Ferhat Çakërri dhe kontributi i tij në letërsinë shqipe për fëmijë

0
2349
Ferhat Çakërri - këngëtari i engjëjve

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Ferhat Çakërri është një ndër poetët e letërsisë Shqipe për fëmijë e të rinj mjaft i njohur me krijimtarinë e tij të pasur.

Duke u ndalur në krijimtarinë e autorit, menjëherë na bie ndër mend vlerësimi i studiuesit Luigi Santucci, ku thekson rolin e letërsisë për fëmijë dhe e quan letërsi e magjisë dhe e mrekullisë. Të tillë e bëjnë këtë letërsi “gjuha, mënyra e konceptimit, e shtjellimit dhe e të shprehurit, qartësia dhe thjeshtësia e mesazheve; loja që është e pranishme e që gërshetohet me anë të humorit të natyrshëm e me një funksion të shumtë. Pikërisht këta përbërës te fëmijët zgjojnë kureshtjen, kënaqësinë, fisnikërimin dhe pasurimin shpirtëror.

Zbërthimi i këtij mesazhi është i qartë: për dëfrimin dhe edukimin e fëmijëve përdorim përrallën, gjëzat, këngët e fabulat popullore. Në krijimtarinë e Ferhat Çakerrit, mbi 40 vjersha janë bërë këngë-lodra në jetën e fëmijëve shqiptarë, gjë që tregon për shpirtin e thellë poetik dhe komunikimin e drejtpërdrejtë të tij me botën dhe psikologjinë e fëmijëve.
Në letërsinë për fëmijë Ferhat Çakërri u shfaq qysh në vitet ’60, kur këtë letërsi nisën ta lulëzojnë me shpirtin e tyre poetik autorë të shquar, si: Bedri Dedja, Odhise Grillo, Tasim Gjokutaj, Adelina Mamaqi, etj.

Imagjinata e pasur e Ferhat Çakërrit shpalos botën emocionale, shpirtërore dhe ëndërruese të fëmijëve në shkollë, shoqëri, buzë detit, pranë monumenteve, stinëve të vitit, portreteve të fëmijëve dhe dëshmorëve të Atdheut. Ai, duke e njohur mirë jetën e fëmijëve arrin të depërtojë thellë në lumturinë e tyre.

E thura këngën
bukur, ngadalë
flladi e mori
fëmijëve t’ua falë.

E thura këngën
zogu e këndoi
fëmijëve të vegjël
me vrap ua çoi.

E thura këngën
si mjalti të ëmbël
për ju vocërrakë
e thura me zemër.

(E thura këngën)

Menjëherë e kuptojmë që kemi të bëjmë me përmbledhjen e vjershërimeve të Ferhat Çakërrit në librin antologjik nën titullin “Ku ta gjej pranverën…” Në këto poezi pasqyrohet realiteti i shumanshëm i jetës së fëmijëve. Vargu i skalitur herë derdhet me ngjyrat e ylberit e herë dallgëzon me valët e detit, herë del nga përrallat e fëmijërisë e herë bleron mes drurëve të pyjeve mesdhetare. Përmendim këtu vjershën Dielli ndezi retë;

Dielli ndezi retë,
i skuqi si shegë,
pastaj si një top,
na u zhyt në det…

Apo tek vjersha Det, o det i bukur shumë;
Det, o det i bukur shumë,
ku e gjen atë sapun,
që lan bregun e shkëmbinjtë
me të bardhën shkumë përditë?

Dallëndyshet e kujtimeve të poetit shpesh përshëndesin e përqafojnë pulëbardhat në brigjet e Vlorës; O ju pulëbardha,

Zogëza të urta,
me pendë të bardha,
me pupla të buta,
…………………………
………………………..
O ju pulëbardha,
që kridhni në det,
shigjetë seç ngrihi,
ku ndizen rrufetë.

