Eshtë kënaqësi të shkruash për Feritin! Eshtë kënaqësi, jo vetëm për faktin se po shkruan për ish-nxënësin shumë të mirë, por për vetë faktin se ai po jep një kontribut të madh në shoqatën tonë të përbashkët dhe organizimin e shumë veprimtarive të saj! Unë këtë e shoh dhe e prek në këndëvështrimin tim, shpresoj se me mua do ndajnë të njëjtin qëndrim e të bashkohen e shtohen shumë zëra të tjerë. Kam bindjen e plotë dhe pa ekuivoke se duke menduar, vepruar dhe kontribuar më shumë secili nga ne, krahina jonë do shpalosë vlera si në çdo periudhë historike të saj…
Ekonomia është e para, ajo duhet dhe është kryesore, por duhen më shumë kontribute prej saj, të ndajmë “sadakanë”, në promovimin e vlerave të krahinës e banorëve të mrekullueshëm të saj. Benda është një “thesar” që ka filluar të kërkohet, eksplorohet dhe vlerësohet…Këtë nuk mund ta bëjë një person i vetëm, qoftë dhe kryetari i saj Feriti, i cili qe nismëtari kryesor i formimit dhe mori përsipër një barrë të rëndë, kryesimin e saj! Le të kontribuojmë secili me nga një “gurë” në ngritjen dhe fortifikimin e kalasë sonë të përbashkët, Bendës…
Ferit Hoxha lindi në fshatin Bulçesh më 15.03.1968 në një familje me shumë antarë dhe me tradita.
Arsimin fillor dhe 8-të vjeçar e kreu në fshatin e tij të lindjes. E filloi në vitin 1975 dhe e përfundoi në vitin 1983 me rezultate shumë të mira. Ai kujton me nostalgji fillimin e klasës së parë dhe mësuesen plot pasion, Naime Nela. Flet me shumë konsideratë për mësuesit e CL-së drejtorin Arjan Hysenbegasi dhe mësuesit Thoma Kolonica, Dulejman Doçi, Agron Shkëmbi, Faik Xhabrahimi, Haxhi Shehu etj. Arsimin e mesëm e filloi në Shkollën e Mesme Zall-Bastar në vitin 1983, në degën agronomi, dhe e përfundoi në vitin 1987 me rezultate shumë të mira. Duke u kthyer në kohë pohon: “Shkolla e Zall-Bastarit qe model. Punohej shumë, kishim mësues të përgatitur dhe të përkushtuar, kishte seriozitet dhe bënim edhe shumë veprimtari kulturore-artistike dhe sportive. Kam përshtypjet dhe vlerësimet maksimale për drejtorin Nazmi Shima dhe mësuesit Bilal Koçi, Hysen Hysa, Sefer Gracari, Agim Skoku etj. Nostalgji për ato vite dhe këtë shkollë”.
Arsimin e lartë e filloi në vitin 1987 në UBT-në, në Fakultetin e Agronomisë në degën Agronomi e Përgjithëshme dhe e përfundon në vitin 1993. Ka mbaruar në vitin 2008 edhe Fakultetin e Shkencave të Natyrës, dega Biologji-Kimi, në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Njëkohësisht Feriti pas shkollimit dhe vazhdimit të punës në pozicione të ndryshme ka kryer dhe këto kualifikime dhe veprimtari kualifikuese si: Kurse për anglisht, italisht, për ambientin etj.
Ka kryer kurse trajnimi për mësimdhënie; seminare për funksionimin e pushtetit vendor dhe qendror; Ka marrë pjesë në një studimin 2- vjeçar për “Studimin Limnologjik” të Bovillës; ka marrë pjesë e referuar në seminare në Shoqata të ndryshme për tema të profesionit dhe të drejtat e njeriut; ka menaxhuar dhe drejtuar disa veprimtari artistike dhe kulturore me shumë ansamble të disa shoqatave në vend; është përgjegjësi i veprimtarive Kulturore të Shkollës Mëzez-Fushë; është themelues dhe kryetar i Shoqatës Benda dhe Ansamblit Artistik të saj i krijuar, viteve të fundit. Feriti ka krijuar një përvojë në vite dhe po mundohet ta vejë në shërbim të Bendës e promovimin e vlerave të saj.
Duhet përgëzuar dhe mbështetur për këtë! Pas mbarimit të UBT-së dhe në vijim Feriti ka punuar:
• Në vitet 1993-’96 në aktivitet privat.
• Në në vitet 1996-2001 ka punuar në Komunën Zall-Bastar me disa detyra, kryesisht me kadastrën, shërbimet dhe ndihmat ekonomike. Këtu ai tregoi përkushtim në punë dhe u vu në shërbim të komunitetit të zonës.
