FIGURA E PRESIDENTIT, DR. IBRAHIM RUGOVA NË POEMËN “EPOKA E MENDJENDRITURIT” TË POETIT FADIL H. CURRI

0
729
Figura e Ibrahim Rugovës në poemë

Zymer Mehani

I

Të shkruash diçka në prozë apo në varg për ngjarje të rëndësishme historike, apo për ndonjë figurë të shquar kombëtare, sa është previlegj, po aq është edhe përgjegjësi. E guximin për të shkruar për njërën nga figurat më të rëndësishme të popullit të Kosovës, për presidentin historik të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, e pati poeti ynë i talentuar, z. Fadil H. Curri.

Shkrimtari Curri këtyre ditëve nga shtypi e nxori përmbledhjen “Epoka e mendjendriturit”, në dy vëllime, e cila është një poemë që i kushtohet presidentit Dr. Ibrahim Rugova dhe vizionit të tij. Për ta shkruar këtë poemë, poeti Curri frymëzimin e gjeti në personalitetin e Dr. Ibrahim Rugova dhe në besimin e patundur të tij, që kishte ndaj vlerave perëndimore. Ishte ky besim për ndërtim të një shteti qytetar, i cili Kosovën, në fund të viteve ’90 të shek. XX, e shndërroi në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.

Këtyre fakteve u qëndroi besnik dhe diti si t’i shfrytëzojë për ndërtimin e poemës së tij edhe poeti, Fadil Curri.

Vetë Ibrahim Rugova kishte zemër artisti, sepse ai ishte edhe shkrimtar dhe studiues i letërsisë. Ai në fund të viteve ’80 të shek. të kaluar, qe i gatshëm për t’i prirë partisë më të madhe në vend, që pastaj u shndërrua në lëvizje gjithëpopullore, duke u bërë kështu lider i saj, por edhe lider i vendit. Ishte kjo lëvizja e parë në Ballkan, që iu kundërvu regjimit totalitar komunist, duke e konsideruar komunizmin si një të keqe shumë të dëmshme, si në aspektin kombëtar, po ashtu edhe në aspektin ideologjik.

E ky ishte fakt i mjaftueshëm dhe një shkas për ne shqiptarët e Kosovës, që të jemi të parët në ish-Jugosllavi, që masovikisht të distancohemi nga ky regjim. Merita të padiskutueshme për këtë hap të rëndësishëm politik dhe për mënyrën se si e orientoi popullin e Kosovës pati Dr. Ibrahim Rugova. E të gjitha këto pikëpamje dhe fakte për presidentin Ibrahim Rugova, poetit, Fadil Curri do t’i mjaftonin për ta përjetësuar në varg një figurë të tillë me përmasa kaq të mëdha kombëtare, por edhe ndërkombëtare.

Figurë qendrore në poemë, dihet mirëfilli, se është Ibrahim Rugova.
Edhe figurat tjera, si Adem Demaçi, Fehmi Agani, Skënder Hyseni, Anton Çertta dhe shumë të tjerë përmenden dhe ravijëzohen në vargjet e poetit Curri, duke mos harruar as figurat e miqve ndërkombëtarë, që bënë shumë për lirinë tonë, siç janë Bil Klinton, Bushi Plak dhe i Riu, Riçard Holbruk, Xhejmi Shia, Havier Solana, senatorët Bob Dol e Tom Lantosh, pastaj Papa Gjon Pali i Dytë, Papa Vojtila, Nënë Tereza e tj e tj.

Poeti Curri ka përjetësuar në varg një figurë të rëndësishme të popullit tonë, por edhe një pjesë të historisë së Kosovës, së cilës i mbetet besnik me përshkrimin real që i bën.

II

Autori Curri me penën e tij, Dr. Rugvën e paraqet si njeri të shekujve. Prandaj edhe me të drejtë thotë se patëm fatin të jemi në këtë jetë, kur Dr. Rugova po kryente misionin e tij të shenjtë, ngase ai me urtësinë, guximin dhe vizionin që kishte, arriti ta bashkojë dhe e udhëhoqi popullin tonë të shtypur nga thundra shoviniste serbe, duke u përcaktuar për zgjidhjen më të mirë të problemeve kaq të veshtira, vetëm me gjuhën e dialogut dhe ideve të pastra paqësore që buronin nga shpirti i tij, duke u bërë simbol kombëtar, por edhe ndërkombëtar i qëndresës paqësore të popullit të tij. E autori Fadil H. Curri në vargjet e tij të skalitura mjeshtërisht na e ravijëzon portretin e këtij biri të denjë të popullit tonë, me të cilin të gjithë shqiptarët duhet të jenë krenarë, ngase ai ishte i sinqertë dhe gjërat i shihte ashtu si ishin, pa ndikime euforike apo politike.

