FRYTSHMËRIA E TRAJNIMIT TONË, “NJOHURI PRAKTIKE PËR GAZETARINË”…

0
1160
Fjona Çela

Bisedë, me studenten dhe moderatoren Fjona Çela

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

1. Në mjediset e Institutit Shqiptar të Mendimit e Qytetërimit Islam (AIITC) u organizua ceremonia e shpërndarjes së çertifikatave për 14 veta, të cilët morën pjesë në një trajnim gazetarie, i gjashti në radhë…Kisha kënaqësinë të isha dhe unë në atë veprimtari të bukur e mbresëlënëse, ndërsa ti ishe moderatore…Si e ndjeve veten, gjatë drejtimit të saj dhe a kishe patur raste të tillë, më parë?

– Në Institutin Shqiptar të Mendimit e Qytetërimit Islam, me drejtor dr. Ramiz Zekën dhe me një personel mjaft dashamirës, kam shkuar shpesh herë, që vite më parë. Ne pjesën më të madhe të rasteve, kam qenë ne rolin e pjesëmarrëses në veprimtari të ndryshme, pra të publikut. Ndërsa, këtë herë, u gjenda në një pozicion tjetër, atë të moderatores. Gjatë moderimit të veprimtarisë, që ju përmendët, kam përjetuar emocionet dhe kënaqësitë më të mëdha. Të pranishmit shfaqën interes të veçantë dhe kjo më krijoi një ndjesi afërsie e përshtatjeje me ta. Fakti që po paraqisja jo vetëm punën time, por edhe të pjesëmarrësve të tjerë të këtij trajnimi të bukur e frytdhënës për ne, ishte një mundësi tjetër për të përvetësuar aftësitë e mia të një moderatoreje dhe për t’i përcjellë ato, sa më mirë nga ana profesionale, te publiku i pranishëm dhe më gjerë.

Po shtoj këtu se, më parë. më janë ofruar mundësi të ngjashme, por kam qenë në moderim, bashkë me kolegë të tjerë. Pra, kjo radhë ishte ndryshe, pasi isha moderatorja e vetme dhe përgjegjësia, për mbarëvajtjen e kësaj ceremonie, ishte kryesisht e imja. Ndërsa, se sa ia kam arritur ta plotësoj këtë detyrë, sigurisht, mendimi është i atyre, që e ndoqën këtë veprimtari të paharruar, sidomos për ne pjesëtarët e atij kursi gazetarie.

2. Për kërshërinë e lexuesve, na trego shkurtimisht, se sa vazhdoi puna, deri sa u arrit në këtë ditë të paharruar për ju dhe cilët ishin ata, që u ndihmuan ose bashkëpunuan me ju, në temat e trajtuara?

– Siç dihet, puna në media duhet të jetë e vazhdueshme, në mënyrë që të arrihet synimi i caktuar. Pra, përfundimi nuk është i menjëhershëm dhe kërkohet shumë mundim dhe punë e parreshtur.

Kam kryer trajnime të ndryshme për gazetarinë dhe. më pas, e kam ushtruar në aspektin praktik, për një periudhë kohore 3-vjeçare, derisa arrita në këtë ditë. Sigurisht, njohuritë e mia, rreth fushës së gazetarisë, nuk mendoj t’i lë me kaq. Kam ende shumë për të mësuar, për t’i pasuruar dijet e mia dhe për t’u zgjeruar më tej, në aspektin profesional.

Përkrahja më e madhe më është ofruar nga stafi i “Media Kontakt”, në kryeqytetin tonë. Vetë drejtoresha e “Radio Kontakt”, Dr.Jolanda Lila më krijoi mundësinë që, pas trajnimit të parë për gazetarinë, të ushtrohesha praktikisht, ne mjediset e Radio -Televizionit “Kontakt”. Stafi u tregua shumë mikpritës dhe i gatshëm për të më dhënë ndihmën e duhur. Praktikën e kam kryer me Orjola Sulën, gazetare me përvojë.

