FRYMËZIM, DASHURI, DHIMBJE, JETË E ATDHE, NË KRIJIMET E POETEVE E SHKRIMTAREVE TONA

0
1642

(Meditim, për librin “Kur flasin zemrat…”, shkruar nga Prof. Murat Gecaj)

Nga: KADRI TARELLI, arsimtar e publicist

Para pak kohësh, në një takim miqësh, në Durrës, prof. Murat Gecaj më dhuroi librin e tij, të botuar së fundmi, “Kur flasin zemrat”, kushtuar krijueseve, vajzave dhe grave shqiptare, këtu dhe në trojet etnike arbërore e në diasporë. Është një tjetër buqetë me lule shumëngjyrshe, që autori i shton librit “Për ju, krijuese”, botuar dy vjet më parë. Një gjerdan florori, me gurë të çmuar, për gratë e vajzat tona, të cilat e meritojnë dyfish ta mbajnë e t’i gëzohen, sepse janë dy herë krijuese: së pari, janë nëna që nisin, sjellin e rrisin jetë dhe, më pastaj, janë poete, shkrimtare, piktore, artiste, mësuese, stiliste, shkencëtare, shtetare, politikane e diplomate, që punojnë dhe frymëzohen të krijojnë art, letërsi, muzikë etj, etj.

Profesor Murati, me këta dy libra, i solli publikut shqiptar një vepër studimore e publicistike, me vlera të mirëfillta letrare, artistke, ideore e kritike, kushtuar krijueseve tona, zemërarta e fjalëzjarrta. Një punë, që don e kërkon shumë përpjekje e mundim, që harxhon kohë e studim, njohje e përkushtim, qendresë e durim, duke zbritur në “galeritë e thella”, për të nxjerrë “gurët e çmuar” të shpirtit, që i shtohen parreshtur artit, krijimtarisë dhe kulturës kombëtare shqiptare.

E admiroj dhe e falënderoj profesor Muratin, jo thjesht studiues e krijues i palodhur e gazetar i kudondodhur, por më së shumti për këtë gjetje të re, në fushën e letrave dhe krijimtarisë femërore, duke e sjellë atë në vëmendjen, disi të cunguar, të lexuesit dhe të mendimit letrar shqiptar. Një mundësi e dobishme, për të dëshmuar se janë edhe ato, ndaj duhen njohur e mbështetur, sepse kanë thënë, po thonë e do të thonë gjëra të bukura e të shëmtuara, të ëmbla e të hidhura, për jetën e dashurinë, fëmijët e familjen, Atdheun e Kombin, ikjen e mallkimin, vuajtjen e mërgimin, forcën e mbijetesën, dështimin dhe suksesin. Është një zë hyjnor, që zbret nga qielli në tokë, ndaj duhet ta dëgjojmë, sepse jeta është dhuratë perëndie, puna detyrë njerëzie, suksesi vepër guximi e mençurie, ndërsa krijimi, dhunti vetjake e mision fisnik shoqërie.

Unë po e them, ndërsa lexuesi le të më gjykojë, kur të lexojë: A nuk ngjan jeta e vërtetë dhe krijimtaria letare e secilës ose e secilit nga ne, me endjen në tezgjah, qepjen e qëndisjen e veshjeve dhe kostumeve kombëtare, të Servete Kastratit, nga Gjakova, endëse dhe stiliste e njohur në Kosovë?! Aty derdhet pa kursim bota e saj shpirtërore, sepse aty gjen jetë, se ka jetë, natyrë, fisnikëri e bujari shqiptare. E gjitha e fituar me mund e punë, me dashuri, mençuri, fantazi e frymëzim vajze, gruaje e nëne. Lexojeni në këtë libër dhe do të bindeni, sa botë të gjallë ka, në punimet e saj.

Lexuesi, kur ka mbaruar së lëçituri të gjitha faqet, kupton se shkrimet janë të larmishme, të hartuara në kohë të ndryshme, kushtuar “heroinave” të kartave në gjuhën shqipe. Dikush prej tyre ka shkruar edhe në gjuhë të ndryshme të botës, disa janë nderuar e vlerësuar me çmime e tituj nderi. Këtu, në këtë libër, gjen shumë intervista dhe skicime, analiza e vlerësime shkrimesh e librash të autoreve, të cilat autori i ka takuar në përurime e panaire librash, në veprimtaritë e Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë ose edhe të shoqatave të tjera atdhetare e kulturore.

Me shumë prej tyre, profesori ynë i nderuar, ka mundur miqësisht të pijë edhe një kafe, ku janë shkëmbyer libra e rrahur mendime: rreth letërsisë, jetës, njëkohësisht edhe të halleve e derteve të autoreve, që janë në emigracion ose të atyre, që sapo e kanë nisur udhën e bukur të artit e letërsisë. Secila është një univers më vete, për t’u admiruar e për t’i kënduar. Profesori është modest me veten dhe me ne, duke vënë në libër edhe dy shkrime të krijuesit e kritikut letrar Sejdo Harka: “Reshida Çoba: Me një hit të bukur për dashurinë” dhe “Merita Gjoni, shpirti poetik i një mësueseje”, të cilat në vetëvete janë poezi brenda prozës letrare, veprim që e pasuron librin.

