E përgatiti Prof. Zymer Mehani
Letërsia bashkëkohore shqiptare kaloi nëpër shtigje tepër të vështira duke u detyruar të kufizohet brenda uniformës së ngushtë të metodës së realizmit socialist. Në fillimin e viteve ’60 do bëhen hapat e parë për të nxjerrë letërsinë nga ky shabllon.
Këtu përmendim kontributin e çmuar të Petro Markos me romanin e tij të parë “Hasta la vista”, që sjell një këndvështrim të ri në letërsinë e asaj periudhe. Figura qëndrore në këtë roman janë shqiptari Gori Gjinleka, vullnetar shqiptar dhe spanjollja e re dhe e bukur, Anita Gonzales. Siç kuptohet nga fillimi i romanit këta dy shpejt bien në dashuri, segment ky që do të bëhet subjekt i veprës.
Dashuria e tyre lind në shikim të parë, por bëhet shumë e fortë dhe e sinqertë. Ata kanë edhe përkatësi të njëjtë ideologjike. Fatkeqësisht, kjo dashuri ndërpritet me kthimin e Gorit në atdhe. Mundësia për t’u takuar mbetet e hapur, sepse në ndarje Gori i thotë Anitës përshëndetjen spanjolle “hasta la vista”, që do të thotë mirupafshim.
Më pas, po Petro Marko, boton romanin “Qyteti i fundit”, në të cilin trajton një temë nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, por, është shkruar nga një kënd i ri, që solli një frymë të re në letërsinë shqiptare. Tërë ngjarja e romanit shtrihet brenda disa ditëve të fundit të qëndrimit të robërve italianë, të cilët të grumbulluar në portin e Durrësit, prisnin anijet e kthimit për në atdhe.
Gjatë pritjes njëjavëshe, në port ndodhin ngjarje të ndryshme, jo të mëdha. Autori do të sjellë rrëfimin për dashurinë e oficerit të ri shqiptar Lekës dhe prostitutës së bukur italiane Ana Maria Monte, viktimë po ashtu e luftës dhe e fashizmit. Brenda 7 ditëve, aq sa qëndrojnë italianët e mbledhur në portin e Durrësit për t’u kthyer në Itali, shkrimtari në romanin “Qyteti i fundit” do të zbulojë dhe do të rrëfejë historitë dhe fatet e disave nga ushtria fashiste që para 4-5 viteve e kishte pushtuar Shqipërinë.Në këtë pleksje historish e fatesh, autori do të sajojë linjën e rrëfimit që ndjek hetimi për zbulimin e një krimineli lufte, të maskuar dhe të fshehur brenda turmës së “Qytetit”.
Në krye të grupit që duhet ta organizojë dhe ta udhëheqë këtë zbulim është toger Leka. Pista që ndjek togeri në këtë drejtim, e ngjashme me labirintet e romaneve deduktive, do të ecë dhe përmes prostitutës italiane – Ana Maria Monte. Dhe do të lindë dashuria mes tyre, që është shumëfish më “mëkatare” se ajo mes Gorit dhe Anitës. Leka është toger i Sigurimit Shtetëror të Shqipërisë së sapodalë nga lufta, që la pas shkatërrime dhe krime, ndërsa italiania Ana është e palës që i kreu ato krime, e palës së cilës i shërbente.
Kështu shkrimtari, duke ndjekur këtë linjë do të ecë nëpër një teh të mprehtë: do ta lejojë togerin e Sigurimit t’i nënshtrohet zërit të brendshëm dhe të dashurohet me italianen e bukur, apo do të nxjerrë para tij fuqinë e përgjegjësisë dhe të mëkatit ndaj “mollës së ndaluar”?
Ndërkaq me personazhin femër, shenja më e qartë e pranisë së humanitetit dhe rrezëllitjes së pranisë së qenies njerëzore, P. Marko theu disa tabu të kohës, jo vetëm se femra ishte e huaj, jo vetëm se dashuria jepet si ndjenjë aq universale, sa mund të lidhë edhe dy njerëz të kombësive të ndryshme, por edhe për faktin e thjeshtë se femra në tekstet romanore të tij zuri një vend të merituar, qoftë dhe kur ajo ishte prostitutë. Shkrimtari është në anën e saj dhe e mbron, e adhuron guximin e saj, por është po kaq fuqishëm edhe me feminitetin dhe bukurinë që bart.