Por, mbi të gjitha, ishte shumë njerëzore dhe miqësore. Gatishmëri, për të më ndihmuar, ka dëshmuar e vazhdon ta bëjë këtë gjë, Ilirjan Agolli, publicist i njohur, korrespondent i “Zërit të Amerikës” dhe autor i disa librave për gazetarinë. Ai më ka mësuar bazat e gazetarisë, teorike e praktike e më ka dhënë udhëzimet kryesore për mënyrën, se si funksionon e zbatohet në praktikë, puna e gazetarit. Për ndihmesën e veçantë, e falënderoj e i jam mirënjohëse edhe kinoregjisorit Esat Teliti!

3. Gjatë paraqitjes së punimeve tuaja në ekran, vërejta se tematika ishte e larmishme…Më konkretisht, cilët morën pjesë në këtë kurs, a studiojnë ose punojnë ata dhe çfarë temash trajtuan kolegët tu?

– Fokusi i trajnimit “Njohuri praktike për gazetarinë” ishte puna në televizion dhe, në fund të trajnimit, secili nga studentët pjesëmarrës arriti të realizonte një reportazh të shkurtër televiziv. Të gjitha proceset e punës, që nga filmimi, teksti dhe deri te montazhi, u kryen nga vetë ata.

Tematika ishte vërtet e larmishme, pasi në fokusin tonë qendronin problemet reale të qytetarëve. Jemi përpjekur që secili, në mënyrën e tij, ta përcjellë realitetin, ashtu siç e përjeton çdo qytetar në jetën e përditëshme. Kjo gjë u arrit, kryesisht, duke trajtuar problematika, por dhe disa aspekte pozitive, edhe pse këto të fundit ishin më të pakta.

Ky trajnim, krahas larushisë së temave dhe çështjeve të trajtuara nga secili, kishte edhe larmishmëri në pjesëmarrës. Të gjithë i përkisnim fushave të ndryshme të studimit e punësimit. Ata janë studentë të shkencave të komunikimit, shkencave sociale, multimedias, gjuhës e letërsisë shqipe, gjuhëve të huaja, dizajn grafik. Madje edhe nga profile financë- bankë morën pjesë në trajnim.

Pasioni për punën në media, si dhe mundësia për t’u njohur me bazat e punës së përditëshme të gazetarit, ishin qëllimet e përbashkëta të grupit. Më konkretisht, pjesëmarrësit ishin : Fjona Çela, Armida Plumbi, Arnold Hazisllari, Zhaneta Brata, Zejneb Zekaj, Erzen Pashaj, Brisiana Brati, Xhulio Agolli, Amela Kaloti, Suela Kadrija, Adla Dushku, Doris Kasaj e Gentian Gjoni. Disa prej tyre u përfaqësuan me këto materiale: Zhaneta Brata, ”Papunësia dhe të rinjtë në kafene”; Gentian Gjoni, “ Punimet në rrugën e plazhit Durrës “; Brisiana Brati, “ Mbrëmjet latine në kryeqytet “; Amela Kaloti, “Si të ushqehemi shëndetshëm ”; Erzen Pashaj, “Portreti i një profesori të arteve marciale ”; Armida Plumbi, “Bëj dikë të lumtur dhe për dikë tjetër të mundur”; Arnold Hazisllari, “ Dita e një fotografi” dhe Xhulio Agolli, me një paraqitje të Hotelit “Delta”.

Çertifikatat për pjesëmarrësit u shpërndanë, përveçse nga lektorët e trajnimit, Ilirjan Agolli dhe Jolanda Lila, edhe nga regjisori Esat Teliti, prof. as. dr. Viola Isufaj dhe gazetari me shumë përvojë, prof. Murat Gecaj. Veprimtaria përfundoi me përshtypjet pozitive të studentëve të trajnuar, me fotografi të përbashkëta dhe me një kokteil, për gjithë të pranishmit.

