1999, kur filloi faza e diaqezës e lumturimit në Kalkuta. Këto shkrime private dëshmojnë se misionarja shqiptare kishte vuajtur nga ‘nata e errët e shpirtit’, një eufemizëm për dyshime në ekzistencën e Zotit. Mosbesimi në rradhët e murgeshave dhe të priftërinjve merret shumë seriozisht nga Vatikani, thekson Alpion, pasi kjo çështje, në disa raste, është interpretuar si herezi dhe hipokrizi.
Në shkrimin e Alpion, titulluar ‘Nënë Tereza: shenjtorja e errësirës’, botuar po më 3 shtator në ‘Mercator Net’ në Sidni të Australisë, të bën përshtypje ky paragraf që paraqet jo pak interes edhe për botën akademike shqiptare:
‘Të shkruarit për këtë murgeshë të shenjtë është shndërruar kohët e fundit në një hob të volitshëm për disa ‘ekspertë’ që po ripërtypin çfarë është shkruar shumë qartë për të prej disa dekadash. Disa prej tyre hiqen se nuk e kuptojnë se plagjiatura është vjedhje edhe kur sheqeroset dhe se rendja për të gjetur një citim në Google Books apo tendeca për të kopjuar nga Wikipedia nuk përbëjnë kontribut origjinal.’
Kur e pyetëm Dr Alpion se nga ç’vende janë këta ‘specialistë’ sezonale dhe nëse ai u ka tërhequr vërejtje në mënyre të drejtëpërdrejtë, ai u shpreh se ka komunikur me disa pre tyre direkt dhe shpreson se do të sillen në mënyrë të përgjegjshme në të ardhmen. Alpion gjithashtu theksoi se ai e mirëpret angazhimin e sa më shumë studiuesve seriozë me figurën e Nënë Terezës.
Si një akademik që ushtron karrierën në Britani, unë e kuptoj shumë mirë rëndësinë e qëndrimit konsekuent të Dr Alpion. Reagimi i Alpion në këtë rast nuk motivohet thjesht nga parimi për të mbrojtur punën e tij shkencore, gjë që është plotësisht me vend edhe vetëm për këtë arsyje, por për të mos lejuar cënimin e asaj që quhet ‘pasuri intelektuale’ dhe që mbrohet nga ligje ndërkombëtare.
E veçanta tjetër e shkrimit të Dr Alpion i botuar në Sidni, për të cilin redaksia përzgjodhi nëntitullin ‘Një sociolog shqiptar reflekton për efektin e jashtëzakonshëm të murgeshës trupvogël e veshur me sarin e bardhë’, është se në të ai thekson se ajo pati vizionin t’i tregonte Vatikanit dhe botës kristiane si duhej të vepronin misionarët në Indinë e pavarur në mënyre që Kristianizmi të mbijetojë në këtë vend që dominohet nga pasuesit e Hinduizmit.
Më datë 2 shtator Dr Alpion dhe bashkëshortja e tij Dashi, e cila është këshilltare karrierash (Careers Adviser) në Universitetin e Birminghamit, ishin të ftuar në Romë në pritjen e organizuar nga filantropisti Indian Sundeep Bhutoria. Në këtë aktivitet Alpion bisedoi me personalitete Indiane nga bota e fesë, artit, biznesit, mediave dhe industrisë së botimeve, përfshirë Kryepeshkopin e Kalkutës Thomas D’Souza, dhe këngëtaren e mirënjohur Usha Uthup. I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe gazetari dhe studiuesi i Nënë Terezës C. M. Paul i cili, ashtu si një numër gazetarësh në Indi dhe vende të tjera, e përcjell aktivitetin akademik dhe botimet e Dr Alpion që nga viti 2004.