Prania e luftës dhe e dashurisë, e rrokshme përgjithësisht në romanet e autorit, diçka më e thellë si përjetim etik dhe estetik, na shqiptohet në këto romane, shoqëruar ndërkaq edhe me një tis dëshpërimi dhe trishtimi rrezëllitës, të krijon bindjen e thellë se këto romane ia kanë mbërritur të skicojnë në letrat shqipe tiparet letrare të brezit të humbur. Faqet më të fuqishme të prozës së Petro Markos reflektojnë triumfin e dashurisë dhe të humanizmit njerëzor.
Pas tërë atij ferri nëpër të cilin kalon njeriu në rrëfimin e Petro Markos, ai arrin të mbetet i pamposhtur nga mizoritë e botës. Këtë bërthamë të brendshme e rrezatojnë personazhet nga romanet e tij, këtë shkëlqim biblik reflekton Petro Marko njeri dhe Petro Marko shkrimtar në tërë veprat e tij.
II.
Më 1962 Ismail Kadare boton romanin e tij të suksesshëm “ Generali i ushtrisë së vdekur” përkthyer në 40 gjuhë të ndryshme. Plaka Nicë: personifikon nënat e martirizuara dhe urrejtjen e pashuar të popullit ndaj agresorëve. Në gjestin simbolik të hudhjes së eshtrave në këmbët e gjeneralit, gjykon dhe ekzekuton dënimin për kolonelin Z. Kësaj, në luftë, Koloneli Z. ia kishte vrarë burrin dhe dhunuar vajzën, duke ia sterrosur jetën përgjithmonë. Kjo atëherë përjetoi një dramë të thellë familjare, pasojat e të cilës i barti në shpirt njëzet vjet.
Atmosfera e dasmës, madje uniforma e gjeneralit të huaj, asaj ia kujton kohën e luftës, kohën e tmerreve dhe fatkeqësive që i solli ajo. Përmes monologut të saj të brendshëm ne kujtojmë të kaluarën e saj tragjike: “thonë se ti mbledh të vrarët e vendit tënd. Mbase ke mbledhur shumë dhe do të mbledhësh akoma shumë të tjerë, mbase do t’i mbledhësh të gjithë, por dije mirë se njërin nuk ke për ta gjetur kurrë në jetë të jetëve, ashtu si në jetë të jetëve unë nuk do t’i gjejë kurrë më vajzën time dhe burrin tim. Do të ikësh pa e marrë mikun tënd, mikun tënd të zi, që më sterrosi jetën. Të ikësh sa më parë, sepse edhe ti je i mallkuar si ai.”
Në shpirt kjo ka ndry një plagë të madhe, një tmerr dhe një dhembje prej gruaje dhe nëne. Tani kur sheh gjeneralin, i cili i përket asaj ushtrie armike, që ka vrarë e djegur aq shumë njerëz e vende, në shpirtin e saj krijohet një tension i madh emocional një revoltë e përzier me dhembje e përbuzje që përgatit njëkohësisht edhe zhvarrosjen e Kolonelit Z. të vdekur dhe varrosjen e gjeneralit të gjallë përballë dasmës. Siç do shkruajë edhe Kudret Velça për gjestin e saj se: “intensiteti i emocionit e tejkalon objektin që e provokon.”
Ky episod është i trilluar nga autori, por i zgjedhur me invencë të gjallë, për të fiksuar një të vërtetë të thellë të jetës së popullit tonë, një të vërtetë që ka rrënjët në të kaluarën historike dhe që dëshmon mbi luftën me pasoja të atilla çfarë nuk janë shlyer edhe pas kaq vitesh.
Drama familjare e plakës Nicë ndodhi në gjiun e dramës së përgjithshme kombëtare, e kushtëzuar nga lufta, nga historia, prandaj prapaskena e kësaj ngjarjeje është realiteti historik.
Mendoj më shumë se imagjinatë në këtë episod ka të vërtetë historike, të vërtetë jetësore, e cila përmes artit është thelluar dhe përgjithësuar në tërësi.
III.
Më pas Jakov Xoxa boton romanin e tij “Lumi i vdekur”.
Personazhi i Vitës është një tërësi ndjenjash, prandaj gati receptohet nëpërmjet ndjenjave të saj si një heroinë sentimentale. Ajo më tepër përjeton dashurinë sesa jeton me mundimet dhe vuajtjet e përditshme. Prania e saj ndihet e fortë në krejt romanin, kurse bëmat dhe sjelljet shihen më pak. Zgjimi i ndjenjave dashurore shkon krahas zhvillimit femëror dhe zbukurimit të saj, aq sa duket sikur dashuria e zhvillon dhe e zbukuron atë.
