Fjala me rastin e përurimit të bustit të Mons. Zef Oroshit në Lezhë

0
137
Mons. Zef Oroshi - busti

Nora Laçi

I nderuar kryetar i Bashkisë Lezhë z. Pjerin Ndreu,
Të nderuar klerikë e të ftuar,
Të nderuar familjar,

Sot përpara nesh qendron stoik një bust që ka një domethënie të madhe për të, për historinë e Shqipërisë dhe për historinë e krishërimit ndër shqiptar, ka domëthënie për familjen dhe të gjithë që e kanë njohur mons.dr.Zef Oroshin themeluesin e kishës së parë katolike shqiptare në SHBA. Bashkia Lezhë ka nderuar figurën e tij, por së pari ka nderuar vehten sepse një personalitet i këtyre përmasave është vlerë e shtuar për historinë e një vendi.

Veprimtaria e tij është e njohur në komunitetin shqiptar në SHBA, bashkëpunimet e tij me klerikë të feve të tjera kanë qenë pjesë e punës së tij të përditshme. Largpamësia e tij kalon lokacionet, ai afroi shqiptarët pa dallim.

Fryma e tij karizmatike, vuajtjet dhe fisnikëria e shpirtit të tij, kontaktet e shpeshta me senatorët dhe kongresmenët amerikanë antikomunistë me peshë asokohe, bënë që mons. Oroshi të admirohej shumë në diasporën shqiptare në SHBA, sepse kishte arritur të krijonte lidhje të forta me ta.

Por kush ishte mons. Oroshi ?!

I lindur në nëntorin e 1912 në Kaftall të Mirditës. Mësimet e para i merr në Shkodër ndërsa studimet e larta filozofike e teologjike i ndjek në universitetin Urbaniano të Propagandës Fide në Romë përgjatë viteve 1936-1940. Dom Zefi u shugurua meshtar në Romë në vitin 1940. Shërbeu si ndihmës dhe sekretar i Abatit të Mirditës mons.Frano Gjinit si dhe ishte famulltar në kishën e Shen Nikollës në Spac. Pas 2 vitesh shërbim në Abacinë e Oroshit u vendos famulltar në kishën e Shen Magdalenes në Ungrej.

Rrjedhojat e ngjarjeve me fitoren e komunizmit në Shqipëri lëkundi themelet e kishës katolike duke parë përsekucionin e vëllezërve të tij klerikë, rradha shumë shpejt i erdhi dhe atij. Teksa jepte meshë në Ungrej në fillim të viteve 50’ u rrethua nga sigurimi i shtetit por ia doli të arratisej dhe të shpëtonte duke dal fillimisht në Kosovë e më pas për të vazhduar rrugëtimin që kishte nisur pranë gjirit të komunitetit shqiptar në SHBA.

Duke shfletuar sot librat që janë botuar për veprimtarinë e tij ne njihemi me qindra letra dhe telegrame, dokumente, foto, artikuj dhe mesazhe derguar qindra klerikëve, ipeshkvijve dhe Kardinalit të New York-ut asokohe, mesojmë, se prelati mirditas shqiptar, respektohej gjerësisht edhe nga meshtarët amerikanë, që për të ishin vëllezërit e tij në Krishtin. Është meritë e biografit të tij z.Tomë Mrijaj që ka vënë në pah veprimtarinë e tij përmes disa botimeve mjaft serioze.

Përveç kësaj, ai ka rendur sa në një shtet të Europës në një tjetër, në vitet tranzitore të mërgatës, duke ndjekur hap pas hapi sistemimin e emigrantëve shqiptarë, që u vendosën pastaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mes të viteve ‘60.

Ai mbështeti fuqishëm komunitetin shqiptar, pavarësisht besimit fetar.

Monsinjori, ishte një shkenctarë, enciklopedik, njihet shumë mirë traditat dhe zakonet shqiptare, studime të thella gjuhësorë e kulturorë etj.

Studiuesi i albanologjisë mons dr. Zef Oroshi, ka studime hulumtuese të ndërthurur mjeshtërisht me kujtime të përjetuara, për bashkëkohësin dhe mikun e tij të ngushtë, Fortlumturinë e Tij imzot Fan Stilian Nolin.

Ai ka një veprimtari të pasur dhe të ngjeshur intelektuale, në fushën e studimeve dhe publiçistikës shqiptare.

Mirditori inteligjent, për shumë dekada, ka botuar me qindra artikuj cilësorë, hulumtime me profile të ndryshme në shtypin e kohës së diasporës, duke u mirëpritur me shumë interes nga redaksitë e organeve të ndryshme të shtypit si dhe nga albanalogët e shumtë, profesorë të huaj dhe shqiptarë, që kishin studiuar në universitetet më të famshme të Europës Perëndimore.

Së pari falenderojmë biografin z.Tomë Mrijaja i cili ka njohur opinionin mbarë kombëtar me veprimtarinë e mons.dr.Zef Oroshit, z.Vikor Gjikolaj Kryetari i Klubit Letrar “Ndoc Gjetja” që ka bërë kërkesen për tu vënë busti, falenderojmë për këtë punë Bashkinë e Lezhës që e ka miratura, një falenderim të veçantë e meriton skulptori Sadik Spahija për punën e tij, po ashtu dr.dom Nikë Ukgjinin që ka bashkëpunuar ngushtë me Bashkinë e Lezhës për gjithçka. Nuk mund të lë pa përshëndetur dy djemt e vëllezërve të monsinjorit z.Gjon Prendi dhe Nikoll Prendi me djemt e nipat e tyre.

Çdo gur, që është hedhur mbi personalitetin e tij, ka formuar një kështjellë monumentale, që nuk mund të rrëzohet dot.

Ju faleminderit !