Fragmente nga monografia “Zef Mala” e z. Astrit Jegeni

0
805

Zef Mala student në Vienë (1934)

Fragmente nga monografia “Zef Mala” e z. Astrit Jegeni

  • Në 17. 1935 Revista “Fryma e Re” doli në publik. Në kryeartikullin me titull “Dy Fjalë” shkruante:

 “Brezi ynë i ri ka përgjegjësinë ma të madhen kundrejt brezave të ma vonshëm, sepse lumtënija e tyne dhe sistemacioni shoqnuer mëvaret prej drejtimit qi do t’i epet e na mund të thomi me ballë të naltë: jemi përgjegjës, jo aq përpara kohës së sotëshme, se përpara historisë dhe generacjoneve të ardhëshme.”

dhe, ma poshtë, shkruan:

 “Qëllimi kryesuer i yni do të qindrojë në trajtimin e njeriut për t’a drejtuem kahë e vërteta, dhe per t’a bamë të aftë qi fuqinë t’a nderrojë në drejtësi, dhe bindjen në detyrë.”

  • Zef Mala, në shkrimin e tij analitik me titull “Ideologjia dhe Gramatika”, shkruan:

 “Jemi nji shtet i ri në çdo pikpamje të jetës shoqënore e politike, dhe vetëm tashti po nisim të bajmë hapat e para në vallen e lëvizjeve të shumta që koha dhe evolucioni kan pruem me vete.  Sidomos në pikë-pamje kulturore e ideologjike përpjekjet t’ona janë tepër të kufizume, meqe ende nuk kemi mërrijt me gjetë boshtin rreth të cilit do të sillet jeta e jonë si popull, në t’ardhmen.  Nevojët t’ona janë të panjehuna e gjithfarësh, e sidomos na mungojnë drejtimet e caktume mbrënda të cillave duhet t’endim punën e nisun.

Nuk kemi pasë rastin të formojmë nji edukatë t’onë e cila të na dallojë si ent më vehte, sepse e shkuemja e jonë si popull ka qenë e tillë që ka penguem çdo zhvillim të lirë.

Këndej tanë përpjekja e mundi i jonë qindron në krijimin e nji ideologjisë së përbashkët e cilla të na frymëzojë e të na drejtojë në të gjitha shfaqjet e jetës s’onë politike-shoqnore.

. . . Përiudha e sotëshme duhet të jetë përjudhë krijimit, dhe si e tillë lypë punë e brumë, çfardo qoftë forma që i jepet.

Koha e sotëshme asht nji kohë edukimi, dhe edukata e jonë duhet të ketë mbrendi e themele të qindrueshme.  Sot jetojmë në nji kohë kur duhet të formojmë ideologjinë t’onë, tue lanë nj’anë leqet e gramatikëve e ngataresat e skolastikës së mykun.

Dhe ideologjia e jonë duhet të jetë për popullin, tue nisë në popullin e tue mbarue tek ai.”

  • Në një dokument tjetër të policisë italiane të datës 18 shtator 1939 shkruhet se,

“…. Zef  Mala është një komunist i spikatur që banon në Tiranë, ka intimitet me Vasil Llazarin komunist i rrezikshëm, Zef Mala si element i rrezikshëm të ndiqet e të survejohet.”

 (A. SH.  F 260.  viti 1939 D.  31 Xh 39)

  • Në një shkresë të Zyrës Mbretërore të Policisë të Tiranës shkruhet:

“ …ka bashkëpunuar me gazetën “Arbënia” duke shkruar artikujt e tij antifetar.  Ka organizuar në Shkodër studentë të ideve komuniste dhe i ka drejtuar kundër ideve tona  (fashiste).  Në 1939 është arrestuar për propagandë komuniste.

 (A. SH.  Fondi 53.  Viti 1940 Dosja 31/8 Xh. 215)

  • Në vendimin e tij, Komisioni i Internimit thotë:

“Komisioni në shqyrtimin e personave të poshtë tregueme që kanë organizue ose kanë marë pjesë aktive në manifestime ilegale me ngjyrë komuniste të bamë me pretkste të ndryshme me qëllim që me tërheq opinionin publik kundër regjimit, autoritetit shkolluer e sidoqoftë shtetnuer, tue konsiderue se Zef Mala i Gjonit e Maries lindur në Shkodër me 12 mars 1915, nënpunës pranë Drejtorisë së përgjithëshme P. T. T.  të Tiranës, i mirënjoftun për qendrimin e tij komunist, për të cilin ka qenë dënue me 10 vjet burg të randë, ka qëndrue plotësisht kundër regjimit, tue vazhdue me frekuentue elementa të njoftun komunistash si dhe ka zhvillue propagandë aktive komuniste, tue pas për qëllim me tërheq opinionin publik kundra gjendjes së sotme e kundra autoriteteve qeveritare për me determinue turbullime të randa në rregullin publik, gjindet në konditat e duhuna nga ligja për t’u internue.

