FRYMË NËNE – poemë

0
618
Dibra

Nga Haki KOLTRAKA

Eja, eja nënë Zelihe,
Shkon si hëna nëpër yje,
Nur i bukur nusërie,
Je si lule malësie.

Njëqind vjet, shekullore,
Ende ngjan si lulebore,
Nënë sojlie, arbënore,
Ti u rrite në mal kunore.

Linde në Lurë me shtatë liqene,
Në Runjë të bukur, përkëdhelë prej reve,
Ishe e shkathët si ketrusha,
Të ndrinte balli edhe gusha.

Ishe lule në Liqen të Luleve,
Sytë me yje në mes ballukeve,
Me shkathtësinë e dallëndysheve,
Me bukurinë e Hirusheve.

Që e vogël ngele jetime,
Të rriti nëna me thërrime,
Sytë e tu dritë shkrepëtime,
Ishe e zgjuar edhe trime.

Për vllezër e motra ishe dashuri,
Për ta ishe si një perri,
Ishe motra e madhe Zelihe,
Për ta shkëlqeje si yll drite.

Mbesë te Buci, bijë te Hoti,
Në bark të nënës të bekoi Zoti.
Vetë Zoti bëri ymër,
Të bëhesh nuse në Dibër.

Viti një mijë e nëtëqind e tetëmbëdhjetë,
Nga lufta me serbin Dibra u shkul krejt.
U ngjitën maleve deri në Lurë,
Tek Drizë Hoti që ishte trim burrë.

Hide Spatën me jetimin e vogël,
Drizë Hoti e priti në votër.
Vit i mbrapshtë, vit zie,
Shpëtoi jetën e një fëmije.

Lurasit hiqnin një lugë miell,
Duke iu lutur Zotit në qiell.
Kursenin lugën e miellit për jetimin,
Nënë Hideja u jepte bekimin.

Tek Ju o njerëz gjetëm shpëtimin
Si nënë nga zemra u jap urimin:
Në Dri të Zi e në Dri të Bardhë
Lurë qofsh në flori e larë!

Shtatzënë ishte Shkurte Buci-Hoti.
Një fëmijë priste atij moti.
Drizës i pëlqente Abdiu syshkëndi
Po lindi vajzë nusja, do bëhemi krushqi.

Në lindtë djalë do pinë gjak,
Të bëhen vëllezër dy bajrak.
Kjo është e vërteta jo e të thënës,
Zelija u fejua në bark të nënës.

Ishte koha e besës, e fjalës,
E respektit ndaj nënës e babës.
Që mos shuhej zjarri i oxhakut,
Që të dëgjohej fjala e plakut.

Babai i Zelihes quhej Ibrahim
Punonte ushtarak me përkushtim
Me detyrë në Gardën Mbretërore,
Trupgjatë, me pamje madhështore.

Sa qe Ibrahimi në jetë, gjallë,
Zeliha gjithnjë i thërriste Lalë.
Te komshinjtë kish dëgjuar fjalë:
”Hotit do t’i vritet ky djalë!”…

Të vritej se ishte më i miri,
Kështu vendoste hasëm qafiri.
Ibrahimi i pafajshëm dilte serbes,
Një pushkë i këputi jetën atë mëngjes.

Zeliha e ndjeu më shumë trishtimin,
E donte fort Lalë Ibrahimin.
Trishtimi e ndoqi tërë jetën
Lalës i thoshte të vërtetën.

Lura e qau me elegji
Ibrahimin djalë të ri.
Kuja vajti në kupë të qiellit
Pushoi kënga e bilbilit.

Drizë Hotit po i dridhej mustaku,
Iu shua një yll te oxhaku.
Duke lënë gjashtë jetimë,
Edhe nusen gjeraqinë.

Drizë Hoti ish burrë dheu,
Fjalën e dhënë nuk e theu.
Dhe Zelihen e bëri nuse,
E përcolli me krisma pushke.

Fusha e Dibrës shumë e gjërë
Dasëm të tillë nuk kish parë.
Po martoheshin dy jetimë,
Që të gëzonin rininë.

