Galeria e Arteve në Pejë shndërrohet në hapësirë vaksinimi

0
91
Galeria e Arteve

Artistët e kanë humbur hapësirën e vetme që e kishin për ekspozim të veprave të artit. Aty tashmë janë rradhët e njerëzve për t’u vaksinuar kundër covid 19. Muret e bardha, ndriçimi, janë të pushtuara me mbishkrime për covid 19. Artistët me plot të drejtë mund të dëshpërohen, të ndjehen keq sepse me këtë vendim ata janë injoruar, përbuzur, anashkaluar, shtëpia e vetme e tyre është zaptuar.

Ilir Muharremi, kritik i artit

Në dritën e zbehtë të hënës e cila kishte formën e rrotës së kaçkavallit shkëlqente dera me xhame e kësaj hapësire artistësh, veprash arti, kurorzim i punës së nxënësve nga shkolla e mesme e artit në Pejë. Derës me xhama ju qasa më afër, sytë e mi vështronin disa mbishkrime si “Qendra e vaksinimit në Pejë”. E kuptova që vaksnimi i popullatës në Pejë do të bëhet në Galerinë e Arteve që gjendet në objektin e Pallatit të Kulturës. Me këtë gjest të dhunshëm ndaj veprës së artit, për të cilën shumë njerëz pretendojnë që është e mirë, si duket Drejtoria e shëndetësisë në këtë komunë nuk mund ta kuptoj, e njëjta është sikur të themi se një ushqim është i mirë, por shumica e njerëzve nuk mund ta hajë.

Peja ka traditë për artin sikurse Firence në Itali, Parisi në Francë, Figueras në Spanjë. Ky qytet i rrethuar me male nën folenë e bimësisë dhe qiellit të kthjelltë blu, është dëshmuar me artistë të mëdhenjë, të cilët u lindën në Pejë, u piqen në Pejë, shpërfaqen talentin, plasuan nëpër muret e bardha të kësaj Galerie shpirtin, i dhanë formë jetës, dhe arti i tyre nuk ishte vetëm pasqyrë që reflektoj shpirtin, por çekiç me të cilin i dha formë. “Vetëm nëpërmjet artit ne mund të dalim nga vetja dhe të dimë se çfarë sheh një person tjetër.”, shkruan Marsel Prust. Arti është magji e mendjes dhe e trupit, botën e vendos në tepsi, të cilën më pas e rrokullisë ndjimi, estetika dhe qëllimi i mendjes, por më shumë ndjenja dhe e bukura.

O, artist i heshtur dhe i strukur në atelienë tënde. Ngrite zërin e artit sepse ti u rrite në këtë qytet, vepra lindi mes bjeshkëve dhe lumit, e mori ngjyrën, dritën, hijen nga kjo parajsë, dhe si pema u rritë në pyje, ndërsa tash hapësira për ta vlersuar këtë pemë, për ta kritikuar, për ta lavdëruar, për ta imagjinuar mbas botës tënde është e pamundur, o artist sepse ti më nuk ke hapësirë, dyert e shpresës së Galerisë janë mbyllur për ty.

Pse gjithmonë artistët duhet të vuajnë për ekspozim të veprave të tyre? Rëndësi ka të krijosh, të mendosh, ta ujitësh këtë pemë dhe gjethet e saja të shushuritin fitore ndaj çdo shtrëngate të mundshme. Në çdo gjethe të kësaj peme unë shohë një ngjyrë dhe çdo ngjyrë është e veçantë e zbuluar nga nuanca e shpirtit. “Dija e Zotit është shkaku i gjërave. Sepse dija e Zotit është për të gjitha krijesat ajo çfarë dija e artistit është për gjërat e bëra nga arti i tij.”, thotë Tomas Akuini. Për të pasur artist të mëdhenj duhet të kesh publik të madh që ta kuptoj artin. “Roli im në shoqëri, ose roli i çdo artisti, është që të përpiqet dhe të shprehë çfarë ai ndjen.

Jo t’i tregojë popullit se çfarë të ndjejë. Jo si një predikues, jo si një lider, por si një reflektim i ne të gjithëve.” Shkruan Xhon Lenon. Arti meriton hapësirë, artistët duhet të reagojnë për uzurpimin e hapësirës së tyre të shenjtë. E shenjtë sepse aty ata lindin, rilindin, debatojnë, kryqëzojnë shpatat e shpirtit, i bëjnë veprat të murmuritin, ndryshojnë vizionin e botës, jepin edhe mendime për shtetin.

Absurditeti i një vendimi

Muaj më parë Drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Petrit Loci, ka thënë se vendi është ndërruar pasi palestra u nevojitet klubeve sportive që të përgatiten për garat ndërkombëtare. Ndërsa, artistet pamor mos të përgatiten, mos të krijojnë, thjeshtë të mos ekzistojnë, kështu në fakt i bie kjo edhe pse këtë nuk e ka thënë Loci. Sipas tij, arsye e dytë është se vaksinimi do të zgjas edhe muajve të dimrit dhe kostoja e ngrohjes në palestrën ‘Karagaqi’, sipas fizibilitetit që kemi bërë si qendër, janë jashtëzakonisht të larta. Dhe duke ditë që në fund të muajit shtator në qytetin e Pejës fillon sistemi i ngrohjes.

Në botën demokratike që vlersohet arti, pothujase është gjithçka për shpirtin e njeriut, hapësira nuk zaptohet sidomos Galeria, sepse kjo Galeri është Luvër i vogël për Pejën, e njëjta gjë sikur në Francë në Paris, të bllokohet hapësira e Luvrit dhe Francezët të vaksinohen aty, pra të pastrohen muret nga veprat e Da Vinçit, Rafaellit, Pikasos, Dalit, Van Goghut, të vendosen karrige, tavolina dhe njerëzit të presin radhën jo të shohin artin, por të vaksinohen.

Ngushëlluese do të ishte sikur përgjegjësit për këtë vepër të ofrojnë ndonjë hapësirë tjetër zëvendesuese për ekspozim. Andaj, Peja lirisht le t’i thotë lamtumirë ekspozimit të veprave të artit pamor derisa të gjithë qytetarët vaksinohen.