Frank Shkreli: Me vdekjen e Kasem Hysenbelliut, demokracia dhe Liria e Shtypit pëson një humbje të rëndë në Shqipëri

0
398

Gazeta Telegraf, 8 Dhjetor 2020

Frank Shkreli*)

Kasemi ka punuar gjatë viteve, në mbrojtje të fjalës së lirë dhe lirisë së shtypit

Frank Shkreli - Telegraf
Frank Shkreli

Me dhimbje të thellë mësova lajmin e kalimit në amshim të mikut, shokut dhe kolegut tuaj, Kasem Hysenbelliut. Fatkeqësisht, nuk kam pasur rastin ta njihja më afër, përveç takimit që pata me të ndjerin Kasem në promovimin e librit, “Demokracia Nuk Pret”, dy vjet më parë në Tiranë. Përveç për familjen dhe miqtë e tij të ngushtë– si ju të dashur Engjëll e Agim – vdekja e tij ishte jo vetëm e parakohshme, por edhe shumë e rëndë – mungesën e tij e ndjejnë të gjithë ata që e kanë njohur dhe sidomos ata me të cilët Kasemi ka punuar gjatë viteve, në mbrojtje të fjalës së lirë dhe të lirisë së shtypit.

Me vdekjen e Kasem Hysenbelliut, liria e shtypit dhe demokracia në përgjithësi pëson një humbje të rëndë në Shqipëri. Më mbetet në kujtesë takimi im me të, sado i shkurtër që ishte, dy vjet më parë në Tiranë.

Kur ndahet nga të gjallët një njeri kaq zemërmirë, i ndershëm, i respektuar dhe i dashur nga të gjithë që kanë punuar me të dhe i përkushtuar ndaj mbrojtjes të së vërtetës, siç ishte Kasem Hysenbelliu, jo vetëm familja dhe shokët e tij të ngushtë në Shqipëri, por edhe ne jashtë Atdheut, ndjejmë dhe jetojmë me ndjenjën e një humbjeje të thellë.

Familjarëve të Kasem Hysenbelliut dhe shokëve të tij si ju të dy, bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë dhe të gjithë gazetarëve shqiptarë që kanë punuar me të në ‘Fax News’ dhe më përpara në ente të tjera mediatike shqiptare, nga Amerika e largët, ju përcjell, vëllazërisht ngushëllimet e mia më të thella dhe më të ndjeshme, për këtë humbje të rëndë, jo vetëm për familjarët, kolegët dhe për lirinë e shtypit – por për mbarë shoqërinë shqiptare, në përgjithësi. Edhe njëherë i dërgoj ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes së ngushtë të Kasem Hysenbelliut, shokëve dhe të gjithë dashamirësve të fjalës së lirë dhe lirisë së shtypit dhe uli kokën me respekt përpara kujtimit të tij!

*Ish-drejtor i VOA-s për Euro-Azinë