FENOMENI ÇILI DHE VEMJET INTELEKTUALE QË MBANTE ME BUKË

1
444

Nga Kolec P. Traboini

Le të paraqesim një vështrim ndryshe nga mediokriteti mediatik dhe kastat sunduese, të cilat pompojnë mediat me gërvima si teneqe të prishura për rastin e një arrestimi të bujshëm që më kujton shprehjen “Moj këmborë e madhe, qumështi gjysmë okare!

Rasti Henry Çili, pronar i Universitetit Europian të Tiranës dhe botues i gazetës MAPO (në mjaft raste kritike e veprimeve të qeverisë socialiste), i arrestuar nga policia për tentativa korrupsioni të zyrtarëve të lartë të drejtësisë, pastrim parash e tjera llogje prokurorësh provincialë, është krejt ngjashëm si në një roman të famshëm të Honore De Balzakut “Iluzionet e humbura”. Një provincial me emrin Lysien Shardon kërkon të sfidojë qarqet e larta e shoqërinë mondane parazite në Paris; por krimbat parisienë e shfrytëzuan, e hëngrën, e varfëruan dhe e bënë për gijotinë.

Henri Çili, ky emër ndërruar për lavdi, që ëndërronte të futej në rrethin e fisnikërisë intelektuale, ky Lysien Shardon shqiptar, ato 750 mijë euro që do merrte nga një fshatar fatkeq nga Lazarati (që kërkonte të lehtësonte sadopak dy djemtë e vet në burg për vrasje), nuk i donte për vete. Çili mbante një profesorat me bukë, ndër ta deputetë e njerëz të politikës së lartë, funksionarë partish, kalemxhi gazetash e portalesh, sofistë, deri dhe ish ministra, të cilëve ua botonte librat dhe u jepte para nga ai thesi, që policia e quan në daljet e veta publike “para të pista”.

Gruri i pistë pra paskan bërë bukë të bardhë për llafeologët e Tiranës. E këta e morën në qafë. A e dini sa thjeshtë vishej Çili? E keni parë nëpër Tiranë, apo në veprimtari kur bënte ato konkurset e letërsisë? Ashtu siç vishen sot në të gjithë fshatrat, apo njerëzit e thjeshtë në qytet, pa asnjë tendence për t’u dukur, kur, ata që mbante me bukë, pedagogë-demagogët pra, pispilloseshin, ngrefoseshin e kakarisnin si gjeli mbi mullar të bajgave, veçmas nëpër panelet televizive, ku i jepet mend gjithë botës nën shembullin e ndritur të gjithologut tonë lavdimadh e mendjengecur.

Ambicia e Henry Çilit nuk qe pasuria, por hyrja në rrethin e të zgjedhurve, në hollet e famës të këtij kryeqyteti këtu në një provincë të Europës, ku populli rron në breg të detit e në kulm të mjerimit. E ka thënë Noli aq mirë… Pra atij i duheshin paratë për t’u bërë i zgjedhuri i shoqërisë së lartë, i vip-rripave të Tiranës, ku nuk mund të hysh aq lehtë, nëse nuk je në agjendën e kryeujqërve të këtij vendi. Çili punoi e gaboi (nëse vërtetohet korrupsioni) për t’u siguruar mirëqenie vemjeve intelektuale, të cilat dhe po e groposin, sepse Çilit i mbaruan paratë. Kish kohë që thoshin është trokë. Mbyll gazetën e hap gazetën.

Kësisoj lëkura e tij vlente vetëm për propagandë leshiste, kinse luftohet krimi në këtë vend, ku regjistrohen deputetë e ministra në bashkëpunim me njerëzit e hurit e litarit në vjedhje votash. Ku kriminelët, kryetar bandash, që kanë vrarë me dhjetëra njerëz, të dënuar për krimet me burgim të përjetshëm, lirohen dhe i punësojnë në Bashki. Hajt pra se po dënohet Çili. Të zërë vendin e atij kryekriminelit, që u lirua nga burgimi i përjetshëm për vrasje të shumëfishtë dhe u punësua në Bashki.

E nga kush do dënohet? Nga vetë kriminelët aspak më të mirë se Çili, që e anatemojnë pasi e ropën. Pyetjen se me kë po e bënte aferën e korrupsionit në drejtësi Henry-Naim Çili, mos e bëni se ai (emri i të cilit nuk thuhet), po punon natë e ditë për reformën në drejtësi, ky yll karvani që kurrë s’po ndrin.

Jalla shofero, ku je tue shkue?!” thotë populli i thjeshtë në një këngë të vjetër vulgare mejhanesh. Gjithologu në timon nuk përgjigjet se mban mbi supe peshën e rëndë të gjithë globit, si Anteu… maje plehut.

1 KOMENT

  1. Kolec P Traboini *Të lumtë ajo MËNDJE – komanduar atë PENË – sa keni thënë*. Fatkeqësi e KOMBIT sa përjetojmë…
    *Pasuesit Veteranë* – nga Toronto – të urojnë… (mes tyre-kolegu juaj)

Komentet janë mbyllur.