nga Edon Qesari, 28 Dhjetor 2019 – Peisazhe të fjalës
Në batarenë e ndërhyrjeve – më së shumti përqark albanosferës virtuale – që ndoqën Festivalin e shumë diskutuar të fundvitit në TVSH, një hapësirë krejt më vete duket se ende po merr diskutimi përreth tekstit të këngës së Elvana Gjatës. Çka i ngre peshë gjithë polemikat e rastit, gjithsesi, nuk ka të bëjë dhe aq me nivelin artistik të vargjeve. Cilësia e dobët letrare e tyre nuk duket se ka tërhequr shumë mbështetës, pasi është e qartë se teksti në atë rast është thjesht një ndërfutje artificiale në shërbim të ritmit, pa shumë pretendime poetike.
Më shumë vëmendje, përkundër, ka tërhequr gjuha në të cilën ai tekst është hartuar. Në një vështrim të parë, i ngjan zhargonit të zakonshëm që shpesh përdoret në tekstet pop (e akoma më shumë hip-hop) të viteve të fundit, i cili e ka zanafillën tek e folura e përditshme e disa qendrave urbane në Republikën e Kosovës (Prishtina in primis). Nuk është rasti i parë, as për vetë Elvana Gjatën – ashtu si dhe për këngëtarë e kantautorë të tjerë, origjina e të cilëve shpesh nuk ka lidhje me zona ku fliten versione të gegërishtes – që të zgjedhin atë të folur si medium përcjellës të këngëve përkatëse.
Janë shtjelluar konsiderata të shumta në këtë drejtim, e që kanë të bëjnë me aspekte të ndryshme: me leverdinë që gjen marketingu tek një zhargon i tillë, i cili çmohet si catchy; me një gjallërinë kulturore të skenës artistike në Prishtinë; me pjekurinë e kulturës underground të kryeqytetit kosovar, të shtrirë tashmë përtej kufijve administrativë e shtetërorë, e cila pikërisht në këtë të folur – shpesh të quajtur “kosovarçe”, akoma më shpesh “gegnishte” – shprehet dhe arrin majat e veta artistike. Tekstet e grupeve muzikore Jericho apo Troja, të kantautorit Genc Salihu, poezitë e të rinjve si Ervina Halili apo Ndriçim Ademaj – sa për të cituar disa emra të spikatur – janë shembuj të lëvrimit të kësaj gjuhe.
Thënë kjo, duhet shtuar gjithashtu se ishte e pashmangshme që debati i cili ndoqi këngën e Gjatës të shkonte dhe të “ngacmonte” andrallën e vjetër të marrëdhënieve standard-dialekt (e që në rastin konkret shndërrohet deri në përballimin standard-gegërisht – sado që, tek e fundit, nëse flasim për një rrafsh të sistemuar gjuhësor, gegërishtja nuk zotëron diçka të tillë dhe shpesh merr një shumësi trajtash rajonale dhe lokale, prej të cilave e folura e Prishtinës është veç njëra prej tyre).
Kush shkruan nuk e ka gjuhësinë zanat, pavarësisht se e ka të pamundur të mos dallojë se dhe gjuha, ashtu si çdo veprimtari njerëzore, mban mbi krye peshën materiale dhe ideologjike të kohës që ajo jeton – edhe për sa i përket mënyrës sesi ajo shkruhet në tekstet e mbllaçitura nëpër festivale.
Nëse një pjesë e mirë e formacioneve muzikore që shkëlqyen në skenën kosovare të viteve 1980, e deri në mesin e viteve 1990 (mes tyre emra si Gjurmët, Minatori, Lindja, Menkis etj.) përdornin në tekstet e tyre versionin standard të shqipes, kjo lidhet dhe me kushtet rrethanore politike nën të cilat gjendej Kosova. Prirjet centrifugale – e të tilla janë ato dialektore – edhe kur këto ishin pjesë e të folurës së përditshme, binin në kundërshtim me atë që ishte, le të themi, ideologjia mbizotëruese ndër njerëz (qofshin këta artistë, gazetarë, politikanë etj.). Asokohe, nevoja e një lidhjeje me dheun mëmë ishte parësore krahasimisht me zhvillimin e prirjeve lokale. Sot, është e qartë se këto kushte, si dhe hegjemonia kulturore e diktuar prej tyre, nuk janë më të njëjtat.
