Ndue Lazri
Mantova, ky qytet i vogël por i bukur, një thesar i vërtetë i vendosur si qëllimshëm në pikëtakimin e tre rajoneve, Lombardia, Emilia Romagna e Veneto, gati i ledhatuar nga ujrat e lumit Po që kalon aty prane dhe i nanurisur nga ujrat e tre liqeneve piktoreske që e rrethojnë, do i hapë dyert fundjavën që vjen Festivalit të Kulturës Shqiptare. Një mikpritje bujare e qytetit-kryeqytet i kulturës italiane për vitin 2016, që di të çmojë shkëmbimet interkulturale dhe tu japë hapësirë edhe vlerave artistike e kulturore të etnive të tjera. Komuniteti shqiptar është i pari që e ka këtë privilegj, në sajë të dashamirësisë së autoriteteve lokale të këtij qyteti e veçanërisht të kryetarit të bashkisë, Mattia Palazzi, që edhe në raste të tjera e ka shfaqur hapur interesimin dhe vlerësimin për Shqipërinë dhe emigrantët shqiptarë.
I jemi mirënjohës që e priti që në fillim me entuziazëm e përkushtim iniciativën e Federatës FNAI e të shoqatës “Le aquile” të Mantovas për organizimin e këtij festivali të kulturës shqiptare, duke vënë në dispozicion ambiente të ndryshme, njerëz dhe fonde, që ky eveniment të kurorëzohet me sukses e të bëhet një urë miqësie, bashkëpunimi e shkëmbimesh të herëpashershme të vlerave të ndërsjellta të artit e të kulturës. Mirënjohje edhe Ministrisë së Kulturës në Tiranë e veçanërisht zëvendësministrit Zef Çuni për bashkepunimin e vazhdueshëm.
Festivali ka një kalendar të ngjeshur e interesant. Me dt, 10 qershor paradite do fillojë me konferencën për shtyp, ku përpara gazetarëve do të ndodhen drejtues të komunës së Mantovës dhe organizatorët e festivalit. Pasdite do të bëhet ceremonia e hapjes dhe vizita në ekspozitën e artistëve të arteve figurative Llesh Prendi, Alketa Delishaj e Xhimi Hoti. I ftuar special mjeshtri i gdhendjeve në dru, artisti Llesh Biba që vjen me punimet e tij që nga Tirana. Pastaj në ambientet magjike të teatrit Bibiena do jetë konferenca kulturore-artistike “Udhëtim nga Garibaldi tek Mona Liza shqiptare” e të talentuarit Klodian Kojashi, e cila do të shoqërohet me pjesë operistike të interpretuara nga sopranoja Mimoza Rama. Që në ditën e parë të festivalit do të jenë prezentë edhe përfaqësues të shoqatës arbëreshe “Vorea” në Frascineto të Kozencës.
Të shtunën me dt 11 do të jetë radha e shkrimtarëve dhe artistëve, që do gjallërojnë jo vetëm ambientet e eskpozitës së hapur në Shtëpinë e Rigoletos, por edhe ato të librarisë Nautilus, ku do të promovohet krimimtaria e poetit Tonin Nikolli, kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve e Artistëve.
Të dielën, në sheshin Mantegna do jehojnë si asnjëherë kënga e vallja shqiptare, do shpaloset bukuria dhe larmia e kostumeve tona kombëtare, sinfonia e instrumenteve popullore, që dëshmojnë lashtësinë, por edhe finesën e shpirtin prej artisti të popullit tonë. Do ngjitet në skenë ansambli i shoqatës “Ana e Malit” në Ulqin, i drejtuar nga e palodhura Lule Avdia, mësuese e pasionuar e shkrimtare e talentuar, që punon prej vitesh me këtë grup, i cili ka dhënë shfaqje e ka fituar çmime në festivalin e Gjirokastrës dhe në festivalet e organizuara nëpër Kosovë, është mirëpritur nga diaspora shqiptare në Amerikë etj.
Do e mbyllë aktivitetin Ansambli i shquar i Këngëve e Valleve Popullore të Tiranës, i cili ka bërë turne të suksesshme në tërë kontinentet, ai grup që çon përpara lavdinë e atij ansambli që dekada më parë në festivalin ndërkombëtar të Dizhonit në Francë fitoi Gjerdanin e Artë, në konkurencë me grupet më të famshme nga e gjithë bota.
Ky festival, i pari i këtij lloji në Itali, do dëshmojë vlerat tona. Ndaj, të bashkuar e pranë njëri-tjetrit, le ti ndjekim dhe duartrokasim artistët tanë, duke shpalosur edhe me këtë qytetarinë tonë të lartë dhe dashurinë për vendin tonë.