Zymer Mehani
FLUTURONI…
O vargjet e mia të freskëta
Shkoni, udhëtoni fluturim
Nëpër viset e atdheut kaloni
“Shumë i shtrenjtë je ti kombi im”
O fjalët e mia të flakta
Të ngrohta o vargjet e mia
Nëpër atdheun tim kaloni
“Shumë e shtrenjtë është Shqipëria”
Shkoni, në vrap, mos u ndalni
Të nxehta o vargjet e mia
Tregoni ngado që kaloni
“Shumë e shtrenjtë është shqiptaria”
Me re fluturoni pa u ndalë
Me dritë me avull ngadalë
As e shihni o vargje të zjarrta
“Atdheu cep më cep me lapidarë”
II
Falë s’m’i ka askush
E lindë kanë në mua
Pa to –
Zemër pa dashuri do t’isha
E diell pa rreze
Qiell pa kaltërsi
Lule pa aromë
Ylber pa ngjyra
Dashuri e kallur n’hi
O vargjet e mia të pambarim
Jeni jeta ime dhe kënga
Pranverë plot me lule
Dashuri e ATDHAEUT tim
Udhëtimi juaj
S’do të ketë kurrë mbarim
VARGJE DASHURIE PËR TY, KOSOVË…
Kosovë e shtrenjtë,
vendlindja ime e dashur
Tokë etërish e bijsh
dhe bijash si shqipe mali
Si të të lë në lëngatë
e në vuajtje dhe në varfëri
Ty të kam në shpirt
në frymën e trashëguar prej të parëve
Kosovë-tokë dardane,
vatër e shqiptarëve
Si të të lë, Kosovë e dashur
në dremitje e mynxyrë
Në angullimën e përmbytur,
në ngërç e në mundim
Që sikur shkëmb mali
me shekuj ta zunë frymën
Kosovë-tokë arbërore
për vargun tim frymëzim
Kosovë kreshnike,
o fushë e paanë plot lulëkuqe
Kosovë, o Shqiponjë Flamuri,
e therur për hakmarrje
Kosovë, o vend trimërie
që digjesh në zjarrin e urrejtjes
Të armikut shekullor,
Kosovë o dheu arbëror
Kosovë, o dashuri mbi dashuritë,
për mua je prore
Ta dua Ribashkimin
me vatrën stërgjyshore
Kosovë, lulegjaku,
moj lule Ballkani
Të lakmuan sa s’ka më
krajli e sulltani
Kosovë, atdhe shqiptar,
fole e Shqiponjave
Djep kreshnikësh prore,
vatër e heronjve
Mbi qiellin tënd
mbret është veç Kuqezi Flamuri
Kosovë-o tokë dardane,
kala prej shkëmbi, guri
KËNDO
Këndo
Me shushurimën e gjethit në mbrëmje
Dhe me gurgullimën e lumit në mëngjes këndo
Këndo
Me përkëdheljen e lehtë të erës
Dhe në zbardhëllimin e agut këndo, mos pusho
Këndo
Edhe me plagë po të jesh në zemër
Dhe në vuajtje po të jetosh këndo
Këndo
Dhe në fytyrë kur nuk ke buzëqeshje
Edhe kur s’të këndohet, s’ka dorëzim, këndo
Këndo
Se njeriu është më i fortë se guri
Kështu thotë urtia ndër shekujt që kalojnë
Këndo
Dhe kurrë ti mos e ndal këngën
Gëzo ditët që vijnë se gjithmonë nuk jetojmë
PËR TY, MOTËR DORUNTINË
I.
Emrin Konstandin
Ma thotë populli im
Do ta mbaj një besë
Dhe nëse do t’vdesë
Nga rrasa e varrit
Do t’i hypi kalit
– T’kam premtuar motër
Se do t’kthej në votër
Varri nuk më treti
Se mbet amaneti:
– Te nëna do t’dërgoj
Dhe do t’fluturoj
II.
Loti Yt m’rëndon
N’zemër sa Planeti
Yti lot m’peshon
N’shpirtin tim sa deti
Loti Yt, vërtet
Porsi plumb më vret
Nëse t’shoh me lot
S’mund të duroj dot
III.
Loti Yt m’shëmbëllen
Në vesë trëndafili
Jotja fjalë- e ëmbël
Porsi këngë bilbili
Të kam Doruntinë
Gjerdan n’vargun tim
IV.
S’e di fare
Se ku gjendesh
Përtej malesh
Përtej detesh
Pas nëntë kreshtash
Pas nëntë bjeshkësh
Pas nëntë drizash
Nëntë murrizash
Nëntë zabelesh
Nëntë borigash
Përtej vapës
Dhe shtrëngatës
Përtej ditës
Përtej natës
V.
