Marrë nga Panorama.al
Kritiku i ashpër i kryeministrit Rama, deputeti socialist Ben Blushi ka lëshuar sot akuza të forta në drejtim të kreut të qeverisë, duke e quajtur një të paaftë të madh.
Gjatë fjalës në Kuvend, Blushi ka barazuar Ramën me Berishën në paaftësi dhe dëmin e madh që i kanë shkaktuar e po i shkaktojnë përditë vendit.
Blushi e nisi fjalën me shkatërrimin e masakrimin që me dashje qeveria po i bën interesit publik në favor të atij privat e për interesa private.
Fjala e Blushit
Ky Parlament jo vetëm nuk e mbron, por e shantazhin, e masakron interesin publik të qytetarëve shqiptarë. Ka një koncept të pranueshëm nga të gjithë se çfarë është interes publik. A e mbron interesin publik, a po merr sot ndonjë vendim për të mbrojtur interesin publik të shqiptarëve sa i takon pronës, jetës, arsimit dhe shëndetësisë? Të gjitha të drejta themelore. Për të kuptuar çfarë është interesi publik dhe për të thënë si mbrohet apo si sabotohet ai po jap një rast dhe ky nuk ka ndodhur shekullin e kaluar, por para një jave.
Një grua me tre fëmijë po shkonte për të parë burrin e saj në burg. Shteti me dashje i kishte cenuar mundësinë për tu mbrojtur nga rruga. Aksident jo nga pakujdesia, por nga sabotimi i interesit publik. Vdiqën dy fëmijë. Do tua them edhe pse u fut ai në burg. A foli njeri për këta dy fëmijë që humbën jetën? Po për një familje që u shkatërrua? Askush nga këta. Aq më pak ai, që duhet të fliste më shumë, Kryeministri i Shqipërisë. Po çështja është kush e hoqi trafikndarësen? Një interes privat. Ato 10 metra kangjella të hequra masakruan dy fëmijë dhe një familje që nuk do ta marrë më kurrë jetën.
Kush e dëmtoi interesin publik? Ua them unë kush e dëmtoi. Interesi privat. Nevoja e qeverisë për të mbrojtur interesin privat para interesit publik shkaktoi dy viktima, një tre vjeç, një pesë vjeç dhe bashkë me ata edhe prindërit e tyre. Po pse ishin hequr ato 10 metra ndarëse trafiku? Ishte pakujdesi? Nuk kishte para? Ishte borxhi shumë i lartë dhe nuk e rregullonin dot rrugën? Jo. Ishin hequr për ti shërbyer një karburanti privat. Kë mbrojti në këtë rast qeveria? Karburantin privat. A keni parë prej 10 ditësh që ka ndodhur aksidenti të shkojë shteti atje dhe të rivendosë kangjellën që hoqi për të mbrojtur një karburant privat? Jo. Shikoni me çfarë llogjesh merren.
Do tu them edhe tjetrën, pse përfundoi kjo familje në burg? Sepse babai i këtyre vajzave që shteti nuk i mbrojti, por i çoi në humbje jete, ky kishte ndërtuar një çati në tokën e tij. Nuk kishte zaptuar ndonjë tokë dhe përfundoi në burg prej 6 muajsh. Sa para atij duhet të ishin në burg, edhe nga ky parlament? Që zaptojnë prona? Interesin e kujt mbron qeveria, interesin privat, apo interesin publik? Apo interesi publik cenohet vetëm kur vjen puna te të varfrit?
Doni tu jap një rast tjetër? Është rasti i fundit në Sarandë që tregon se si mbrohet dhe në fakt se si cenohet dhe sabotohet interesi publik në Shqipëri. Ka tre ditë që flitet për një trafik të madh droge në Sarandë. Nuk e di kush është ai njeri, kujt i ka dhënë më shumë para, Rilindjes, PS-së, PD-së, apo LSI-së. Kjo nuk më intereson. E dini çfarë më intereson? Ky njeri është akoma në punë sot, deri dje në paktën. Për çfarë thotë qeveria e kam hetuar prej tre muajsh dhe ai vazhdon punë? Ai hetohet pikërisht për punën që bën, për transportin. Ajo ishte detyra e tij, drejtor i transportit. A mbrohet këtu interesi publik? Jo, këtu mbrohet interesi privat.
Ne këtu ndahemi në mbrojtës të interesit publik dhe cënues të interesit publik dhe qeveria në shumë raste e saboton interesin publik. Po u marr një rast tjetër. Këtu ka çudira. Ky është bërë kryeministri më i çuditshëm në këto anë që po jetojmë. Ishin disa protestues dhe çfarë ndryshonin ata që dolën dje te Gjykata? Nuk ndryshonin. Ata shkuan të protestojnë për një stadium me majuc. Doli kryeministri dhe tha “nëse doni të merrni një vendim, shkoni merrni vota”. Nuk ka gjë më cinike se kaq, nuk ka gjë më mendjelehtë se kaq, më fyçkë se kaq. Po pse mor zotëri, një mësues që ankohet për një padrejtësi duhet të bëjë një parti që ta zgjidhë atë punë? Një fukara që ankohet se asistenca ekonomike është e pamjaftueshme duhet të bëjë një parti që të marrë vota?