(Pulëbardha)

Gjyshja dhe nëna mëkojnë në vargun e poetit një dashuri të rrallë njerëzore;

Gjyshja ime ka shumë xhepa
Në fustan dhe te xhaketa,
plotpërplot gjithmonë i mban,
sikur është ndonjë dyqan…

Për çdo ditë na fton pranë,
ç’ka në xhepa i shpërndan…
Dhe kur xhepat zbrasur rrinë,
vijnë era trëndelinë!…

Bukuria e vargut në këtë vjershë kapërcen imagjinatën e fëmijëve për gjyshet e tyre të mira, të cilat mendojnë vetëm për ta, se si t’i kënaqin nipërit dhe mbesat e tyre. Ato mezi presin që t’i gostitin vogëlushët me gjëra të mira si: karamele, çokollata, bajame, arra, biskota etj, prandaj xhepat e gjysheve janë përherë plot.

Këto motive e detaje poetike paraqiten nga poeti në mënyrë të figurshme, me metafora, krahasime e përgjithësime poetike, si një lojë në jetën fëminore. Shkolla përherë është vatra e dashur e diturive:

Ku e kanë folenë dhjetat,
që të shkoj e të mbush xhepat?
Pastaj t’i vë në fletore,
të jem nxënëse shembullore?

Dhjetat, bijë, e kanë folenë
Ku mësojnë abecenë.
Po ta gjesh nuk është e lehtë,
Duhet mund e duhet djersë!

(Ku e kanë folenë dhjetat?)

Ndërsa liria dhe flijimi për Atdheun mbartin një botë universale:

Nënat ndezën yjet,
të ndriçonin pyjet,
të kalonin trimat
porsi vetëtimat.

Nënat mblodhën yjet,
i vunë mbi krye,
yje partizani
na u mbush vatani!

(Nënat ndezën yjet)

Krijimtaria e Ferhat Çakërrit është e larmishme dhe plot ngjyra e tinguj, ç’ka ngjall gëzim e lumturi në botën e fëmijëve.

Breza janë rritur dhe edukuar me krijimet e mrekullueshme të tij.
Përmendim këtu dhe realizimin e vëllimit “Ku ta gjej pranverën….” Plot 143 vjersha, të ndara sipas cikleve; Xhepat e gjyshes, Nënat ndezën yjet, Ku ta gjej pranverën..,Deti më hedh valë…, U ngrit një balonë, ku je fshehur lepur ti?. Në mjaft poezi të këtij poeti gjenden tema, motive, ngjarje e fenomene interesante.

Poeti, njohës i thellë i vargut dhe muzës popullore, ka shfrytëzuar me mjeshtri traditën folklorike të trevës së Vlorës. Në krijimtarinë shkrimtarit për fëmijë Ferhat Çakëri një vend të rëndësishëm zënë përrallat. Kështu ndodh dhe me librin “Arlini dhe e Bukura e Dheut”(2001). E ndarë në pesë pjesë:

Aventurat e Arlinit, Mbretëria e nëntokës, Mrekullitë e mbretërisë, Ëndrra e parë, Ëndrra e dytë, ku secila prej tyre përfshin një ëndërr, sepse gjithë përralla është një ëndërr që përfshin ëndrra të tjera ndaj dhe ngjarja bëhet edhe më e bukur. Formati hyrës, nis me formën klishe të përrallave Na ishte njëherë.. Një herë e një kohë më parë… Përralla tregohet në vetën e parë, nga bukuroshi Arlin, si një aventurë me mrekullitë e saj imagjinare.

Arlini, personazhi kryesor i përrallës, ishte shumë i bukur dhe nëna e tij kishte shumë merak për djalin: Na ishte dikur, kohë më parë, një vogëlush i bukur si yll, me emrin Arlin. Bukuria e tij kishte marrë dhenë… Një bukuri e tillë as nuk ishte parë e as nuk ishte dëgjuar ndonjëherë… Arlini bie në gjumë të thellë dhe ëndërron sikur rrëzohet në humnerë, dhe atje ndeshet me çudira nga më të ndryshme. Autori ka përdorur një gjetje interesante, një flutur që kthehet herë si Zanë, e herë si e Bukura e Dheut.