4. Po ti vetë, cilën temë kishe zgjedhur dhe a pate ndonjë problem a diçka të veçantë, gjatë trajtimit të saj?

– Unë zgjodha, që të përcjell te publiku një konferencë për varësinë ndaj lëndëve narkotike, me titull: “ Droga, fundi i lirisë”. Arsyeja e përzgjedhjes së një teme të tillë, lindi nga fakti se kjo dukuri po trajtohet gjerësisht, në çdo lloj mediumi dhe po kthehet në një çështje mjaft shqetësuese. Më së shumti është mosha e adoleshencës, që preket nga varësia ndaj lëndëve narkotike, të ndikuar nga faktorë të jashtëm, ku vendin më kryesor e zë ndikimi nga rrethi shoqëror i tyre. Siç dihet, kjo dukuri çon jo vetëm në shkatërrimin psikologjik e fizik të vetë individit, që ka krijuar varësi nga droga, por edhe më gjerësisht, të familjes dhe të të afërmve. Prandaj, rruga më e mirë për ta mbajtur veten larg varësisë ndaj lëndëve narkotike, është që ato të mos përdoren asnjëherë.

Gjatë veprimtarisë së organizuar në mjediset e AIITC, nuk pati probleme. Përkundrazi, gjithçka shkoi shumë mirë. Veçantia qëndronte në faktin, se pata mundësi të bisedoj e të intervistoj të huaj (turq) e shqiptarë, të cilët e trajtuan këtë dukuri në këndvështrime të ndryshme, profesionale e kulturore. Me këtë rast, i falënderoj ata, përzemërsisht, për bashkëpunimin! Personat e intervistuar ishin: Osman Atallaj, anëtar i Bordit të Organizatës Humanitare; Endrit Reka, pjesëtar i Organizatës Humanitare “Gjysëmhëna e Gjelbër”; Seit Bici, specialist i Sektorit për Hetimet Narkotike, i cili i sqaroi nga ana ligjore problematikat, që shkakton përdorimi ose trafikimi i lëndëve narkotike.

5. Në vazhdim të njohjes me ty: Në çfarë dege studion dhe pranë cilit Universitet? A e ke me dëshirë këtë profesion dhe përse?

– Unë studioj në Universitetin Europian të Tiranës, me programin e studimit, Komunikim – Marrëdhënie Publike. Kjo ka qenë dëshira ime prej kohësh, pasi në këtë fushë ndieja më shumë aftësi dhe besoj se kam bërë zgjedhjen e duhur. Arsyet përse e bëra këtë zgjedhje dhe përse e kam me kaq dëshirë e pasion, janë të shumta. Po, ndër më të rëndësishmet, janë se: të ofron mundësi shoqërizimi e njohjeje me shumë persona; të ndihmon jo vetëm në aspektin vetjak, që të përmirësosh sjelljet e tua, si individ, por edhe të rrethit shoqëror, me të cilët je në kontakt, gjatë përditshmërisë. Për më tepër, komunikimi është proces i vazhdueshëm i formulimit dhe interpretimit të mesazheve, që kërkojnë përgjigje.

Thënë kjo, të gjithë papërjashtim, jemi të ndërgjegjshëm për rëndësinë e komunikimit në jetën tonë të përditëshme. Çdokujt i ofrohen mundësi të përmbushë nevojat e veta, si: fizike, identitare, shoqërore dhe praktike, nëpërmjet llojeve të komunikimit, si vetëvetor, ndërvetor (diadik), në grupe të vogla, publik dhe masiv. Pro ose kundër dëshirës sonë, jemi të detyruar të përdorim secilin prej këtyre llojeve të komunikimit. Një individ, me sjellje të pëlqyeshme, flet në mënyrë që njerëzit të kenë dëshirë ta dëgjojnë dhe dëgjon, në mënyrë që të tjerët të kenë dëshirë të flasin me të.

Po citoj: “Nga vetë natyra njerëzore, askush nuk është perfekt. Por është e rëndësishme që, në mënyrë të vetëdijëshme, të përpiqemi që të bëhemi çdo ditë e më të mirë. Komunikimi është parakusht për sukses, pasi përmes tij ne shprehim veten tonë, ndërtojmë ura bashkëpunimi; krijojmë familje e organizata solide, si dhe një shoqëri të shëndetshme.” (Naçi,V,2011,“Sjellja e pëlqyeshme dhe mençuria në komunikim”, fq 14-15).

