Fronti i një të djathte të bashkuar dhe alternativa opozitare e ndryshimit

3
602

Ne foto: Av. Sergjio Mazreku

Nga Av. Sergjio Mazreku

Asnjëherë vendi ynë nuk ka qenë më i ekspozuar ndaj problematikave të mprehta ekonomike, sociale e politike se sa këto pesë vitet e fundit,kur e majta shqiptare, e uzurpuar nga e ashtuqujatura Rilindja, me lidershipin e saj arrogant dhe nepotik, po e çon “sovranin” në një rrugë të pakthyeshme fasadash dhe eksperimentesh të pafundme. Mbjellja e vendit me drogë, shkalla e lartë e korrupsionit dhe krimit të gjitëhfarshëm, veçanërisht krimit të organizuar të lidhur me politikën, rënia e nivelit ekonomik të shumicës së shqiptarëve, janë tashmë realitete të prekshme dhe të denoncuara jo vetëm nga opozita dhe shoqëria civile, por dhe nga strukturat ndërkombëtare.

Këmbanat e krizës politike, ekonomike,sociale, të vetë vlerave të një shoqërie të hapur në kapërcyll të tranzaicionit po bien përditë e më me ngulm dhe paralajmërojnë një nevojë urgjente për ndryshime radikale politike.

Në kushtet kur e majta e bashkuar në formacionin e Rilindjes duket se e ka humbur fillin e Arianës, në rreth pesë vite qeverisje, për shkak të një game të gjërë problematikash të pazgjidhura, e djathta ende nuk po konturohet bindshëm, nuk po krijon një profil të detajuar e bindës, në përfaqësimin dhe mbrojtjen e platformës së saj politike.

Në fakt në mjaft aspekte ka ndodhur një devijim alternativash dhe programesh, ku e majta dhe e djathta kanë lozur fort në rrugëtimin e tyre, jo rrallë me ide dhe qasje të njëra tjetrës, pra, e thënë më shkoqur, e majta ka lozur me “teza të djthata” dhe e djathta me “teza të majta”.

Sot ka një keqkuptim të madh në përdorimin e fjalorit politik, në diskursin e leksikut politik, për shkak të rrëmujës dhe amullisë sonë njëçerekshekullore, ku janë përplasur në mënyrë kaotike idetë dhe kauzat partiake, përgjatë një tranzicioni tejet të vështirë. Nëse e majta ia ka dalë të krijojë një farë modeli të sjelljes së saj politike, në mbrojtje të shtresave që përfaqëson dhe mbron, e dajthta ka qenë e konturuar dobët dhe asnjëherë gjatë gjithë këtyre viteve në Shqipëri nuk është zbatuar një program ekonomiko-social dhe politik i spektrit të djathtë real.
Po ku ndryshojnë e majta dhe e djathta? Le të hedhim një vështrim të shpejtë rreth dallimeve thelbësore të tyre.

Termat “parti e majtë-e djathtë”, “krahu i majtë- i djathtë”, “koalicion i majtë- i djathtë”, “politika ekonomike të majta-të djathta” apo fare shkurt, “e majta– e djathta” hasen shpesh në bisedat e përditshme, në median e shkruar dhe elektronike, dhe sidomos në fushatat zgjedhore.
Sipas Fjalorit Politik të Oksfordit, këto terma kanë lindur gjatë Revolucionit francez (1789–1799); deputetët që ishin për republikën, kundër Monarkisë u vendosën në të majtë të kryetarit të Asamblesë Kombëtare, ndërsa përkrahësit e Regjimit të Vjetër, në të djathtë.
Prej asaj kohe, “e majta” ka fituar imazhin e një force që kërkon ndryshime politike ekonomike dhe sociale kurse “e djathta” kërkon ruajtjen e institucioneve ekzistuese.