Tue marë parasysh personalitetin e tij, precidentet e tija politike, aktivitetin e zhvillume dhe mbasi ashtë shumë i rrezikshëm si dhe tu e marë parasysh zotësinë e tij për propagandë, koha e qendrimit mund të caktohet në 4 vjet për t’i vuejt n’Itali”

 (A. Sh.  Fondi M. P. B.  Drejtoria politike.  Viti 1940.  D. 93, Bobina 5)

  • Në një relacion tjetër të firmosur nga Questore B. Scaminaci, shkruhet:

“Zef Mala është një element i rrezikshëm komunist me kulturë inteligjente e për fanatizëm politik.  Ka një natyrë subversive të fortë të qëndrueshme deri në fund…”

Pasi Zefi provoi në kurriz përndjekjen e egër e të vazhdueshme të regjimit komunist për të cilin ai kish luftuar vetë, shkruan:

“Këto regjime që bazohen në masat e pa zhvilluara, janë regjime që jetojnë për do kohë, se vetë historia ka treguar se këto janë tranziztore, dhe një ditë, nga ky qorsokak ku e kanë futur veten, kjo udhëheqje, kanë thyer kokat e tyre, e popujt kanë shpëtue veten nga padituria e tyre, dhe nga ajo rrugë e errët ku ishin futur, tue mos ditur së në një kohë e vend do të kishte edhe humnera ku do të thyejnë qafën. ”  

(Zef Mala.  A. M. B. )

  • Revolucioni bahet për me pa ditë ma të mira për atë që vuan, e jo për me ba me vuajt të gjithë.

 (Zef Mala.  A. M. B. )

  • “Po, kam përgjegjësi për këtë babiloni që është krijuar, unë kam marrë në qafë një pjesë të brezit tonë të ri, se nuk kam ditur të dalloj midis asaj që duhet të jetë dhe që duhet të ishte. Të ruajtë Zoti nga fanatikët dhe xhahilat kur marin pushtetin në dorë.”      

 (Zef Mala.  A. M. B)

  • … “Nëse dikur do të na marrë historia, do të na marrë, jo për atë ç’ka kena ba, se këtë e kanë ba me qindra të tjerë si na, por për atë ç’ka nuk e kena ba, sepse nuk pranuem me u bashkue me rrugën e atyne politikanëve karrerista, të atyne që sot përfaqësojnë negacionin absolut të atyne idealeve djaloshare tona për të cilat shkrime gjithçka sepse komunizmi, si ideologji, është një utopi dhe si një sistem politik është një regres për njerëzimin dhe ne që kontribuam për fitoren e kësaj kolere që mbolli zi, lot e helm në zemrën e popullit të shumëvuajtur, na takon t’i kërkojmë atij të falur në gjunjë e me zemër në dorë”

 (Zef Mala.  A. M. B. )

  • Zef Mala, shumë vite më vonë, do t’i shprehej me hidhërim, Henrik Gjokës:

“Misioni im mbaroi me formimin e P. K. Sh.  Mbas çlirimit nga pushtuesit unë do t’u kushtohesha studimeve të mija të preferume”

  • Zefi, këtë situatë armiqësore që iu vendos nga Partia, e shpjegon si më poshtë:

“Ata më dërguan një njeri si Thanas Nano me të cilin nuk mund të merresha vesh.  Unë kam pikpamjet e mia të cilat janë formue në një proçes të gjatë vitesh, pra, për me konstatue të metat, gabimet e mia, duhet me bisedue me një njëri të formum plotësisht nga ana ideologjike i cili me argumenta të ma mbushi mendjen.  Unë kam vendosur të mos flas as mos të kërkoj shpjegime mbasi më duken të kota këto.  

 (Zef Mala.  A.  M.  B.  )

Më poshtë janë dëshmi të marra nga Zefi nga bashkëpunëtorët e Sigurimit gjatë bisedave provokuese me të.

  • “Kur i kam thanë se cilat janë fajet e tija, ay më është përgjigjur, (Zefi) se shokët e mij të vjetër Qemal Stafa, Tuk Jakova, Vasil Shanto, Kristo Themelko, duke përfituar nga mungesa ime këtu, kur u formua Partia, të gjitha fajet e grupit t’onë që duhet të ishin dhe fajet e tyre m’i ngarkuan mua, kështu që unë mbeta fajtor në sy të Partisë, duke mos patur mundësi të sqarohem, kam mbetur gjer me sot fajtori kryesor si përgjegjës me faje të Grupit Komunist të Shkodrës.  Për këtë kam kërkuar dhe kërkoj vazhdimisht të më dërgohet nji shok i Qarkorit me të cilin të parashtroj pikpamjet dhe të merrem vesh.”

