Nga Frank Shkreli, Tiranë, 11 shtator 2018
Përshëndetje dhe falënderimet e mia të gjithëve për pjesëmarrjen tuaj. Një falënderim i veçantë u shkon folësve për fjalët e tyre fisnike. E ndjejë veten tepër të nderuar me pjesëmarrjen tuaj në këtë bashkbisedim vëllazëror. Me disa prej jush, kam pas nderin dhe privilegjin të takohem, kryesisht, në rrethana zyrtare, por edhe shoqërisht, gjatë 30-viteve të periudhës post-komuniste, këtu në Tiranë, në Washington ose në Nju Jork, duke filluar nga marsi e prilli i vitit 1991, menjëherë pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteteve të Bashkuara.
Fillimisht, më lejoni të falënderoj, në mënyrë të veçantë, dy individë, miq dhe kolegë të mij të ngushtë, të cilët kanë mundësuar këtë bashkbisedim vëllazëror sot me ju dhe të cilët njëherazi edhe kanë sponsorizuar botimin e tre vëllimeve të librit, “Demokracia nuk pret”: Botuesin e gazetës Telegraf, Z. Agim Çiraku dhe Kryeredaktorin e kësaj gazete, Z. Engjëll Musai. Në të vërtetë, po të mos ishte gazeta Telegraf dhe udhëheqsit e saj, nuk besoj se do të isha sot këtu para jush. Ishin Ëngjëlli dhe Agimi ata të cilët para më shumë se 10-vitesh më ftuan të bashkpunoja me gazetën Telegraf. Ata më kanë inkurajuar dhe më kanë mbështetur pa ndërprerje dhe pa rezerva, megjithë pikëpamjet e mia politike që shpesh mund të jenë ndryshe nga ato që mbizotërojnë në hapësirat e gazetarisë shqiptare.
Ishte gjithashtu ideja e Agimit dhe Engjëll që shkrimet e mia, të botuara rregullisht në gazetën Telegraf, të përmblidheshin në këto tre vëllime që kemi përpara. Vëllimi i parë, “Demokracia Nuk Pret” — është botuar para një viti nga Shtëpia botuese, Morava — të cilën gjithashtu e falënderoj sinqerisht edhe për botimin e vëllimeve II dhe III.
Agimi dhe Engjelli më kanë dhënë absolutisht dorë të lirë dhe pavarësi të plotë në përzgjedhjen e subjekteve si dhe përmbajtjen e lëndës. I falënderoj nga zemra dhe u jam mirënjohës për gjithmonë, për miqësinë, respektin dhe kujdesin që kanë treguar ndaj meje.
Siç e dini shumë prej jush, unë, kam punuar pranë Zërit të Amerikës për 30-vjetë, ku bashkë me shumë kolegë gjatë viteve, jemi përpjekur të japim kontributin tonë modest në shërbim të zhvillimeve demokratike të Atdheut të parëve tanë dhe të forcimit të marrëdhënieve midis dy kombeve tona mike. Në Zërin e Amerikës, për më shumë se 7 dekada të ekzistencës së tij – u përpoqëm t’a bëjmë këtë me fuqinë e fjalës së lirë, në shërbim të së vërtetës.
Është në këtë frymë të fjalës së lirë, të vërtetës dhe objektivitetit, që jam përpjekur të shkruaj edhe për gazetën Telegraf dhe media të tjera edhe pasi kam dalë në pension nga Zëri i Amerikës — përfshirë shkrimet e përmbledhura në këto tre vëllime të “Demokracia nuk pret”.
Gjithë jetën jam munduar t’i paraqes mendimet e mia në frymën e vëllazërimit, pa urrejtje, pa sharje e pa ofendime ndaj askujt dhe gjithmonë duke ndejtur larg përçarjeve të momentit, por duke u munduar njëkohsisht të pasqyroj virtytet më të shëndosha të kombit tonë, në një frymë të promovimit të dialogut dhe të mirëkuptimit midis shqiptarëve.
Ata që mund të kenë ndjekur shkrimet e mia modeste, kanë venë re se në ‘to jam përpjekur të pasqyroj dhe të promovoj, ndër të tjera, dëshirën e shumicës së shqiptarëve për integrim të plotë në strukturat politike, ekonomike dhe ushtarake euro-atlantike — si një komb që ndien thellësisht, në palcën e tij, nevojën e lartësimit moral dhe qytetar, duke theksuar se ai në vetvete, i ka të gjitha aftësitë dhe mundësitë për t’u rreshtuar me kombet më të përparuara.