Kuptimi i këtyre termave ka evoluar në vende dhe në kohë të ndryshme, por në përgjithësi, e majta mbështet më shumë barazinë sociale, kurse “e djathta”, drejtësinë sociale. “E majta” është e lidhur më shumë me vlerat liberale, rolin e shoqërisë, dhe shtetin e mirëqënies, kurse “e djathta”e vë theksin në tregun e lirë dhe politikën e taksave të ulëta.

Në Shqipëri nuk ka pasur ndonjë traditë të hershme për pluralizëm politik dhe aq më pak, për parti të majta dhe të djathta. Partitë e para politike u krijuan pas Kongresit të Lushnjës, nga fundi i 1920, në kuadrin e zgjedhjeve të para parlamentare të prill 1921.
Në Shqipëri këto tendenca të njërit apo tjetrit krah politik shpesh janë këmbëyer dhe kanë ndërruar kahjet, por më shumë zbuluar në këtë tranzicion ka mbetur roli i të djathtës shqiptare, që vlen shumë për të dëshiruar.


Loading…


Analistët dhe politologët, jo vetëm të spektrit të djathtë, ka disa kohë që janë fokusuar tek kriza e qeverisjes por dhe tek kriza e opozitës që nuk gjen dot rrugën për të mbledhur rreth vetes elitën e shoqërisë dhe shtresat që kanë mbetur zbuluar nga tammburet e të ashtuquajturave reforma etj.
Bie fjala, një forcë politike serioze si FRD-ja, që synonte të zinte një vend deri tani bosh në spektrin e djathtë politik shqiptar, nuk arriti të sendërtohet në lartësitë e një misoni historik për rigrupimin e të djathtës, por ky nuk është as një mision i mbaruar e as i pamundur. Janë të justifikueshme barrierat që nuk e kanë lënë FRD-në të kryejë këtë mision, por sot, kur lypset një bashkim i madh për ndryshimin, nuk mund të ketë më alibi.

Konturimi i spektrit politik shqiptar, që gjatë këtyre njëzet e gjashtë viteve tranzicion të brishtë e demokraci të cunguar ka qenë vendosur në instikame ballë për ballë, duke konkurruar dy parti kryesore politike, PD e PS, për herë të pare u thye me daljen në skenë dhe konkurrimin në disa zgjedhje të FRD-së, por kjo parti, për fat të keq,nuk arriti të bëhej një faktor përbashkues i të dajthtës.

Në ambientin konfrontues dhe epiko-komik të politikës sonë, ku vringëllijnë mamuzet e betejave fantazmagorike, një parti vizionare si FRD-ja duhet të tregonte dhe ende nuk është vonë të tregojë një fytyrë tjetër, fytyrën e një politike ndryshe, të sjellë një model për rigrupimin dhe rithemelimin principial të Frontit të Bashkuar të së Djathtës Reale Shqiptare.

Përtej çdo retorike dhe virtualiteti, me të cilat është mbushur dëng bipartitizmi politik në Shqipëri, ka ardhur koha që FRD-ja, partia e Spartak Ngjelës, partia e Bilal Kolës, partia e Legalitetit, Balli Kombëtar me të gjitha kahjet e tij, LZHK-ja dhe gjithë partitë e djathta të grupohen më vete në një Front të Bashkuar të Dajthtë dhe të bëhen pjesë e fuqishme e lobimit opozitar. Por ky lobim nuk duhet as të harrojë dhe as t’iu mbyll dyert partive të spektrit të majtë, që janë shprehur si parti “antirilindje”. Pra krahas PD-së dhe LSi-së, si dy parti kryesore të këtij spektri, në bashkëpunim me Frontin e Bashkuar të së Djathtës Reale Shqiptare, por pa përjashtuar dhe parti të tilla si Partia e Koço Kokëdhimës, Partia Libra etj, alternativa antiqeveritare e ndryshimit të madh do të jetë një qasje në veprim, me pritshmëri të mëdha.

