FIGURA E IMZOT MARK SOPIT NË DRITËN VROJTIMIT TË SHUMË STUDIUESVE

0
615
Dritë mbi gjurmë të Mark Sopit

Lekë Mrijaj: Dritë mbi gjurmë të Imzot Mark Sopit” (monografi), botoi Shtëpia Botuese HIRONIMUS, Klinë 2018.

Shkruan: Mikel GOJANI

Në trembëdhjetëdhjetëvjetorit e kalimit në amshim të Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Mark Sopit, Ditës së Emrit të Tij – Shën Markut dhe 550-vjetorit të vdekjes së kryeheroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, publicisti tashmë i afirmuar, Lekë Mrijaj, vjen para lexuesve me botimin e librit të titulluar, “Dritë mbi gjurmë të Imzot Mark Sopit”, që i dedikohet figurës dhe veprimtarisë së Prelatit Imzot Mark Sopit, duke ndriçuar veprimtarinë meshtarake, intelektuale, akademike, diplomatike dhe shumëdimensionale të këtij prelati të shquar, i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historiografinë e kishës dhe të kombit tonë.

Imzot Mark Sopi e ka dashur popullin e Zllakuqanit dhe të Lugut të Drinit të cilës grigjë i shërbeu për dy dekada.
Jemi tubuar sot jo rastësisht në Zllakuqan, për ta kujtuar dhe promovuar këtë libër që i dedikohet këtij personaliteti të ndërgjegjes fetare dhe kombëtare, pra Imzot Mark Sopit. Gjendemi në këtë vend, ku Imzot Sopi popullit të kësaj treve të Lugut të Drinit iu ka shërbye për afër dy dekada; e ka dashur Zllakuqanin me të gjitha komponentët e jetës së tij, çka e dëshmon edhe qëndrimi i tij në momentet më të nevojshme që i kalonte. Madje edhe më tepër , edhe aktivisht është angazhuar për mirëqenien e kësaj grigje që i ka prirë për 18 vjet, por edhe për mirëqenien e vendit të tij përgjithësisht.
Imzot Mark Sopii, ky bari i devotshëm i fesë dhe i kombit, me gjitha fuqinë e tij shpirtërore dhe intelektuale u angazhua për një qëllim, qëllimin më sublim, për të mirën e popullit të tij. Ishte njeri i feshëm dhe i atdheshëm. Ai tërë jetën ia kushtoi Zotit, kishës dhe popullit të tij.

Vlerat e këtij libri janë shumëdimensionale. Derisa në thelbin e tij është një reflektim për rolin dhe kontributin e këtij kolosi të fesë dhe të kombit në përgjithësi, porosia qendrore e librit është se trashëgimia fetare dhe kombëtare e etërve tanë, meritojnë një vend meritor dhe të dinjitetshëm në rrugën historike fetare e kombëtare gjatë shekujve, por edhe të shekullit të kaluar dhe të këtij të sotëm. Në të njëjtën kohë, ky libër është përpjekje për të rritur vetë tijen për vlerat e botës klerikale dhe një thirrje e qartë për një përpjekje permanente në ruajtjen në memorien e kujtesës sonë e gjithë puna, angazhimi dhe sakrifica e këtyre korifenjve të fesë dhe të kombit, për t’u përkujtuar brezave, që këta njerëz, këto personalitete, si thadrim kishin ruajtjen e identitetit dhe dinjitetit të këtij kombi gjatë historisë, e përshkuar me plot vështirësi, sakrifica, deri ne flijim; pra është një përpjekje për të hedhur dritë mbi sfidat e tyre në kontekstin e furtunave të kohërave të cilat iu kanë takuar, deri të prelati Imzot Mark Sopi, të cilit i ra hise një barrë e madhe e sakrificës në ruajtjen dhe mbrojtjen e popullit të cilit i priu në kohët më të stuhishme të fundshekullit XX.

As pas dhjetë vjet të shuarjes fizike të kësaj figure të shquar të fesë dhe të kombit, Imzot Mark Sopit, për të gjurmuar dhe hedhur dritë mbi këtë shëmbëlltyrë, nuk pushojnë së ngarenduri studiues të shumtë të letërsie, shkencës dhe kulturës sonë. Kjo është një dëshmi autentike se kjo figurë emblematike e historisë së kishës dhe kombit tonë, çdo ditë dhe më tepër sa vjen e ndriçohet gjithnjë e më shumë, duke u njohur në esencë rruga jetësore dhe veprimtarinë e tij, ku akoma për të ka çka të vihet në dritë, madje – madje asnjëherë duke mos pasur mundësi për t’i thuhen të gjitha.
E tërë kjo dëshmon se figura e Imzot Mark Sopit është e denjë, më dimensione gjithëpërfshirëse, të klerikut, intelektualit, studiuesit, diplomatit, humanistit etj. Figura e Sopit po ashtu përcjell mesazhin e unitetit kombëtar dhe civilizimin e lartë të popullit të tij.