  • “Diktatura e proletariatit është një mëri e madhe që e beson vetëm populli injorant dhe i vogël në shpirt. ”

 (Zef Mala Arkivi M. B. )

  • “Po unë e kam formuar botkuptimin tim sidomos atje në Itali si i internuar në 1940, duke studjuar dhe duke qenë në kontakt me personalitetet të shquara anti-fashiste, komuniste, socialiste etj dhe gjithmonë kam patur parasysh lirinë e personalitetit, pavarsinë dhe dinjitetin. ”

 (Zef Mala Arkivi . M. B. )

Në vitin 1955 Zef Mala shkroi një Promemorje. Ndër të tjera aty thuhet:

  • “Për disa vjet me rradhë pata mund t’i mbahem zotimit t’em mos me zhvillue aktivitet politik e mos me manifestue opinione që mund t’ishin në opozicjon me vijën e pikpamjet e partisë e pushtetit , tuej e kufizue gjithë vemëndjen time në punët e përditëshme që më kishin ngarkue pushteti. Pata qenë i zoti t’i mbajte mendimet e mija, të mos hapi gojën asnjë herë për çdo çështje qoftë, dhe të shikoj vetëm punën time tue humbë bile dhe interesin për evenimentet e përditëshme dhe tuej mos lexue rregullisht më shtypin.  Por para një vjeti e tekëndej ndjenja ndryshoi në mue.  Ndofta zhvillimi i ngjarjeve në botë e veçanërisht në Rusi ndofta ndryllja e vazhdueshme e individualitetit tim, ndofta goditjet e vazhdueshme që më bëheshin në çdo anë e lodhën vullnetin t’im dhe pësova një shthurrje shpirtnore.  Dala nga dalë, mbrenda kësaj kohe, filluen të më lindin mendime që ndiejsha nevojën t’i formuloj.  E kuptojshe që këto mendime ishin n’opozicion me pikpamjet e partisë e të pushtetit dhe herë mbas here e ndjenja nevojën edhe t’i shfaq me këdo që mund të gjeshem të disponuem me m’digjue.  Këto probleme ose çështje të ndryshme politike, shoqnore, ekonomike, letrare etj.  prekshin veprat e aktivitetin e partisë e të pushtetit dhe me gjithse e kuptojshem se baj gabim t’ue interpretue me mënyrën time dhe faj duke i shfaq ndaj të tjerëve nuk mund të ndalesha pa i manifestue në disa momente ishin më të forta se vullneti im i dobsuem.

Gjithë ndryshimet e vërtetume në B. R. S. S mbas vdekjes së Stalinit më bane me mendue se B. R. S. S ndodhej në një udhë kryq se përpiqej me gjet nji rrugë të re qoftë në fushën politike qoftë n’atë ideologjike në përgjithsi, qoftë dhe në realizimin konkret të socializmit.

Rënia e Berias e Malenkovit krijimi i agrogoresë  (zona të banuara bujqësore A. J. ) e pastaj heqja e tyre, prodominimi i industrisë së randë ose i asaj të konsumit n’ekonomi, orientimet e reja në letërsi ngjarjet analoge në vendet e demokracisë popullore, orientimi i ri karshi Jugosllavisë marë në fund, më banë me dyshue në rezultatet e orientume nga aplikimi i socializmit etj.  dhe me mendue se e ardhmja mund të na ruante kushedi çfarë të papritunash të tjera.

Gjithë këto evenimente të nji pasnjishëm më çërjentuan fare dhe fillova të mendoj se të metat dhe anomalitë e konstatume në vendin t’onë nuk ishin ndofta tipike t’onat, por ndofta të lidhuna ngushtë me sistemin.  Tuej kujtue se ishin vetëm tonat, kisha besimin se nji ditë do të kapërxeheshin, tuej mendue se i përkasin sistemit mbeta i dëshpëruem.  Me gjithë inkapacitetin t’em të kohës së grupeve kisha besue me fanatizëm në socializëm e në B. R. S. S.  si në një dogëm fetare.  Në kohën e rinisë sime kur humba religjonin e trashëguem nuk pësova ndonji tronditje të madhe se fillova të besoj në nji religjon të ri, ma universal, ma i drejtë se aj i pari.  Me këtë besim i pata durue perepecitë e mija të shumta kur filloj me me mungue ky, jeta m’u duk besa dhe e pa qëllimt.

Ka pasë momente në të cilën më vinte keq që nuk ishem besimtar në perëndinë, dhe më vinte keq se nuk mund të besojshem.  Mendojshem nga nji herë se besimtarët janë të vetmit të lumtun se rrojnë me shpresën e botës tjetër e nuk kanë probleme për të zgjidhë.

 (Z. M.  Promemorja A. M. B viti 1955 nëntor)

Po vazhdoj me dëshmi të Zef Malës thënë në mirëbesim bashkëpunëtorëve të Sigurimit.

  • Unë, Zef Mala, kam manifestue dhe kam qenë kundër faktit që një poet i madh si Fishta të braktiset në një anë vetëm për shkak të ideve të tij. Unë mendoj se përgjithësisht në letërsi dhe në art më shumë se personaliteti i artistit, ka rëndësi vepra e tij.
  • Fishtën unë e konsideroj si poetin më të mirë të gjuhës shqipe që i ka kapërcyer kufitë e Shqipnisë dhe të Ballkanit dhe zë vënd midis poetëve më të mëdhenj evropianë të shekullit tonë.  Do të vijë një kohë që Fishta do të rehabilitohet  (viti 1955)
  • Unë në artin kërkoj më tepër formën në të cilën është paraqitur se sa përmbajtjen.  Për mua përmbajtja është në radhë të dytë.
  • Kam manifestue e kam shfaq mendim se gjuha letrare e ardhshme duhet të hartohet mbi gegënishten.
  • Kam qenë i mendimit se, për sa i përket shkollave të fillores dhe unikes, të jepeshin mësime në dy tekste, gegënisht për shkollat e veriut, dhe toskërisht për shkollat e jugut. Jam i mendimit se tendenca e zhvillimit të gjuhës shqipe shkon drejt gegënishtes.  Instituti i Shkencave ishte drejt zhvillimit të gjuhës toskërisht.  Vetë fakti se kryeqyteti është në Tiranë, do të krijojë mundësinë e asimilimit të gjuhëve shqipe dhe ka për të prodominuar dialekti gegënisht i Shqipërisë së Mesme.