Rreth një vit më parë, në vijim të një artikulli të Ardian Vehbiut me titull “Drejtshkrimi i folur” (25 nëntor 2018), gjeta rastin për të nxjerrë në pah disa vëzhgime personale që pata bërë tutje-tëhu nëpër Prishtinë.
Vija re se teksa standardi në Kosovë vazhdon të ruajë, jo pa vështirësi, njëfarë monopoli në përdorimin zyrtar dhe gjysmë-zyrtar në shkresa (në lëmin administrativ, gazetaresk, në fushën e botimeve e ndokund tjetër), jashtë kësaj sfere mund të vëzhgohet një dualizëm i heshtur mes dy sjelljesh botore kundrejt tij.
Nga njëra anë ka një këmbëngulje të dukshme në përdorimin e standardit në shkrim – edhe pse në Kosovë, siç theksonte atypari Vehbiu, hendeku mes tij dhe shqipes së folur është veçanërisht i gjerë – kryesisht nga ajo pjesë e opinionit e cila politikisht dhe botërisht njihet për mbështetjen e fortë që ajo i jep idesë së një bashkimi politik mes Shqipërisë dhe Kosovës. E kam fjalën për atë segment të mirë-dallueshëm të jetës shoqërore, kulturore dhe politike në Kosovë – siç mund të jetë rasti i Lëvizjes Vetëvendosje, ose përndryshe e shumë eksponentëve që e përfaqësojnë, sidomos virtualisht – që përbuzin ose së paku e anashkalojnë enkas mundësinë e diferencimit identitar mes dy vendeve.
Në ritualet e tyre, për shembull, përfaqësuesit e kësaj prirjeje nuk përdorin flamurin e Kosovës – ose i shmangen heshturazi – kundrejt një përdorimi të ngjeshur të flamurit të Shtetit shqiptar, madje duke i respektuar këtij të fundit gjithë veçoritë e diktuara në Kushtetutën shqiptare. Thënë ndryshe për këtë thelë të opinionit kosovar gjuha e shkruar (duhet të) mbetet e njësuar me standardin, ndërsa ky është mishërim i Shqipërisë si destinacion final drejt bashkimit politik të dy trevave. Një devijim prej standardit do të thellonte hapësirën e ndarjes së padëshiruar të një identiteti të përbashkët.
Kësaj familjeje “shqip-shkruesish” duket se po i shtohet një tjetër në gjirin e elitave – kryesisht të atyre që gjuhën e shkruar e kanë një ushtrim të përditshëm (në sferë virtuale edhe këta, por dhe të botimeve që nuk i nënshtrohen a priori normave redaksionale): kjo është e përbërë nga individë, që lundrojnë ende në një plateau të paorganizuar kolektivisht, të cilët gjithmonë e më tepër po e zhdukin në shkrimet e tyre dallimin mes gjuhës së folur dhe asaj të shkruar, duke e afruar të dytën me të parën.
Nuk është e thënë që pjesëtarët e kësaj thele të jenë arbitrarisht kundërshtarë të nocionit politik që i jep frymë të parëve, por ideja e një identiteti (a nën-identiteti che dir si voglia) që për arsye nga më të ndryshmet po merr një drejtim autonom, duket më e kuptueshme/pranueshme për ta – ashtu si vetë ideja e një Shteti kosovar (me flamur përkatës apo skuadër kombëtare) që lypet të njihet si realitet, madje dhe nga një lloj “paternalizmi” i prejardhur prej elitave të Tiranës. Kjo çon ujë në mullirin e nevojës që dhe gjuha e shkruar të mos jetë më një urë e gjatë mes dy realiteteve të Tiranës dhe Prishtinës – të cilat, duam s’duam, janë duke u larguar – por një urë e brendshme në mesin e një popullate që standardin letrar të vendosur më 1972 e sheh gjithmonë e më shumë si një stërhollim barok të ndërlikuar, të largët dhe hegjemonik. Fakt mbetet se kjo prirje, duke mos qenë pasojë e një vendimarrjeje formale, vazhdon të mbetet pre nismash paksa kaotike. Me një fjalë, mishërimi i gjuhës së folur në atë të shkruar ende është në varësi të veshit të shkruesit, të mënyrës sesi ai e dëgjon e jo të një rregullimi njësues – ndryshe thënë, të një standardizimi të kosovarishtes.