Arlini përballet në luftra të ndryshme, ku u mbrohet nga Zana. Siç mund ta kuptojmë, në këto luftime virtuale shfaqet dhe trimëria e tij kundrejt bajlozit të zi. Dhe kështu, ëndrra përfundon, Arlini zgjohet nga nëna e tij dhe e kupton se ishte thjesht në një ëndërr të çuditshme. Në këtë përrallë të bie në sy dhe një nga veçoritë e këtyre përrallave, përshkrimi i peizazhit natyror deri në detaje, si: Nëpër lëndinën e mbushur me lule të bukura dhe me barin deri në gjunjë, flutura ulej e ngrihej nëpër lule, duke rrahur lehtë krahët ngjyra-ngjyra…Dukej se u bënte veri gonxheve të porsaçelura. Gjithashtu me një stil të veçantë, autori përshkruan edhe figurën e njeriut të shëmtuar e negativ si kukudh, që ta shpif. Ishte i veshur me një pelerinë të zezë.

Kishte dy sy të dalë nga zgavrat, si topa pingpongu apo si të gaforreve, të ndezur zjarr. Me një gojë sa një kamare, nga dilnin disa dhëmbë kërcënues, të mprehtë si të miut.
Kjo përrallë përshfaq mendime dhe ndjenja të bukura, sepse gjithçka në këtë udhëtim aventuror të Arlinit ka dorën e fantazisë. Ëndrra e Arlinit është e lidhur me ëndrrat e fëmijëve, me imagjinatën, kureshtjen dhe dashurinë për të mësuar gjithë dituritë e kësaj bote.

Në këtë krijim të bie në sy humori i cili shoqëron aventurat e parsonazhit, Arlinit: Tek ne kush këput një lule, ndërshkohet me tre kamxhikë gjarpri në kurriz, shyqyr që nuk e këputa, se do të haja tre kamxhikë gjarpri në kurriz, sa do më dukej prifti gomar, Dhe do të lëngoja dhjetë ditë në shtrat, Kurse ligjet te ne janë të buta dhe elastike, trëndafili i kuq ma bënte me sy, që t’i merrja erë.

Ferhat Çakërri është një shkrimtar që e njeh mirë botën e fëmijëve, ndaj në përrallat e tij përcjell shumë informacion mbi llojet e luleve duke filluar nga mbreti i luleve, trëndafili, karafili, manushaqja, zambaku, lulemimoza etj. Një lule e veçantë, tërheq vëmendjen, lulja e zemrës quhej. Një lule e kuqe në formën e zemrës, apo lulja lotuese, që qan dhe i dredh lotët pika-pika si vesë. Autori luan, thurr kurorë me to, duke hedhur dhe valle dhe zbukuruar përrallat e tij: Lulet morën një valle të kapura dora-dore, domethënë gjethe më gjethe. Kësisoj, autori i mëson fëmijët t’i duan dhe të kujdesen për to.

Gjithashtu, në përrallë nuk ka sesi të mos bjerë në sy dhe pershkrimi e bukuria e Zanës: hija u kthye në një Zanë të bukur, si e pikuar nga qielli, aq e bukur ishte sa t’i prisje kokën… me një nishan si petale trëndafili në faqen e djathtë, ishte veshur me një fustan të bardhë nusërie dhe me një kurorë të artë në kokë, që ia kalonte Miss Botës, buzëqeshi si një trëndafil me vesë, duke formuar në të dy faqet dy gropa që ia shtuan edhe më shumë hijeshinë…

Krahasimet zënë vendin qëndror në përshkrimin e figurës së Zanës. Por edhe në përshkrimin e portretit të Arlinit nuk mungojnë detajet dhe krahasimet e tipareve të djaloshit bukurosh, me sy të bukur si të sorkadheve, me trupin si selvi, me hundën si qiri dhe flokët e argjendtë si rrezet e diellit, edhe guximtar. Këto cilësi i kishte trashëguar nga Gjergj Aranitasi, sepse ishte stërnipi i tij…

Një element tërheqës për fëmijët është dhe dialogu, i cili zë vendin kryesor në aventuën e Arlinit dhe e bën më të këndshme përrallën.

