Festival me brekë në gardh të komshinjëve

0
566
Sara Bajraktari

– nga K.P.Traboini

Festival – Karnaval, ku çmimin e parë e marrin kompozitorët sllavë. More çfarë është ky kaos, ishte festival i këngës më të bukur apo këngëtares më të bukur. Të gjithë flasin për këngëtarët. Por fiton kënga, kompozimi, nuk mund të dalë interpretimi mbi kompozimin, por natyrisht bashkë me interpretimin.

Na rrofshin vajzat e bukura e koketat mendjelehta që e konsiderojnë skenën si një koncert personal, që më së shumti ulërijnë se këndojnë. Këngët me të bukura janë ato që meditojnë… jo më shaj e të shava, duke e zbritur përmbajtjen në batak e vulgaritete. Pse nuk mbështeteni tek krijimtaria e poetëve shqiptarë por mbështeteni nëpër sajesa fjalësh pa lidhje. Një zot e di çfarë bëhet me gramatikën, si masakrohet gjuha shqipe nëpër dhëmbë pa ditur se teksti është ai që i jep identitet këngës.

Ajo vajza e çmimit të tretë Sara Bajraktari do të ishte më dinjitoze ta përfaqësonte Shqipërinë në Eurosong. Sepse ishte bio – Shqipëri. Nuk ka nevoje jë zë koke për të hyrë në shpirtin e njeriut. Sepse arti nuk ka nevojë të buçasë. Eurosongu nuk është koncert në stadium. Në Eurosong përfaqësohen vlerat e shteteve e popujve duke sjelle secili shpirtin e vet. Ne po dërgojmë shpirtin e sllavëve.

Ku-ku medet për organizatorët dhe jurinë pa kokë. Kundërshtoni sa të doni, motivojuni, mbrohuni, na konsideroni po deshët të paditur ne që jemi ushqyer me Mentor Xhemalin, Vaçe Zelen, Gaqo Qakon, Tonin Tershanën, por ne e dimë çfarë është kënga shqiptare. Gjithsesi unë e konsideroj si një Fest-Skifo shqiptarësh të shpëlarë trush me pan-sllavizma ballkanike. E

dhe festivalin e 58-të një mini Shengen idiot me brekë në gardh të komshinjve.

Kolec Traboini, 24 dhjetor 2019

*) komshi – serb. fqinj.