Kush ka të drejtë të marrë vendime? Vetëm ata që kanë vota? Vetëm ne 140 që jemi këtu? Kjo nuk është një fjalë prej një mendjelehti, kjo është shprehje e një njeriu të paaftë, i cili për fat të keq prej 3 vjetësh po na provon që e vetmja cilësi që ka është paaftësia. Unë e kam quajtur mediokritet, por kjo është një fjalë pak e bukur, nuk i takon. Edi Rama është i paaftë për të na qeverisur, po administron Shqipërinë shumë keq prej tre vjetësh dhe po të doni e vazhdoj këtë debat sa të doni. Por nuk është vetëm kaq. Herën e kaluar ika nga ky Parlament, katër orë foli kryetari i Rilindjes, katër orë të tjera foli ky ish kryetari i Lindjes, se kështu i ndaj tani. Dhe çfarë është Lindja? Nga lindja na kanë ardhur të gjitha këto problemet që kemi sot. Lindja është dhunim, mediokritet, paaftësi, vjedhje votash, represion brenda partisë. Këtë po bën edhe kryetari i Rilindjes.
E vetmja gjë që Edi Rama po bën prej tre vjetësh, është që po lyen me bojë gërmadhën e Sali Berishës. Ajo mbetet prapë gërmadhë, lyeje si të duash. Vëri strehë siç ka ndodhur te kryeministria, ajo mbetet prapë gërmadhë. Kjo është puna e Edi Ramës në tre vjet. Dhe çfarë ndodh në këtë Parlament? Konkurrojnë të dy me njeri tjetrin, po konkurron e djeshmja me të pardjeshmen, një paaftësi e vjetër, me një paaftësi të re. Kush është bilanci i tyre në 25 vjet? Kryetari i Lindjes ka 25 vjet që drejton, ky tjetri ka 18 vjet.
Çfarë është bilanci sot i Shqipërisë? Shpopullim, papunësi, rënie ekonomike, ikje e investimeve të huaja, mungesë besimi te shteti, cenim sovraniteti. Po na bëjnë qesharak, sepse jemi të paaftë, drejtohemi nga dy të paaftë, një i djeshëm, një i sotëm. Tu them për çfarë konkurrojnë këta të dy. Katër orë seancën e kaluar, katër orë sot. Kush ka shkaktuar më shumë papunësi në Shqipëri, Sali Berisha apo Edi Rama. Kjo është konkurrenca. Kush ka hequr më shumë njerëz nga puna respektivisht, kush po merr më shumë borxh publik. Për këtë po konkurrojnë. Njëri thotë kam marrë 1.6 miliard, tjetri thotë kam shlyer 2.2 miliard. Në total jemi 75% borxh publik dhe mohojeni po të doni.
Ka ardhur koha ta themi pa hezitim, është konkurrencë në paaftësi. Rama foli sot për tre pika. Tha se fakti që po vijnë kinezët në Shqipëri është shumë mirë. Edhe unë them shumë mirë, nuk kam asnjë paragjykim. Pyetja nuk është pse vijnë kinezët se ata janë tregtarë, pyetja është pse ikin gjermanët dhe kanadezët. Çmimi i naftës po rritet, pse ikën një kompani kanadeze? Pse ikën një kompani gjermane nga aeroporti? Ka një imazh. Shkoni në një fshat të vogël dhe nëse aty shikoni vetëm gërmadha askush prej jush nuk shkon të bëjë pushime. Po nëse shikoni që ka një hotel të mirë dhe gatuhet mirë, dhe ka njerëz normal aty do shkoni prapë për pushime. Kështu është edhe rasti jonë. Nëse nga Europa dhe SHBA shohin që këtu investojnë vetëm kinezë edhe turq (shumë mirë që investojnë) dhe shohin që gjermanë e kanadezë ikin, mendoni se do vijnë prapë gjermanë dhe kanadezë të tjerë? Nuk besoj.
Kjo ndodh vetëm për një arsye sepse ekonomia jonë po bie dhe ka më pak konsum. Kinezët kanë më shumë para sot, kanë më shumë mundësi të durojnë, ndërsa të tjerët nuk mund të durojnë që këtu të ketë rënie konsumi, rënie klientele. Foli për çështjen e pronave. Pronat nuk janë reformë, por deformim i paparë i asaj çfarë mund të ishte një reformë. ky është totalisht i paaftë. Nuk ka ligj për të kthyer pronat, por për trajtimin e pronës. Ky nuk matet me metrin e së ardhmes, por me metrin e së djeshmes. Bën konkurrencë me Saliun. Tha se ne jemi krenarë që po paguajmë 500 milionë euro për pronat e pakthyera. Unë kam një pyetje, pse ti merr lekët e mia për tua dhënë atyre që mund ti kompensosh fizikisht? A ka Shqipëria një fond publik, prona të pakthyera? Ktheja pronarëve dhe ditën që ato nuk mjaftojnë fut dorën në buxhet për ti kompensuar. Kjo nuk po ndodh.