Vëmendje dhe interes të veçantë për fëmijët kanë tërhequr edhe vjershat që i kanë marrë motivet nga përrallat dhe fabulat popullore. Te këto krijime në vargje, karakteristikë është mendimi i mprehtë dhe mjeshtëria artistike e poetit, aktualizimi i tyre në jetën e fëmijëve, si dhe përcjellja e mjaft vlerave edukative dhe estetike.

Përmbledhja “Pula klloçkë bën vizita”, e klasifikuar përrallë në vargje, ka një ndërtim interesant. Ndërtimi i vargut në mënyrë alegorike, ku veprojnë e flasin kafshët e shpendët, bëjnë të mundur të realizojnë më së miri një komunikim të gjallë e aktiv me fëmijët, duke nxjerrë në pah stigmatizimin e veseve e dobësive të njeriut e të jetës shoqërore. Kjo përmbledhje ka si kryepersonazh pulën klloçkë dhe tregon për bëmat dhe aventurat e saj. Autori ka marrë një personazh të dashur për fëmijët, një nënë zogjsh, që fëmijët e kanë aq qejf.

Ndaj lexuesit apo dëgjuesit e moshës parashkollore, të cilëve u adresohet krijimi, i presin gojëhapur bëmat e saj. Pra, me ngjarjet a ndodhitë e poemës-përrallë, poeti realizon artistikisht një botë joreale për kafshët, që bëhet reale në sytë e fëmijëve.

Në këtë vepër letrare për fëmijë, autori përdor me mjeshtri dialogun midis personazheve kafshë, ku zbulon botën e tyre, duke ngjallur tek lexuesit e vegjël ndjenja e emocione. Bisedat e Pulës klloçkë, Bletës, Palloit, Lejlekut, Iriqit, Ariut, Derrkucit etj, nxjerrin në pah dhe tiparet e tyre duke i bërë personazhe interesantë që e tërheqin fëmijën. Ky krijim është i mbushur me plot kafshë, shpendë e kandrra të ndryshme.

Dhe vogëlushi merr informacion mbi botën e këtyre qënieve, zgjeron dijet e veta, si për mënyrën e jetesës, ashtu edhe për atë të ushqimit dhe natyrës së këtyre kafshëve e shpendëve. Njeh miqtë dhe armiqtë e tyre, luftën për mbijetesë. Por të gjitha këto janë dhënë në mënyrë tërheqëse, me një fabul që të gëzon e të bën të qeshësh. Pikërisht ky humor përbën vlerë në krijimet për fëmijë të Ferhat Çakërrit. Krijimet e këtij vëllimi janë në monokolonë. Vargu është i matur, tetërrokësh, herë gjashtërrokësh dhe herë këto masa gërshetohen. Rimat janë të puthura.

Siç e ka theksuar kritika jonë, Ferhat Çakerri ka një varg lodrues e të këndshëm për fëmijët. Veçori e krijimtarisë së tij poetike është mbështetja në folklor. Veç kësaj ai është një vëzhgues i kujdesshëm i botës fëminore, i lodrave e i këngëve që këndojnë të vegjëlit e sotëm. Dhe prej tyre ka marrë mënyrën e të thururit, detajet interesante. Ndaj vargjet e tij kanë tingëllimë, rimë e ritëm, kërcehen e këndohen nga fëmijët. Në krijimtarinë e tij poetike ky poet shpalos ëndrrat dhe botën e fëmijëve me një vizion të ylbertë.