Përtej nëntë lumenjsh të shkretë
Po rend, motër Ty për t’ gjetë
Përtej nëntë lumenjsh të mjerë
Ku s’ka dritë, është veç skëterrë
Njëqind vjet të thellë
Njëqind vjet të gjerë
Xhanin seç ma këpute
Ah, motër e mjerë!
NËSE
Nëse diku vdes një njeri i ri
Një zakon është ndërruar në botë gjithsesi
Nëse diku fyhet një femër
Mes nesh është e krisur dhe e prishtë një zemër
Nëse diku mbi fëmijët ushtrohet dhunë
S’mund të jem’ të pafajshëm as ti dhe as unë
Nëse diku një urë shkatërrohet
Ndalet një rrugëtim, një miqësi rrënohet
Nëse diku një faltore përdhoset
Do hecim drejt humbjes, emri na njolloset
Nëse diku e vërteta mohohet
Mua, por dhe ty e drejta na cënohet
Nëse diku shkelet butësia
Aty s’ka qetësi, është e zbehtë liria
PËR TY, TOKË ARBËRORE
I
Kjo tokë
Nëpër të cilën ecim ne sot
është e mbushur me lavdi plot
Kjo tokë
Që zgjon erën në ag-
e mbushur plot lavdi n’çdo derë e n’çdo prag
Kjo tokë Më falni, kurrë s’bëhet e huaj
për të jap dhe kokën, me çdo çmim e ruaj
II
Mbi tokën time arbërore
Hapërova së pari ku varret ika i pari
Mbi tokën time dardane
Në Pranverë rrezet vezullojnë e lumenjtë gurgullojnë
Mbi tokën time me vlerë
Deri në qiell fluturojnë shqiponjat s’pushojnë asnjëherë
Mbi tokën time
Legjenda dhe balada këndohen
dhe këngët kreshnike për të kurrë s’mbarohen
Mbi tokën time Në atdheun tim,
Alpet Shqipatre plot bardhësi, zbardhëllim
Mbi tokën time
Lulëkuqja harliset, në qiell kokën lartëson,
e mua poetit zemra gjak m’pikon
Toka ime
E dashur dhe më e mira,
e ngjyer me gjak nëpër turbullira.
YJE TË PASHUAR
(Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka)
Ju ishit rreze të diellit
Plot ngrohtësi,
Siç është çdo flakë
Sot jeni dhembje janari
Krenari e Kombit prapë
Ardhmërisë ia falët jetën
Dashurinë ia dhatë atdheut
Sepse n’dejtë e trupit tuaj
Rridhte gjak i Skënderbeut
E vështirë është që të flasësh
Vështirë është t’jesh me gur n’gojë
Emrat Tuaj – Vulë Fitoreje
E sakrificës sonë të gjatë
E ju trima t’Skënderbeut
I dolët zot atdheut
II.
Gjaku juaj rrëke
Dhe acarin e theu
Në atë natë janari
Kur ju vrau tradhtari
Dreqi a i biri,
Tirani, mercenari
Ju s’patët mënyrë tjetër
Për betejë me vdekjen
Sepse ballë për ballë
Me ju të ndeshen s’deshën
Sepse jua ditën shpirtin
Guximin e qëndresën
Dhe fuqinë jua njohën
U frikuan për besë
Por të maskuar me errësirën
Në shëmbëllim me egërsirën
Jo nga guximi, por nga frika
Pabesisht Ju dolën në prita
Ju goditën pas shpine
Heu, ju rantë pika
Ata ishin gjakpirës ishin gjakatarë
E ju o trima përjetësinë fituat
Në t’atdheut altar.
1999
O i stërgjati vit
Vargan i tonave vuajtje
Që varre na hape në fushë e shpat
Çakall e korb duke krrokatë
E ne thërisnim parullën me furi:
-VDEKJE A LIRI!
Hallkë që s’i durove vuajtjet
As dhembjet tona
Loti na shoqëronte
e armët i zbrase
Vuajtjet t’na i kuptosh
Kush qe luftëtar i fundit
Që të përcolli ty:
-VDEKJE A LIRI!
Sa herë të kujtojmë o vit 99
Na kujtohet pesha e dhembjes
I numërojmë të rënët për këtë tokë
E vjen e fuqishme ushtima:
-VDEJE A LIRI, TRIMA!
MBI ÇDO DASHURI…
I.
Më duhet të pranoj
Me zemërgjerësi
Se ty, atdhe i dashur
Ty dhe vetëm ty
Të kam më të shtrenjtin –
Mbi çdo dashuri
Çdo varg imi për Ty…
Dhe çdo poezi
Ka tone përkëdhelëse
Dhe përplot dëlirësi
Për Ty, atdhe i dashur
Për Ty, Nënë Shqipëri…
II.