Përshkrimet për zgjimin e saj dashuror dhe zhvillimin femëror janë ndër më emocionueset dhe të rralla në prozën shqipe. Edhe marrëdhëniet e saj me të tjerët, kryesisht, janë marrëdhënie ndjenjash. Si bijë vuan dhimbjen e madhe për vdekjen e parakohëshme të së ëmës, si motër provon herët dhembshurinë për vëllanë dhe motrën e vogël jetime; si vajzë e sinqert dhe pa paragjykime përjeton thellë dashurinë erotike për Adilin. Dashuria për Adilin njëjtësohet me vetë jetën e saj, me kënaqësitë sublime, me bukurinë dhe lumturinë e jetës.
Vita, gjithashtu, është simbol i pasioneve rinore të vrullshme dhe të pandalshme, është simbol i dashurisë që çel edhe në kënetën e jetës, edhe në mes të fanatizmit, simbol i gëzimit dhe i përtëritjes së jetës; simboli i femrës që ngacmon erotikisht njerëzit dhe poetizon krejt mjedisin.
IV.
Anton Pashku, me romanin “OH” ndihmoi shprishjen e konvencave tradicionale të ndërtimit të rrëfimit në prozën tregimtare dhe ndërtimin e figurshëm të realitetit përshkrimor. Rrëfimi i ngjarjeve strukturohet si dialog i burrit-rrëfimtarit me bashkëbiseduesen “e pranishme”. Njeriu i vetmuar, në dhomën e errët, është kredhur në mendime. Në dhomë është gruaja por ajo nuk merr pjesë në shqetësimin e tij.
Nazmi Rrahmani në romanin ‘Malësorja”, kryepersonazh ka Hajrijen, e cila nuk është e tipit të formuar, të gatshëm, por formohet gjatë rrëfimit, i cili rrjedh sipas teknikës kronologjike, të ndërprerë dhe të ndërpleksur herë-herë. Formimi i Hajrijes ndiqet sipas linjës së brendshme të shpalimit, nga motivet, pretendimet, vizioni i saj i brendshëm, ajo gradualisht vetëdijësohet për pozitën e vet të nënshtruar, për mundësitë e veta të kufizuara, por tërë atë ngarkesë e bart në heshtje dhe dhimbje të plotë. Autori nganjëherë e bën të zëshëm vajin e saj të brendshëm vetëm përmes monologieve të saj, dhe më rrallë përmes ndonjë dialogu, ndërhyrjeje apo sqarimi të çastit.
Pikërisht përmes kësaj pjese të tekstit narrativ, autori arrin ta shpalosë botën e brendshme të Hajrijes nëpërmjet rrëfimit psikologjik. Ngjarja në këtë roman rrëfehet në vetën e tretë dhe nga pozicioni i narratorit të gjithëditur, që nënkupton distancën e autorit, përkatësisht mundësinë e pozicionimit objektiv rrëfyes. Tërë bota e rrëfyer shikohet me sytë e
Hajrijes: nga ky kënd sajohen mekanizmat e vlerave dhe vlerësimet, nga kjo perspektivë sajohen parimet morale, kanunore.
Anësimi në favor të kryepersonazhit, bëhet i dukshëm sidomos në momente kur narratori nuk përmbahet dot nga ndërhyrjet e motive të llojit: “e mjera (Hajrija), e ngrata,” etj. Vizionin e vet për vlerat jetësore, Hajrija arrin ta shpalosë botërisht pothuajse në mbyllje të rrugës së vet jetësore. Kur e ndien se fundi i saj do të jetë shumëfish më tragjik nga ç’ka qenë Golgota e përjetuar, ajo vendos të veprojë dhe të ketë rezultat.
Triumfi i saj moral, në të njëjtën kohë është dhe paralajmërim për një cilësi të re jete, sidomos në rrafsh të pozitës së gruas, por dhe një trajtim i gjakmarrjes kanunore. Këmbëngulja e saj vjen dhe si një sprovë, si një sfidë që i bëhet qëndrueshmërisë së kësaj plage. Mund të thuhet se romani mbi fatin e Hajrijes, degëzohet në një mori rrjedhash jetësore që derdhen të gjitha drejt rritjes së personalitetit të saj dhe drejt sfidës ndaj konvencioneve tradizionale me pasoja tragjike.
V.
Prozë artistike e realizuar bukur është romani ,,Dikush më bëzëqeshte”. Tema e këtij romani, edhe pse lidhet me luftën antifashiste, nuk ka të bëjë me prezentimin klasik, tradicional, të luftës. Kërshëria krijuese e autorit, në plan të parë, përqëndrohet në ndriçimin e botës së nuancuar dhe komplekse të brendshme, në ndriçimin e labirinteve më të degëzuara psikologjike.