Tash për tash, mendoj se duhet të ketë dy abetare, gegënisht e toskërisht.

  • Për shkollat e nalta kam mendimin se duhen drejtuar nga kuadro e specialistë të huaj, si nga B. S e vendet e Demokracisë Popullore, me afate të gjata 10-15 vjetësh dhe pranë këtyre të qëndrojnë profesorët dhe studentat më të mirë, për ndryshe, asht rrezik që arsimi ynë të bjerë. Prandaj detyra jonë duhet të jetë jo zgjerimi i shkollave të nalta, por ato të jenë pak por saktë.

Për mendimin tim, niveli i studentave që mbarojnë jashtë, në vëndet e Demokracisë Popullore është më i lartë se niveli i studentave që mbarojnë në institutet tona.

  • -Nuk kam qenë dhe nuk jam dakort me politikën që ndjek Pushteti Popullor karshi minoritetit.   Për mendimin tim, grekërit që janë në Shqipëri të mos kishin trajtimin e minoriteteve, por të vazhdohej proçesi i shqiptarizimit.  Nuk duhet që minoriteti të ketë shkollat e tyre greqisht dhe shtypin.  Por të kenë vetëm shkolla shqip.  Duke marë parasysh punën shkombtarizuse që kanë bërë grekërit këtu e 150 vjet kundër shqiptarëve në Greqi, nuk më duket me vend që ne këtu në Shqipëri të ngrehim një problem për pakicat greke në Shqipëri.
  • – . . . Si duket, kërkojnë ta shkëputin Lëvizjen Komuniste prej çdo tradite. Sipas tyre, komunizmi ka ardhë në Shqipëri vetëm kur këta formuan Partinë.  Por historia është e gjallë: në kohën kur Enver Hoxhës i pritej bursa nga regjimi i satrapit Zog dhe i jepej nëpunësi në Konsullatën Shqiptare në Bruksel, ndofta për ta luftuar më mirë regjimin e Zogut  ( këto fjalë i tha me ironi) të tjerët punonin për komunizmin.
  • Kohët e fundit, lidhur me vizitën e delegacinit sovjetik në Jugosllavi, Zef Mala thotë:

“Dora që s’kafshohet puthet.  Të gjitha sa kishin pështyrë, sovjetikët po i lëpijnë.  Me këtë vizitë pozitat e Titos konsolidohen.  Më tepër se asnjanësinë aktive, të cilën Beogradi e ka mbrojtur gjithnjë, Titua nuk mund t’u japë sovjetikëve.

Titua ndjek politikën e fitimit të kohës, sepse e di që, në rast lufte, po fitoi B. Sovjetik, Titon me shokë B. S.  do t’i likuidojë, dhe po fitojë Perëndimi, gjithashtu do t’i likuidojë për të vendosur mbretin.

Në gjyqet e proçeset politike unë nuk besoj.  S’ka si të bëhen agjentë, kryetarë shtetesh dhe figura politike me rëndësi. Gjyqe të tilla kurdisen për qëllime të caktuara.  Nga kjo anë, kemi vetë eksperiencë personale”.

