FITON AMERIKA!

0
428
Biden - Harris

Frank Shkreli Nga Frank Shkreli

Ja, më në fund edhe zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara u mbajtën. Votat u numëruan, ish-Zëvendës Presidenti Joe Biden i Partisë Demokrate u shpall fitues i zgjedhjeve, ndërkohë që Presidenti Donald Trump ende konteston në gjykata numërimin e votave, në disa shtete të Amerikës. Megjithë këto kundërshtime dhe disa sfidave ligjore – të cilat nuk janë të parat – dhe besoj as do të jenë të fundit në historinë e zgjedhjeve në Amerikë – me 20 Janar, 2021 transferimi i pushtetit do të ndodh ashtu si gjithmonë dhe sipas Kushtetutës, pikërisht siç ka ndodhur për më shumë se dy shekuj më parë. Një ceremoni, vërtetë unike në botë, por që ne, këtu në Amerikë, e konsiderojmë krejt normale, pas një fushate politike dhe debatesh shpesh të ashpra, për të zgjedhur kandidatin që mendohet se do të jetë më i mirë për Amerikën, në katër vitet në vijim.

Pa dashur të largohem shumë nga tema e këtij shkrimi të shkurtër e modest, do dëshiroja që me këtë rast të transferimit të pushtetit në Shtetet e Bashkuara, t’i këshilloja – nëqoftse më lejohet — udhëheqsit shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë, që të frenohen nga deklarata të papërgjegjëshme, siç ka ndodhur herë të tjera, në lidhje me njërin apo tjetrin kandidat për president të Amerikës. Amerika nuk është as Trumpi as Biden, por është populli amerikan, i cili, për mirë ose për keq, i voton ata me një shumicë votash. Ashtu siç kam shkruar edhe katër vite më parë — marrëdhëniet midis kombit shqiptar dhe kombit amerikan janë tepër të rëndësishme për tu përgojuar me paragjykime ndaj njërit ose tjetrit kandidat të veçant për president.

Duhej të ishte e qartë tanimë se marrëdhëniet midis dy popujve tanë duhet të zhvillohen bazuar në miqësinë dhe mbështetjen historike të Amerikës për Kombin shqiptar, si dhe në vlerat dhe interesat e përbashkëta aktuale dhe jo në paragjykime mbi njërin ose tjetrin kandidat, bazuar në konsiderata ideologjike. Në fund të fundit, duhet të respektohet vendimi i votës së shumicës së amerikanëve, pasi ata janë zgjedhësit të cilët votojnë kandidatin që ata konsiderojnë si më të mirin për president dhe për të ardhmen e tyre.

Marrëdhëniet e shqiptarëve në Ballkan me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë due nuk duhet të jenë të lidhura me ndonjë udhëheqës të veçant amerikan ose shqiptar, por janë të lidhura, përjetësisht, midis dy popujve tanë dhe si të tilla duhet të trajtohen, me përgjegjësi kombëtare, si nga Tirana ashtu dhe nga Prishtina zyrtare. Vura re debatet e nxehta, sidomos në studiot e Tiranës – sikur Shqipëria nuk ka probleme tët jera – në lidhje me zgjedhjet në Amerikë. Pyetja kryesorja ishte ç’bëri Trumpi për Shqipërinë dhe çdo bejë Bideni për Shqipërinë??? Askush nuk bëri pyetjen se si shqiptarët duhej të punonin së bashku me Amerikën — aleatin e tyre të fortë – në mbështetje të lirisë, demokracisë due sigurisë së vërtetë në Shqipëri dhe në Kosovë, pa marrë parasyshë se kush është në Shtëpinë e Bardhë.

Nuk ka dyshim se shpeshëherë demokracia mund të duket si një sistem një vazhdimisht në rrëmujë. Uinston Çurçilli ka thenë se, “Demokracia është forma më e keqe e qeverisjes, me përjashtim të të gjitha të tjerave”. Nuk ka dyshim, se zgjedhjet e këtij viti këtu në Amerikë provuan, se siç ka thenë edhe Çurçilli, ndoshta për disa, demokracia nuk është një shembull i mirë qeverisjeje. Por, kur konsideron alternativat e tjera, sistemi demokratik – megjithëse jo i përsosur – mbetet, mbi të gjithë të tjerët, ende sistemi në të cilin triumfojnë dinjiteti dhe të drejtat bazë të njeriut.