Libri i Mrijajt, i botuar këtyre ditëve ”Dritë mbi gjurmët Imzot Mark Sopit”, brenda kopertinave të tij kapërthehen kumtesa të lexuara me rastin e Akademisë shkencore të organizuar në 10-vjetorin e ikjes në amshim të Imzotit (janar 2016), kumtesa këto të lexuara nga studiues e njohës të jetës dhe veprimtarisë së Imzot Sopit; libri po ashtu ngërthen studime e shkrime tematike nga studiues të shquar të jetës dhe veprës së këtij korifeu të fesë dhe të kombit, po ashtu në brendinë këtij libri janë konceptuar edhe disa intervista të Imzotit dhënë Rilindjes dhe mediumeve të tjera të shtypit dhe elektronike.

Librit i paraprin një fjalë paraprake e autorit të këtij libri, Lekë Mrijajt, i cili shkoqit shumë aspekte që lidhen me figurën e Imzot Sopit dhe çështje të tjera me rëndësi tematike. Po ashtu në vijim kemi një parathënie të recensuesit të këtij libri, Anton K. Berisha, njëherësh edhe zv.ministër i Punëve të Jashtme të R. së Kosovës, përmes opinioneve të tij vë në horizont shumë aspekte që kanë të bëjnë me figurën e Imzot Mark Sopit dhe vlerat që ngërthen libri tematik.

Libri në vijim përshkohet me një parathënie nga Zëvendësministri i Republikës së Kosovës, njëherësh edhe publicist i shquar dhe recensues i librit, Anton K. Berisha, i cili vënë spikamë disa çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me figurën dhe veprimtarinë e kryeprotagonistit të këtij libri, Imzot Mark Sopit dhe vlerat që paraqet ky libër në jetën publike.

Imzot Dodë Gjergji: “Shpeshherë kam medituar dhe jam lutur për ta, sepse, më prinë vetëdija se, nuk jemi duke bërë gjë tjetër përveçse duke e realizuar projektin dhe ëndërr e këtyre dy burrave të mëdhenj, njëri i kishës e tjetri i shtetit, e të dy së bashku, të kombit”.

Ipeshkvi aktual i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjegji, nga predikimi i meshës përkujtimoren 10-vjetorin e kalimit në amshim të Imzot Mark Sopit dhe ish-Presidentit të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova,të mbajtur, më 12 janar 2016, në Katedralën “Nëna Tereze” në Prishtinë, na prezantohet me mesazhe tepër të rëndësishme që i përçon për vlerat e dy figurave më të shquara të kombit tonë, Imzot Mark Sopit dhe Dr. Ibrahim Rugovës. “Shpeshherë kam medituar dhe jam lutur për ta, sepse, më prinë vetëdija se, nuk jemi duke bërë gjë tjetër përveçse duke e realizuar projektin dhe ëndërr e këtyre dy burrave të mëdhenj, njëri i kishës e tjetri i shtetit, e të dy së bashku, të kombit.

Duke u nisur nga kjo dëshiroj t’i ftoj njerëzit vullnetmirë, të kishës, të shtetit, të kombit, që të gjejmë bashkërisht forcën, guximin dhe shpresës, për të pasur virtytin e durimit për të përballur të keqën brenda nesh, me të njëjtën duresë dhe urti që e karakterizoi Imzot Sopin. Sipas shembullit të Presidentit Rugova, i cili ishte vizionar stoik, veprues, konsekuent dhe burrështetas e lider, që e do popullin të punojmë për arritjen e synimeve të përbashkëta, me metodologjinë e paqes, pajtimit dhe duresës”, është shprehur ipeshkvi Gjergji.

Fatmir Sejdiu: Ish- President i Republikës së Kosovës: Imzot Mark Sopi gjatë kohës kur Kosova kishte më tepër se kurrë më parë nevojë për ndihmë dhe përkrahje, ai rrahu fuqishëm kambanat për lirinë e Kosovës.

Studiuesi i mirënjohur dhe eruditi i kishës dhe shkencës sonë, mons dr. Lush Gjergji, në studimin e tij Imzot Mark Sopi në 10-vjetorin e kalimit në amshim, shkoqit teza mjaft interesante në qasjen e kësaj figure të rëndësishme të kishës dhe kombit tonë. Mons. dr. Gjergji ndalet në disa aspekte po ashtu të jetës dhe veprimtarisë së Imzot Sopit, si jeta dhe vepra; tiparet vepruese dhe dalluese; testamenti shpirtëror i Imzot Mark Sopit etj. Po ashtu, ish-presidenti i Republikës së Kosovës, Prof. Dr. Fatmir Sejdiu, njëherësh edhe mik i Imzot Sopit, në kumtesën e tij flet me admirimin më të madh për figurën e këtij prelati të shquar.