  • Ne, social-demokratët kemi pasqyrën e vërtetë të drejtësisë dhe të një demokracie reale marksiste. Komunizmi i Leninit është i shtrembëruar dhe mbahet në fuqi me diktaturën e proletariatit, pse mos të kishin këtë kurrë nuk do të qëndronin në fuqi dhe të kishin kaqë jetë të gjatë.  Masat duhet të ngrihen me evolucion dhe t’i jipet e drejta e plotë e lirisë, të mos ketë frikën e automatikut siç veprohet sot.
  • Nuk janë marksista këto, marksista si Sejfulla Malëshova e Tuk Jakova këto i hoqën, ky regjim mbahet në fuqi prej servilave e dallaveraxhijve, unë jam i bindur se këta nuk do të fitojnë, por ç’e do, se më hiku koha nëpër burgje e në vuajtje, ky nuk është komunizmi i Marksist dhe i Leninit. Unë, vazhdoi Zefi, jam i sigurtë se këta do të falimentojnë si fashizmi, se për anollogji ngjasin shumë, etj.
  • Sindikatat u donte me kenë e panvarura, kështu ajo t’i thotë filan fabrike ndalo punën, kërkon të drejtat tuej të bajë demonstratë për padrejtësinat që mund të bajë punëdhanësi, shteti. Por kur sindikatat të jenë të kontrolluara nga diktati i partisë dhe të shtetit ç’farë mund të bajnë këto sindikata për puntorin asgja.  Këta kanë shumë pikpamje të gabume dhe e dijnë mirë por i ka hyp aq fort në shpinë B. S.  sa nuk i len me marrë frymë.  Ky regjim mbahet prej servilave e dallaveraxhijve gazetar. . . .
  • . . jam plotësisht i bindur se komunizmi ndërkombëtar e ka humbë davanë për arsye se e kanë paraqitur shtrembur, pse është praktikue shtrembur. Hungaria sidomos i ka dhanë tëposhten, rrenave që dikush në Perëndim u ka pas besue.  Ky nuk është as komunizmi i Marksit as i Leninit.  Unë këto nuk i due për arsye se unë u kam deklarue se nuk jam komunist  (kështu si e kuptojnë këta) e dijnë mirë, e vetmja rrugë e imja është me mujtë e me dalë prej këtu e me shkue në Itali e Francë a Australi e me jetue i lumtur. . . . . Unë bindjet e mija i kam të pa lëkundshme.  . . . . Unë jam i bindur tha Zefi se do të falimentojnë nji ditë ashtu si fashizmi, se për analogji ngjasin shumë.
  • Unë, tha Zefi, në logjikën e komunistave nuk kam pa kurr ndonjë gjë të mirë dhe kam kenë i bindur se vetëm Perëndimi është i drejtë dhe jep lirinë që duan njerëzit. . .  që situata do të ndryshojë në favor të lirisë këtu tek na është e pashmangshme dhe duhet me pritë patjetër. . .
  • Unë, për veten time, besoj se komunizmi është vetëm iluzion. Të gjithë kanë me kërkue me hangër e me u vesh ma mirë se të tjerët.
  •  . . . Unë jam i vdekur por më vjen keq që mbeti populli në duart e avanturierve, të njerëzëve që janë futur në valle vetëm për pozitë e për asgjë tjetër. Unë, për vete, po të doja, në kohën e Zogut ashtu dhe në kohën e Italisë do isha me pozitë, sepse isha i zoti, por nuk kam pranuar, sepse kam dasht që në rrugën time të komunizmit, të vijshin edhe të tjerët dhe jo vetëm unë, por sot s’ka idealista e sentimentalista, sot sundojnë katilat, këta kur janë në pozitë nuk shohin e gjoja nuk dinë asgjë se ç’farë po bëhet me komunistat, por kur rëzohen, thonë nuk kemi ditur asgjë se ç’farë vuani ju.  Por, kur përsëri hypin në karrike, nuk mbajnë mend gja. . .
  • Qysh kur erdha nga Italia në 1943, e pashë se kush qenë komunistat, i njofta, e prej atëhere hoqa dorë nga politika. Këta më kanë shtënë dy herë në burg, por unë jam ay që kam qenë.  Këta më kanë thirrë dy herë e më kanë thanë se ti po flet shumë.  Unë i kam thanë se nuk merrem me politikë, por helbete njeriu duhet të flasi, kur trajtohet keq njeriu që ka punuar.  Kur më kan thirrë i kam thanë se as dua të jem komunist dhe as që dua të dij gjë për komunizmin.  Thoni se jam fashist, nazist, ç’farë të doni. . . .  Për vete s’kam gajle sepse jam i vetëm, mua ma prishën familjen, më lanë pa fëmijë, pa shtëpi, pa të ardhme.
  • – Unë, vazhdoi Zefi, besoj se këta (komunistat) do të falimentojnë si fashizmi se për anallogji ngjasin shumë. (viti 1964)
  • Duke folur për demokracinë, ai ka thënë:

“Në shtete borgjeze ka demokraci, zbatohet mbrojtja e ligjeshmërisë, ruhet dinjiteti i personit.  Në shoqërinë socialiste thuhet se njeriu është kapitali më i çmushëm, por kjo është demagogji, është ironia më e madhe, këtu njeriu nuk vlen asnjë dysh.  Në vëndet borgjeze nuk të fut njeri në burg pse bën grevë ose thua llafe, por pa provoje këtu njëherë.  Fitorja e komunizmit në Shqipëri është demaskimi më i mirë që i bëhet këtij komunizmi, ata që e demaskojnë janë burgjet e kampet e internimit të përdorura në mënyrë të kundraligjshme.

  • “Neve të grupeve komuniste duhet të na djegin me benzinë se vetë e krijuam këtë Parti, vetë e kërkuam socializmin dhe mua të më djegin të parin se kam përgjegjësi për këtë babiloni që është krijuar, unë kam marrë në qafë një pjesë të brezit tonë të ri, se nuk kam ditur të dalloj midis asaj që duhet të jetë dhe që duhet të ishte. Të ruajtë Zoti nga fanatikët dhe xhahilat kur marrin pushtetin në dorë.
  • Socializmi ka dështuar kudo, është e kotë të flitet për socializma të tjera.