• Nga viti 2002 deri në vitin 2010 ka punuar si biolog në Impiantin e Trajtimit të Ujit Bovillë. “Kjo qe një përvojë e madhe pune, pasi punova në profesion dhe mora shumë nga përvoja e biologëve e specialistëve me emër këtu”, – sqaron Feriti.
•Në vitet 2010-2014 ka punuar në firma dhe aktivitete private e shoqata kulturore e artistike.
• Specialist në Komunën Cudhi, janar-mars 2015.
• Nga marsi i vitit 2015 deri janar 2016 ka punuar si zevendës drejtor në Shkolln 9- vjecare Ahmetaq. Për këtë periudhë kohore pune në këtë shkollë, shprehet me shumë konsideratë për drejtorin e shkollës Ilir Domi e punën e tij, për kolektivin pedagogjik dhe komunitetin.
• Nga janari i vitit 2016 dhe në vijim punon si mësues bio-kimie në Shkollën 9 -Vjeçare Mëzez-Fushë. Rezultatet në punën e tij me nxënësit në këtë shkollë kanë ardhur në rritje.
Feriti bën përpjekje për ngritjen shkencore e profesionale dhe përmirësimin e metodave të mësimdhënies. Ai këtu drejton siç cekëm më lart dhe grupin artistik të shkollës. Për punën në këtë shkollë Ai shprehet: “Kolektivi ku punoj është shumë i mirë, shkolla ka staf mjaft të përgatitur, dhe shumë të përkushtuar në punën me nxënësit. Meqë më jepet mundësia dua të shpreh mirnjohjen time të lartë për ish drejtoreshën Valbona Duraj (Jaupaj) dhe kolegët në pension Sibe Mata dhe Sami Haka. Në arritjet që ka shkolla jonë dhe kolektivi pedagogjik, një rol të veçantë ka drejtoria e shkollës, dhe puna plot përkushtim e drejtoreshës Diana Tanushi dhe zevendëses drejtoreshës Majlinda Gjiku”.
Meqenëse puna e tij në dobi të komunitetit ka qenë e mirë, ai është zgjedhur:
• Anëtar i Këshillit të Komunës Zall-Bastar viti 1996.
• Anëtar i Këshillit Bashkia Kamëz në vitin 2003 dhe rizgjedhur në 2007.
• Nga viti 2003-2007 Anëtar i Këshillit të Qarkut Tiranë.
Motivi kryesor që më bëri të bëj këtë shkrim për Feritin qe: Veprimtaria dhe prirja e tij në aspektin shoqëror, iniciativa e tij së bashku me grupin nismëtar për krijimin e Shoqatës “Atdhetare Kulturore Benda, përpjekja e vazhdueshme e tij për promovimin e vlerave më të mira të Bendës, dhe ringjalljen e veprimtarive artistike me “Ansamblin Benda”, që me të drejtë është emërtuar me këtë emër. Benda ka dhe dy shoqata të tjera si atë të Selitë së Malit dhe Bena. Feriti bashkëpunon me to, dhe jo vetëm kaq por ka bashkëpunim dhe me shumë Shoqata dhe ansamble kulturore në vend. Benda tanimë është një realitet që mori jetë nga data 01.03. 2015, dhe brenda këtyre vjetëve ajo është bërë shtëpia jonë e përbashkët. Sa më shumë të kujdesemi dhe investojmë për të, aq më të shëndetshëm do të jenë pjestarët e familjes së saj. Duke kujtuar fillimet e Shoqatës, Feriti shton: “Banorët e krahinës janë të shpërndarë brenda dhe jasht vendit. Benda i mbledh të gjithë ato.
E ndjej veten me fat që jam nga nismëtarët për formimin e Shoqatës Benda. Më mbështeti grupi nismëtar, më motivoi që të siguroja gjithë dokumentacionin ligjor dhe në mbledhjen themeluese, më votuan unanimisht mua si kryetar. Kjo për mua qe privilegj por dhe përgjegjësi e madhe. Vitë pas viti ne u rritëm si shoqatë, morëm dhe krijuam përvojë të re dhe sot mund të them se jemi në rrugë të mbarë. Unë jam munduar të punoj me shumë pasion për “shtëpinë tonë” dhe mendoj se secili nga ne ndihet krenar për të. Këto punë nuk bëhen vetëm e pa përkrahje, pa përkrahje morale, pa përkrahje financiare dhe aq më shumë pa angazhimin tonë të përgjithshëm. Si shoqatë kemi organizuar disa veprimtari si: “Sofra e Bendês” viti 2016 në Vilëz; “Sofra e Bendës 2016 në Zall-Bastar; “Sofra e Bendës” në Qafë-Shtamë më 2018 etj.