Duke e himnizuar figurën e Sopit, profesor Sejdiu shprehet se Imzot Mark Sopi gjatë kohës kur Kosova kishte më tepër se kurrë më parë nevojë për ndihmë dhe përkrahje, ai rrahu fuqishëm kambanat për lirinë e Kosovës, ai i la të hapura portat e kishave dhe të ndërtesave të tjera të kultit, jo vetëm për skamnorët, por edhe për gjithë nevojtarët në ditët e rrezikut të madh për zhbërjen tonë. Imzot Mark Sopi do të jetë një mbështetje e fuqishme për Presidentin Rugova në proceset e zhvillimit të rezistencës, por edhe të shtetndërtimit në vitet e lirisë”, ka nënvizuar ndër të tjera profesor Sejdiu.

Edhe kleriku dhe atdhetari i shquar, Mulla XhevatKryeziu, në kumtesën e tij për figurën e Imzot Sopit dhe kontributin e tyre të përbashkët në lëvizjen e pajtimit të gjaqeve dhe kauzën kombëtare përgjithësisht, flet me admirimin më të madh. Ndërkaq, Imzot Gjergj Meta, Ipeshkvisë i Ipeshkvisë së Mirditës – Rrëshen në kumtesën e tij “Imzot Mark Sopi në Durrës misionar i ripërtëritjes së besimit, hedh në dritë teza mjaft interesante nga aspekti i kontributit të bariut shembullor Imzot Sopit gjatë një periudhe në Shqipëri, përkatësisht në Durrës, Milot.

Rreth profilit meshtarak dhe ipeshkvnor të Imzot Mark Sopit, flet Dr. Dom Shan Zefi, i cili e çmon lart kontributin dhe vlerat e Imzot Mark Sopit në këtë drejtim. Ndërkaq, për angazhimin dhe kontributin e Imzot Mark Sopit në fushën e letërsisë, shkencës dhe kulturës kombëtare, më me kompetencë se askush flet studiuesi, kritiku letrare dhe publicisti i mirënjohur i letrave shqipe, profesor Prend Buzhala. Me këtë rast, profesor Buzhala potencon veprat me vlerë të Imzot Sopit, si librin “Baca Kolë dhe famullitari, botuar më 1995, “Martirët e Karadakut”. më 1996, “Koncilet ekumenike dhe Shën Luçia” etj.

“Dritë mbi gjurmë të Imzot Mark Sopit”, përpos këtyre studiuesve të cilët i potencuam më lartë, kanë dhënë edhe njohës të jetës dhe veprës së Imzot Sopit, si Dom Anton Kçira, Tomë Mrijaj, Dr. Sarë Gjergji, Rrok Berisha, Vilson Culaj, Marjan Sebaj-Sopi, Pal Canaj, Beqir Sina, Gani Qarri, Florim Zeqa, Eduard Frrokaj, Pjetër Nrejaj, publicist i frytshëm, i cili ky publicist para një muaj kaloi në amshim, Luigj Sopi – Luigji e të tjerë.

Pjesa e dytë e këtij libri është i konceptuar me disa intervista që Imzot Mark Sopi iu ka dhënë disa mediumeve tona të shtypit dhe elektronike, përmes të cilave shpalos shumë çështje tepër të rëndësishme, sidomos për ato kohë kur nga personalitete të rëndësishme dhe relevante të Kosovës më tepër se kurdoherë më parë opinioni ndërkombëtar kishte nevojë për t’u njohur me të vërtetën e Kosovës dhe të popullit të saj, i cili në atëkohë ishte i shtypur dhe bënte përpjekje mbijetese për të dalë njëherë dhe përgjithmonë nga këto kthetra shekullore okupuese nga regjimi serb. Me këtë rast vlen potencuar intervistat e Imzot Sopit dhënë gazetarit të profesionalizuar, Frrok Kristajt, në “Rilindja”, po ashtu edhe gazetares së afirmuar, Albana Isufi – Jashanica”, Radio Europa e Lirë etj.

Librin e begaton edhe një fotoalbum me fotografi artistike, i cili është i konceptuar në fund të këtij libri, përmes sërë fotografive që prezantohen lexuesi mund të njihet për shumë aktivitete dhe veprimtari të frytshme dhe tepër kontributdhënëse të Imzot Sopit dhe të bashkëpunëtorëve të tij, që dëshmojnë kohë dhe dëshmi.

Ishim dhe mbetemi krenarë që e patëm dhe e jetuam kohën e Imzot Mark Sopit. Rrugën e tij duhet ta ndjekim. Njerëz të tillë, siç ishte Imzot Sopi, do të mbeten të pavdekshëm në historiografinë tonë kishtare dhe kombëtare.

Kështu që, libri “Dritë mbi gjurmë të Imzot Mark Sopit”, të autorit Lekë Mrijaj, është një libër me vlerë të veçantë, i cili me vlerat që ngërthen do t’i qëndrojë kohërave.

Mrijajt i dëshiroj suksese dhe mbarësi në angazhimet tjera të vazhdueshme në krijimtari dhe fushën studimore.