Duke folur për ligjëshmërinë në vendin tonë, ai ka thënë:

“Këtu ka vetëm terror dhe tortura, sot ndodh ajo që ndodhte dhe në kohën e Koçi Xoxes, por bëhen pak më të rafinuara.  Janë po këto kuadro që ishin atëhere.  Këta janë bërë histerikë dhe sadistë, nuk mund të rrinë pa pirë gjak.  Ky sistem është totalitar, policor, që terrorin e ka për parim, por unë nuk duhet të ankohem, se vetë e desha këtë sistem.  Zogu na jipte nga 15 napoleona flori për studime, kur ishim studenta dhe ne qaheshim nga ai, donim të çlironim popullin, ja si e çliruam.  As fashistat italianë nuk e bënin këtë që bëjnë këta.  Paska qenë thënë që festat e vitit të ri t’i bëjmë nëpër burgje e kampe, por fajin e kam vetë, kur të vdes, të më digjni me benzinë.

Socializmi s’ka asgjë, vetëm këmbë zbathur dhe barkë bosh.

  • Duke folur për luftën që bëjnë vëndet koloniale për liri dhe pavarësi, ka thënë:

“Këto vende nuk duhet të luftojnë kundra imperializmit dhe kolonializmit, se po të mos kishin shkuar kapitalistët në këto vende, nuk do të kishte zhvillim ekonomik dhe politik, këto vende do të ishin akoma në rendin fisnor dhe krejt të pa zhvilluar.  Në socializëm nuk ka si të ketë demokraci, se në krye të pushtetit qëndron vetëm një parti, nuk ka qeveri kualicioni.  Sot populli shqiptar rron më keq se në kohën e Zogut, atëhere populli hante vaj ulliri dhe tash nuk e sheh me sy.

  • Edhe thonë se njeriu është kapitali më i çmuar, po ku i gjejnë këto formula demagogjike. A ka ironi më të madhe se sa kjo parullë boshe për vëndet socialiste, ku njeriu nuk vlen as një dysh.

Duke folur për demokracinë e perëndimit, ai ka thënë se:

  • Kush të fut në burg se bën grevë apo bën llafe në vendet e qytetëruara.

Italianët gjatë 20 vjetëve vetëm një njeri dënuan për komunist dhe ata nuk ekzekutuan.  Fitorja e komunizmit në Shqipëri është demaskimi që i bëhet komunizmit në këto burgje e kampe internimi të kundra-ligjshme. .

  • Zefi ka mburrur Gjergj Fishtën duke thënë se

ai ka qenë poeti më i madh i vendit tonë, vepra e tij përkthehet në të gjithë botën.  Fishta u ka kënduar masave të varfëra, ai ka qenë patriot, ka shpëtuar Shkodrën nga serbët e malazezët.  Zyrtarisht veprat e Fishtës janë të ndaluara, por Lahuta e Malësisë shitet nga 5000-6000 lek kontrobandë  (copa).  Ndalimi i Fishtës është marrëzia më e madhe që kanë bërë këta.