Vetë shkrimtari, duke rrëfyer në vetën e parë dhe duke u identifikuar plotësisht me personazhin që rrëfen, fare rastësisht has në emrin e një heroine, të rënë në luftë. Ky tregimtar, dikur fëmijë edhe vetë, ka qenë dëshmitar i vrasjes së kësaj heroine nga ana e fashizmit, në qytetin e vet. Kështu, pa pritur, atij tani i del përpara syve pamja e dikurshme: nëpër një rrugë të qytetit të tij, vrasësit e tërhiqnin të varur pas një karroce kufomën e heroinës. Fëmijët e lagjes dhe të qytetit, së bashku me ta edhe personazhi që e rrëfen këtë ngjarje, të lemeritur i shkonin pas këtij funerali të tmershëm.
Pikërisht emri i kësaj dëshmoreje, në mesin e shumë emrave dëshmorësh të rënë për liri, në faqet e një gazete, sikur e zgjon nga një gjumë dhe nga një dëshirë e hershme shkrimtarin, gjegjësisht atë që e rrëfen ngjarjen… Ai përnjëherë sikur dëshiron të dijë çdo gjë lidhur me jetën, me familjen, me fëmijërinë, me dashurinë dhe me urrejtjen e saj, me trimërinë dhe me vdekjen e saj. Dhe shkrimtari niset shtigjeve të gjurmimit për ta plotësuar këtë kërshëri që e djeg dhe e vë në lëvizje nga brenda. Kështu, në pjesën me të madhe të romanit hasim fragmente, detaje dhe epizode nga jeta e dëshmores, fragmente jete të shpërndara nepër krejt vendet nga ka lëvizur dhe nga ka vepruar dëshmorja në fjalë. Nga kjo bredhje e kërshërisë së shkrimtarit, është sajuar rrëfimi i bukur i i këtij romani.
VI.
Në romanin “Njerëzit” të shkrimtarit Hivzi Sulejmani bëhet fjalë kryesisht për një familje shqiptare, një anëtar i së cilës humb jetën në Ston të Dalmacisë, kurse i dyti, Aziz Sulejmani, disa ditë para mbarimit të luftës e clirimin e vendit, e presin dy protagonistët kryesorë të veprës, Hafizi që edhe vetë kishte dhënë kontributin e vlefshëm për kuftën dhe e ëma Xhemilja.
Me kujdes të madh është skalitur figura e nënë Xhemiles, nënë e përvuajtur, e mjerë, por gjithmonë fisnike. Është kjo një grua burrërore që ushqen një dashuri të thellë ndaj të bijve, të cilët i ka rritë e ushqyer me punë të ndershme, nënë që di ta fshehë edhe pikëllimin më të madh deri në momentin e fundit, kur i kalon caqet e durimit njerëzor.
Ajo një ditë merr lajmin e vrasjes së birit më të madh Rizës. Pas kryerjes së shkollës, dy të tjerët nuk mund të inkuadrohen në punë. Dhe kur ka shpresuar se do ta lërë njëherë e përgjithmonë vekun, detyrohet t’i kthehet përsëri, që të mos t’i ngushtojë të bijtë dhe vetë ta fitojë koren e bukës. Vuajtjet e saj tani e tutje në vend që të marrin fund, shtohen përditë e më shumë: ka përjetuar ajo bombardime të shumta, i ka kërkuar buzë Sitnicës e Ibrit kufomat e të bijve, ka ndërruar konaqe, sepse nuk ka mundur të shkojë me të bijtë, e këtë e ka dëshiruar kurdoherë, por kjo ishte e pamundur dhe ajo është kacafytur me jetën…
Kur merr vesh për vrasjen e Azizit dhe sëmundjen e Hafizit, që nuk ka shërim, duke u kujdesur për mëshqerrën e vogël e përkujton të kaluarën. Por, megjithatë ajo mbetet grua burrërore, që përsëri do të vritet, vetëm që nënat të mos vishen me të zeza, që vëllezërit të mos vajtojnë për njëri tjetrin, që zotërinjtë të mos sundojnë kurrë më. Si e tillë ajo mbetet jo vetëm simbol i vuajtjes, por edhe i krenarisë, mburrjes njerëzore dhe pamposhtmërisë.
VII.
Edhe Dhimitër Xhuvani në romanin ‘’Midis dy netëve” flet për fatin e femrës, që baticat dhe zbaticat e jetës e kanë hedhë në rrugë të parrugë prej të cilave në fund do të dalë ngadhnjyese.