Por, duhet të jemi të sinqert me veten dhe me tjerët se shqiptarët i ka penguar diçka që të zenë vendin e tyre aty ku u takon, me kombet e tjera, se pranvera e demokracisë shqiptare, si në Shqipëri, në Kosovë, ashtu edhe anë e mbanë trojeve shqiptare, nuk ka çelë ende lulet që prisnim dikur e për të cilat presim gjithnjë.
Prandaj kemi ruajtur gjithnjë titullin, “Demokracia nuk pret” për të tre vëllimet – një titull që në të vërtetë është sugjeruar nga miku im, Dr. Halim Kosova. Shqiptarët kurrë më parë në historinë e tyre nuk kanë qenë më të lirë se janë sot, por zhvillimi i demokracisë së vërtetë është diçka tjetër. 30-vjetë më parë, Shqipërinë e donim si e gjithë Evropa.
Është e drejtë e secilit prej nesh që të interpretojmë, të analizojmë dhe të gjykojmë tranzicionin politik post-komunist, pasi këtë na e mundëson kjo demokraci, sado e brishtë, cilido qoftë mendimi ynë për zhvillimin e saj të deritanishëm. Edhe unë jam munduar që në shkrimet e mia – në mënyrën më modeste — të them fjalën time – megjithse larg gjeografikisht, me Shqipërinë, me Kosovën dhe me trojet tona në përgjithësi, por shumë afër me zemër — dhe për këtë mundësi gjej rastin të falënderoj edhe lexuesit për mbështetjen e tyre të vazhdueshme.
Përveç zhvillimeve demokratike në trojet shqiptare, ndër subjektet e tjera që jam përpjekur të trajtojë shpesh janë edhe marrëdhëniet historike dhe rëndësia e tyre, midis Shteteve të Bashkuara dhe Kombit shqiptar. Jam munduar gjithashtu të kujtoj edhe personalitete të njohura politike dhe intelektuale, jo vetëm të diasporës shqiptare, por edhe të tjerë, anë e mbanë trojeve shqiptare, të cilët ish-regjimi komunist i kishte përjashtuar nga historia, por të cilët, ma merrë mendja mua, se duhen vlerësuar për kontributin e çmueshëm të tyre, në historinë e Kombit shqiptar.
Kam venë në dukje gjithashtu edhe veprimtarinë e personaliteteve moderne të politikës amerikane dhe rolin e tyre në historinë e re e të vjetër të shqiptarëve — dhe mbështetjen e tyre të sinqert për të drejtat bazë të njeriut për shqiptarët në trojet e veta. Miqë të Kombit shqiptar pra, të cilët janë shquar me dekada, sidomos për ndihmesën e tyre historike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, por njëkohësisht edhe si promovues të forcimit të marrëdhënieve midis dy kombeve tona dhe të integrimit të shqiptarëve në organizmat euro-atlantike.
Lidhjet shqiptaro-amerikane, për të cilat kam shkruar një numër artikujsh gjatë viteve, janë aq të vjetra sa është edhe diaspora shqiptare atje. Ato kanë filluar në vitet e para të shekullit të kaluar, në kohën e kolosëve të Federatës Pan-Shqiptare VATRA, Fan Nolit dhe Faik Konicës. Atëherë, si edhe më vonë pas shembjes së komunizmit në Shqipëri si dhe para dhe gjatë luftës në Kosovë — komuniteti shqiptaro-amerikan, ka luajtur dhe vazhdon të luaj rolin kryesor në çimentimin dhe përparimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve, të cilat diaspora shqiptare në Amerikë –pa dallim orientimesh politike — i ka konsideruar dhe i konsideron ato gjithmonë si të pa zevëndsueshme për interesat jetike të Kombit shqiptar.
Një subjekt tjetër që jam përpjekur të trajtoj, nga koha në kohë, janë edhe marrëdhëniet ndërkombëtare dhe se si ato prekin interesat shqiptare, sidomos këtu në hapësirën e Ballkanit Perëndimor. Jam munduar të jap alarmin për shtimin në rritje e sipër të përhapjes së influencës së Rusisë së Putinit dhe të Turqisë së Erdoganit në trojet shqiptare. Në atë mënyrën time, kam paralajmëruar edhe mbi rrezikun e flirtimit të autoriteteve të larta shqiptare me udhëheqsit autoritarë të këtyre vendeve, si diçka që nuk është në interesin afat gjatë të Kombit shqiptar.
Të drejtat e njeriut në përgjithësi, liria e shtypit dhe liria e fjalës në veçanti, jo vetëm për shqiptarët por për të gjithë popujt e botës, janë një subjekt që më ka interesuar gjithë karierën time. Viktimat e komunizmit ndërkombetar dhe të atij shqiptar si dhe të drejtat e tyre, atëherë dhe sot, janë diçka që i kam pasur gjithmonë afër zemrës.
