7.5 C
Tirana
( Arkivi 2016 - 2021 )

Florian Zili shpresë e basketbollit zviceran, dhe atij botëror

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info/
Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Autor librash :: Ueb- & Grafik dizajner

Nga e djathta në aksion Florian Zili

ARIF EJUPI

Ibraim Zili, nga fshati Odër i Pollogut të Maqedonisë së Veriut, së bashku me shumë bashkëfshatarë të tij për shkak të mos perspektivës dhe gjendjes së rëndë politiko-ekonomike u detyrua që më 16 qershor të vitit 1989 të imigrojë në Zvicër.

Meqenëse, Zili ishte i lidhur ngushtë me vendlindjen e tij, as që kishte parashtruar kërkesë për strehim.

Ai, mendonte që të bëjë punë të përkohshme stinore dhe me paratë e fituara të kthehet në Odërin e tij të dashur, për të rimëkëmbur sadopak ekonominë familjare.

Planet e Zilit, ndërrojnë tërësisht me agresionin e hapur të sllavo-maqedonasve ndaj shqiptarëve autokton të Maqedonisë së Veriut.

Ibraimi si profesionist i vërtetë i fushës së gastronomisë edhe pse ende pa status të definuar merr oferta të shumta pune nga Hotele dhe Restorante të njohura të kantonit Vaud të Zvicrës.

Do të jetë ish-presidentja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme të këtij vendi, zonja, Micheline Calmy – Rey, që do ta vlerësojë lartë punën prej gastronomi të kualifikuar të Zilit.

Ajo, rastin e tij do ta paraqesë si tejet interesant dhe të veçuar, edhe në Mediet zvicerane, qofshin ato vizive apo të shkruara.

Natyrisht, që edhe rekomandimet e udhëheqësve të hoteleve dhe restoraneve në favor të Ibraim Zilit do ta bëjnë efektin e vet.

Kështu që në verën e vitit 2007, Zyra Federale për të Huaj në Bernë, merr vendim që Zilit, dhe familjes së tij t’i njihet qëndrimi në Zvicër.

Ibraim Zili pa qenë as edhe një ditë të vetme barrë e arkës së shtetit, tani me qëndrim të zyrtarizuar merr angazhime shtesë.

Ai, fillon detyrën prej mësimëdhënësi në Institutin hotelier me famë botërore “Ecole hoteliere de Lausanne” më çfarë arsyeton plotësisht përkrahjen e miqve zvicranë ndaj tij.

Rrugën e suksesve të babait po e trason Florian Zili

Floriani, që para një jave ka mbushur 16-vjet, krahas suksesit në mësime po shënon rezultate të jashtëzakonshme edhe në basketboll.

Ekspertë të shumtë të këtij sporti të popullarizuar si në Zvicër, ashtu edhe jashtë saj Zilin, po e shohin si shpresë të basketbollit helvetik, dhe të atij botëror.

Klubi ku Floriani, luan quhet “Pully Lausanne Foxes”, që sivjet mbush 69 -vjetorin e themelimit. Selia e skuadrës është në paralagjen Pully të Lozanës.

Ngjyrat e fanellave të skuadrës janë kuq e bardhë. Takimet si vendase ekipa i zhvillon në palestrën e sporteve “Arnold – Reymond” të Pully.

Floriani, luan në të ashtuquajturin grup CPE, i njohur ndryshe edhe si Asociacioni i promovimit të top talentëve të Zvicrës, në basketboll.

Ai, po ashtu është edhe pjesë e grup-moshave U-17 të kombëtares zvicerane. Zili i plotëson të gjitha kushtet prej lojtari perspektivë dhe me një të ardhme të ndritur.

Trajnerët: Lorik Zili, Eric Eduge, Michel Voide, Eldin Maksutoviq, Milan Mrkoniq dhe Giorgio Mihovski, janë të impresionuar me lojën e shkëlqyer të Zilit.

Ai,të shumtën e herëve është në listën e shënuesve më të mirë. Realizimet e tij prej tri pikëve vijnë jashtë harkut të trekëndëshit që ka distancë prej 6,25 metra nga koshi.

Zhdërvjelltësia dhe respektimi me përpikmëri i rregullave të lojës kanë bërë që Florian Zilin, ta lakmojnë edhe shumë skuadra të njohura të Kroacisë, Sllovenisë, madje edhe të Serbisë.

Udhëheqësit e seleksionit të Zvicrës, në basketboll duke vlerësuar talentin e rrallë të Zilit, i janë drejtuar Zyrës së Natyralizimit në Bernë, me kërkesën që këtij basketbollisti shpresë të Zvicrës, t’i përshpejtohet procedura e dhënies së shtetësisë së këtij vendi.

Mbase, është vërejtur edhe interesimi serioz i trajnieres përgatitore në skuadrat e NBA-s, Laquita Thompson, që tetovarin Zili, si një talent të papërseritshëm ta sjellë në ndonjë klub profesionist të basketbollit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zonja, Thompson e ka vëzhguar disaherë Zilin, me paraqitjet e të cilit është ndarë shumë – shumë e kënaqur.

Të gjithë shpresojmë që Zili, së shpejti do të bëhet mburrja jonë në këtë sport atraktiv, dhe të episodeve mjaft tërheqëse.

- Reklama -

Më shumë shkrime

Shkrimet e fundit