Gabimi që po bën Rama, ashtu si Berisha që i “hëngri kokën”!

0
413

Nga Ben Andoni

Për vlerësuesit e gjendjeve ekonomike ka qenë thjesht çështje kohe se kur do të fillonin protestat në vend. Ato plasën pas një vendimi të qeverisë për tarifimin e “Rrugës së Kombit”, ndërkohë që protesta të tjera po përvijohen udhës dhe do të marrin jetë. Ballshi vlon, ndërsa pret Shkodra dhe qytete të tjera, ku problemet e varfërisë dhe ato sociale janë bërë mal.

Për të ardhur keq është se sapo ka filluar protesta e njerëzve lidhur me Rrugën e Kombit, politikanët kanë vërshuar ta bëjnë kauzën e tyre. Nuk kishte gjë më të shëmtuar dje, që deklaratat e para pas dhënies së verdiktit ndaj protestuesve, u dhanë nga opozita, mu asaj që lidhet me korrupsionin gjigandesk me këtë rrugë.

Çfarë i bashkon vallë të gjithë politikanët në Shqipëri? Ajo është mungesa e hapur e transparencës. Kjo e fundit është kaq banale sot, saqë deputeti socialist, kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe do t’ia plaste në sy kolegut të tij, ministrit Ahmetaj me fjalët: “Qeveria të kërkojë falje që nuk komunikoi me njerëzit. S’mund t’iu merrni taksë banorëve të varfër të zonës, për një rrugë urbane, se ajo s’është autostradë”. Përballë, pa turp, ministri bëri një ritiradë të tërë thjesht për t’u shmangur.

Pak më larg, por me të njëjtin shqetësim të ngritur, ministri kosovar i Infrastrukturës, Pal Leka do të shprehej për papajtueshmërinë me çmimin e Rrugës, mënyrën se si është marrë ky vendim për njërën nga arteriet kryesore të lidhjes ndërshqiptare, por edhe shijen e hidhur që i kish lënë mungesa e përgjigjes së kolegut të tij shqiptar, ministrit të Infrastrukturës dhe Energjetikës, z. Damian Gjiknuri.

Qeveria e Edi Ramës erdhi në pushtet me një premtim të madh. Kjo kishte të bënte me transparencën, por edhe bërjen e njerëzve të vetëdijshëm për shtetin e tyre. “Rruga e rilindjes ekonomike të Shqipërisë nis nga nxjerrja në dritën e të vërtetës së gjendjes aktuale të financave shqiptare. Na duhet të dimë me saktësi një orë e më parë, sa e madhe është gropa e krijuar në buxhetin e shqiptarëve në këto vite politikash rrënuese, ekonomike e fiskale. E për këtë na duhet një analizë e thellë, objektive dhe e pavarur. Angazhimi ynë është t’i drejtohemi një pale të tretë, me ekspertizë të padiskutueshme në rang ndërkombëtar. Ne po përgatitemi për ta bërë këtë me të nisur nga puna”,-shkruante me pathos Rama, duke marrë duartrokitje dhe besim pa fund.

Por, kanë kaluar gati katër vjet prej këtyre fjalëve, ndërsa mungesa e transparencës së qeverisë Rama është bërë gati proverbiale. Ajo ka lënë tutje dhe qeverinë e mëparshme Berisha-Meta, që dukshëm u kthye në një simbol babëzie dhe mosfunksionimi të shtetit.

Në këtë hulli, Ramës i duhej thjesht të mbante një premtim publik, atë të transparencës, që të drejtonte i patrazuar, por këtë fakt ai jo vetëm e ka anashkaluar, por e ka shmangur krejtësisht. Ekonomia dhe impaktet e saj janë ato që e kanë nxjerrë zbuluar mungesën e transparencës, si edhe padobinë e qeverisë së tij. Mbi të gjitha, problemi më i madh mbetet në handikapet që ka krijuar i ashtuquajturi Partneritet Publik-Privat (PPP), fenomen, i cili në një farë mënyre ka rezultuar deri më tani me interesa të papastra biznesi në kurriz të pasurive dhe interesave publike. Për ta justifikuar të gjithën, Edi Rama thjesht e ka modifikoi retorikën e tij me premtimet në fushatë për transparencën, porse përballja jotransparente e tyre është vërtetë e hidhur dhe pak nga pak po e barazon me paraardhësin.

Dhe, kjo edhe në rastin e Rrugës së Kombit është evidente. Me gjithë çfarë thuhet, shpenzimet buxhetore që duhen për mbajtjen e këtij aksi nuk justifikohen, sepse aksi vetë nuk është se ndikon në rritjen ekonomike, fakt që do t’i përgjigjej edhe rritja e të ardhurave nga tatimet/taksat. Sikur të mos mjaftojë kjo, falë mungesës së transparencës të qeverive Berisha-Rama, kjo Rrugë nuk ndihu në zhvillimin e dy vendeve, pasi shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë e Kosovës, zënë më pak se 3% të volumit të tregtisë së jashtme për të dyja vendet.

Një specialist ekonomie mund të tregojë edhe më shumë fakte për transparencën, porse është e papranueshme ajo që ndodhi me aeroportin e Vlorës dhe sesi kontrata u botua thjesht në media, check-up i shëndetësisë falas, djegiet me incenerator, zonat e lira ekonomike, vendparkimet në qytete, skanimi i kontenierëve në dogana, ngjyrosja e karburanteve, që të gjitha pra i bashkon mungesa e transparencës dhe barra mbi ekonomisë sonë kombëtare. Në ligj, riskun financiar të këtyre marrëveshjeve e mban shteti me bazën më të dobët ekonomike në Evropë, por edhe me mungesën totale të transparencës.

Kjo ishte arsyeja, që banorët skamnorë të Veriut, u hodhën në protestë duke dashur të çlirohen nga barra e taksimit të Rrugës së Kombit, që ende s’është kryer dhe që sot e kësaj dite, s’futi njeri pas hekurave me gjithë abuzimin e madh.

Raportimet periodike të KLSH-së, materialet dokumentare të rëndësishme teknike të institucioneve financiare ndërkombëtare, që monitorojnë dhe asistojnë qeverisjen e vendit, e përcaktojnë qartë se Shqipëria po pengon vetë rrugën e saj prej mungesës së transparencës me të cilën po vepron Rama dhe entourage i vet.

Dhe, sa më shumë e mohon transparencën dhe e fsheh, aq më shumë ajo të thith në atë që quhet vrima e zezë e mandatit qeverisës. Kështu filloi të bjerret Berisha me njerëzit e tij patetikë, ashtu po duket edhe Rama…Të paktën deri më tani.(GSH)