Intervistën e fundit me Dr Alpion, për të marrë mendimet e tij para shenjtërimit, C. M. Paul e zhvilloi nga India me 31 gusht. Kjo intervistë u botua në New Delhi më 1 shtator në ‘Matters India’ me titullin kontroversal ‘Shenjtëresha disidente: si u shndërua ‘problematikja’ Nënë Tereza në një aset për Kishën’. Pasi e cilëson Alpion si ‘një studies të shquar britanik në fushën e sociologjisë së fesë’, C. M. Paul thekson në fillim të intervistës:
‘Me studimet e tij për çështje që nuk janë prekur më parë nga studiues të Nënë Terezës, si rëndësia e viteve të Shkupit në formimin e saj si misionare e ardhshme, efekti që vdekja e papritur dhe në rrethana misterioze e babait pati tek ajo gjatë gjithë jetës, vizioni i saj se si duhej të zhvillohej aktiviteti misionar në Indi pas shpalljes së pavarësisë, dhe specifika e ‘natës së errët të shpirtit’ në rastin e saj, kontributi i Profesor Alpion është i pakrahasueshëm në shndërrimin e Nënë Terezës në një ‘fushë’ akademike serioze.’
Gjithashtu, në këtë intervistë C.M. Paul i referrohet një çështje që Dr. Alpion e ka theksuar në disa intervista dhe shkrime të tjera me rastin e shenjtërimit, pikërisht atë që Vatikani nuk mund të gjente një person tjetër më të përshtatshëm për ta kanonizuar në prag të Vitit të Mëshirës. Nënë Tereza, siç shprehet Alpion, do të mbahet mend kur shumë shenjtorë të tjerë të jenë harruar dhe kjo në sajë të përkushtimit të saj ndaj të varfërve dhe rëndësisë që ajo i kushtoi gjithmonë dinjitetit njerëzor, të cilin e konsideronte të shenjtë.
Më datë 3 shtator, nga Sheshi Shën Pjetër, Alpion u intervistua për Zërin e Amerikës nga Laura Konda në Washington DC dhe Armand Mero në Vatikan. Kjo është intervista e katërt e Alpion muajt e fundit në këtë televizionin amerikan pas intervistës që i dha korrespondentit Ilirian Agolli në leksionin për Nënë Terezën në Hotel Tirana Inernational më 25 maj, dhe intervistave në shqip dhe anglisht që zhvilloi po me Laura Kondën nga studio e këtij televizioni në Londër më 9 qershor.
Në intervistën në Zërin e Amerikës nga Vatikani, Alpion theksoi edhe një herë se të nderosh kujtimin e Nënë Terezës është njëkohësisht shumë e lehtë dhe shumë e vështirë, se politikanët shqiptarë nuk duhet të flasin vend a pa vend për të, dhe se të gjithë duhet të punojmë më shumë për të përvetësuar dhe aplikuar filozofinë si dhe për të ndjekur pragmatizmin e saj në mënyrë që të hedhim sytë nga të varfërit të cilët shpesh nuk i shikojmë edhe kur i kemi para syve.
Kjo thirrje e Alpion duhet parë në kontekstin e mesazhit qe ai ka kohë që e përcjell në media se nuk duhet të mendojmë se varfëria e botës së tretë është diçka e largët për shqiptarët. Kalkutën, sic shprehet Alpion, mund ta gjejmë edhe në Tirane dhe Prishtinë. Në këtë intervistë, ashtu si dhe në intervista dhënë mediave të tjera, Alpion nënvizon se Nënë Tereza gjithashtu tërhoqi vëmendjen ndaj varfërisë materiale, por më tepër të asaj shpirtërore, që ajo gjeti edhe në metropole në perëndim si Londra dhe Nju Jorku.
Në intervistën që i dha gazetares italiane Gabriela Jacomella për revistën javore të Milanos ‘Donna Moderna’, Alpion theksoi se ai e kupton deri diku se përse Nënë Tereza kundërshtohet në Indi, dhe veçanërisht në Kalkuta, nga disa nacionalistë të cilët e shikojnë si shkaktare e imazhit negativ në mediat perëndimore të këtij qyteti, që dikur ishte nga më të bukurit për nga arkitektura në të gjithë Perandorinë Britanike. Po në këtë intervistë, Alpion thekson se Nënë Tereza nuk e shpiku varfërinë e Kalkutës dhe se duhen qindra urdhëra si Misionarët e Bamirësisë për të pasur një efekt real në zgjidhjen e problemit të varfërisë atje.
