Fundi i perandorisë Erdogan!

0
1358
Erdogan

Nga Marc Champion, marrë nga Opinion.al

Në fillim, rreth 14 vjet më parë, Rexhep Taip Erdogan zgjodhi një ekip njerëzish të zgjuar dhe të kualifikuar, për të drejtuar Turqinë së bashku me të. Tashmë ai ka detyruar të largohet një nga të bësuarit e atij grupi – kryeministrin Ahmet Davutoglu – për ta zëvendësuar me dikë më të përpunueshëm. Kjo është shkatërruese për Turqinë, sikurse e kanë treguar edhe orët e fundit tregjet financiare.

Për të kuptuar arsyen e këtij zhvillimi, shihni çështjet mbi të cilat Erdogan dhe Davutoglu – i cili nuk është rebel apo ndonjë hero i demokracisë laike të Turqisë – kanë debatuar, duke e shthurr një raport dikur të fortë deri në pikën e divorcit të plotë mes tyre. Ndarja e hershme erdhi menjëherë pas emërimit të Davutoglusë si kryeministër, kur ky i fundit propozoi një paketë anti-korrupsion në përgjigje të akuzave për korrupsion të bëra nga media dhe opozita kundër familjes së Erdoganit dhe aleatëve më të ngushtë politikë.

Erdogan tha se ideja ishte e parakohshme, ndaj dhe paketa u hoq. Davutoglu ishte i etur për të ruajtur një shkallë besimi të tregut ndaj pavarësisë së Bankës Qendrore të Turqisë, duke e mbrojtur atë nga bindjen e gabuara të Erdoganit mbi politikën monetare (ai ka thënë se normat e larta të interesit nxisin inflacionin, një teori hedhur poshtë nga disa shekuj të teorisë ekonomike dhe të dhënave empirike).

Kur do të emërohej Guvernatori i ri i Bankës Qëndrore muajin e kaluar, Erdogan donte dikë më të gatshëm ndaj kërkesave të tij për norma të ulëta. Davutoglu ka qenë ndërkaq më pak agresiv në luftën shkatërruese me militantët e minoritetit të madh kurd të Turqisë, që mori një hov të veçantë vitin e kaluar. Ai foli në mbështetje të qindra akademikëve, të cilët janë arrestuar në bazë të ligjeve të anti-terrorizmit, vetëm pse patën shkruar një letër publike kritike ndaj politikave kurde të Erdoganit.

Dhe ndonëse shfaqej si një mbështetës publik i planeve të Erdoganit për të rishkruar kushtetutën e vendit, me qëllim transferimin e thuajse të gjitha kompetencave qeveritare në presidencë, veprimet e Davutoglusë në përpjekje për të konsoliduar bazën e vet të pushtetit, i dhanë Erdoganit arsye të forta për ta cilësuar bashkëpunëtorin e tij pasinqertë.

Në fakt, nuk ka asnjë argument intelektualisht të ndershëm për ndërtimin e një sistemi presidencial, që do të vendoste në duart e një personi të vetëm një pushtet praktikisht të pakontrolluar ndaj institucioneve turke, nga gjyqësori tek media, do të qe diçka e mirë për demokracinë turke. Për këtë arsye, shumica e turqve – çka do të thotë edhe shumë prej votuesve të Erdoganit – e kundërshtojnë ndryshimin.

Krisja e fundit duket se ardhi me përpjekjet e Davutoglusë në negocimin e një marrëveshje me Bashkimin Evropian, për të pranuar refugjatët e kthyer nga Greqia, në këmbim të një ndihme financiare prej 6 miliardë dollarësh dhe një regjimi të udhëtimit pa viza për turqit. Erdogan u shfaq përgjithësisht aprovues drejt marrëveshjes, e cila ende përballet me pengesa në BE. Ajo kërkon nga Ankaraja të miratojë një numër ndryshimesh në politikat e saj, duke përfshirë kufizimin e abuzimeve të shfrenuara me legjislacionin anti-terror, në këmbim të udhëtimit pa viza në BE – një lëvizje që do të jetë jashtëzakonisht popullore në mesin e turqve. Me fjalë të tjera, ajo do të kufizojnë lirinë e veprimit të Erdoganit dhe t’i sigurojë BE-së më shumë mekanizma ndikimi.

Ç’është më e keqja, BE-ja ishte qartazi e lumtur për t’u marrë vesh me Davutoglunë sesa me Erdoganin. Nga ana e tij Davutoglu, siguroi që turqit ta cilësonin këtë marrëveshje si sukses të tijin personal. Biseda në të cilën Erdogan dhe Davutoglu diskutuan mbi të ardhmen e këtij të fundit ndodhi mbrëmjen e së mërkurës, disa orë pasi Komisioni Evropian çeli dritën jeshile miratimit të vendimit për t’u dhënë turqve të drejtën e udhëtimit pa viza në hapësirën Shengen.

Kjo na çon sërish në fillim, kur kryeministri i atëhershëm Erdogan dhe partia e tij në pushtet qenë nga çdo lloj vlerësimi objektiv dicka e mirë për Turqinë. Ai kishte Abdullah Gylin si partner, i cili më vonë do të bëhej president. Ali Babaçan dhe Mehmet Shimshek, të dy të mirë-kualifikuar dhe të besueshëm tek investitorët e huaj, drejtonin ekonominë.

Ertugrul Gunaj, një liberal dhe ish-anëtar i Partisë laike Republikane Popullore, drejtonte ministrinë e ndjeshme tët Kulturës dhe Turizmit. Në parlament, deputetët e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim përfshinin një numër të konsiderueshëm të liberalëve laikë. Kur Gyli u bë president, Erdogan zgjodhi akademikun Davutoglu për të drejtuar politikën e jashtme.

Nga ai ekip, vetem Shimshek mund të mbetet në detyrë, tanimë që Davutoglu është larguar. Në parlament, të gjithë deputetët e AKP-së janë zgjedhur personalisht nga Erdogani. Me një lake të Erdoganit si kryeministër, liria e Shimshekut për të mbrojtur ekonominë 720 milirdë dollarëshe të Turqisë nga dëmtimi politik, do të ngushtohet edhe më tej. Guvernatori i ri i Bankës Qendrore do të jetë i ekspozuar ndaj një presioni edhe më të madh politik.

Davutoglu vuajti nga arroganca dhe teprimi me ideologjinë si Ministër i Jashtëm. Por ideja e tij themelore – për të ribalancim të politikës së jashtme turke nga një fokus i veçantë dhe varësia nga Perëndimi, në drejtim të ish-zotërimeve osmane të Turqisë në Lindjen e Mesme, Kaukaz dhe në Ballkan – rezultoi e drejtë. Gjithashtu edhe si kryeministër, Davutoglu ka ofruar një kundërpeshë të kujdesshme ndaj një presidenti gjithnjë e më radikal, i cili përherë e më tepër e përcakton veten kundër vlerave dhe synimeve perëndimore.

Me zëvendësimin e kryeministrit të zgjedhur nga vetë ai me dikë tjetër edhe më të nënshtruar, Erdogan do të përftojë de fakto efektet e një kushtetute presidenciale, edhe në rast se nuk mund të ketë sukses në rishkrimin zyrtar të saj. Dhe një nga elementët e fundit që garantonte balancën në jetën politike të Turqisë, do të zhduket së paku në të ardhmen e parashikueshme. /Bloomberg View /Bota.al