Kam ndjesinë, se këndonjësi i këtij libri do të jetë në një gjykim të përbashkët me mua, kur them se në secilin shkrim do të ndiejë aq shumë dashuri e mall, gëzim e trishtim, besë e zhgënjim, sa na bën të themi: zemra e fëmrës shqiptare është mbushur veç me poezi e dashuri, për t’ua dhuruar të tjerëve, me tepëri. Sa shumë madhështi e fisnikëri ka në shpirtin e secilës autore, që është vajzë, motër, grua e nënë, por dhe që ka guximin të shprehet e të shkruajë thjesht, bukur e letrarisht, duke na përcjellë mesazhe universale të botës njerëzore.

Ato, “Të urtat gjer në madhështi”, me atë çka mendojnë, krijojnë e këndojnë, kanë privilegjin të na dhurojnë pjesë nga shpirti dhe të ndajnë me ne: paqe, mirësi e mirëkuptim, ende më tej, edhe kënaqësi letare, estetike, edukative, për me tepër edhe ndjesi nderimi e mirënjohjeje. Ndoshta, këtyre poeteve, shkrimtareve dhe artisteve u shkojnë më shumë përshtat, fjalët e filozofit Hegel, kur thotë: “Njeriu nuk është gjë tjetër, veçse një varg i veprave të veta”. I lumtur është ai ose ajo, që krijon e le pas vepra të mira. Ky është edhe mesazhi i këtij libri të profesor Muratit.

Unë, në këtë shkrim, po i shmangem me qëllim analizës së ndonjë emri ose shkrimi. Atë, më mirë e më bukur, e ka bërë vetë autori. Ndaj po ndalem në diçka të veçantë, që “zbulova”, në “shprehjet e arta”, që në mënyrë lakonike përmbajnë oqean ndjenjash e mendimesh të vyera, për të gjithë lexuesit. Këto pak fjalë, sa shumë na bëjnë të mendohemi, mbase edhe të pendohemi, të mallëngjehemi, të prulemi e të përgjërohemi. Ato po i risjell në formë citatesh, ndërsa komentet mund t’i ujdisë secili, sipas gjykimit të tij…

Ja, si shprehet Vjollca Myftari: “Kur ne u tregojmë përralla fëmijëve, ata i ze gjumi dhe ne lumturohemi. Ndërsa, kur ata na thonë një të vërtetë, e cila nuk na pëlqen, ne nuk duhet të na zerë gjumi!?”. Cili nga ne, prind ose edukator, ka guxim t’i shtojë fjalë të tjera, kësaj nëne, njëherazi, mësuese edhe edukatore? A është kjo një porosi e mësim, për këdo, që rrit fëmijë dhe do që ata të bëhen të mirë e të zotë në jetë?

Më tej, një tjetër personazh, Bukurie Bushati, autore e disa romaneve me tematikë të mprehtë shoqërore, kur ka dëgjuar një tregim tronditës, për një vajzë dhe nënën e saj, shkruan romanin “Prostitutë më bëri nëna”, ku ngre zërin e protestës ndaj dukurive të shëmtuara, dramatike e gati tragjike, duke thënë me zemërim: “Çdo femër mund të sjellë një fëmijë në jetë, por jo gjithkush mund të bëhet nënë!”. S’besoj se ka nënë në botë, kur do të lexojë ose dëgjojë këto fjalë, nuk do të ulet e të marrë kokën në duar, për t’u menduar gjatë, për fatin e jetës, që sjell në jetë.

Dashuria, një faqe tjetër e jetës dhe e zemrës, që zë një vend mjaft të madh në këtë libër, duke marrë vlerësim e qëndim sa vetjak aq edhe përgjithësues. Ja, si kumton me qetësi e shumë vendosmëri, Albulenë Shaqiri: “Dashuria të bën të fortë para gjithë botës, por të dobët para personit që dashuron…”. S’ besoj që dikush do të habitet. Gjykoj se janë fjalë, që dalin nga përvoja vetjake në dashuri, mbase edhe nga përvoja universale e njerëzimit. Ka ndonjë, që do ta kundërshtojë ose të thotë ndryshe? Sepse, pak më poshtë, ajo shprehet: “Punë e vështirë, që unë s’po dija!/ Marrëzi apo e mirë, qënka dashuria?!”

Një mendim i pjekur shfaqet për bukurinë e jashtme ose edhe të brendëshme të femrës, mbase edhe të çfarëdo lloj bukurie, që hasim në jetë. A nuk kanë kuptim filozofik këto pak fjalë, të shkrimtares së re Xhiliola (Ola) Lamaj, kur thotë: “Para një bukurie që hesht, askush nuk ka dëshirë të qendrojë për një kohë të gjatë. Ndaj edhe soditja është kalimtare…”. A nuk duhet ta dëgjojmë ne, apo ta dëgjojnë të rinjtë, dhe ca më shumë vajzat e reja, që i kushtojnë aq kohë e rëndësi bukursë së jashtme? A nuk është një mësim i bukur, që u thuhet aq thjesht e bujarisht atyre, që e marrin jetën lehtë dhe kursehen në ngritjen arsimore, profësionale e kulturore, për skalitjen e botës së brendëshme, që përbën pasuri mbi pasuri?!

Ky libër, si vazhdim i të parit, përbën edhe një vlerë tjetër të shtuar në yllësinë e shkrimeve, sepse hap udhën e studimeve dhe botimeve të tjera, kushtuar femrave të suksesshme, që kanë guxim e gjejnë frymëzim, për të krijuar letërsi e art të bukur. Është kënaqësi e lehtësi, kur një krijues gjen një libër të shkruar, ose një rrugë të shtruar.
Urime profesor Muratit, edhe për shumë libra të tjerë, po kaq të mirë e me vlerë!

Durrës, prill 2017