FRAKSIONI – SHPRESË E NGRITJES TË LDK-së

0
374
Lidhja

IDRIZ ZEQIRAJ

Degradimi i qëllimshëm i LDK-së, me ndryshimin e statutit, për të pasur mundësi zgjatje mandati të pakufizuar, si metodë staliniste të sundimit, duke ndaluar debatin, përjashtuar konkurrencën zgjedhore dhe harruar votimin e fshehtë, për ta zëvendësuar me deklamacionin mashtrues dhe të turpshëm, janë shkelje flagrante të tri parimeve bazë të demokracisë.

Stazhionimi i klanit ekzistues dhe përforcimi me klanorë të rinj, ka zvetnuar shpresën për ndryshim të afërt. Zhgënjimi i madh i kuadrove dhe anëtarësisë, rrezikon dobësimin e mëtejmë të LDK-së. Alternativa e fraksionit brenda partiak, është zgjidhja e mundshme, për mobilizimin e sërishëm të anëtarësisë. Fraksioni pamundëson goditjen selektive nga klanorët. LDK-së i kthehet debati dhe konkurrenca, ndërsa votimi i fshehtë është i paalternativë.

Të qenurit të pakënaqur dhe të presësh, p.sh. çfarë bënë shefi i Grupit Parlamentar, është e padrejtë. Sepse shefi është një, goditja e tij është më e lehtë, ndërsa deputetët janë duzinë. Ata duhet të reagojnë karshi kësaj katrahure çoroditëse, që ka kthyer LDK-në në servis të PDK-së. Ajo është shpëlarë, pa fije dinjiteti e krenarie, siç ishte dikur kryezonjë, me atributet e rezistencës aktive, e vetmja forcë luftëbërëse, e shtet-formimit dhe e shtet-ndërtimit të Kosovës.

Akuzat kundër Vjosë Osmanit, se është vënë kundër LDK-së, duke u rrjestua me Vetëvendosjen, janë shpifje monstrume, të dirigjuara, pikërisht, nga krerët e klanit, rrënues të partisë. Në të gjitha kundërshtitë e saj, ajo ka pasur dhe vazhdon të këtë drejtëpeshim dhe pozicionim të mirëfilltë rugovian e atdhetarë. Citojmë disa nga qendrimet e saj:

1) Ishte kundër “Zajednicës” të Hashimit dhe të Isës;
2) Kundër “Demarkacionit” në vijën aktuale;
3) Kundër zgjedhjes bizare të Hashimit president;
4) Kundër koalicionit me PDK-në;
5) Kundër prishjes të koalicionit me VV-në dhe të rrezimit të qeverisë Kurti;
6) Kundër koalicionit me PAN-in.

Ngulmimi i Vjosë Osmanit për aleancën me Lëvizjen e Vetëvendosjes, ishte dhe është logjik, sepse nuk ka partnerë të tjerë të pranueshëm për LDK-në, në skenën politike të Kosovës. Partitë e PAN-it akuzohen për përgjakjen e LDK-së dhe të Kosovës, gjatë dhe pas luftës.

Kryetarët komunalë, kryetarët e LDK-së në komuna, Grupi i deputetëve, brezi i Republikës, Këshilli i Përgjithshëm e deri tek Kryesia Qendrore, duhet ta thyejnë heshtjen, hiç fisnike aktuale. Është detyrë e tyre parësore, të ngrisin zërin në mbrojtje të demokracisë partiake, në mbrojtje të LDK-së, për të shpëtuar atë që ka mbetur nga LDK-ja e Presidentit Rugova.

Të gjithë këta së bashku, duhet ta stopojnë revanshin stalinist të klanit Mustafa. Duhet ta mbrojnë Vjosë Osmanin, nga sulmet banditeske, që horrakët klanorë dhe veglat e tyre, si hiena, sulën kundër saj. Klani është në garë me PAN-istët, se kush më shumë anatemon dhe shanë Vjosë Osmanin, luftëtarën unike, në mbrojtje të frymës dhe parimeve rugoviane.

Është detyrë hyjnore e të gjithë atyre, që dje krenoheshin me princeshën e LDK-së, Vjosë Osmanin, duhet të bashkohen me Fraksionin brenda LDK-së, për ta bindur Vjosën se ikja nuk është zgjidhje. Ajo nuk duhet, madje, në asnjë rrehtanë, ta dëmtojë LDK-në, qoftë edhe me abstenimet e mundshme, që, tashmë, i kanë të gatshme anëtarësia e lënduar e LDK-së, ngaqë ndërhyrja dirigjuese e PDK-së të Hashimit është faktike.

Vjosa duhet të qendrojë, qoftë edhe si anëtare e thjeshtë, me fraksion brenda LDK-së, pa provuar, asnjëherë, për të krijuar një subjekt të ri dhe aq më pak t`i bashkangjitet ndonjë partie tjetër, qoftë edhe Vetëvendosjes. Përndryshe, do të na kujtonte atë thënien të cilën e përdorin vëllezërit tanë jugorë: “Për inat të simeje vjehërre, do të fle me mullixhinë!”

Nëndegët e zëshme të LDK-së të Dobërçanit të Gjilanit, Hogoshtit, Ferizajit, Prishtinës, Lipjanit, Fushë-Kosovës, Mitrovicës, Vushtërisë, Prizrenit, Zhurit, Gjakovës, Isniqit, Junikut, Pejës, Rugovës, Vrellës, duhet të zgjohen, me kërkesën ngulmuese: “Kur është mjaft, është mjaft”! Problemi është Qendra dhe jo baza. Partia krenare e Presidentit Rugova, LDK-ja, nuk guxon të vazhdojë të mbetet bisht e patericë e PAN-it, PDK-së, për arsyen e vetme se dikush është zhytur në biznese e konspiracione të pista. Për rrjedhojë të dosjeve shantazhuese, po i bëjnë gjëmën LDK-së, Kosovës.

Çfarëdo që të ndodhë, edhe sikur amvise e bareshë të mbetet Vjosë Osmani, do të mbahet mend, për guximin e saj unik, për të denoncuar paligjshmërinë kriminale drejtuese të partive politike, të shtetit dhe të pushtetit në Kosovë. Katandia ekonomike dhe politike e Kosovës, është, pikërisht, kasta drejtuese kriminale e korruptive, që ka uzurpuar kupolën shtetërore e pushtetare, për dy dekada radhazi.

Gjithësesi, Vjosë Osmani vuri pikën mbi -I-, denoncoi falsitetin dhe paligjshmërinë e klanit të LDK-së dhe të të gjithë udhëheqjes të partive politike të Kosovës, krerët e të cilave nuk e kanë guximin qytetar, për t`u provuar me votën e fshehtë demokratike. Vjosa është qendresëtare, në mbrojtje të demokracisë në Kosovë, është heroinë, e cila nuk bënë pazare me parimet, njëjtë si Rugova në gjallje të Tij. Andaj, meriton respekt dhe mbrojtje.