Te gjitha këto me kontributin e dhënë nga biznesmenët : Ahmet Flora, Besim Kuka, Pëllumb Gjoka, Ibrahim Zeneli, Xhevahir Bilja, Sami Flora e shumë të tjerë. Kemi patur edhe ndihmën financiare të disa intelektualë dhe anëtar të kryesisë, dhe jo vetëm. Kontribut të madh ka dhënë dhe Mehdi Elmaz Hoxha me gazetën dhe sponsorizime të tjera, kontribut ka dhënë dhe doktorr Azemi, disa drejtor shkollash, kolektiva pedagogjikë etj. për evente të ndryshme, figura të spikatura dhe ngjarje me vlera. Po kështu si kryetar i Shoqatës sonë kam bërë propozime, akorduar tituj, kam bërë kërkesa të ndryshme në instanca shtetërore, dhënë çertifikata, akorduar tituj, marrë vendime etj. Të gjitha këto me përgjegjësi nga ana ime, me marrjen e mendimit dhe aprovimin e anëtarëve të kryesisë. Më kanë ndihmuar shumë intelektualë të krahinês për probleme të ndryshme që lidhen me profesionin e tyre dhe jo vetëm”.
Shoqata dhe veçanërisht kryetari i saj Feriti kanë bërë një punë shumë të mirë në “ringjalljen” e vlerave kulturore dhe artistike. Kjo në vitet ’90 mori goditje vdekjeprurëse në gjithë republikën, përkatëdisht dhe Bendë. Krahina në këtë aspekt është thesar, thesar në vlera kulturore, thesar me element që zevendësohen brez pas brezi… Këto u venitën pak a shumë nga trazicioni… E ky ansambël që u riorganizua gjatë vitit 2915 dhe 2016 nën kujdesin e Shoqatës Benda, do t’u paraprijë grupeve artistike, në shkolla, elementëve dhe instrumentistëve të rinj në promovimin e vlerave kulturore dhe artistike të krahinës. Duke folur për këtë problem Feriti thotë: “Fillimisht ju përgjigjën thirrjes sonë muzikantët; Ramazan Cani, Shaban Luga dhe Musa Kabili dhe valltarët; Nazmie Dedja, Adriatik Lila, Antoneta Tafa dhe Kujtim Balliu.
Kjo qe fillimisht bërthama e vogël. Më pas me këtë bërthamë u bashkuan muzikantët e tjerë; Jashar Disha, Xhemal Heta; valltarët: Arjan Dërvishi, Reshat Kodra, Hasan Sulmeta (Meta), Avdi Sefa (Hajdini), Rudina Fejza dhe Fiqirete Pera. Po kështu u ofruan edhe këngëtarët: Kasem Murati, Gëzim Hida, Haxhi Gjoni, Afërdita Murati (Lala). Falë punës sonë erdhën edhe disa valltarë të rinj si; Sinan Afmati, Florenc Tafa, Marsela Tafa, Arlind dhe Erjola Hoxha. Këto i dhanë impuls të ri ansamblit duke ngjallur shpresat për të ardhmen”.
Krijimi i këtij ansambli është arritja më e madhe në promovimin e vlerave kulturore. Kur i sheh si preformojnë si ansambël të rritet shpresa, se këto do ecin shumë përpara në promovimin e vlerave të pashterëshme kulturore të krahinës… Suksese dhe arritje të mëtejshme këtij grupi në shpalosjen e folkut tonë në përgjithësi dhe vlerave të tyre individuale në veçanti. Duhet vullnet, punë, përkushtim dhe profesionalizëm që ta imponojnë profesionalistët.
Kjo nuk mjafton dhe ndër të tjera mendoj se duhet:
1- Mbështetja nga Bashkitë dhe Njësitë Administrative me sponsorizime dhe profesionistë.
2- Të kërkohet ndihma dhe përkrahja financiare edhe e biznesmenëve të zonës për sponsorizimin e grupit!
3- Të vendoset një udhëheqës artistik dhe të grumbullojë elementë të rinj, të bëjë një program afatgjatë mbi veprimtarinë e grupit!
4- Grupi me rapsodët që do ketë të kalojë nga vallet e kënduara tradicionale në këngët që do jenë të larmishme!
5- Grupi të krijojë orkestrën instrumentale dhe të performojë me të!
6- Grupi të bashkëpunojë me poetë të zonës dhe jo vetëm, për krijime këngësh të reja!
