GABOVE KRYEMINISTËR!

0
266
Isa Mustafa - Avdullah Hoti

IDRIZ ZEQIRAJ

Zhgënjen kryeministri Avdulla Hoti, me daklaratën e tij hiç fisnike, ndonëse në opinion vlerësohet për maturi e përgjegjësi: “Do të kujdesemi që LVV të mos vijë më në pushtet“, befasoi shqiptarët. Ndërkohë, anëtarësia, elektorati i LDK-së, populli i Kosovës dhe Shqiptaria mbarë presin, pikërisht, koalicionin e natyrshëm, paszgjedhor, LVV-LDK. Sepse partitë e PAN-it, i refuzoi populli i Kosovës, në zgjedhjet e tetorit 2019.

Kthimi aktual i tyre në qeverisje, në çfarëdo kombinature, do të ishte i padëshirueshëm, i dhunshëm. Themi i dhunshëm, sepse bashkimi i PAN-it me LDK-në, plus Lista Serbe, rrëzuan qeverinë e ligjshme Kurti, duke kontrabanduar qeverinë e sotme të paligjshme.

Deklarata e kryeministrit Hoti është domëthënëse, fletë shumë, madje, tërësisht, në dëm të LDK-së dhe Kosovës. Dhe, askush nga kalemxhinjtë e LDK-së nuk reagoi, kundër kësaj deklarate skandaloze të kryeministrit, ndërkohë që janë të zëshëm dhe alergjikë, ndaj atyre që thonë të vërtetën, në shkallën sipërore, por, që nuk “u shkonë për shtat” lidërshipit klanor, për të cilin, ekziston dyshimi i bazuar se ka bllokuar reformimin e domosdoshëm të partisë, rrjedhimisht, kanë bërë ngulfatjen e LDK-së, dikur, zëmadhe e krenare të kryezotit Rugovë.

Një rikujtesë, jo të largët, për kryeministrin në detyrë, Avdulla Hoti: Po të mos ishte Albin Kurti, me aktivistët e LVV, trinomi Hashimi-Isa-Skënderi, ishin në prag të realizimit të një “Republika Srbska”, brenda Kosovës! Këtë e dëshmojnë nënshkrimet e treshës dhe përgjakja e shesheve të Prishtinës, me gjakun e aktivistëve të LVV, e vetme në mbrojtje të Republikës të Kosovës.

Prandaj, kujdes në mallkimet arbitrare dhe paushalle, të kësaj vlere të madhe kombëtare!

Preferenca e LDK për PAN, në raport me LVV, shokon!

Shtrohet pyetja logjike: Nëse zoti Hoti me shokë “kujdeset të mos lejojë LVV të vijë më në pushtet”, atëherë ke dëshiron ta shohë në pushtet, kur LDK-ja nuk ka shanse të qeverisë e vetme? Sa është logjike, e pranueshme të vazhdojë të veprojë kundër anëtarësisë, elektoratit të vetë shqiptarëve? Ndërkohë, nëse ajo do të koalicionohet me partitë PAN-it, ky do të ishte provokimi i radhës i elektoratit nga LDK-ja, shpërdorimi i votës së tyre dhe turpërimi më fund i lidërshipit të LDK-së.

Bashkimi i votave të LDK-së me PDK-në, për rastin e Demarkacionit; Asociacionit; bërjen e Hasimit president; rrëzimit të qeverisë Kurti: koalicionit PDK-LDK; refuzimit të organizimit të zgjedhjeve në Mërgatë; përjashtimin e rektorit Ramadan Zejnullahu, vetëm pse kërkoi testimin dhe verifikimin e “pedagogëve” falsifikatorë, me dipmoma të blera. Në mesin e tyre ka edhe rektorë të inkriminuar, njërit syrësh i është parë, në tavolinë, lista me emra të veprimtarëve të LDK-së, të shënjestruar për ekzekutim!

Një tjetër rektor ishte pjesëmarrës në atentatimin me tritol të Presidentit Rugova dhe krime tjera. Dy anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, miq të kryetarit Mustafa, bashkuan votat e tyre vendimtare, me ato të PDK-së, për shkarkimin e rektorit Zehnullahu, për ta penguar pastrimin e Universitetit, nga kriminelë dhe falsifikatorë diplomash!

LDK-PDK bashkuan votën për amnistimin e deputetëve kriminelët vrasës dhe korruptivë, duke afatizuar me ligj, vetëm të dënuarit në tre vitet e fundit, që ua ndalon garën për t`u bërë deputetë, qoftë edhe për kundërvajtje, shkelje të vogla ligjore, që fajësia e tyre nuk parashikon izolimin me burg, por, thjeshtë, e kushtëzon me shkelje përsëritëse!

Kujdes, Kryeministër, inati është humbës në politikë!

Anëtarësia, elektorati i LDK-së dhe shqiptarët, nuk harrojnë të bëmat e PAN-it dhe të SHIK-ut të tij kriminal. Andaj, me të drejtë pyesin: Çfarë ka mbetur nga Rugovizmi në LDK dhe a do të falte përgjakjen e Kosovës, kaq lehtësisht, Presidenti Rugova?! Kurrën e kurrës nuk do ta pranonte PAN-in para LVV, mëkatët e të parit, assesi dhe asnjëherë, nuk i arrinë e dyta.

Elektorati i LDK-së ka pritur dhe pret përafrimin e natyrshëm me LVV dhe bashku-dhëtimin në koalicionin paszgjedhor. Në të kundërtën, do të vërtetohet, madje, katërcipërisht, se LDK-ja, më saktë, klani brenda Kryesisë, ka problem shantazhimin dhe është peng i dosjeve të SHIK-ut. LDK-ja nuk duhet ta bëjë gabimin e PDK-së, e cila nuk e ndihmoi shefin e saj, Hashimin, për t`u liruar nga shantazhimi i Serbisë. Përkundrazi, duke e ngritur e lavdëruar, pameritueshëm, e fundosi, deri në faje të rënda karshi Atdheut, vetëm për të shpëtuar nga prangat e Hagës, për të kaluarën e tij fort errëtake.

Rrjedhimisht, Kryeministër gabove, madje, zhgënjeve shumë. Megjithatë, ne ju duam, ju kuptojmë se rrethoheni nga inatxhinj të rreshkur. Dihet, inati në politikë është humbës. Andaj, apelojmë zëshëm, ta rishikoni vendimin e gabuar dhe t`i jipni shpresë e besë elektoratit të LDK-së dhe më gjerë në Shqiptari.