Shkruan: Florim Zeqa, 27.01.2020
Zvarritja e bisedimeve për arritjen e marrëveshjes së koalicionit qeverisës LVV-LDK, ka thyer më shumë shpresat e qytetarëve sesa të gjitha qeverisjet paraprake.
LVV dhe LDK janë dy parti diametralisht të kunderta si në aspektin e profilizimit politik, ashtu edhe të veprimeve në rrafshin praktik. Përderisa LVV ishte deklaruar prej fillimit pë shkapjen e shtetit nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, LDK ka vepruar në mënyrë të matur dhe të tërthortë shkaku i mos prekjes së disa eksponentëve të korruptuar brenda saj nga sistemi i drejtësisë.
Zvarritja e arritjes së marrëveshjes për bashkëqeverisje mes LVV-së dhe LDK-së, ka bërë që zhgënjimi i opinionit publik të jetë i madh, i cili ka ndikuar në rritjen e numrit të atyre që çdo ditë po e braktisin Kosovën.
Pavarësisht arritjes apo jo të marrëveshjes për bashkëqeverisje LVV-LDK, këto dy subjekte mbi supet e tyre e bartin peshën e përgjegjësisë së zbrazjes së Kosovës përgjatë këtyre tre muajëve të fundit.
Edhe po të ndodhë nesër koalicion mes VV-së dhe LDK-së, tashmë shpresa e qytetarëve është vrarë. Ata që kanë ndarë mendjen për të ikur nga Kosova nuk ka kush që i ndalë, për arsye se shkaqet që po i shtynë kosovarët të ikin nga Kosova drejt vendeve perëndimore janë të shumta, filluar nga mungesa e zhvillimit ekonomik, pabarazia qytetare, mosfunksionimi i sistemit të drejtësisë, funksionimi i keq i sistemit shëndetësor, degradimi i sistemit arsimor e deri tek bastardimi i të gjitha institucioneve shtetërore, të kapura tmerrësisht nga bandat partiake dhe klanet mafioze që ua kanë bërë jetën ferr qytetarëve të vendit.
Si rezultat i kësaj situate të krijuar pas zvarritjes së gjatë dhe të pajustifikueshme të bisedimeve, koalicioni LVV-LDK nuk paraqet më shpresë për qytetarët e vendit.
Kosova po rrezikon të mbetët vend i shkretë dhe për gjynah të zotit, vetëm me pushtetarë dhe mbështetës të tyre, me oligarkë ekonomik dhe mbikëqyrës ndërkombëtar që pasurohen mbi kurrizin e shtresave të varfëra.
E vetmja shkëndijë shprese për qytetarët e këtij vendi ka mbetur ngjizja e një force të re politike nga elita intelektuale dhe forcat progresive nga Kosova dhe Diaspora, në të kundërta zbrazja në heshtje do ta kthejë Kosovën në një vend pa shpirtë dhe pa shpresë për qytetarët e saj.
Nga fillimi i bisedimeve, LVV e LDK janë sjellur si rival e jo si partner politik
Edhe java që e lamë pas, kaloi pa dakordimin e LVV-së dhe LDK-së për ta firmosur marrëveshjen për koalicion qeverisës dhe ndarjen e pozitave qeveritare.
Stërzgjatja e arritjes së marrëveshjes politike për bashkëqeverisje mes LVV-së dhe LDK-së, e ka shpërfaqur keq situatën në të cilën ndodhet skena politike kosovare, prandaj edhe nënshkrimi i këtij koalicioni pak orë para skadimit të afatit kushtetues dhe nën presion, nuk do të sjellë ndonjë shpresë të madhe tek qytetarët për ndryshimet e premtuara.
Si e tillë çfarë është skena politike, e pa profilizuar dhe e mbërthyer nga klanet dhe grupet e interesit, nga pazarexhinjë të posteve dhe pozitave shtetërore, gjasat janë që edhe për një kohë të gjatë të vazhdojë “Status Quo”-ja e kontrabandimit të vullnetit të elektoratit, e blerjes dhe shitjes së votës së qytetarëve më lirë sesa vezët në treg, …përderisa më pas, kësaj vote t’i rritet vlera një milion herë për një post politik.
U shpreha kështu në mënyrë figurative për të treguar përfitimet e matrapazëve politik që qesin kushte për ndarje të posteve duke shitur moral, kinse po e bëjnë për të mirën e vendit dhe të ardhmen e qytetarëve, kur tashmë i kanë harruar në tërësi të gjitha premtimet e dhëna qytetarëve gjatë fushatës zgjedhore.
