Filmi “My Name is Somebody” i regjisorit Orges Bakalli nominohet për tre çmime

0
806

Regjisori Orges Bakalli – Foto nga Clint Weldon

Filmi “My Name is Somebody” me regji dhe skenar nga Orges Bakalli ka fituar çmimin “Best Cinematography” (Kinematografia më e mirë) nga Genre Celebration Festival 2018 dhe ka marrë tre nominime: “Best Screenplay Narrative Short” (Skenari më i mirë për metrazh të shkurtër), “Best Actor” (Aktori më i mirë) për aktorin e njohur Artan Telqiu dhe “Best Actor” (Aktorja më e mirë) për aktoren amerikane Christina Vinsick. Në rolet kryesore lujanë Artan Telqiu, Christina Vinsick dhe Tony Naumovski. Filmi u përzgjodh të shfaqet në Festivalin prestigjioz të Kanës në Maj 2017.

Orges Bakalli ka lindur në Shkodër por ka ardhur në Nju Jork kur ishte vetëm tetë vjeç. Ka filluar të bëj filma shumë herët, edhe ka punuar në projekte të ndryshme që janë shfaqur në Kanalin 13, BRIC TV, Kanal 25 NYC Life, MoMA, BAM, Festivalin e Filmit Shqiptar në Nju Jork, edhe Festivalin e Kanës (Cannes Film Festival).

Orgesi është nominuar për çmimin John F. Outcalt për “Outstanding Filmmaking”, nominuar për çmimin e “Regjisorit me të Mirë” në Brooklyn College Film Festival, edhe është nominuar për NBR Grant për “Outstanding Filmmaking”.

Me 21 prill 2018 filmi “My Name is Somebody” do shfaqet në festivalin Blackbird Film Fest në Nju Jork (www.orgesbakalli.com).

Intervista me regjisorin dhe skenaristin Orges Bakalli

Bisedoi Ermira Babamusta

Na tregoni më shumë rreth vetes dhe fillimet tuaja si regjisor filmash?

Orges Bakalli: Unë kam filluar karierën time kur kam qënë në shkollë te mesme me një organizatë e quajtur Reel Works. Në Reel Works, kam filluar të punoj për projekte dhe dokumentarë të ndryshëm.

Cilat janë disa nga arritjet tuaja deri tani?

Orges Bakalli: Kam punuar në shumë filma të cilët janë shfaqur në festivale nëpër botë, dhe kanale të ndryshme televisive.

Me cilat projekte po mereni tani? Për çfarë bën fjalë, skenari, producenti?

Orges Bakalli: Projekti im i fundit është My Name is Somebody, një film i shkurtër që është shfaqur në Festivalin e Kanës. Filmi tregon historinë e një karakteri që përpiqet të harroj të kaluarën por e kaluara kthehet gjithmonë mbrapa tek ai.

Cilat janë personazhet kreyesore në këtë film dhe aktorët që marrin pjesë?

Orges Bakalli: Personazhi kryesor, Bruno, luajtur nga Artan Telqiu, është i martuar me Lindën, luajtur nga Christina Vinsick, Ata jetojnë të lumtur derisa një karakter nga e kaluara e Brunos, Toni Naumovski, shfaqet dhe mundohet të shkatërrojë këtë lumturi.

Flisni për zgjedhjen e aktorëve dhe realizimin e projektit, ku po xhirohet?

Orges Bakalli: Aktorët që kam zgjedhur ishin shokë të mi, me të cilët kam punuar më përpara në projekte të ndryshme. Karakteri kryesor ka punuar për filmin tim të parë, një nga karakteret kryesore është një artist që unë gjithmonë kam dashur të punoj dhe më në fund na u dha mundësia të bashkëpunojmë.

Cilat filma të tjera keni realizuar dhe në cilat festivale janë shfaqur?

Orges Bakalli: Filmi im i parë është Made in Amerika, i cili është shfaqur në Festivalin e Filmit Shqiptar në 2013. Filmi më i fundit, My Name is Somebody, është shfaqur në Festivalin e Kanës në 2017.

Cili është filmi apo projekti i rradhës?

Orges Bakalli: Sapo kam mbaruar së shruari skenarin e një filmi të ri. Është projekti im i parë për një film të gjatë.

Çfarë e bën një film një prodhim të mirë?

Orges Bakalli: Kur një film është më afër të vërtetës dhe nuk është sipërfaqësor, unë e konsideroj prodhim shumë të mirë.

Si e vlerësoni ju kinemanë sot? Çfarë roli luan arti dhe kinemaja në shoqëri?

Orges Bakalli: Kinemaja është një art që ka shumë fuqi dhe mund të abuzohet shumë thjeshtë si propagandë. Unë besoj që regjizori ka një përgjegjësi të madhe për filmin që realizon.

Këshilla juaj për aktorët kur përgatiten për personazhin që luajnë, si ta përvetësojë rolin?

Orges Bakalli: Unë përpiqem t’i them aktorë që të mendojnë diqka nga jeta e tyre që i ngjason karakterit që do luajnë.

Çfarë talene të tjera keni?

Orges Bakalli: Pasioni im pas filmit është vizatimi dhe sporti.

Çfarë projektesh keni për të ardhmen dhe çfarë mund të presim nga ju për vitin 2018?

Orges Bakalli: Për vitin 2018 shpresoj të realizoj skenarin e shkruar nga unë që tregon historinë e dy vëllezërve të ardhur në New York. Faleminderit shumë për intervistën!