Fitore me përgjegjësi të lartë historike!

0
338
Vjosa - Albini

Shkruan: Florim Zeqa, 15.02.2021

Meqenëse është adresimi im i parë publik pas zgjedhjeve, duke e respektuar në përpikmëri vullnetin e sovranit, shfrytëzoj nga rasti t’ua urojë fitoren të gjithë votuesve dhe mbështetësve të LVV-së, por njëkohësisht edhe t’i përgëzojë të gjithë qytetarët e vendit dhe mërgimtarët për sjelljen dinjitoze dhe nivelin e lartë demokratik.

Edhe përkundër gjuhës së ashpër dhe përçarëse të liderëve partiak gjatë fushatës zgjedhore, qytetarët e Kosovës treguan maturi, kulturë të lartë dhe sjellje civilizuese, por mbi të gjitha treguan nivel të lartë demokratik, i cili duhet t’u shërbejë si shëmbull të gjitha vendeve të rajonit.

Vota për ndryshim e qytetarëve të vendit, për më tepër se votë për LVV-në, ishte votë plebishitare për ndëshkimin e qeverisjes së keqe 14 vjeçare, ishte votë për ndëshkimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Të lodhur nga pasojat e keq-qeverisjes; korrupsioni dhe krimi i organizuar, denigrimi social, nga pabarazia, nepotizmi dhe dukuritë e shumta negative që prodhojë ndër vite dhe dekada klasa e dështuar politike, kësaj radhe qytetarët vendosën symbyllur për ndryshime, pa e pasur të njohur se çfarë do t’u sjellë e ardhmja!

Partia fituese e zgjedhjeve dhe lidershipi i saj, me votën e qytetarëve janë ngarkuar me me një barrë të rëndë dhe përgegjësi të lartë historike.

Kur e themë këtë e kam parasysh faktin se, kësaj radhe vota e qytetarëve për LVV-në, nuk erdhi si produkt i dëshirës dhe besimit, por i akumulimit të pakënaqësive dhe padrejtësive të mëdha, si produkt i mungesës së zhvillimit ekonomik dhe izolimit të gjatë ndërkombëtar të vendit tonë.

Mbi të gjitha, vota e qytetarëve për LVV-në, erdhi produkt i dështimit të qeverisjeve të deritanishme, përkatësisht i dështimit të partive që qeverisën me vendin në mbajtjen e premtimeve elektorale dhe i dështimit të tyre në përmbushjen e kërkesave të qytetarëve.

Marrja e votës së qytetarëve nën premtim është pak më tepër se obligim, është borxh nga i cili nuk do të lirohen lehtë dhe shpejtë qeveritarët e rinjë.

Për këtë arsye qeveria e re e dalë nga vullneti i sovranit më 14 Shkurt 2021 duhet të jetë shumë e kujdesshme në trajtimin e politikave sociale, përkatësisht në ruajtjen e barazisë qytetare, ngase qytetarët nuk do të durojnë më dhe as nuk presin më aq gjatë sikur kanë pritur deri më tani.

Qytetarët rezultatet e para i presin në sistemin e drejtësisë, gjegjësisht të trajtimit të barabartë para ligjit, presin përmirësim të sistemit shëndetësor, arsimor dhe ekonomik të vendit.

Qytetarët presin avancim të politikës së jashtme, gjegjësisht konsolidim të shtetit në arenën ndërkombëtare, njohje të reja për shtetin e Kosovës dhe liberalizim të vizave brenda këtij viti.

Jemi të vetëdijshëm se qeveria në ardhje nuk e ka shkopin magjik për zgjidhjen e të gjitha problemeve të akumulura, por çdo vonesë dhe neglizhencë në trajtimin e problemeve të sipërcekura do ta ketë kundërpërgjigjen e qytetarëve dhe forcave opozitare.

Megjithatë sfida më e rëndë e qeverisë në ardhje është përballja me bashkësinë ndërkombëtare, gjegjësisht përballja në dialog me Serbinë, për shkak se bashkësia ndërkombëtare është e vendosur që sa më parë ta përmbyllë konflikitin qindra vjeçar shqiptaro-serb, gjegjësisht kapitullin e gjatë 10 vjeçar të bisedimeve dhe hapjen e një kapitulli të ri të normalizimit të marrëdhënjeve i cili duhet të rezultoj me njohje reciproke.

Çdo tendencë e ikjes nga premtimet e qytetarëve dhe nga obligimet ndërkombëtare që ka marrë Kosova nga qeverisjet e kaluara do të jetë me rreziqe të paparashikuara për vendin.

Mbrojtja e tërësisë territoriale dhe sovranitetit të shtetit janë detyrë e qeverisë së re dhe çdo deputeti. Ju priftë e mbara në misionin historik!