Rrëfimi për vajzën nga kryeqyteti (Tirana), Teftën, së cilës zhgënjimi në dashurinë e parë Ii ka dhënë jetës së saj një kahje tjetër, vjen e bëhet gjithnjë e më interesant. Tiranasja e re, Tefta, botëkuptimi i së cilës në fillim për jetën duket se përmblidhet në mendimin:” ne gratë prandaj jemi, që të pjellim.
Kjo gjë deri më sot nuk më ka shqetësuar dhe s’besoj të më shqetësoj. Unë do të punoj dhe do të dërgoj paratë që duhen për fëmijën. Ne gratë kemi një të mirë, se nuk dyshojmë për fëmijët që pjellim; me këdo që t’I kemi, ata janë tanët”, dhe në ambientin e ri në Cërrik, për një kohë vazhdoi rrugën e nisur, sepse tani e shtyn diçka tjetër, diçka që nuk mund të quhet më dashuri. Dhe kjo bën që të tjerët ta shikojnë me sy jo të zakonshëm, saqë vajzat e përzënë prej dhomës së tyre. Por, megjithatë ajo i dhimbset lexuesit. I dhimbset pse jeta e ka future në rrugë të këtilla dhe pse nganjëherë di të gjykojë drejt.
Më parë në gjyq nuk e kishte pranuar babanë e fëmijës e vetëdijshme se ndryshe do të trajtohet në sy të të tjerëve.
Këtë e bën e bindur se Mireli nuk ishte i denjë për t’u quajtur baba i fëmijës së saj.
Ambiciet e Teftës tani janë orientuar dikah tjetër: kah puna e ndërgjegjshme dhe “kjo e bën atë të punojë me vrull e në garë me të tjerët”. Kjo dëshirë është ajo që bën çudira dhe heroizma në punë. Dhe ndërgjegjen e gatishmërinë për sakrifica e ka treguar disa herë më parë. E ajo i ndihmon ta fitojë simpatinë e të gjithëve, të cilët hedhin në harresë të kaluarën e saj. Madje, kur ndokush i përmend këtë, të tjerët reagojnë ashpër, ashtu si nuk i pret as ajo vetë.
VIII.
Në romanin “Gjarpijt e gjakut’ biseda që zhvillohet ndërmjet Gjylës dhe Ferides tregon për mjeshtërinë e shkrimtarit për ta udhëhequr ngjarjen, për ta lidhur me kushtëzimet e ndryshme në çdo kënd dhe në çdo pikë gjaku të atyre njerëzve. Ndjenja e kryelartësisë dhe e trimërisë është e rrënjosur thellë edhe në psikën e grave e të vajzave sin ë psikën e meshkujve, në psikën e fëmijëve dhe të rriturve.
Edhe pse me kërshëri dhe padurim e pret ditën e dasmës dhe e don Elezin, ndoshta sepse e njeh, Gjyla prapë anon kah të vetët, kur është puna për trimërinë dhe burrërinë. Asaj i kujtohet vetëm një pamje: “Kur ia pat mshuar Ajeti ynë staravicë kres”… Feridja preket prej këtyre fjalëve sepse nuk i imponojnë. Ajo mendon ndryshe, sikur edhe Ajeti: “A din bre Feride, kur m’ka pa dhanë ujë atëhere me bludë?… Kur e pata rrxue Ajetin, t’vllajn e saj”. Edhe pse të angazhuara me mendime të tjera në ato ditë të paradasmës, as vajzat, as djemtë s’heqin dorë nga mendimet për atë moment të parëndësishëm, por që i jep sadisfaksion edhe njërës edhe tjetrës anë.
IX.
Te romani “Besniku” djalin-vajzë e ruan nëna Zade. E ruan me kujdesin më të madh. Kanë kaluar katër vjet prejse ka lindur Besniku (Besa). Tash ai po i mban edhe tirqit. Zadja, edhe pae në vek e përherë duke punuar, nuk i ndalet kurrë “djalit”. E ruan edhe prej motrave dhe tri motrat e Besnikut, të gjitha më të mëdha se ai, nuk e marrin vesh kurrë se vëllai i tyre nuk është vëlla, por motër! Zadja, e frikësuar nga Burri (Sahiti) as vetë nuk e di se si do të sillet me Besnikun, sepse, po ta ruante si përpara, ai do të mund të bëhej “edhe ma çikë se çikat”. Është disi e humbur, e hutuar, e zbehtë dhe vetëm Besnikut ia kushton tërë kohën, kurse fëmijët e tjerë i lë pas dore.