Kjo ish dhunti prej Zotit
Të mos shuhej kurrë robi.
Kulla të mbushej me fëmijë,
Filizi i ri shpejt të mbijë.

Nusja e bukur erdh nga Lura,
Hidhnin valle gra e burra.
Në kupë të qiellit ngrihet hareja,
Gëzon kulla me bedena.

Mbushet kulla me cicërima,
Lindin fëmijë si bilbila.
Fluturon prej gëzimi nënë Hidja,
Si me dorë iu hoq dhimbja.

Se për djalë sakrifikoi jetën
Nuse e re e provoi veten
Që të ishte grua dhe burrë
Mbjati ndezë zjarrin në kullë.

Ish traditë që për ditë vere
Ndizej zjarr, bëhej potere,
Mblidheshin lulet, ujë burimi
Hidhej pragjeve të vijë gëzimi.

Për ditë vere linda unë
Ajo ditë ishte e shtunë
Nëna më tha: Që ta dishë
Ti ke lindur me këmishë.

Nuse Zelihes në lindje
Vjehërr Hidja iu bë mamie.
Kisha lindur i mbështjellë:
-O moj nuse!Ç’ke pjellë?!

E tmerruar ia nisi kujës
Me vrap ngjiti shkallët e kullës.
Të lajmëronte djalin e vet
-Djalë ç’na gjeti ky kjamet?!

Nënë Zeliha guximtare
Pa iu trembur syri fare
U bë shumë kureshtare
Me dorë cipën e ka çarë…

Brenda isha unë pa frymë
Afroj gojën me nxitim
Më dha frymë vetë me gojë
Djalin e saj të shpëtojë.

Më dha frymë dy-tri herë
Edhe qava atë pranverë
E qara ime ishte gëzim
E qara ishte shpëtim.

Unë u ngjalla me frymë nënë
Ndaj dhe shkruaj vargje këngë
Babai im këndonte këngë
Me atë hijen e tij të rëndë.

Babai ish me shkollë, me Internat
Hileqarët i kishte inat
Ndaj ai këndonte çdo natë
Për jetën e jetimëve të pafat.

Pa kur ishte në qejf
Edhe syri plot dritë i qesh
E ia merrte këngës shtruar
Për dy jetimë të dashuruar.

Fustan më kërkove, fustan të solla
O e mira ime e bardhë si bora…
Këpucë më kërkove, këpucë të solla
Moj Hirushja ime e bukur belholla…

Kur këndonte babai ndizej Zeliha
Ajo këndonte porsi gjeraqina
Me zërin melodioz si kanarina
Duke tundur lehtë shaminë me temina.

Emrin unë e kam Merjemi
Që po vdes, o nga veremi.
Emrin unë e kam Maria
Që po digjem nga dashuria.

Krenohesha me prindërit e mi
Me dashuri i shihja në sy
Jeta dukej gjithnjë pranverë
U thosha: -Këndoni dhe një herë!

Patjetër këto ishin indiciet e para
Në shpirtin tim tash ishte mbjellë fara…
Kjo farë me qetësi pret e pret
Dhe një ditë unë u bëra poet…

E bëra është larg së thënës
Të tregosh vuajtjet e babës e nënës
Po t’i tregosh me imtësi
Mbushet shpirti dhimbje e dashuri…

Se po të jetosh me ndershmëri
Përballesh me ligësi, me padrejtësi
Fisi i mirë ka peshë në histori
Peshën e rëndë ta mbashë me krenari.

Të parët dhanë jetën për Atdhe
Me besim në Zot, me besim në fe
Nga Skënderbeu vjen krenaria
Me germa të arta shkruhet historia.

Gjatë Luftës sillej varfëria
Si një kuçedër kafshonte lubia.
Fshatari i merrte luftëtarët te shtëpia
Bukën e ndante nga bujaria…

Gjyshe Hide Spata, një sojlie
Gatuante bukën me zemër dashurie
Luftëtarja me gërsheta nga Vlora
I thoshte: -Gjyshe Hide, të lumtë dora!