Me kalimin e kohës, çdo individ, kompani dhe organizatë, po ndërgjegjësohet në vendin tonë, për rëndësinë e marrëdhënieve publike. Duhet bërë ajo, që thuhet, por edhe duhet thënë ajo, që bëhet!

6. A të pëlqen gazetaria, po letërsia? A lexon ose krijon, në poezi a prozë dhe a ke publikuar ndonjeherë e ku?

– Letërsia ka qenë lënda, ku kam spikatur, që në ciklin e fillores. Që në moshë të vogël, i lexoja librat me shumë dëshirë dhe poezitë, që kisha në librat shkollorë, i mësoja përmendësh dhe më pëlqente shumë t’i recitoja përpara klasës. Ndonjëherë, krijoja edhe poezi për fëmijë. Duke qenë se gazetaria është e lidhur ngushësisht me letërsinë, me po të njëjtin pasion, i jam përkushtuar dhe po vazhdoj t’i përkushtohem edhe gazetarisë. Unë jam ushtruar më tepër në gazetarinë radio- televizive, por dhe shtypin e shkruar nuk e kam lënë pas. Kam publikuar shkrime në revistën “ Familja”, në rubrikën “Analizë, sociale”.

7. Në cilën punë e mendon dhe e dëshiron veten, pas mbarimit të studimeve universitare?

– Synimet e mia kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë shumë të larta. Gjithëmonë jam në kërkim dhe zbulim të gjërave të reja , në mënyrë që të rritem nga ana profesionale. Tani, po i kushtoj rëndësi shumë të madhe studimeve, por edhe median nuk e kam lënë pasdore. Në të ardhmen, e mendoj dhe e dëshiroj veten të punësuar në sektorin mediatik, Radio–Televizion, pse jo, dhe në median e shkruar. Një tjetër pozicion, që synoj, jo më pak i rëndësishëm, është të jem specialiste ose drejtuese e marrëdhënieve me publikun.

8. Një pyetje tjetër, të cilën mund ta bëjë dhe nga fillimi: Cila është përbërja jote familjare dhe kush të mbështetë me shumë në pasionet, që ti ke për jetën?

– Familja ime përbëhet vetëm nga unë dhe nëna ime. Babain e kam humbur në moshë të vogël, pasi u nda përgjithnjë nga jeta, si shkak i një sëmundje. Isha mjaft e lidhur me të, i ngjaj shumë atij dhe krenohem me këtë fakt. Pas kësaj fatkeqësie dhe boshlleku të pazëvendësueshëm, krijova një lidhje shumë të fortë me nënën. Ajo vendosi të më përkushtohej tërësisht dhe gjithë vëmendja e kujdesi i saj u përqendruan te unë, duke qenë se isha dhe fëmija i vetëm.

Është e kuptueshme se jeta është shumë e vështirë, për t’u përballuar nga dy femra, pasi edhe nëna ime ka qenë në moshë të re, kur babai u nda nga jeta. Megjithatë, mund ta them me bindje, se ia kemi dalë të kalojmë e përballojmë çdo vështirësi. Ajo është treguar një nënë heroinë, shumë kërkuese ndaj meje dhe më ka përkrahur e mbështetur në çdo aspekt të jetës. Prandaj, tani po punoj fort, me të gjitha aftësitë e mia, mendore e fizike, që t’ia shpërblej sadopak asaj, çdo sakrificë. Për cilëndo arritje, falënderoj Zotin dhe nënën time!

– Në mbyllje të Bisedës sonë, Fjona, të uroj nga zemra që t’i përfundosh sa më mirë studimet e larta dhe t’i plotësosh të gjitha dëshirat e ëndrrat e bukura, që ke për jetën! Shëndet, mbarësi e fat, gezime e lumturi, bashkë me nënën tënde, aq të shtenjtë për ty!

Tiranë, 20 maj 2017