Gjatë katër viteve të kaluara, Shtetet e Bashkuara dhe bota u përballen me sfida të mëdha, përfshirë pandeminë Covid-19 dhe jam i bindur se edhe katër vitet e ardhëshme, nuk do të jenë të lehta as për Amerikën dhe as për botën, ndonëse do të përballen me problemet e pazgjidhura aktuale, por edhe me sfida të reja. Zgjedhjet kanë pasoja, zgjedhjet sjellin ndryshime. Ndryshimet në qeverisje, jo vetëm që janë pozitive por edhe të doemosdoshme. Nuk duhet të kemi frikë as të shqetësohemi nga ndryshimet, sado të dhimbshme qofshin ato për mbështetsit e njërës apo tjetrës palë. “Ndryshimi është ligj i jetës. Dhe ata të cilët shikojnë vetëm të kaluarën dhe të tashmen, kanë gjasa të humbasin të ardhmen”, ka thënë ish-presidenti amerikan, Xhon Kenedi.

Atyre të cilët, gjatë katër viteve të fundit, kanë parashikuar dhe që ndoshta edhe dëshirojnë fundin e Amerikës dhe të demokracisë si sistem qeverisjeje në SHBA, u them qetësohuni, mos u shqetësoni! Megjithë fushatën e ashpër për president midis dy palëve dhe megjithë sfidat aktuale të brendëshme dhe ndërkombëtare, si dhe problemet me të cilat do përballet, në të ardhmen, Amerika, “Amerikanët, ashtu si edhe në të kaluarën, kanë kapacitetet të bëjnë gjithçka që duhet bërë për të ruajtur këtë bastion (Amerikën) të fundit dhe të madh të lirisë”, është shprehur dikur ish-Presidenti amerikan, Ronald Reagan.

Ndërsa, fjalët e një tjetri president të Amerikës, Xhon Kenedi, në inaugurimin e tij, pikërisht 60-vjet më parë, në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë amerikane, ende tingëllojnë aktuale për shumë amerikanë, e të cilat gjithnjë pasqyrojnë përkushtimin e këtij vendi në mbështetje dhe mbrojtje të lirisë, jo vetëm në këtë vend, por kudo. “Le ta dijë çdo komb, nëse na dëshiron të mirën apo të keqen, se ne do të paguajmë çdo çmim, do mbajmë cilëndo barrë të rëndë, do përballemi me çdo vështirësi, do mbështesim çdo mik dhe do kundërshtojmë çdo armik, për të siguruar mbijetesën dhe suksesin e lirisë”.

Në zgjedhjet e këtij viti, ashtu si edhe në të kaluarën, votuesit amerikanë përpiqen që, ndërgjegjëshmërisht, të hedhin votën e tyre duke pasur parsysh të metat dhe problemet e këtij vendi, por duke qenë, njëkohësisht, edhe krenarë për vlerat dhe demokracinë e këtij vendi, si dhe mundësitë që ofron demokracia e vërtetë, duke qenë të vetdijshëm se me votën e tyre të lirë, pa marrë parasysh se cili kandidat fiton – më në fund fiton, Amerika.

Megjithë ndarjet aktuale politike që, tani për tani, mund të duken të thella në politikën amerikane dhe si rrjedhim edhe në radhët e publikut amerikan, Shtetet e Bashkuara kanë fuqinë dhe përvojën historike që politika amerikane dhe amerikanët në përgjithësi — në dialog dhe bashkpunim me njëri tjetrin — t’i kapërcejnë ndasitë me sukses dhe si gjithmonë në interes të Amerikës. “Ne mund të jemi kundërshtarë, por nuk jemi armiq”, siguroi mbrëmë amerikanët Presidenti i zgjedhur Joe Biden, në një fjalim drejtuar Kombit.