Zeliha ishte nuse e re
Porsi hëna nëpër yje
Vinte kazanët me ujë të valuar
Rrobat me morra duke përvëluar…

Se luftëtarët rrinin maleve
Më shumë flinin shpellave
Po dibranët në mes halleve
Do u bënin ballë edhe plagëve.

Sa e rëndë është tradhëtia
Kur nënshtrohesh te Serbia
Të vrasësh shokët e tu
Ver duart kokës: O bu-bu-bu!

Komunistëve serbi u solli lista
Të ekzekutoheshin nacionalista…
Që me serbin vrarë në histori
Për të mbrojtur Nënën Shqipëri!…

Abdiut i vranë xhaxha Destanin
Sepse nuk e shiste vatanin
Abdiun, kryetar i këshillit çlirimtar
E arrestuan ta varnin në litar.

Abdiu kaloi tortura çnjerëzore
Vetëm me shpifje djallëzore
Me zor ta bënin fajtor
Pa ndjenja e mjekoi një doktor…

Doktor Rusi e riktheu në jetë
E liruan nga burgu Abdiun e shkretë
Zeliha Hoti u bë shqiponjë
Ia futi shpatullat shtëpisë si zonjë.

Qëndruan të dy pa u nënshtruar
U përpoqën fëmijët për t’i shkolluar
Më e çmuar në jetë është dekorata
Kur arsimon fëmijët me shkolla të larta.

Abdiun e dënuan me gjyq ushtarak
Në pesëdhjetë e njëshin e cilësuan kulak
Sa e trishtë kjo jetë për dy jetimë
Por si shqiponja krah për krahu rrinë…

Përherë Abdiu i thoshte pa ndrojtje:
Kam ba luftë vetëm për vetëmbrojtje…
Me topuz të rëndë më jepnin goditje shungulluese
Por dhe unë nuk ua ndaja thuprën time përvëluese…

Zeliha thoshte të kisha shkrim e këndim
Do isha ministre në arsim.
Vuajtjet e tyre nuk na i treguan kurrë
Sepse njëra ishte zonjë e tjetri burrë…

Zeliha tashmë njëqindvjeçare
Hedh vështrimin lart në dritare
Nga kulla sheh Fushën e Dibrës
Kujton fjalët e vjehrre Hides.

-Dëgjo, nusja ime e bukur si zana
Dibra i ka zakonet e punët e randa
Se historinë e kanë bërë Nëntë Male
Zotësi e trmëri kërkohet nga kulla e madhe…

Në fund të fushës Drini i Zi me valë
Për Dibrën gjithmonë kam mallë
Ndaj më bluan brenga e madhe
A e kam merituar emrin dibrane…

Nënë Zeliha, ti ishe nënë e madhe
Përballove vuajtje edhe halle
Mendje hollë, syrin shqiponjë
Njëqind vjet ishe amazonë…

Çdo njeri ka vetëm një jetë
Për fëmijët ishe shqipe me fletë.
Nipat e mbesat të duan shumë
Ata thonë: Nëna fle gjumë!

Ti gjithë jetën nuk vure gjumë në sy
Ti e përvëluara për dituri
Ti e përmalluara për vllazëri
Ti shqiponjë për Shqipëri…

Nënë Zeliha, tash je dhe nënë Kosove
Në histori qëndruam dorë për dore
Kështu të bashkuar do vijë liria
Do gëzojë Kosova, do gëzojë Çamëria…

Tash fëmijët janë burrëruar
Nënë Zelihanë nuk e kanë harruar
Vijnë e puthin në faqe, në duar
Sa të lumtur ndihen, sa të gëzuar…

Nënë Zeliha, nënë shekullore
Heroinë e trojeve arbnore
U prehsh e qetë moj lule zonje
Ti jetove një jetë shqiponje…

HAKI KOLTRAKA – TROJVOGJLI
KIDNË-KRYQ UJOR
DIBËR DIELLORE

Tiranë, mars 2020

Dërgoi për publikim, Denis Hata, gazetar