Një vend të rëndësishëm në krijimet e autorit zënë dhe gjëegjëzat të botuara në shtypin letrar për fëmijë, si dhe në vëllimet: Mendo pak se do ta gjesh, Unë pyes e ju përgjigjeni, Gjëegjëza etj., në të cilat, në mënyrë metaforike, ai vë në lëvizje imagjinatën e fëmijëve për të zbërthyer enigmat e tyre. Në mjaft gjëegjëza të bukura, fëmijët ushtrojnë logjikën dhe fantazinë e tyre për të njohur natyrën dhe objektet e ndryshme, për t’i vlerësuar ato e për të mbajtur qëndrim ndaj tyre.

Kështu, gjëegjëzat, në vargun e poetit bëhen lodra të bukura poetike që përcjellin edhe humor te fëmijët. Ato veç rëndësisë që kanë për të ushtuar të menduarit e të vegjëlve, kanë edhe vlera njohëse e edukative. Në krijimtarinë letrare për fëmijë të Ferhat Çakërrit përfshihen edhe librat me tregime, përmendim këtu “E fshehta e kalasë” (novelë e tregime, 1984). Është një libër që përcjell njohuri historike në formë artistike, siç jemi mësuar tashmë me krijimet e autorit. Ky libër mbart në vetvete një të fshëhtë që i mbetet në dorë lexuesit të vogël ta zbulojë.

Libri është ndërtuar në dy pjesë; pjesa e parë është novela e cila rrëfen të fshehtën e kalasë dhe pjesa e dytë është e përbërë nga tetë tregime. Në pjesën e parë flitet për misterin që fsheh kalaja nën ujë. Me mjeshtëri autori përshkruan bukuritë e Vlorës dhe kaltërsinë e detit. Në novelë përshkruhet edhe aventura e tre shokëve të ngushtë: Artani, Agroni e Iliri.

Secili nga këta tre personazhe i vesh me karakteristika të ndryshme, jo të njëjta: Iliri, një djalë i zgjuar e gazmor, vinte me trup të drejtë si plepi (krahasime që përdor autori), sy të gjallë e të qeshur dhe flokë të zinj si pendët e korbit, ishte një nxënës mesatar. Ndërsa Artani e Agroni ishin të shkëlqyer në matematikë e fizikë. Këtu, autori vlerëson rëndësinë e shkollës. Ajo në asnjë mënyrë nuk duhet të lënë pas dore, pasi është mëma e dijes, është e vetmja që na hap rrugët e vështira dhe të gjata të jetës, na bën më të qytetëruar e më të kulturuar.

Pjesa e dytë e librit është e përbërë nga tema të ndryshme.
Trajton tema të jetës së përditshme, jetën e fëmijëve dhe lojërat e tyre, tema për shoqërinë, punën, duke përcjellë tek ata vlera edukative. I mësojnë lexuesit se ç’është e drejtë apo e gabuar në jet, se e vërteta shpërblehet gjithmonë, ndërsa gënjeshtra ndërshkohet. Pa harruar vlerat historike që paraqet vepra. Një element tjetër që e bën të pëlqyeshme është dhe përdorimi i dialogut, gjuha e pastër dhe e kuptueshme, fjalitë janë të shkurtra e konçize.

Me veprat e tij autori ka bërë përpjekje edhe për pasurimin e fjalorit të fëmijës me fjalë të reja. Ferhat Çakërri kërkon të përhapë dijen tek lexuesit e vegjël dhe këtë gjë e bën me anë të mikut më të mirë dhe të dashur, librit. Ky vëllim me novela e tregime ka arritur t’i rezistojë kohës. Sidomos krijimet poetike të këtij autori mbahen gjatë në mëndje, pasi muzikaliteti i vargut të tij, botëpërjetimet e thella, gjuha artistike e lodruese, humori, bota përrallore dhe ëndërrimtare janë mbresëlënëse.