Sot shoqëria shqiptare pret të zgjidhen një herë e mirë çështjet e pronave në Shqipëri, një histori dështimi çerekshekullor, të marrë fund dëmshpërblimi i të përndjekurve politikë, të marrë fund skllavërimi i biznesit dhe biznesëmnëve nga një administratë xhahile, pagesat dhjetëravjeçare të papaguara biznesmëneve nga shteti, të marrë fund nepotizimi në administratë dhe deliri militantist, që e ka zëvendësuar meritokracinë me partitokraci etj. Ka aq shumë plagë që duhen prekur dhe e vetmja alternativë që nuk I ka prekur ato ende është ajo e një të djathte reale, pasi Partia Demokratike dhe aleatët e saj deri tani nuk kanë ecur me një program të djathtë, por me një program liberal që anonte nga majtizmi.

Njerëzit nuk kanë pse të tremben nga e dajthta reale, pasi ajo kudo ku ka pasur dhe ka pushtetin në Evropë ka sjellë progres dhe lulëzim ekonomik, ka ulur në mënyrë të ndjeshme varfërinë dhe ka rritur tregun e punës dhe efektshëmrinë e sipërmarrjes së lirë. Në Shqipëri nuk ka pse të ndodhë ndryshe.
Është cilësi e krahut të djathtë që të mos e pranojë gjendjen e rëndë në sistemin e shëndetësisë, të nxisë dhe inkurajojë shtimin sasior në arsimin e lartë, duke nxitur krijimin e standardeve të reja bashkohore, të luftojë me efikasitet nivelin e lartë të varfërisë, duke hequr barrët e rënda fiskale dhe duke nxitur sipërmarrjen e lirë etj.

Ka ardhur koha për Ndryshimin e Madh dhe ky nuk mund të ndodhë (edhe nëse ndodh nuk do të jetë efektiv) pa ridimensionimin e të Djathtës Reale Shqiptare, pa përfshirjen e saj në Frontin e Madh Opozitar, si një prurje e nevojshme për këtë front, për të ndodhur ajo që pritet të ndodhë dhe nuk ka asnjë gjasë të mos ndodhë, si ligjësi e demokracisë, rotacioni politik dhe një mundësi reale për shqiptarët për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane.

3 KOMENTE

  1. O Serxhi, se kam respekt, se ti duhet te heqesh dore pergjithmon nga dy gjona: nga Dona a halla si tallen shoqeria jote dhe nga politika! Ndaj perqendroje seriozisht kohen tende me pune dhe me gjithe miqesine qe ke per te zgjidhur perfundimisht punen e pronave, qe te kane masakruar keta halabaket e ketyre partive, qe ju i nderuar nuk ndaheni dot. Se dyti, ajo tezja prej vitesh po te rrjep si kec, e ti prape nuk kupton. Kjo eshte e tmershme miku im!

  2. Prape fillove ti me partite? Nuk te mjaftojne ato 20 a 30 teserat e tyre qe ke ne xhep duke fluturu sa te njera te tjetra?! Tani kerkon frontin e djathte, qe ekziston vetem ne defterat osmane. Pse pas z. Berisha me gjithe keta sharlatanet qe vegjetojne prej 27 vjetesh si te vetequajtur “e djathte”, do mbetesh ti o fyell, por merru me sistemimin e pronave te tua, se do lyesh rrugeve?

  3. Te pakten Sali Berisha ka nderuar nje parti deri me sot, po ti o Serxhi qe na ben moral me bashkimin e te djathtes duket se ke nderur nje dyzine partish. Ti ben mire qe mendon se po u shtua ne vallen e ndryshimit edhe partia e Nues apo ndonje syreshi tjeter shpetoj Shqiperia dhe e djathta reale e historike e ketij vendi? Gabon rende me keto mendime zoti avokat dhe po ndihmon te corientohet fare elementi opozitar dhe me keq akoma kur ne hesapet tende nuk futet LSI, se nuk mbahet ferma me kuaj te drobitur. Te pershendes

Komentet janë mbyllur.