Mediat botërore kontaktuan Dr Alpion menjëherë pas shpalljes së njoftimit të Vatikanit dhjetorin që kaloi për të komentuar për shenjtërimin e Nënë Terezës. Në intervistën që i dha Rodrigo Craveiro të gazetës kryesore të Brazilisë ‘Correio Braziliense’, për shembull, Alpion u shpreh se, si misionare vizionare, Nënë Tereza u bë ‘zëdhënësja’ e të braktisurve që në fund te viteve 1940-të.
Në dhjetor 2015 Alpion ishte një nga dy të ftuarit e emisionit ‘Newsmakers’ të televizionit të mirënjohur turk me qendër në Stamboll, TRT World. Duke folur nga studio e BBC-së në Birmingham, Alpion tha se ai e mirëpriti lajmin për shenjtërimin e Nënë Terezës. Ai e cilësoi vendimin i Papa Françeskut të guximshëm, veçanërisht duke pasur parasysh çështjen sensitive të ‘errësirës shpirtërore’ nga e cila Nënë Tereza, thekson Alpion, nuk u kurua kurrë. Alpion tha se, si studiues ‘shpirtëror-racionalist’, ai nuk merret me ‘mrekullitë’ që i atribuohen Nënë Terezës, dhe shtoi se do të kishte preferuar që ajo të ishte shenjtëruar thjesht për përkushtimin e saj ndaj të braktisurve në Indi dhe në mbarë botën.
Kur u pyet për të komentuar për reagimet negative ndaj aktivitetit të Nënë Terezës nga disa intelektualë dhe gazetarë indianë, sidomos në Kalkuta, si kur ishte gjallë ashtu edhe pas vdekjes, Alpion u shpreh se ai e kupton deri diku zemërimin e tyre sepse, në fund të fundit, Kalkuta nuk duhet ‘gjykuar’ vetëm nga këndvështrimi i varfërisë. Ai gjithashtu shtoi se gjatë vizitave në Indi, ai ka pasur mundësinë të shikoj vetë punën e mrekullueshme që motrat dhe vëllezërit Misionarë të Bamirësë bëjnë, veçanërisht në Kalkuta.
Alpion theksoi se me bamirësinë dhe dashurinë e saj, Nënë Tereza shërben si një kujtesë e përhershme se të varfërit janë prezentë kudo në botë. Duke pasur parasysh faktin se prindërit e Nënë Terezës ishin nga Kosova, në këtë emision Alpion i bëri thirrje Vatikanit për të njohur formalisht këtë shtet të ri.
Në intervistën që i dha, po ne dhjetorin e vitit qe kaloi, ‘The Hindu’, një nga gazetat kryesore të Indisë, Alpion tha: ‘Nënë Tereza duhet të ishte bërë shenjtëreshë për besimin e saj të patundur në dinjitetin e çdo qenieje njerëzore.’
Ndërsa në intervistën në ‘Matters India’ po atë muaj, redaksia thekson që në fillim se Alpion ‘ka lobuar pa u lodhur për dy vjet për shenjtërimin e Nënë Terezës’. Në këtë intervistë Alpion, ndër të tjera, tha: ‘Shpresoj që Vatikani të ketë nxjerrë mësime nga fiaskoja e ‘mrekullisë’ së parë në lidhje me Monica Besra. Selia e Shenjtë po tregon shenja se po bën përpjekje për tju përshtatur modernitetit, edhe pse ende me një ritëm disi të ngadaltë.’
Alpion gjithashtu theksoi: ‘Vetë fakti që Kisha më në fund vendosi ta shenjtëroj Nënë Terezën, pavarësisht ‘errësirës së saj shpirtërore’, që përbën një rast disi unik për misticizmin katolik që nga mesjeta deri tani, është një tjetër shenjë e mirëpritur se, edhe ky institucion, thellësisht konservator dhe patriarkal, por tregon shenja se po lëviz në drejtimin e duhur.’
Po në këtë intervistë, redaksia thekson se Alpion është autori i një numri studimesh për Nënë Terezën që kanë ngjallur debate, përfshirë edhe librin e mirënjohur ‘Mother Teresa: Saint or Celebrity?’. Kjo monografi u botua nga Routledge në Londër, Nju Jork dhe Nju Delhi në vitin 2007. Botimi italian, nga Salerno Editrice në Romë, doli një vit më vonë.