  • në vëndin tonë populli rron shumë keq, ai nuk ka as nivelin e kohës së Zogut në jetesë, atëhere kishte bollëk, kishte vaj ulliri, sot nuk e sheh me sy, sot nuk ka as bukë.
  •  . . . Zefi nuk beson se sistemi socialist është më i përparur se sitemi kapitalist. Në socializëm nuk ekziston demokracia e lirë e të menduarit, të drejtat demokratike nuk ekzistojnë fare. Unë do të dëshirona të shfrytëzohesha si shfrytëzohet punëtori anglez, francez, por të kisha të drejtën të mendoja lirisht. Mua më është mbushur mëndja se sistemi socialist kurrë nuk mund t’ja kalojë sistemit kapitalist.
  • Unë kam një urrejtje kaq të madhe për këtë rini që po rritet sot, janë kaq injorantë, sa që nuk mund ta imagjinosh, djalë i ri me një botkuptim kaq të ngushtë, e jo vetëm nga ana e logjikës. Në qoftë se merr një maturant të kohës së Zogut dhe të kohës së Italisë dhe një që mbaron universitetin sot, ai fshin bythën me këta universitarë, kur të duash – Mizerje! e kur venë në Kukës e Tropojë edhe thonë: Më ka dhënë bursë shteti dhe më ka dhënë titullin inxhinier.
  • Unë e kam formuar botkuptimin tim sidomos atje në Itali si i internuar në 1940 duke studjuar dhe duke qenë në kontakt me personalitetet e çquara antifashistë, komunistë, socialistë etj dhe gjithmonë kam patur parasysh lirinë e personalitetin, pamvarësinë dhe dinjitetin. Të gjithë këto në këtë sistem janë paralizuar dhe për mue gabim themelor filloi qysh në 1905 kur u formua partia Bolshevike u bë gabimi i parë lidhur me diktaturën e proletariatit e cila nuk ka qenë diktatura e proletariatit e as diktatura e partisë ose e një grupi, por diktatura e një personi që nga Lenini, Stalini, Mao Ce Duni dhe e vërteta ky sistem veç diktaturës nuk mund të qëndrojë në fuqi, për mue ky nuk është socializëm, gjerisa nuk respekton lirinë e fjalës, ndërgjegjësi të ideve, qoftë filozofike qoftë fetare etj, prandaj unë nuk jamë për këtë, unë dua atë sistem që i respekton këto principe, këto kategori, panvarsisht nga tabella dhe emri që mban.
  • Sa për rusët, Hrushovin me kompani, Titon, Gomulkën etj, janë demagogë dhe mashtrues më të paturpshëm sepse ata ushtrojnë në fakt diktaturën më të neveritshme. Po ta shohish mirë mirë, partitë e atyre vendeve socialiste dhe partitë e Perëndimit nuk janë gjë tjetër veç agjenturë e Moskës dhe në shërbim të hegjomonizmit Moskovit. . .  fundi i fundit ne nuk jemi kompllotist se kompllotistët duan të çdukin Ç’do liri, dhe neve jemi për liri të plotë të ideve dhe të ndërgjegjes, gjerisa mungon liria e fjalës e shtypit etj neve heshtim, dhe nuk kemi asnjë përgjegjësi se është historikisht e vërtetuar se çdo regjim i përshtatet pupullit dhe regjimi ynë i sotëm si do që është i përshtatet nivelit të zhvillimit të popullit tonë.
  • Njerëzimi domosdo do të kalojë në një fazë më të lartë nëpërmjet qytetërimit përendimor. Socializmi do të dështojë kudo mbasi mori nëpër këmbë të drejtat themelore të njeriut, lirinë personale, të drejtat qytetare, dinjitetin e personit sa për vendin tonë ky popull është kaq i pa zhvulluar sa që meriton çdo trajtim që i bëhet.
  • Revolucion është ai francez që dha gjithë këto vlera njerëzimit, ndërsa ai i Tetorit në Rusi ishte një grusht shteti që tregoi se është i aftë për të shkatërruar ç’do gjë por jo për të çelur rrugë të reja, gjysëm shekulli eksperencë tregon rezultatet e hidhura dhe negative të asaj eksperence sidomos në vendet e Europës.
  • Zogu sundoi 17 vjet e krijoi dhe ai stabilitetin e vet. Nuk ka qenë satrap, ashtu siç mendojshim ne, se ai tani i ka kaluar historisë, por ka meritat e veta, duhet me qenë më realist e me thanë të vërtetën. sh.  me dokumenta, Luftën ë Vlorës e ka organizuar Zogu i këshilluar nga anglezët.  Liroi 400 xhandarë dhe 100 prefektë, që i dërgoi tebdil në Vlorë dhe u dërgoi fshehurazi armë.  Kurse ne themi që luftën e bëri Selam Musai.  Unë kam lexuar vetë konceptet e dorëshkrimet e Zogut, kur isha drejtor i Arkivit.  Ai ka drejtuar efektivisht dhe nuk ishte figurë.  Edhe për Vermoshin e Shën Naumin nuk kishte nga t’ia mbante, ua dha serbëve. Konsulli anglez ka qenë këshilltari direkt i Zogut, pra njeriu i anglezëve, qoftë kur drejtonte qeverinë e Kongresit të Lushnjes, qoftë kur u largua për në Jugosllavi ose kur u kthye duke dalur si mbrojtës i legalitetit kundër bazhibuzukëve.
  •  . . . Duke folur për parimin në forcat tona Zef  Mala tha: Parimi në forcat tona është autarqi, nuk është justifikuar as nga shtetet e mëdha jo më tek ne një vënd i vogël.
  •  . . . . Vajtja në fshat është një regres mbasi vendet e industralizuara e kanë rezervën e krahut të punës në fshat, jo të dërgohen nga qyteti në fshat. Industria në qytet nuk duhet të mbetet në vend.  Idealet fallco nuk mobilizojnë, bëjnë rol negativ.  Herojtë fallco nuk inkurajojnë heroizëm por indiferentizëm. . . .  Idealet nuk imponohen me bajonata e as ndalohen me bajoneta. . .  Njëra prej të dyve, ose idealet janë të drejta dhe nuk është nevoja as për bajonetat as për mure izolimi, ose nuk janë të drejta dhe nuk kanë fuqi kështu siç e kanë nisë do të bëhet varri i vendeve socialiste, sepse mundohen të ndalojë atë që është e kohës, atë që nuk mund të ndalet.
  • Në televizor duhet të jepen lirisht të gjitha, me edukue rininë, që të jetë e zonja të zgjedhë vetë, të përbuzi të keqen, të bëjë vetë diferencimin. Do të ketë njerëz që imitojnë si majmuna, le të ketë, do të izolohen. Por jo ndalim me mure e bajoneta.  . . .
  • . . . duke e çuar bisedën në dënimin e grupit të A. Këllëzit, Zef Mala tha:

Asgja për t’u çudit, një fund i logjikshëm, vazhdë qysh në themelimin e partisë.  Në emër të diktaturës së proletariatit është vendos diktatura e partisë.  Preçedentët janë krijuar qysh në themelimin e partisë, kanë dënuar njëri tjetrin, gjë e rallë, janë likuiduar dy K. Q.  në sasi.  Pse ndodh ky fenomen? sepse nuk bajnë luftë të hapët politike në parti, bëjnë amin, solidarizohen.  Kur nuk kanë konviksione  (bindje), janë fallco bëjnë jetë të dyfishtë, sepse janë kundër vijës dhe solidarizohen me vijën për të ruajt postin që kanë.

