Flirti i Vetëvendosjes me islamin politik, alkimi e rrezikshme

0
1088

Nga Salih Mehmeti *) – 6 Qershor 2017b – Konica.al

Kushdo që e ka përcjellë Vetëvendosjen ndër vite, prej një lëvizje që rezistencën urbane e kishte si avatar të identitetit të saj e deri te një parti me grimasën e lehtë të burokracisë së pashmangshme, mund ta ketë vërejtur maturimin e diskursit të saj në fushatën zgjedhore të sivjetme.

Duke përfituar jo pak që partitë shemra të saj garojnë me kandidatë që lënë shumë për të dëshiruar, Vetëvendosje sikur ka shijuar për të parën herë fodullëkun e saj intelektual. Larg etheve të militantizmit ordiner, Vetëvendosje ka zhvendosur theksin prej temave madhore tek përditshmëria kosovare: hallet ekonomike.

Ditëve të fundit, kandidati për kryeministër i Vetëvendosjes, Albin Kurti, sakaq doli jashtë këtyre kordinatave në rravgimin e tij të përhershëm për të qenë protagonist i finaleve të mëdha historike.

Përpjekja për t’u kapilarizuar në shoqërinë kosovare e bëri agjendën islamike si pjesë të premtimeve të Vetëvendosjes.

Në deklarimet e fundit për media, ai ka thënë se do ta luftojë islamofobinë në vend (sic!), duke shprehur bindjen se ‘ekstremizmi fetar’ është sajuar për të sfumuar probleme më të thella.

Me këtë rast, kandidati për kryeministër i Vetëvendosjes ka simpatizuar me idenë, që të lejohet përdorimi i shamisë në institucionet publike dhe mësimi fetar të jetë pjesë inherente e kurrikulave të shkollave fillore dhe atyre të mesme në Kosovë.

Mantra e Vetëvendosjes nuk forcohet duke e indulguar prozelitizmin islamik, që është harlisur për vite me radhë përballë pafuqisë së shtetit, çakërdisjes shoqërore dhe ‘vdekjes’ së devizave të mëdha.

Të bësh premtime për një ‘komunitet’, që është krijuar nga Riadi e Ankaraja, është si të natyralizosh ekzistencën e tij dhe të pranosh diktatin nën termat e tij.

Në realitetin tonë, baraspesha mes nacionalizmit dhe socialdemokracisë mund të prishet në momentin kur kjo e fundit orvatet t’i shkërbejë ultra-majtizmit liberal, duke u bërë shtrojë e proziletizmit islamik, në një hakërrim donkishotesk kundër kapitalizmit dhe sipranisë amerikane.

Nga statistikat e mëposhtme mund të përftohet edhe rrënja e realitetit të sotëm në Kosovë: buxheti i parë i Kosovës së pasluftës në vitin 2001 ishte 500 milionë marka gjermane (që i bie 255 milionë euro). Me kapacitete të tilla të ligshta duhej të rimëkëmbej ekonomia e shkatërruar dhe të ngriheshin institucionet shkollore dhe spitalet e zhuritura nga zjarri i luftës.

Në të njëjtin vit, Komiteti i Përbashkët Saudit për Ndihmë ndaj Kosovës dhe Çeçenisë ka pasur një buxhet të deklaruar prej 4 milionë rijalë, me anë të të cilave është krijuar tabani ideologjik i islamit politik. Me petrodollarë të tillë është krijuar një brez i ri militantësh me frymëzim salafist, janë ndërtuar 200 xhami të reja dhe qindra organizata prozelitiste kanë shtyrë përpara agjenda të dyshimta islamike.

Rrjedhimisht, çështja e shamisë dhe mësimit fetar nëpër shkollat laike më së paku ka të bëjë me të drejtat njerëzore: legjitimimi i islamit militant ka pasoja largvajtëse në rrëgjimin e kohezionit shoqëror dhe kombëtar në Kosovë.

Prej shpalljes së pavarësisë në vitin 2008 e deri më sot, në Kosovë ndihet gjithnjë e më shumë fryma e një vigjilentizmi fetar. Ndjeshmëria për subjekte islamike, që as nuk tangentojnë me Kosovën, është rritur tek të rinjtë. Javë më parë, në një paralagje të Beogradit, në Zemun, është rrënuar një xhami e cila ishte pronë e Bashkësisë Islame të Serbisë. Ndonëse frekuentuesit e saj, përfshirë edhe imamin e saj, ishin kryesisht romë të serbizuar dhe boshnjakë, rrënimi i saj apeloi gjithandej myslimanërisë në Kosovë. Pra lojaliteti shpirtëror i një kategorie në Kosovë nuk qendërzohet rreth një seti interesash qytetare dhe kombëtare, por kërkon të mplekset me islamin global.

Rinegocimi i identitetit dhe ndjesimi i vetes si pjesë e një komuniteti botëror islamik ka shtuar padurimin dhe intolerancën. Brezi i ri i mëkuar me islamin politik nuk ndien as më të voglën empati për çështje kombëtare, madje bezdiset nga ‘çikërrima’ të tilla përballë Sirisë, Irakut, Palestinës, ujgurëve në Kinë, myslimanëve në Kashmir, atyre në Burmë…

‘Islamofobia’ është bërë një rrufepritëse efektive e qarqeve prozelitiste në Kosovë; përmes një stigme të tillë relativizohet çdo kritikë ndaj islamit militant

Dhe standardet e dyfishta të islamikëve në Kosovë të cingërisin jo pak nervat, veçmas kur për qëllime të luftës psikologjike luhet me përqindje.

Shumicën e herëve, ata thonë se 97% e popullatës janë myslimanë, prandaj gjithçka duhet t’i nënshtrohet vullnetit të tyre, duke nënkuptuar edhe rimodelimin e vlerave dhe përbrendësimin e tyre. Të njëjtët nuk e kanë problem të paraqiten edhe si pakicë ‘endemike’, duke kërkuar statusin e të mbrojturit nga mjedisi diskriminues.

Së këndejmi, loja e Kurtit me islamin militant ka të ngjarë të bëhet një alkimi e rrezikshme. Trupëzimi i agjendave prozelitiste në programe partiake e premtime zgjedhore paraqet triumfin e parë historik të islamit politik në Kosovë.

*) Autori ka qenë bashkëpunëtor i afërt me themeluesin e VV-së, Albin Kurti