Ndërkaq që dy fenomenet e mësipërme janë të vëzhgueshme ndër elita (por s’do i zija besë tundimit për t’i ndarë me thikë dy format e shkrimit), më gjerë mund të dëshmohet ekzistenca e një diglosie të mirëfilltë: krahas një gjuhe popullore, në Kosovë gjallon një katharevusa shqipe. Gjë që shfaqet si në rrethanat e shkrimit (shpesh vihet re një përzierje e standardit me trajtat dialektore) ashtu dhe në rrethanat e ligjërimit. Në disa ambiente, të flasësh sipas “shqipes së Shqipërisë”, pavarësisht se mund të duket shpesh e sforcuar, perceptohet si sjellje dalluese, herë e lëvdueshme, por jo rrallë e kritikueshme si fodullëk kinse-intelektual. Në të tjera rrethana, theksimi i trajtave dialektore në të folur, madje dhe më tepër se ç’mundëson terreni real i dallimeve mes gjuhës së njësuar dhe dialektit, merret si zëdhënie e njëfarë krenarie vendase, kësaj radhe vetëvlerësuese por dhe politikisht dalluese.
Ndryshe nga Kosova, ku standardi has probleme me të tanishmen e gjuhës së folur, në Shqipëri ai vazhdon të jetë pjesë e vorbullës më të gjërë të përplasjeve mbi trashëgiminë e të shkuarën diktatoriale; në lidhje me mënyrën si u vendos dhe sidomos të raportit asimetrik që standardi diktoi mes dy dialekteve kryesore të vendit. Çështje këto, tek të cilat nuk do të ishte nevoja të zgjatemi, përveç se duke thënë se prirjet anashkaluese të standardit, edhe në Shqipëri, janë të pamundura për t’u mospërfillur. Rasti i tekstit të një kënge në Festivalin e TVSH-së është mbase më banali, në një kohë kur lëvrimet e të shprehurit artistik/publik përmes formave dialektore janë gjithmonë e më të shpeshta nga shumë anë.
Në përfundim, vlen të tërhiqet vëmendja tek shembuj ndriçues përtej kufijve tanë kulturorë e gjuhësorë dhe që janë jo pak domethënës në këtë drejtim.
Në Norvegji, për shembull, gjuha zyrtare ka dy standarde në drejtshkrim. I pari, i quajtur Bokmål, shkruhet dhe mësohet në treva ku banon më shumë se 80% të popullatës. I zyrtarizuar në formën e vet aktuale në vitin 1929, ky drejtshkrim i ka themelet në një version të moçëm të gjuhës së përdorur nga shtresat e ngritura dhe ato urbane të shoqërisë norvegjeze, kur vendi ndodhej ende nën sundimin e Danimarkës dhe gjuha daneze ishte një lingua franca. Krahas këtij versioni, norvegjishtja ka në inventar dhe një tjetër drejtshkrim, të quajtur Nynorsk. Ky, i zhvilluar në mesin e shek. XIX, pasi vendi mori pavarësinë nga Danimarka, bazohet në të folurën e popullatave rurale në perëndim të vendit. Nynorsk-u është, siç dhe kuptohet, një formë drejshkrimore e cila mëton të nxjerrë në pah, nën një shtytje afërmendsh nacionaliste, ato karakteristika që më shumë e dallojnë norvegjishten nga danishtja – të cilat Bokmål-i rreket t’i gërshetojë.
Janë qartas dy gjuhë të cilat e gjejnë burimin në po dy rrethana social-kulturore të historisë norvegjeze, e që pavarësisht antagonizmit parimor në mes tyre, kanë zhvilluar dhe një jetë të paqtë e autonome në vazhdimësi. Është thjesht një shembull, kurrsesi në formë propozimi – pasi më mungon si ofiqi formal, ashtu dhe tagri profesional për ta bërë – por që mund të shërbejë si pikë orientimi për të mos ngritur, së paku në Shqipëri, tymnaja sezonale me prapavijë më së shumti politike se gjuhësore.