Për audiencën shqiptare paraqet interes veçanërisht intervista që Alpion zhvilloi në Ora News TV, i ftuar në emisionin ‘Tonight Ilva Tare’ më 24 Maj të këtij viti. Drejtuesja e emisionit, gazetarja e e mirënjohur Ilva Tare, e cilësoi intervistën si ‘një nga bisedat e rralla në ekranet shqiptare për Nënë Terezën’.
Përveç shkrimeve dhe intervistave të tij të shumta për shenjtërimin, si më parë, Alpion vazhdon të citohet në studime monografike dhe artikuj shkencor si dhe në editoriale të botuara në media të ndryshme. Në këto referime bie në sy vlerësimi që i bëhet Apion për analizën që ai i ka bërë rolit që luajti media në ‘shenjtërimin’ e Nënë Terezës kur ishte gjallë.
Krahas angazhimit me mediat, në prag të shenjtërimit, Alpion zhvilloi disa leksione të cilat u ndoqën me interes. Kjo u pa edhe në ligjeratën ‘Nënë Tereza: Sfidat e studimit para dhe mbas shenjtërimit” në Tiranë më 26 Maj ku, përveç një numri të madh intelektualësh të mirënjohur, të pranishëm ishin edhe përfaqësues të kishave katolike dhe ortodokse si dhe diplomatë nga disa ambasada.
Më 9 qershor, me ftesë të Lirim Greiçevcit, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Alpion zhvilloi në Londër ligjëratën ‘Si duhet studiuar një shenjtëreshë karizmatike si Nënë Tereza’ ku ai bëri një trajtim nga këndvështrimi sociologjik. I transmetuar direkt online, leksioni tërhoqi vëmendjen e më se 180,000 njerëzve.
Ndërkohë, Alpion ka filluar një cikël të ri leksionesh pas shenjtërimit. Me ftesë të Ambasadorit të Shqipërisë në Britaninë e Madhe, Qirjako Qirko, në ligjëratën që zhvilloi më 27 tetor në Londër, ndër të tjera, Alpion argumentoi se përse, sipas tij, emërtimi i shenjtores më të re të Kristianizmit si ‘Shën Tereza e Kalkutës’, në vetvete, e redukton rëndësinë globale të veprës dhe trashëgimisë së Nënë Terezës. Ligjërata u ndoq me interes nga intelektualë shqiptar, britanik dhe indian si dhe diplomatë, përfshirë Ambasadorin Greiçevci, dhe Stephen Nash, Kryetar i Shoqatës Anglo-Shqiptare dhe ish-ambasadori i Britanisë në Shqipëri, Gjeorgji dhe Latvia.
Me ftesë të Kryeministrit Edi Rama, Alpion do të marrë pjesë në Samitin e Diasporës, që do të zhvillohet në Tiranë nga 18-20 nëntor. Edhe gjatë kësaj vizite të ngjeshur me aktivitete, Alpion ka gjetur kohë të zhvilloj një aktivitet akademik për Nënë Terezën. Në ligjëratën e titulluar ‘Kombi i lashtë dhe shenjtorja e re: Çfarë përfaqëson vërtet Nënë Tereza për shqiptarët?’ në Universitetin Mesdhetar në Tiranë, të premten më 18 nëntor, Alpion do të analizojë marrëdhëniet e Nënë Terezës me vendlidjen dhe kombin e saj si dhe rëndësinë e kësaj figure për shqiptarët.
Vitin që vjen Profesor Alpion do të botoj monografinë e re për Nënë Terezën, për të cilën po punon që nga viti 2011. Që tani ai ka marrë ftesa nga universitete dhe institucione në disa vende për të folur për këtë vepër që do të ngjallë debate në rrethet akademike dhe media si për informacionin rreth jetës së Shën Terezës së Kalkutës, që do të botohet për herë të parë, ashtu dhe për interpretimin kontroversal, por si gjithmonë, objektiv, të marrëdhënieve të saj me kombin shqiptar.