Përgatiti Zymer Mehani
Dialekti gegë ose gegërishtja (Geg. gegnisht) është njëri nga dy dialektet e gjuhës shqipe, që flitet nga shqiptarët gegë në veri të Shqipërisë, në Kosovë, në Maqedoni, në Turqi si dhe në Serbi dhe Mal të Zi. Gegërishtja në vetvete ka 2 nëndialekte. Dy nëndialektet e gegërishtes gjeografikisht ndahen te Lumi i Matit.
Gegërishtja veriore shtrihet në të djathtë të Matit: Mirditë, Pukë, Lumë, Has, Malësi e Gjakovës, Kosovë, Maqedoni Veriperëndimore, Dukagjin, Malësi e Madhe (në të dy anët e kufirit), Shkodër e në rrethinat e saj, në krahinën e Krajes dhe te Ulqinit; ndërsa gegërishtja jugore shtrihet në të majtë të Matit: ne zonat e Elbasanit, Durrësit, Tiranës, Krujës, Matit, Lurës, Peshkopisë e të Maqedonisë Perëndimore, prej Dibre deri në Shkup e Kumanovë. “Kufiri natyror” në mes të gegërishtes dhe toskërishtes është Lumi Shkumbin në Shqipëri, që përshkon Shqipërinë e mesme nga lindja në perëndim.
Gegë është po ashtu klasifikim nënetnik i shqiptarëve dhe përfshin banorët e viseve mbi Shkumbin, cekur më lart, ose folësit e gegërishtes. Trojet e banuara nga gegët janë njohur historikisht si Gegëri, sidomos gjatë shek. XIX dhe kohës së Lidhjes së Prizrenit. Gegërishtja nuk zotëron status zyrtar si gjuhë e shkruar e gjuhës shqipe.
Pashko Vasa për kuptimin e fjalëve gegëri dhe gegë, mendon se duhet kërkuar tek Homeri, saktësisht në rreshtat ku thotë se :
Përtej maleve të Akrokeraunit banojnë gjigantët. Sipas Pashko Vasës, fjala gjigas, në greqisht do të thotë gjigant, vigan. Për argumentin jep një shkresë në të cilën ndër të tjera thotë se:
fjala Gjigaj (Gjikaj) dhe Gegaj, janë i njëjti emër dhe kanë të njëjtin kuptim si në shqip po ashtu edhe në greqisht. Dokumentet më të vjetra të shqipes janë shkruar në gegërishte.
Këto përfshijnë “Formulën e pagëzimit” të Pal Engjëllit, “Mesharin” e Gjon Buzukut, “Çetën e profetëve” nga Pjetër Bogdani, veprat e Pjetër Budit, Frang Bardhit etj. Në gegërisht u shkruan edhe kryevepra të letërsisë shqiptare si “Lahuta e Malcís” e Gjergj Fishtës, si dhe u kodifikua Kanuni i Lekë Dukagjinit nga Shtjefën Gjeçovi.
Përveç se flitet nga shqiptarët gegë, gegërishtja ka qenë dialekt zyrtar në Shqipëri para Luftës së Dytë Botërore dhe në Kosovë deri më 1968. Shumë mërgimtarë shqiptarë gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri kanë vazhduar ta përdorin gegërishten në letrat e tyre. Sot gegërishtja përkrahet si dialekt dhe përdoret aty-këtu nga botime të ndryshme në Shqipëri e në Kosovë. Përkrahësit e gegërishtes janë kryesisht letrarë nga Shkodra, Tirana dhe Prishtina.
Veçanti të gegërishtes
Zanoret hundore
Zanoret hundore (â, ê, î, ô, ŷ, û) e bëjnë gegërishten më të vështirë për t’u mësuar si dialekt (për shqiptarët) ose gjuhë e dytë (për të huajt që mësojnë shqipen gegë).
Njëherësh, theksimi i tyre është dallimi kryesor në theks prej toskërishtes, duke e bërë atë më të butë për veshin. Zanoret hundore zëvendësojnë thuajse plotësisht tingullin e theksuar “ë” që në gegërishte figuron si shkronjë për zgjatjen e zanores paraprijëse dhe shpesh quhet “e pa zâ” (e pa zë). Kur “ë”-ja shkon e patheksuar në toskërisht, në gegërisht ajo zgjat zanoret paraprake.
Foljet kalimtare dhe jokalimtare
Megjithëse veprore, në gegërishte, shumë folje, si “me ardhë/vij”, në të kaluarën dhe kohë të tjera të së shkuarës paraprihen nga folja “me qenë/jam”. P.sh. “Jam ardhë dje, po nuk t’gjeta aty”. Sidoqoftë, këto folje mund të zgjedhohen edhe si në standard me “kam” përpara, por modeli i mësipërm është shumë i përhapur në Kosovë.
Paskajorja
Paskajorja – me + pjesorja e foljes (p.sh. me punue, me kallëzue).
Kjo veçanti e gegërishtes përdoret në shumicën e gjuhës dhe zë vendin e mënyrës lidhore të gjuhës standarde në shumicën e rasteve. Mënyra lidhore që përdoret në standard lidhet me vetën dhe kohën (e tashme: p.sh. të punoj d.m.th. unë të punoj, të punosh d.m.th. ti të punosh etj., dhe e pakryer: të punoja, të punoje, etj.) ndërsa paskajorja e gegërishtes është gjithëpërfshirëse. Shumë gjuhëtarë sot janë ithtarë të futjes së këtij lloji të paskajores në gjuhën standarde meqë një pjesë e madhe e shqiptarëve e përdorin në të folurën e përditshme. Këta gjuhëtare mendojnë se shqipja standarde do të ishte më e lehtë dhe me më shumë mundësi shprehëse e stilistike.
Ky lloj i paskajores do të ofronte përkthime më adekuate në këtë rast: “To Be or Not To Be” (Shekspir: Hamleti, III-I). Shekspiri nuk thotë Ti, të jesh apo të mos jesh, por thotë, pa iu drejtuar asnjë vete, as të dytës, as të tretës: “Me qenë a mos me qenë” (ose në variante më të skajshme: “me kânë a mos ke kânë”). Ndërkaq, një përkthim i tipit “për të qenë apo për të mos qenë” nuk tingëllon shqip.
Shqipja standarde megjithëse mbështetet në dialektin toskë të zonës juglindore të Shqipërisë, ka në përbërjen e saj fjalë apo formime nga gegërishtja, pa të cilat nuk do të bëhej i mundur formimi i disa fjalëve. Disa nga shembujt janë fjalët “meqenëse”, “humnerë” dhe folja “synoj”. Fjala “meqenëse” vjen nga paskajorja “me qenë” e gegërishtes, dhe një formim i kësaj fjale duke u mbështetur vetëm në toskërisht do të ishte “përtëjemse”, fjalë e cila nuk shkon në gjuhën shqipe.
Fjala “humnerë” vjen nga folja “humb” dhe fjala “në erë”, dhe gjuha standarde e ka formuar këtë fjalë nga format gegë hum (humb)+ nerë (nder). Edhe folja synoj vjen nga fjala “syni”: synoj=ia ve synin (gegërisht) dhe jo “syroj” siç mund të ishte nëse do të formohej nga toskërishtja e cila nuk e përmban këtë folje. Gjithashtu duhet përmendur tema “krye” me të cilën shqipja formon qindra fjalë, teksa me formën toske “kokë” formohen shumë fjalë. Kemi “kryefamiljar”, por nuk mund të themi “kokëfamiljar”; teksa forma “kokëfortë” e toskërishtes, jepet lehtë edhe në gegërisht, me “kryefortë”, etj.