Në prag të Përvjetorit të rënies
Shkruan Prof. Zymer Mehani
Pak fjalë për përmbledhjen “Zahir Pajaziti-Syri i Lirisë”, Botues KL “Zahir Pajaziti”, Prishtinë, 2016 Për atdhedashurinë dhe dëshmorët njeriu mund të ketë lexuar dhe dëgjuar shumë, por kur e lexon vëllimin poetik “Zahir Pajaziti-Syri i Lirisë” të duket çdo gjë e re, e fuqishme dhe interesante. Atdhedashuria këtu tingëllon dhe qëndron aq njerëzore dhe e vërtetë, sa s’ka zemër shqiptari që të mos preket dhe të mos ndjehet krenare, por edhe të ngashërehet.
Dridhjet e zemrës gjatë leximit të kësaj përmbledhjeje, magjia e fjalës, ritmi, notat poetike, të gjitha këto e ngrenë përmbledhjen në lartësinë e veprave lirike të letërsisë sonë të sotme. Në këtë vëllim poetik poetët na kanë treguar me mjeshtëri të lartë artistike dhe me thellësi të madhe atdhedashurie historinë e një qëndrese ndaj okupatrit, historinë e Zahirit me shokë:
Zahir ty po të thërras a je aty Zahir eja Eja i dashur luftëtar se atdheu është rënduar Zahir pashë diellin dhe dritën e hënës eja Zahir Eja më shpëto atdheun Zahir i ngritur në kurorë (“Bisedë mes dy botërave”, Rudi Berisha) Sa të gëzojnë dhe të shtojnë krenarinë takimet heroike të Zahirit me shokë, aq të rëndon dhe të lëndon rënia e tyre për liri.
Zahiri vërtet është hero dhe i ndershëm, por ai nuk dëshiron të shkëputet nga normat dhe idetë për çlirim përfundimtar të atdheut tonë, me të cilat ishte edukuar që në fëmijëri. Në çdo poezi, madje edhe në çdo fjalë e varg ne ndjejmë kudo heroizmin dhe dashurinë ndaj popullit prej atdhetari të vërtetë, revoltën, që siç tregon edhe vepra e tij, është karakteristikë e tij, kur është fjala për çlirimin e vendit.
Sado vend të madh që zë Kosova në këtë vëllim, figura qendrore, prapëseprapë, siç tregon vetë titulli, është ajo e Zahir Pajazitit, që u jep shkas dhe frymëzim çdonjërit prej poetëve të kësaj përmbledhjeje për të thurë vargje krenarie për atdheun dhe dëshmorët.
Heroizmi dhe atdhedashuria, qëndresa dhe sakrifica që gjejmë për Zahirin në këtë vëllim janë tipare të shqiptarit të vërtetë që me asnjë çmim s’i braktis interesat e popullit, madje as me çmimin e gjakut dhe të jetës, të cilën edhe ia dhuron lirisë së atdheut. Në vargjet poetike të kësaj përmbledhjeje motivi atdhetar të tërheq dhe të bën të ndjehesh krenar për të qenit shqiptar.
Zahiri është madhështor në veprimet ndaj armikut, por tejet i thjeshtë me bashkëluftëtarët e tij besnikë. Brumosja që nga prehri i nënës me atdhedashuri, sinqeriteti i thellë, ashpërsia kundrejt armikut shekullor, e bëjnë Zahirin prore të pavdekshëm dhe e e ngrehin atë në Altarin e Madhështisë.
Rënia heroike e Zahirit me shokë është nga çastet më të dhimbshme të historisë së Kosovës. Një dhembje gjithnjë të përzier me krenari e hasim në shumë poezi të këtij vëllimi.
Bashkë me shokë të idealit
Në luftë u vërsulët si luanë
Me Edmondin dhe Hakifin
Për çlirimin e tokës mëmë
(“Për lirinë e tokës mëmë”, Fatime Ahmeti-Fara) “Zahir Pajaziti-Syri i Lirisë” është një përmbledhje poezish që të josh me magjinë e fjalës poetike dhe me mendimet të skalitura bukur në çdo fjalë e varg. Duke lexuar këtë përmbledhje, ne çmojmë pa masë humanizmin e autorëve të kësaj vepre, diapazanin e gjerë të ndjenjave dhe mjeshtërinë në nivel artistik:
Kryetrim i trimave n’mendime e krenari i la t’moshuemit E n’kryekullë burrnie kullën që burrni i dha (“Zogu i lartësive shqiptare”, Rajmonda Meleçka) Jeta dhe veprimtaria luftarake e heronjve dhe e dëshmorëve të atdheut po gjen një reflektim gjithnjë e më të gjerë në letërsinë tonë të sotme, veçanërisht në poezi.