Luftove për t’vërtetën
Drejtësinë dhe lirinë
E ata, që gjuhën tënde s’e flisnin
Të kapën, gojën ta mbyllën
E sytë t’i lidhën
Dhe para pushkëve të nxorën
Por, prapë ti, atdhe i shtrenjtë
Ua rrëmbeve fitoren…
Bijtë tu, atdhe i dashur
Si lisa n’shtrëngatë qëndruan
Ndër shekuj me armiqtë
Trima u treguan
Kur u dha kushtrimi
Në luftë për liri
Rendën n’istikame
Për fat dhe ranë për ty
Sepse Ty të patën
Mbi çdo dashuri
III.
Asgjë në këtë botë
S’të heq nga imja zemër
O atdhe i shtrenjtë –
Më i bukuri emër
Lulëkuqe ke mbetur
Me kokë gjer në re
Dua të ta puth ballin
I shtrenjti im, atdhe!…
QYTETI I PAMBUKTË
Dua të ndërtoj
Një qytet t’pambuktë
Ku s’do të ketë vend
Për hijenë as ujk
Një qytet me plan
Shumë të butë, kuptohet
I pambuktë do t’jetë
Që kurrë s’do t’rrëzohet
Me butësi, mirësjellje
Dhe me besënikëri
Do t’i ndërtoj kullat
T’larta, miqtë e mi
Jo prej gurësh, as tullash
Por me pupla pëllumbash
Do t’i ndërtoj shkollat
Dhe çerdhet e bukura
Dhe kopshtet e parqet
Për zogjtë edhe fluturat
Bedenet e qytetit tim t’ri
Do t’i ndërtoj veç me dashuri
Dhe vlerën njerëzore
E besën stërgjyshore
Kryetar t’qytetit
Do ta bëj një fëmijë mitar
Sepse ne të rriturit
Po bëhemi hileqarë
O TOKË E PAPREKUR
Trualli im, Kosova ime e shtrenjtë
Atdhe etërish e bijsh dhe brezash të ardhshëm
S’ka në botë si Ti
Më e mira je Të kemi ATDHE Ty,
Kosovë dardane, të kemi në zemër
Dhe në shpirt të mbajmë
Në frymën të trashiguar prej të parëve
Kosovë, o fushë e paanë
N’ty lulëkuqet kuqëlojnë anembanë
Kosovë kreshnike
E qëndresës heroike
Të desha shumë dhe në angullimën e përmbytur
Shumë të deshta ty dhe në ngërçin e mundimeve
Por ti prore e fortë si shkëmb shekullor
E pamposhtur ndaj armiqve,
Kosovë dhe Arbëror Kosovë,
ballin tënd dua të ta puth
në agun e zbardhëlluar
Ballin tënd të zjarrtë nga djersët të mbuluar
Dhe me vuajtje të hatashme dhe të njëpasnjëshme
Kosovë DASHURI IMJA – Një dhe e papërsëritshme
Je kopsht i lulegjakut
I Shqipeve qielli Yt Plisbardhë nëpër shekuj
O Tokë e paprekur Çdo ditë veç po rritet Kosovë,
Yti shtat Edhe pse plagët Tua Ende kullojnë gjak
POEZI…
Poezi,
M’i jep vargjet e gjata
E me to të ndërtoj shtatore të larta
Poezi,
M’i jep flatrat ti
Mbi to le t’pushojë flamuri kuq e zi
Poezi,
M’i jep rimat tua
Me to të thuri këngët për SHQIPËRINË që e dua Poezi,
Më zgjo në të bardhat agime
E dëshmorëve të lirisë
T’ua qëndis xhamadanin e trimërisë
ATDHE, PSE TË DUA?!
Gjithçka që shoh me sy
E që të takon Ty…
Krejt është me rëndësi
Njerëzit edhe gjuha
Kështjellat dhe kullat
Ujëvarat dhe gurrat
Kreshtat dhe bregoret
Kodriçet, sukoret
Dashuria për Ty ushqehet
Dhe në lapidarët, monumentet
Dhe në epitafet për dëshmorët
Dhe në Flamur tonin,
Në krahë të Shqiponjës
Të dua, Atdhe…
Dhe për lotët, vuajtjet
Që ma bënin zemrën helm
Pse të desha dje
Pse të dua sot
Ty t’kam fe dhe Zot
Të dua, Atdhe…
Për fushat dhe malet
Për lumenjtë, liqenet
Për bjeshkët dhe detet
Për gjuhën shqiptare
Historinë kombëtare
Për lulëkuqe, varre
Për heronj, dëshmorë,
Për nxënës, minatorë,
Për studentë, punëtorë
Të dua truall arbëror
Je në botë më i miri
Dhe gur xhevahiri.