FSHATI ME DY GJUHË

0
755

Ardi Hoti

E pëlqej jetën në fshat, shkoj shpesh. Më pëlqen akoma më shumë ai lokali i vogël shumë i thjeshtë dhe popullor i fshatit ku pi kafen. Aty shitet miell, gozhda, aspirina, karta tel, benzinë për motorët e varkave, materiale peshkimi, luhet domino, etj. etj. etj…

Po nuk më bën kjo përshtypje. Ajo që më bën përshtypje aty te kafja ime e preferuar, që ndodhet mes detit dhe malit, është se aty çdo kush tregon çdo hall që ka. Meson problemin e gjithsecilit, flitet shumë lirshëm, mëson dhe sa litra qumësht i nxjerr lopa. Të duket vetja se je pjesë e një familje të madhe, ndërsa mëson shumë nga ato njerëz të thjeshtë dhe të mirë.

“Fshati Global” kështu e parashikoi Marshall Mcluhan, një nga filozofet më të njohur të medias dhe komunikimit, prespektivën e komunikimit teknologjik, sot komunikimi në rrjetet sociale.

Po, brenda rrjeteve sociale jemi një fshat i madh, një “fshat global”, jemi si ai fshati im i preferuar, ku të gjithë dinë hallet e njeri-tjetrit. Në rrjet (facebook) informohemi per gjithsecilin: dikush thotë jam i semurë, dikush thotë se neser do të pijë kafe në Shirokë, dikush thotë se ndodhet në një qendër tregtare, publikohen gjendje emocionale, gëzime, hidhërime, foto, vidio dhe shembuj pafund se bota e komunikimit brenda rrjetit na ka kthyer në një fshat global.

Dimë gjithçka për gjithçka, per gjithësecilin pavarësisht se jemi në kontinente të ndryshme. Kjo shumë mirë që ndodh sepse çliron komunikimin, thellon kureshtjet, nxit dëshirat, bashkon njerëzit, zhvillon idetë, mes teje dhe tjetrit nuk ka me elemente të (boshlleqe, largesi) hapësirës dhe kohës (nga Shkodra mund të kesh përballë e të flasësh në kohë reale me një mik në SHBA), bëhesh pjesë e emocioneve të tjetrit e kështu me radhë.

Por ka një ndryshim të madh mes “Fshatit tim“ dhe “Fshatit Global”. Është e vertetë që kemi të përbashkët “fshatin”, por jo menyrën e komunikimit. Kemi një fshat, po me dy gjuhë të ndryshme komunikimi. Në gjykimin tim “Fshati im” ka një komunikim të sinqertë, të drejtpërdrejtë sy më sy, të thjeshtë, fisnik, burrëror dhe shumë të edukuar. Ndërsa “Fshati Global” më duket shumë i frikshëm, i pasinqertë, fallso, frikacak, i maskuar, i keqperdorur, shumë bosh dhe shpesh i paedukate dhe ka krijuar varësi të tepruar nga forca e vyshkur tashmë e një “like”.

Apo siç thotë i madhi Umberto Eco, interneti i dha te drejten e fjales edhe budallait.

Më kujtohet në këtë moment shprehja e Joseph Domenick, i cili pasi bëri një libër të mrekullueshme që perdoret tani nga studentet e Gazetarisë në Francë me titull “Dinamika e Komunimit Masiv ne Rrjet” në fund të librit shkruan “…në të vertetë ky libër duhej të titullohej “Shkaterrimi i komunikimit masiv”

Nëse Zhorzh Klemenso pati thënë se “lufta është diçka shumë serioze për t’u lënë në dorë gjeneralëve”, sot ndoshta mund të themi se “rrjeti është diçka shumë serioze, për t’u lënë në dorë vetëm të përdoruesve”.

Në fund secili prej nesh, në cilindo qytet të zhvilluar të botës të ndodhet besoj se në jetën e tij të perditshme, i duhet të pijë kafe çdo ditë në “fshatin me dy gjuhë”.