Brezi i ri i sotëm, që nuk e ka njohur nga afër luftën e lavdishme të UÇK-së, është i etur të dijë e të mësojë për rrënjët dhe për zanafillën e kësaj rezistence të armatosur kundër shtypjes shekullore serbosllave. Prandaj, edhe poezia atdhetare është burim njohurish i llojit të vet, që lexuesi i ri e fiton në mënyrë të këndshme.
Në qendër të vëllimit poetik “Zahir Pajaziti-Syri i Lirisë” është figura madhështore e Komandantit Zahir Pajaziti. Autorët e vëllimit në fjalë, Zahirin na e paraqesin të fuqishëm, atdhedashës dhe tejet luftarak:
Por ky djali i trim Qerimit nga babai kish mësuar Se liria nuk dhurohej për ta pasë duhet luftuar Ndaj shumë shpejt njësitet ngriti edhe luftën ka filluar Jo veç në të tij vendlindje n’mbarë Kosovën ato shtuar ( “ Në shpirt kishte ndjenjë lirie”, Jahe Fida) Është e pranueshme mënyra e përshkrimit dhe e portretizimit të Zahirit me shokë. Figura e tyre sikur gjallërohen nga vargu në varg, nga poezia në poezi dhe nga faqja në faqe të këtij vëllimi dhe kështu e vazhdojnë pavdekësinë e tyre pa andralla dhe shqetësime në këto poezi.
Me stil të pasur e me ngjyrime lirike autorët e kësaj përmbledhjeje arrijnë për ta gjetur rrugën e komunikimit me mendjen dhe zemrën e lexuesit.
Mendojmë se përmbledhja “Zahir Pajaziti-Syri i Lirisë” në përgjithësi ka vlera artistike. Ndjenjat e atdhedashurisë, të thurura bukur në vargun poetik, shpërthyen nga zemra e autorëve dhe kanë diçka të përbahkët me bardhësitë e atdheut dhe janë vetë ritmet e jetës.
Njeriu është i lidhur me truallin e vet që nga gërvishtjet e gjunjëve, kur mëson të ecë dhe gjatë gjithë jetës së tij.
Njeriu gjithmonë ka jetuar në tokën amtare. I ka kënduar dhe ka qarë, është prerë e vrarë gjatë jetës së kaluar me shtypje e përbuzje të vazhdueshme. I afrohej asaj në ditë të mira e në luftë, shtrihej mes saj si për ta qafuar, si për t’i pëshpëritur ato fjalë të fundit që mbyllin një jetë tragjike, por plot lavdi, se njeriu binte për tokën, për rrënjët e jetës.
Kështu veproi edhe komandanti ynë Zahir Pajaziti, që me heroizmin e tij kaloi në përjetësi.
Mos ma zë rrugën kishte thënë trimi
Ti dorë vrastare mos dil në pritë
Është tokë e dielltë kjo fushë e gjërë
Është sofër buke është rritë e dritë
Shtrat urtësie djep që përkundet
Trung lashtësie që kurrë nuk tundet
(“Mjaft kemi pritur”, Sheremet Prokshi)
Me këtë dashuri për trollin e të parëve do të edukohen dhe brumosen edhe fëmijët e të rinjtë tanë, që sot po rriten në liri, sapo të hasin në këto poezi, kushtuar dëshmorit tonë.
Dashtë Zoti që brezit të ri t’i këndojnë sytë dhe t’i ndrisin plot shkëlqim drejt së ardhmes, sepse tek e fundit, Zahiri me shokë u flijuan për lirinë e atdheut, në të cilin të rriten fëmijët tanë krejt të lirë:
-Jam udhëtar i Shqipërisë
Për lirinë e Dardanisë
Cep më cep n’ Llap e Gallap
N’ ballë t’ Flamurit zë që buçet
Kjo Shqipëri parajsë bregdeti
Vlora emrin ta vulosi UÇK-ja e Dardanisë Zahir Pajaziti Komandat i Shqipërisë Jam udhëtar i Arbërisë (“Jam udhëtar i lirisë”, Musa Jupolli) Poetët i shkruajtën këto vargje me gjithë zemër, sepse poeti i vërtetë mburrje s’njeh, as di të mburret. Edhe poetët, sikur heronjtë i karakterizon altruizmi dhe thjeshtësia, madje heronjtë dhe poetët janë NJË.