Për të gjitha këto subjekte, në mënyrën time modeste, në shkrimet e mia kam pasqyruar mendimet dhe qëndrimet e mia personale por edhe të atyre të cilëve, për arsye të rrethanave historike nuk u është dhënë mundësia as e drejta të flasin për veten dhe të shprehin lirisht mendimet e tyre.
Por, në shkrimet e mia, mos u mundoni të gjeni promovimin e ideve ose të qëndrimeve të shumicës, ose pakicës politike, ose preferencat e të fuqishëmve dhe të autoriteteve qeveritare, të cilës do palë qoftë, sepse nuk do t’i gjeni në shkrimet e mia. Objektivi im gjithmonë ka qenë dhe është, për të mos qenë kritik ose pesimist, vetëm për hir të qenët kritik, por me qëllim për të qenë gjithmonë i qartë në mendime, ndërtues dhe jo shkatërrues me fjalë as me vepra.
Prandaj, ashtu siç përpiqem të përfundoj shumicën e shkrimeve të mia me një frymë ndërtuese, më lejoni ta mbyll këtë bisedë me një notë optimiste. Nga njëherë gjatë këtij tranzicioni të tej-zgjatur, shumë vetave u duket, ndoshta me të drejtë, sikur dielli ynë i demokracisë së vërtetë të ketë humbur rrugën në vranësirat e jetës politike shqiptare, ose të pakën ai diell të ketë devijuar nga rruga që duhej të ndiqte në jetën tonë post-komuniste.
Por, megjithë vështirsitë, me të cilat përballen sot shqiptarët, si popull dhe si komb, dhe megjithë kritikat e mia ndaj klasës politike të këtyre 28-vjet post komunizëm, gjithmonë qëllim-mira, e që mund t’i keni lexuar ndonjëherë edhe në shkrimet e mia modeste, sidomos ndaj disa fenomeneve politike shqiptare — unë jam i bindur se dielli i demokracisë shqiptare nuk e ka humbur rrugën, as nepër “vranësirat” politike të këtij tranzicioni, por mendoj se, mbi të gjitha, me besim në vetvete, nodnëse me shumë sfida përpara, ky diell do udhëheq botën e re shqiptare drejtë një të ardhme më të bukur për fatin e Kombit.
Rrethanat dhe sfidat e sotëme politike, ekonomike, shoqërore e të tjera, me të cilat përballet Kombi shqiptar, mund të duken të ndërlikuara, nganjëherë të rënda dhe kaotike për fisin shqiptar, siç janë mungesa e bashkpunimit dhe dialogut politik, pështjellimi i ideve, dhe grindjet e kacafytjet politike midis partive politike dhe përfaqsuesve të tyre në kuvendin e Shqipërisë dhe të Kosovës. Por, Ernest Koliqi, në kohën e tij, të gjitha këto probleme dhe sfida i ka cilësuar si, “Dëshmi e një gjallënie të pashueshme në gjakun arbnuer – që shërbejnë si shkas farzues e gratçuer n’errësi të nenvetëdijes së Kombit, të cilat njëkohësisht sajojnë fytyrën e re të tij, në pasqyrë të moteve të reja.”
Një fytyrë e re në pasqyrën e moteve të reja për Kombin Shqiptar, është lutja dhe shpresa ime dhe e të gjithë shqiptarëve që ia duan të mirën Kombit të vet, por Demokracia nuk pret gjithmonë, siç sugjeron edhe titulli i tre vëllimeve që kemi përpara.
Por, megjithë sfidat me të cilat përballen shqiptarët sot, ia vlen të jemi optimist për një të ardhme më të mirë e më të bukur, sidomos në këtë vit kushtuar Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skenderbe – se Kombi shqiptar do të dalë ngadhnjyes mbi të gjitha sfidat me të cilat përballet sot. Shkrimtari Ismail Kadare, me rastin e Shënjtërimit të Nënë Terezës ka thënë: “Gjergj Kastrioti, simbol i vullnetit tonë për liri dhe qytetërim evropian, libri i Gjon Buzukut, mëshirimi i etjes së shqiptarëve për kulturë dhe dritë, dhe Nënë Tereza — mëshirimi ynë i madh i harmonisë, përdëllimit dhe dashurisë për popujt dhe njerëzimin mbarë — janë vlerat tona morale ato që do të na shoqërojnë përherë në rrugëtimin tonë të madh”, drejt moteve të reja.
U falënderoj nga zemra për pjesemarrjen, respektin dhe për durimin. Zoti qoftë gjithmonë me Shqiptarët!