Dështimi në arritjen e marrëveshjes dhe futja në tregti për poste me LDK-në, e ka barazuar LVV-në me të gjitha subjektet tjera politike në vend. Përderisa LDK-në, dikur parti e fjalës dhe besës, e cila pa asnjë presion politik e votoi në Kuvend kandidatin e LVV-së për kryeparlamentar, po e dëshmon të kundërtën e saj, duke i kërkuar “partnerit” në bisedime tërheqjen e Glauk Konjufcës nga posti i kryetarit të Kuvendit të zgjedhur me votën e saj.
Futja e LVV-së dhe LDK-së në javën vendimtare për arritjen e marrëveshjes për koalicionin qeverisës do të jetë e mundimshme, por që do të përcaktojë qartë pozicionin përfundimtar të këtyre dy subjekteve. Gjasat janë të vogla që LVV të bindet për ta sakrifikuar më në fund pozitën e kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufcës, për shkak të futjes në kushtëzime të tjera akoma më të rënda e më të mundimshme në të ardhmen e afërt gjatë procesit qeverisës.
Kur kësaj t’i shtohet edhe presioni i filluar ndërkombëtar në procesin e dialogut me Serbinë, gjasat janë që LVV-ja do të pozicionohet në mbrojtjen e fytyrës së saj duke u barrikaduar pas postit të Glauk Konjufcës, si shpëtim nga presioni ndërkombëtar për kompromise të dhimbshme me Serbinë.
Mungesa e guximit për përballje me Serbinë, pengesë e koalicionit LVV-LDK
Aq sa vjen e shtohet presioni ndërkombëtar për formimin e qeverisë dhe ri-fillimin e dialogut me Serbinë, LVV e LDK aq më tepër po largohen nga njëra nga frika e “patates së nxehtë”!
Presioni ndërkombëtar është i përqendruar në dy drejtime; për formimin pa vonesë të qeverisë së re, por dhe për hapjen pa kushte të dialogut të përshpejtuar me Serbinë dhe arritjes së marrëveshjes për normalizim dhe njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, para zgjedhjeve të përgjithshme të këtij viti në Serbi dhe atyre presidenciale në SHBA.
“Marrëveshja për vijën ajrore midis Beogradit dhe Prishtinës” është paralajmërim i qartë edhe për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë.
Mbetja në dorë e “patates së nxehtë” të bisedimeve dhe arritjes së marrëveshjes me Serbinë, është arsyeja kryesore e vonesave dhe ngurrimit në formimin e qeverisë së re të Kosovës nga koalicioni LVV-LDK, që për mbulesë po i nxjerrin mosmarrëveshjet në ndarjen e pozitave në qeverisje.
Bllokimi dhe “ç’bllokimi” i dialogut për marrëveshje në mes LVV-së LDK-së përmes ofertave dhe ultimatumeve, e dëshmon jo seriozitetin dhe mungesën e vullnetit politik për arritjen e marrëveshjes e cila pashmangshëm nesër do t’i dërgojë në përballjen historike me Serbinë, nga e cila Kosova rrezikon të dali humbëse e madhe siq ndodhi me marrëveshjen për vijën ajrore të cilën shteti ynë nuk e kontrollon fare nga okupimi klasik i viteve të ’90-ta, përkatësisht nga përfundimi i luftës e deri në ditët e sotme.
Siç u nënshkrua kjo marrëveshje për vijën ajrore të Kosovës pa dijen e organeve të shtetit, përkatësisht Kuvendit të Kosovës, rrezikojmë të nënshkruhet edhe marrëveshja finale me Serbinë, ku Parlamenti i Kosovës do të gjendet para aktit të kryer siq u gjend me Demarkacionin me Malin e Zi.
Deputetët e legjislaturës së shtatë të Kuvendit, duhet të tregohen të kujdesshëm dhe më syqelë para votimit të marrëveshjes me Serbinë, nga e cila fare lehtë Kosovës mund t’i lëkundet sovraniteti politik dhe integriteti territorial, për shkak se marrëveshja e ardhshme me Serbinë nuk është marrëveshje teknike as afariste, por ka karakter politikë dhe juridik që prek drejtëpërdrejt në themelet e shtetit të Kosovës.
Bazuar në këto rreziqe para të cilave ndodhet shteti i Kosovës, konsiston edhe (mos) marrëveshja mes LVV-së dhe LDK-së, e cila është duke e shpërfaq frikën e të dyja palëve, e jo mungesën e dëshirës për pushtet. Sikurse njëra (LVV), ashtu edhe tjetra (LDK), nuk është që e duan më pak sesa subjektet tjera pushtetin në Republikën e Kosovës, por që i frikohen “patates së nxehtë” të dialogut me Serbinë, ndryshe që moti do të ishte arritur marrëveshja historike për ndryshimin e kursit politik në vend.