Në poemë Rugova cilësohet si ikona e pavarësisë, si Presidenti i Parë i Kosovës, njeriu që për 16 vjet rresht i dha shpresë këtij populli, edhe atëherë kur ka qenë kohë shumë e vështirë për të shpresuar, por që me vizionin e tij plot optimizëm që po e shihte Presidenti ynë, si dhe me largpamësinë e tij, na pruri këtu, ku jemi.

Në villimin “Epoka e Mendjendriturit” të poetit Fadil H. Curri, Presidenti Ibrahim Rugova mbetet fytyra më e ndritshme në historinë e kombit tonë, për çka poeti ka mall, dhimbje dhe mburrje, ngase ai ishte një udhërrëfyes që la mbresa dhe nota optimizmi e paqeje për të ardhmen tonë. Prandaj si i tillë, Dr. Rugova na del edhe në poemën e poetit Curri, njeri që i dha shpirt dhe shpresë për jetë popullit të Kosovës. Poema tregon edhe momentet më të dhimbshme, kur Dr. Rugova ndërron jetë, ky Vizionar i Pavarësisë së Dardanisë historike, që i udhëhoqi shqiptarët e Kosovës drejt dritës së lirë. Lideri shqiptar që më së miri e njohu dhe e ruajti popullin e vet.

Sipas vargjeve të poemës, Presidenti Rugova, si bir i këtij populli, ia kushtoi gjithë jetën e tij lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Po ashtu poeti Curri rikujton se sa herë përmendej emri i Rugovës, nënkuptohej pavarësia e Kosovës. Madje ai cilësohej dhe vlerësohej mjaft lart, si profet i kombit shqiptar. Prandaj, duke qenë i tillë, me rastin e vdekjes së tij, kombi mbarë dhe Kosova humbën fizikisht birin më të dashur, arkitektin e pavarësisë së Kosovës, kolosin dhe atdhetarin më të devotshëm në historinë tonë më të re. E tillë pra, na del figura e Rugovës në vargjet e poemës “Epoka e Mendjendriturit” të poetit Fadil H. Curri.

Nga vargjet e poemës gjithnjë rikujtojmë se humbja e presidentit tonë dr. Ibrahim Rugova është një humbje e madhe për të gjithë ata që e ndiejnë veten shqiptarë.

Gjithnjë nga vargjet e poemës “Epoka e mendjendriturit” të poetit Fadil H. Curri, ashtu siç edhe ishte në realitet, Dr. Rugova e siguroi vendin e vet në historinë e Kosovës, ngase biografia e tij është tipike e një heroi dhe humbja e Rugovës është humbja më e madhe që populli shqiptar ka patur ndonjëherë. Vdiq pa e parë Kosovën të pavarur, mu kur ishte koha për t’u marrë vendimi. Kosova pati fatin që pati një njeri kaq të madh. Ai luftoi me të gjitha forcat e tij për të drejtat e popullit shqiptar për vendosjen e paqes pa dallim feje. Ai do të mbetet një figurë e shkëlqyer për të gjithë brezat e ardhshëm.

Historia jonë e re tregon, ashtu siç përshkruhet edhe në poemën “Epoka e mendjendriturit” të poetit Fadil H. Curri se Dr. Ibrahim Rugova përdori urtësinë e tij për t’i vënë themelet shtetit të ri të Kosovës. Ai bëri të njohur Kosovën dhe të vërtetën për Kosovën në botë, me filozofinë e tij të urtë e të mençur, ai alarmoi Perëndimin dhe botën demokratike, për atë që po ndodhte në Kosovë.

Gjuha e poemës është e pastër. Vargu është plot rimë që poemës i jep muzikalitet. Mendimet janë të mbështjelluara si është më së miri me figura të ndryshme letrare. Më të realizuarat janë krahasimi, metafora dhe hiperbola, por ka edhe figura të tjera.

Vëllimet I, II të poemës “Epoka e mendjendriturit”, përkushtim për Presidentin Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, të poetit Fadil H. Curri janë dhe do të mbesin monument letrar, në shenjë respekti, admirimi e mirënjohjeje për këtë bir të denjë të kombit shqiptar, dr. Ibrahim Rugova.

Autorit i urojmë shëndet, por dhe krijime të tjera letrare dhe publicistike!