Pak burra kanë dorëzuar testën e partisë për mos solidarizim me vijën, sepse duhet të dorëzojnë edhe postin.  Kështu fillojnë bisedat personale kundër vijës dhe përfundojnë në aventurjera dhe komplotistë e spiunë.  Mua disa herë më kanq ftuar të futem në Parti.  Pse nuk kam hyrë? Sepse duhet t’i nënshtrohem disiplinës së partisë, duhet të aprovoj pa diskutim ato që janë bërë më parë dhe që do të bëhen.  Po të ketë diskutim të lirë do të futesha në parti

  • Di Vittorio ka pas personalitet, qysh në Ventotene kundërshtonte rolin e Partisë në sindikata, nuk pranonte që sindikatat të ishin rrip transmisioni i partisë. . Koha po verteton tha Zef Mala se marksizmi ka nevojë të revizionohet, të mos merret si ideologji, por si metodë, P. sh. nuk është vërtetuar pluralizmi i shoqërisë, nuk janë zhdukë shtresat e mesme, teoria e mbivlerës nuk justifikon vetveten, revolucioni nuk u zhvillua në vëndet më të zhvilluara, por në vëndet më të prapambetura. Sot diktatura e proletariatit ka degjeneruar në diktaturë të një partie. Shteti ka degjeneruar në pushtetin e sekretarit të përgjithshëm, në absolutizmin e një personi.  Nuk mund të ketë socializëm pa liri demokratike.

Lenini i kishte lejuar grupet mbrenda partisë, bile dhe disidentë, këto grupe i zhduki Stalini që pushkatoi tre milionë antarë partie. Sipas Maqo Çomës, vazhdon Zef  Mala, në vendin tonë deri në vitin 1956 kanë kaluar nëpër burgje e internime 436 000 mijë vetë, 1/4 e popullsisë. . . . Socializmi nuk është barazi në fukarëllëk por barazi në begati.  Edhe kultura nuk duhet të zbresë në nivelin e popullit, jo kulturë me çifteli, por popullin me e ngrit në nielin e kulturës botërore, që të kuptojë Bethovnin.

Partitë komuniste të Perëndimit zhvillohen në vende që kanë traditë demokratike, ku socializmi nuk mund të kuptohet pa liri demokratike, prandaj ata janë jo për udhëheqjen e një partie por për pluralizmin, për shumë parti në pushtet, në mënyrë përfaqësuese bile dhe me u dorëzue pushtetin po qe se u paksohen votat.

  • . . . . . Nuk kuptoj përse nuk i lejojnë stacionet e huaja në televizor, pamja e lirë do të ndihmonte zhvillimin e popullit në kulturë, shkencë, në njohjen e realitetit. Kur ai u përgjigj se kishin hallin e rinisë, mbasë shumë të rinj të pa pjekur e imitojnë shpejt të keqen, atëhere Zefi mori zjarr, duke folur si në leksion: Krejt e kundërta rinia nuk do të imitonte, ajo do të nxirrte vetë konkluzionet, po t’i lejshin lirisht stacionet në televizor, po t’ja thuash të vërtetën rinisë. Duke i ndaluar, rinia ka krijuar iluzione për perëndimin sikur çdo gjë në perëndim është në rregull, sikur ka bollëk, punë, para.  Pikërisht sepse i ndalohet e vërteta, rinia mendon të kundërtën e asaj që i thuhet, është instikti i rinisë që të besojë të kundërtën e asaj që i servirin, i beson asaj që i a ndalojnë.

Vendi ka nevojë për liri, demokraci e dituri.  Pa këto asgjë nuk bëhet.  Vendet socialiste kanë mbetur mbrapa pikërisht, sepse nuk ka opinion publik secili pret se ç’farë do të thuhet në gazetë e radio, pastaj të flasë.  Nuk çmohen njerëzit në bazë të kapacitetit, por shihen garancitë politike din apo nuk din, por pak rëndësi ka.

  • Hendeku në mes të vendeve të perëndimit nga pikpamja e zhvillimit dhe vendeve socialiste po shkon duke u thelluar dhe jo duke u ngushtuar. Plot kuadro nxjerrim ne por çfarë niveli janë, kuadro nominal, universitet nominal.  Edhe ato pak gjëra që mësojnë, nuk kanë në dorë ti zbatojnë.  Por a i vjen ndonjë rezik vendit tonë nga mbrënda për shkak të mungesës së lirisë, demokracisë e diturisë? Besa aspak! 100 vjet qëndrojnë në pushtet me këtë diktaturë që kanë.  Por e pëson vendi, do të mbetemi mbrapa, shumë mbrapa, komunizmi nuk duhet dhe nuk mund të jetë stanjacion.
  • “Komunizmi, si ideologji, është një utopi dhe, si një sistem politik, është një regres për njerëzimin”
  • “ne që kontribuam për fitoren e kësaj kolere që mbolli zi, lot e helm në zemrën e popullit të shumëvaujtur, na takon t’i kërkojmë atij të falur në gjunjë e me zemër në dorë”

Mblodhi Bardhyl Selimi, 2 janar 2019