7- Besoj se grupi do avancojë në repertor dhe do eci në shembujt e ansambleve të krahinave të tjera. Këto janë disa mendime modeste që mund të merren në konsideratë…Shumë mirë ato vallet e kënduara në dekada, nostalgji dhe vlerë janë ato, por të avancojmë më tej. Fjalën e fundit e thotë specialisti dhe jo unë…
8- Me këtë grup të ristrukturuar ne si krahinë mund të marrim pjesë në evenimente kombëtare, pse jo, dhe jashtë vendit në trevat e më gjërë.
9- Duhen bërë vidioklipe të reja, koncerte recitale, inçizime, dhe publikime në media dhe rrjetet sociale të këtyre vlerave…
Mendoj gjithashtu Institucionet dhe Kryesia e Shoqatës sonë do i shohin më me përparësi problemet e kulturës dhe promovimin e vlerave kulturore të krahinës si për këngët, vallet, doket, zakonet, traditat, veshjen e bukur karakteristike, ritet etj.
Feriti krahas problemeve të Shoqatës “Atdhetare Kulturore Benda” ka dhënë një kontribut edhe në gazetën “Benda” duke shkruajtur artikuj të ndryshëm me tematika atdhetare, historike, kulturore dhe të profesionit të tij, ka shkruar dhe në organe të tjera shtypi. Mban korespondencë me një numër të madh njerëzish, intelektualësh, përfaqësues të shoqatave simotra dhe organizatave jo qeveritare.
Urime për arritje të reja, Shoqatës “Atdhetare Kulturore Benda” në rrugëtimin e saj!
Urime Grupit Artistik, si pjesë e indentitetit tonë. Ai duhet të na përfaqësojë denjësisht në eventet e tij! Suksese dhe punë të mbarë Feritit në realizimin e detyrave që rrjedhin nga pozicioni dhe dashuria për vendlindjen!
IBRAHIM KABILI
Tiranë më 21.03.2021
Ibrahim Kabili i nderuar,ju jam shume mirenjohes une 85 vjecari sot, Nisur jete e mesuesiese dhe Kulturs pikerisht ne ate zone te shkelqyer ne radhe te pare me TRADITAT.
Ishte viti 1966,nisur ne Zall-Mner (Bulceshin shkeolle mvartese) nga 1967-73 ne Zall-Dajt.nga ruaj kujtimet me te pa harruara ne fushen e arresimit e te kujtures. Do ju lutesha, beni historikun e zhvillimit ne ate treve,nga pas clirimit te pakten,qe ka tradita me vlere.
Sa pershkruani ju me ngadhnjojne,po do te doja te flitet per vitet pas clirimit me apongjene e tyre,vite 55-75.ku zona e*Bendes*(Shupalit) zonte vendte te merituara ne aktivitete deri kombetare. Veteranwt e vateranet e para duhen evidentuar me emra.
Une,prag 85 vjetorit,e tej atdheut,nuk po i permend dot…Referojuni shkrimeve te festivaleve deri shkalle vendi-Shupali pjesmarres. Mos harroni,istrumetiste Luga sa valltaret e para (Vallia e trashegimise ,dyshe,baba e bir,Abaz e Petrit Dajti, nga Dajti sa Selita e Mositi, Shengjini, Dajti, Beshi me Vilzen deri Bastar-muriza pjesmarres..
Me bete te jetoj me ato vite sa shkruani,ato artiste te rinj,me mbiemrat e prinderve apo fisit te tyre, sot artiste te vertete, si vete Ju i nderuari Ferit Hoxha,une uruar lindien tuaj ne famile mes Bulceshit…me mesuesin nder te paret Halil Skendaj…me shoke…Deri i madhi shkrimtr Petro Marko,*1966-67*qendruar ne ate zone e marre subjektin e librit*Ara ne Mal* …Sa kemi per te treguar po u plakem..nga Toronto e kanadase ju pershendes.
Me rinojne, grupet artistike te emigranteve me baze,ato tradita…Miresite ju shoqerrofshin. me nostalgji COVIDI blokuar mes Torontos,qe po na pershendet me pranveren…
Me ju Dh. Xhoga
I ndruar profesor Dhimitri!
Te falenderoj nga zemra per fjalet dhe petshtypjet tuaja ne lidhje me Krahinen e Bendes dhe per mua personalisht!
Gjithashtu te falenderoj per rekomandimet qe ju jepni ne lidheje artin e kulturen e kesaj zone.
Ju siguroj qe do te merren ne konsiderate nga ana ime dhe e Kryesise së Shoqates.
Te uroj shendet familjarisht!
Me respekt Ferit Hoxha
Komentet janë mbyllur.